ORGANIZATA BAZË (III)

Asgjë nuk e ilustron më mirë rolin e organizatës bazë të PPSh si ndërfaqe midis publikes dhe privates sesa trajtimi që i bëhej aty familjes si kategori sociale.

Kodi gjenetik i komunistit

Çdo komunist kishte kartën e vet të regjistrimit, diçka midis biografisë dhe dosjes, ose një dokument ku shënoheshin ngjarjet kryesore në jetën e tij, përfshi këtu edhe gabimet.

Një nga masat më të rënda ndaj një komunisti ishte pikërisht “vërejtja me shënim në kartën e regjistrimit”; sepse shënimi atje mbetej si i gdhendur në gur, nuk mund të shlyhej më.

Biografia e komunistit nuk ishte vetëm individuale; por shtjellohej si një dialog i pandërprerë i individuales me socialen, kjo e fundit e mishëruar nga lidhjet farefisnore, profesionale dhe shoqërore të subjektit.

Në pajtim edhe me konceptin marksist të qenies, për Partinë individi ishte tërësi e marrëdhënieve të veta sociale; çka lidhej drejtpërdrejt me konceptin e klasës dhe të luftës së klasave.

Ishte me rëndësi të madhe që çdo komunist, si individ, të deklaronte përkatësinë e tij klasore, e cila themelohej mbi origjinën (prejardhjen). Si rregull, njerëz me prejardhje nga klasat shfrytëzuese – bejlerë, pronarë të mëdhenj, tregtarë të pasur, kulakë, etj. – nuk pranoheshin në Parti; por në ato raste kur një komunist kishte në përbërjen e vet familjare përfaqësues të klasave “armike”, duke përfshirë aty edhe gjithfarë nën-kategorish triviale, si mërgimtarët ekonomikë të Paraluftës ose të afërmit përtej kufirit, duhej ta deklaronte këtë haptazi dhe hollësisht.

Partia, si organizatë politike, ishte produkt i dy prirjeve të kundërta: prirjes për të zgjeruar radhët me anëtarë të rinj, dhe prirjes për t’i mbajtur radhët e pastra, duke larguar që andej anëtarë që nuk e përligjnin veten. Kjo prirje e dytë manifestohej nëpërmjet konceptit të diskutueshëm të “luftës së klasave në Parti”, i cili nuk pranohej në teori, por që zbatohej rëndom në praktikë.

Me kalimin e viteve, klasat e pasura në vetvete nuk do të ekzistonin më as nëpërmjet të mbijetuarve; por sa kohë që këta linin pasardhës, këta pasardhës e bartnin me vete stigmën e baballarëve dhe gjyshërve të tyre. I njëjti fat, në mos më i ashpër, u rezervohej pasardhësve të armiqve politikë të PPSh dhe të pushtetit: ballistëve e nacionalistëve nga njëra anë, armiqve të brendshëm politikë dhe ideologjikë që prodhoheshin paprerë nga ana tjetër. Ekzistenca e këtyre klasave armiqësore me përkufizim, ishte e nevojshme për ta mbajtur të ndezur zjarrin e luftës së klasave, si motor i ndërtimit politik të socializmit.

Vetë komunisti mund të ishte punëtor, fermer, kooperativist, nëpunës, mësues, ushtarak e kështu me radhë; sikurse mund të kishte edhe prejardhje nga klasa dhe shtresa të ndryshme. E rëndësishme ishte që ky informacion të depozitohej në kartën e regjistrimit dhe të mbahej i përditësuar.

Meqë çdo anëtar partie e deklaronte biografinë e vet duke cilësuar, ndër të tjera, edhe qëndrimin politik të të afërmve, atëherë mund të përfytyrohet se Partia, si rrjet social në tërësi, i perceptonte birësitë politike-biografike të anëtarëve nëpërmjet grupimit të nyjeve; meqë gjasat ishin që një komunist të kishte edhe komunistë të tjerë në rrethin e ngushtë familiar. Kjo e bënte më të lehtë ngjyrimin e hartave farefisnore të anëtarësisë, në pajtim me lidhjet e gjakut që kishin mes tyre komunistët e të njëjtit fis; sikurse lejon tani të kuptohet pse, në rast se një komunist dënohej për veprimtari armiqësore, të gjitha nyjet biografike që i bashkëlidheshin do të dënoheshin gjithashtu, në përpjesëtim të drejtë me distancën nga nyja ku e kishte zanafillën gabimi ose faji.

Martesa si krizë bio-gjenetike

Biografia farefisnore vihej në krizë në momentin kritik të martesës; sepse martesa, nga vetë natyra, i ripërkufizon lidhjet e afërisë familjare, duke bashkuar mes tyre dy farefise të ndryshme.

Si shembull klasik i kësaj krize mund të sillet martesa e bujshme e djalit të kryeministrit M. Shehu me vajzën e një familjeje politikisht armiqësore; e cila u bë shkas për përmbysjet dhe spastrimet më të mëdha politike të viteve 1980 – edhe pse vajza e implikuar në këtë krizë nuk luajti asnjë rol në të, as ishte komuniste, as u akuzua për ndonjë krim çfarëdo.

Rreziku i martesave të tilla si kjo e S. Shehut me vajzën e një familjeje të njohur për kundërshtarët e pushtetit (si vëllezërit Pipa, nga të cilët njëri ishte pushkatuar që herët, ndërsa tjetri ishte antikomunist aktiv në mërgim) kishte të bënte drejtpërdrejt me alterimin e biografisë së komunistit; ose me rivlerësimin e hartës biografike individuale të krejt familjes Shehu, duke filluar nga vetë kryeministri.

Për Partinë, edhe thjesht dëshira e një të deklasuari për lidhje martesore me një komunist ose familiar komunisti ishte shprehje e luftës së klasave, ose e vullnetit të klasave të përmbysura për të depërtuar në “radhët tona” (shumë të deklasuar, nga ana e tyre, do ta përdornin lidhjen me një komunist si levë për të përmirësuar sado pak statusin e tyre social).

Le të përfytyrojmë skenarin e mëposhtëm, nga më të rëndomtët: vajza e një komunisti dashurohej me një djalë i cili kishte një të afërm të pushkatuar (p.sh. gjysh ose xhaxha). Si duhet të vepronte i jati? Si rregull, i jati komunist duhej të rrëfehej në organizatën bazë, ose së paku me sekretarin e organizatës; i cili, nga ana e vet, mund të pyeste edhe në Komitetin e Partisë. Pas kësaj, të jatin do ta këshillonin, gjysmë zyrtarisht, që të përpiqej për t’ia mbushur mendjen vajzës ta ndërpriste këtë lidhje. Në qoftë se vajza, kundër këshillës së prindit, vendoste të martohej me të dashurin, atëherë të jatit i bëhej shënim në kartën e regjistrimit, meqë biografia e tij tashmë kishte ndryshuar, sapo një element i ri, “armiqësor”, ishte bërë pjesë e familjes. Më pas, në periudha ashpërsimi të luftës së klasave ose rishikimi të dokumenteve të Partisë, i jati mund edhe të përjashtohej nga Partia, për shkak të kleçkës në biografi.

Po si do të shpjegohet kjo vëmendje e tepruar e organizatës bazë të PPSh dhe e vetë Partisë ndaj biografisë së anëtarëve të vet, që nuk u mjaftua vetëm me vitet e para pas Luftës II, por vijoi praktikisht deri në fund të viteve 1980, duke u shndërruar në një nga tiparet më dalluese të totalitarizmit shqiptar? A mund të merret kjo si shfaqje, sui generis, e biopolitikës, në kuptimin që i ka dhënë këtij koncepti Foucault?

Natyrisht që mund të merret dhe duhet të merret; sa kohë që mekanizmin e ndriçon, më së miri, metafora gjenetike.

Ashtu, përkatësinë klasore, p.sh. “kulak”, do ta mendojmë si një lloj gjeni biopolitik, që trashëgohet nga prindi te fëmija vetvetiu, ose në mënyrë të pavarur nga veprimtaria sociale e njërit dhe e tjetrit. Kjo premisë lejon të supozohet se martesa e një bartësi të gjenit negativ me një fëmijë komunisti krijon kushtet e nevojshme për “ndotjen” e kodit gjenetik të familjes së këtij të fundit; meqë fëmijët do të bartin gjene jo vetëm “komuniste”, por edhe “kulake”, duke u shndërruar kështu vetë kodi gjenetik i individit në arenë të luftës së klasave. Kujdes: këtu konceptin e gjenit po e përdor në mënyrë metaforike, për të shenjuar një tipar biografik i cili trashëgohet nëpërmjet riprodhimit biologjik (i biri i një gruaje me baba të pushkatuar, do të jetë detyrimisht me gjysh të pushkatuar; çka do të merret, brenda caqeve të metaforës, si trashëgim i këtij tipari në rrugë riprodhuese).

Biopolitika dhe riprodhimi i klasave

Pushteti totalitar përdorte mënyra të ndryshme për t’i shfarosur armiqtë e vet realë ose që krijonte artificialisht: pushkatim, burgosje, internim, dëbim, etj. Këto mënyra të forta, hard, funksiononin më mirë në bashkëvajtje me mënyra të tjera, më soft, si refuzimi i triskave të Frontit, i të drejtave të studimit, i apartamenteve për strehim, i pasaportizimeve, i autorizimeve për të mira materiale të ndryshme, i vendeve të mira të punës, etj. dhe në përgjithësi diskriminimi social, jo gjithnjë i përcaktuar dhe i rregulluar me ligj. Qëllimi përfundimtar i këtyre masave, objektivisht, ishte likuidimi fizik i armikut të klasës.

Në këtë kontekst, edhe politika e Partisë në lidhje me familjen në përgjithësi dhe familjen e komunistit në veçanti mund të lexohet si një formë pre-emptive genocidi, të kuptuar këtu jo si shfarosje popujsh, por si shfarosje gjenesh; meqë një martesë e mohuar është njëkohësisht edhe likuidim paraprak i fryteve të asaj martese, ose pasardhësve, që do të ishin vetvetiu të “njollosur” biografikisht.

Foucault flet për biopolitikën në kontekstin e racizmit europian të shekujve XIX dhe XX; por në shoqëri totalitare komuniste, si ajo në Shqipëri gjatë viteve 1945-1990, biopolitika shprehej pikërisht në mënyrat soft që nxitnin shumëzimin e gjeneve politike të mira (“komuniste”), teksa pengonin shumëzimin e gjeneve politike të pamira (“armiqësore”), ose përzierjen e të parave me të dytat. E gjithë kjo politikë sociale zë vend për bukuri, madje kuptohet më mirë, në konceptimin e individit, nga regjimi, si produkt jo vetëm të zgjedhjeve të veta dhe të edukimit që ka marrë, por edhe të familjes e të farefisit ose të gjeneve të trashëguara nga baballarët dhe gjyshërit. Natyrisht, krahasimi me gjenetikën çalon, meqë natyra “armiqësore” e gjeneve nuk ishte e dhënë njëherë e përgjithmonë; një i afërm i Mehmet Shehut kishte biografi shumë të mirë para vitit 1980, dhe shumë të keqe pas vitit 1980. Një aksident i izoluar, p.sh. arratisja e dikujt, do ta shpërndante fajin në krejt grupin e nyjeve të lidhura biografikisht me të arratisurin; çka nuk varej aspak nga fakti që i arratisuri, më parë, nuk kishte luajtur asnjë rol në biografitë e atyre që do të prekeshin më pas nga gjesti i tij. Këto dukuri mund t’i shohim si triggers të një katastrofe gjenetike, për familjet e komunistëve dhe komunistët vetë.

Le të themi atëherë se, në kontekstin totalitar komunist, bio-pushteti, në kuptimin foucauldian, shprehej si kontroll jo aq mbi trupin si të tillë, sesa mbi funksionin riprodhues; dhe jo drejtpërdrejt nëpërmjet metodave biologjike të abortit, sterilizimit, sëmundjes, kequshqyerjes etj. të zbatuara ndaj klasave në shënjestër; por tërthorazi, nëpërmjet kontrollit social të martesës, ose kushteve normale për riprodhim. Ashtu, politika e familjes do të kuptohet më mirë si një politikë seleksionimi ose ndërzimi artificial, ku familjet e lidhura me pushtetin, zakonisht me gjene të shumta komuniste në kodet e tyre biografike, nxiteshin të hynin në aleanca martesore, të jepnin pasardhës dhe të shumëzoheshin, duke lejuar riprodhim masiv të gjeneve të dëshiruara.

Elementi racist në komunizëm

Këtë dukuri e shembëllzon edhe dukuria e njohur e ndarjes (divorcit) në familjet me gjene të shëndosha komuniste, kur qëllonte që njëri prej bashkëshortëve denoncohej si armik i Partisë dhe i popullit dhe rrezikonte komprometimin biografik të një numri të madh të afërmish, në trajtë orteku. Thuhej se në situata të tilla ndarja bëhej “për hir të fëmijëve”, ndonjëherë me marrëveshje të heshtur mes bashkëshortëve; dhe shoqërohej me deklarata të forta denoncuese nga ana e palës që kërkonte të ruante pozitat e veta. Tipikisht, kjo ndodhte kur burri damkosej si armik dhe përfundonte i internuar ose në burg; dhe gruaja ishte vetë anëtare e PPSh dhe pinjolle e një familjeje të zgjeruar ose fisi të rrënjosur mirë në nomenklaturat. Simbolikisht, ndarja do të shenjonte edhe ndërprerjen e veprimtarive riprodhuese; dhe gjithsesi një orvatje, sado in extremis, për ta përjashtuar palën “fajtore” nga grupi i nyjeve biografike ende të pranueshme për pushtetin.

Zyrat e kuadrit të Partisë funksiononin, në këtë kontekst, si data banks gjenetike, nëpërmjet të cilave mund të ndiqej, deri në nivelin e individit, mbijetesa dhe transmetimi i gjeneve biografike. Një gjysh i pushkatuar do të shfaqej si gjen (ose cen) fatal në biografitë e dhjetëra nipave dhe mbesave; sikurse një nip i arratisur njëlloj do t’ua prishte gjenet dhjetëra xhaxhallarëve, dajallarëve, hallave, tezeve, vëllezërve, motrave, e kështu me radhë; pa përmendur prindët vetë. E kotë të shtoj se dëmi bio-gjenetik kishte forcë prapavajtëse.

Në përgjithësi, biopolitika e totalitarizmit komunist u formulua në vitet 1940-1950, çka shpjegon edhe dominimin e saj prej metaforikës së tuberkulozit: ashtu do të flitej rëndom për njolla dhe hije në biografi, sikurse do të flitej për individë të prekur, çka ishte, përndryshe, eufemizëm për të sëmurët me tuberkuloz. Vetë këmbëngulja për ta ruajtur Partinë “të pastër” e kishte një lidhje me fushatat e higjienizimit, të cilat nga ana e tyre i referoheshin eugjenikës dhe fantazive të tjera raciste të kohës; meqë pastërtinë sociale një hap e ndante nga pastërtia e racës.

Ashtu, komunizmi i adoptoi disa praktika dhe metafora të racizmit, por duke ua përshtatur precepteve të veta; dhe, në vija të trasha, duke e zhvendosur fokusin nga etnia dhe populli, te klasa dhe “maja e shpatës” së klasës, ose Partia Komuniste. Këtu nuk duhet harruar edhe se partitë komuniste, veçanërisht deri në vitin 1945, e kishin prejardhjen nga grupe gjysmë-klandestine, konspirative, për të cilat ruajtja nga infiltrimet e policisë sekrete përbënte kurdoherë përparësi kritike. Që këtej, duhet kërkuar edhe një lidhje e biopolitikës me nevojën për besnikëri; ose me vendosjen e besnikërisë (loyalty) në piedestalin e virtytit më të çmuar të komunistit. Adoptimi i kriterit biografik ishte, në këtë rast, një orvatje sado irracionale për të mundësuar vlerësimin objektiv të besnikërisë, sipas kriterit klasor; çka në rrethanat e një shoqërie patriarkale dhe me mbeturina tribale si ajo shqiptarja, do të përthyhej në idenë, pothuajse folklorike, se individët “me përbërje të mirë” garantonin, pothuajse vetvetiu, edhe besnikëri.

Partia si familje

Diskutimi i çështjeve familjare zinte vend të rëndësishëm në preokupimet rutinë të organizatës bazë të PPSh, duke u shtjelluar në mënyrë relativisht të pavarur nga veprimtaria e organeve të rendit dhe organeve të Sigurimit të Shtetit (që prej vitit 1948, marrëdhëniet midis PPSh dhe organeve të Sigurimit ishin rregulluar me rreptësi të madhe, për të mos i lejuar këtyre të fundit të vinin Partinë nën kontroll, qoftë edhe nëpërmjet shantazhit). Në qoftë se e përfytyrojmë organizatën bazë si formë alternative të familjes, atëherë do ta kemi të lehtë ta mendojmë edhe individin komunist si fushëprerje të dy familjeve tipologjikisht të kundërta, nga të cilat njëra mbështetej në lidhjet e gjakut (gjenet) dhe tjetra në lidhjet ideologjike (memet).

Dihet se, për komunistët, një nga kritikat më të hershme ka qenë se “nuk e njihnin familjen”, ose “nuk pyesnin për familje”, çka i referohet drejtpërdrejt disa pasazheve të Manifestit të Partisë Komuniste dhe qëndrimit marksist ndaj familjes borgjeze dhe hipokrizisë së moralit borgjez. Këtë kritikë e dëgjoje rëndom, duke filluar nga vitet 1930, edhe në debatet politike publike në Shqipëri, teksa idetë komuniste kishin filluar të përhapeshin ndër intelektualët dhe në disa prej qyteteve kryesore. Në të vërtetë, Partia Komuniste kërkonte t’i imponohej, çdo anëtari, si alternativë ndaj familjes, sidomos sa i përket besnikërisë dhe përkushtimit. Ashtu, Enver Hoxha nuk do të ngurronte të çonte para skuadrës së pushkatimit deri edhe kunatin* e vet të gjykuar si armik politik; dhe para këtij gjesti kaq drastik cili komunist do të guxonte të vinte interesin e familjes ose të farefisit para atij të Çështjes? Përhapja e komunizmit në Shqipëri dhe konsolidimi i pushtetit popullor në mbarë vendin kërkonte edhe shkatërrimin e mekanizmave tradicionale që rregullonin jetën e çdo individi të përfshirë në një shoqëri relativisht arkaike dhe të prapambetur, si ajo shqiptare në vitin 1945. Megjithatë, është gabim, besoj unë, të mendohet se komunizmi thjesht e likuidoi familjen tradicionale si institucion themelor të shoqërisë shqiptare; çfarë ndodhi, në të vërtetë, nuk ishte aq likuidimi i rolit organizues social të familjes dhe të lidhjeve të gjakut, sa përfshirja e institucionit familiar në strukturat e shtetit totalitar, ose përvetësimi i mekanizmave të lidhjeve dhe aleancave farefisnore nga strukturat e reja politike, mes të cilave e para vjen në vështrim vetë PPSh, e mishëruar në organizatat bazë kapilarisht të përhapura anembanë territorit.

Shënim: falënderoj Lulian Kodrën, që më sugjeroi, me një koment të vetin, ta shihja çështjen e qëndrimit të komunistëve ndaj familjes dhe riprodhimit nga këndvështrimi foucauldian i biopolitikës dhe biopushtetit; duke më lejuar t’i kuptoj më thellë disa prej dukurive që përshkruaj më lart.

* korrigjuar, pas vërejtjes së Theollogos në komentet.

Nuk ka komente

  1. “Ashtu, Enver Hoxha nuk do të ngurronte të çonte para skuadrës së pushkatimit deri edhe dajën e vet të gjykuar si armik politik…”.

    Edhe Enveri me njolle ne biografi. Per kuriozitet, kush ka qene ky dajo i pushkatuar, sepse Bahri Omari ishte kunat ne fakt dhe ky i fundit te cliron disi nga ndjenja e fajit po te vihet ne raport me dajen ? Ka qene dikush tjeter ?

  2. S’ka pse te kerkosh falje xhaxha. Po te jap vetem nje rast: Xhaxhai i Enver Hoxhes quhej baba Ceni, i cili kishte 7 vajza, nje nder te cilat martohet ne familjen Omari. Abaz Omari ishte nipi i i baba Cenit, djali i vajzes. Mbaron jurist ne Paris dhe punon avokat ne Berat, shquhet per inteligjence, dhe per injorim te plote ndaj Enver Hoxhes ashtu si edhe i gjithe rrethi i tij familjar, deri ne ate pike sa e quan gomar dhe hajvan. Ne 1945 ne emer te popullit pushkatohet, mbasi vritet bashke me 4 persona te tjere ne Berat, vjen urdher nga Enver Hoxha ti pritet koka dhe trupi ti varroset ne vend tjeter e koka ne vend tjeter.
    Kjo nuk eshte ‘perralle” me shtriga por fakt i padiskutueshem. Dhe ky eshte vetem fillimi.

    1. Vrasja e Abazit eshte tragjike, por meqe nuk ka luajtur ndonje rol politik ne perceptimin e pergjithshem, atehere nuk ka vend permendja e saj ne kete diskutim.

      Une pajtohem ketu me perfundimin e shkrimit qe ka te beje me familjen dhe rolin e saj. Per arsye se OB me te vertete mund te mendohet si riprodhuese e pushtetit, por ne vetvete ajo nga ana e saj ndertohej mbi respektimin e nocionit te familjes, te cilen vetem sa e integroi duke i diktuar nje disipline te re. Nje disipline, qe duhet thene gezonte konsensus edhe ‘poshte’. Njollosja, sidomos ajo pas viteve ’60 lidhet vetem me realitetin komunist dhe jo me klasat e permbysura. Si te thuash lufta ndaj fajit per perkatesine deri edhe te lindur ne nje klase tjeter, zevendesohet me nje lufte te re qe udhehiqet brenda vete gjirit te komunisteve. Prandaj, ne nje fare menyre kjo duhet pare si nje beteje brenda llojit dhe si e tille ajo kufizohet ne rolin e vet ne shoqeri. Mund te vleresohet pra shoqeria shqiptare e asaj kohe ne nje kuader te perbere nga dy komponente kryesore rreth te ciles vertiten satelitet e krijuar nga mekatet e trasheguara dhe ato te improvizuara nga parimet ideologjike. Per me shume qe nje lexim i ketille i realitetit politik nga individet, e ben te nenkuptueshme krijimin e nje ftohtesie ndaj OB apo Partise; ndoshta ketu do kuptuar edhe fakti se Distanca mes OB dhe individit lidhet me krijimin e Qytetarit (ne kuptimin e nje brezi te dyte). Jo me kot ekipi drejtues komunist ne procesin e vet riprodhues sipas parimeve te biopolitikes solli ne drite nje brez femijesh qe qendronin shume larg asaj qe duhej te ishte sipas planifikimit apo pritmerise politike. (ka gjase te jete i paqelluar ky term).
      Autori nenvizon ketu (OB II) nje raport te zhdrejte qe u krijua mes individit dhe burokracise nga njera ane dhe individit dhe OB nga ana tjeter. Ne fakt kjo me duket pak e dyshimte si praktike, sepse do kerkonte rishikimin e termit Totalitar qe ka te beje ngushtesisht me Rolin e Partise. (kjo eshte me shume nje pyetje) Sipas asaj qe di vetem te burgosurit dhe te semuret psikike nuk kishin nje OB te tyren. Keshtu qe edhe raporti mes Individit dhe Burokracise nuk mund te kuptohet jashte sferes partiake ku nenrenditet edhe OB, ne te gjitha shfaqjet shoqerore.

      Une kam nje pyetje lidhur me raportin e privates me publiken ne OB.
      Me kane rene ne dore materiale nga mbledhjet e OB-ve dhe kam pare se trajtimi i problematikes edhe pse me nje gjuhe bajate te adoptuar shabllon nuk eshte aq kercenues nese mund te thuhet keshtu. Natyrisht kjo nuk mund te merret ne konsiderate per te teren. Por ajo qe eshte dyshimte eshte rrefimi i Jetes se Brendshme te OB si nje nderfaqe mes privates dhe publikes qe presupozon kontrollin absolut. Ne fakt kjo eshte pak e tepert pse ne Shqiperi edhe sot, privatja nga publikja veshtire se mund te kuptohen si nocione te ndara mire. Nga ana tjeter dua te sjell ne vemendje nje rast qe ndoshta eshte perjashtimor, por flet shume; ne ate kohe homoseksualizmi perbente veper penale. Por me sa di une nuk eshte aplikuar denimi per kete veper, sepse sikurse thuhet “per te mos njollosur familjet” denimi kamuflohej pas denimit per vepra te tjera. Si te thuash ketu kemi respektimin e privatesise. Por kjo eshte nje pyetje ose nje perjashtim.
      Personalisht me duket me i qelluar dhe me konciz (per biopolitiken) – edhe pse jo nga pozitat e Foucault – percaktimi i Curcillit per komunistet; “Komunistet jane rrace”. Ne fund te fundit edhe nga narrativa e kesaj triologjie ky perceptim te vjen ne mendje vetiu dhe mu per kete arsye kuptohet me mire ashpersia dhe mizoria e luftes qe perfshiu shekullin XX. Por gjithesesi ne kete perpjekje une mendoj se rraca e komunisteve ne kuptim te solidaritetit, premises ekzistenciale dhe produktit eshte nje rrace shume me inferiore ndaj nje rrace tjeter; homoseksualeve.

      PS: Pa u bezdisur (hiqe nese deshiron kete pjese fare) per korrektese, nese ke shkruar per martesen e S. Shehut dhe kjo ka te beje me djalin e M. Shehut, atehere vajza ishte nga familja Turdiu dhe jo Pipa. (nese e kam kuptuar mire une).

      Falemnderit.

      1. Shkruan Theollogos:
        …”Por ajo qe eshte dyshimte eshte rrefimi i Jetes se Brendshme te OB si nje nderfaqe mes privates dhe publikes qe presupozon kontrollin absolut. Ne fakt kjo eshte pak e tepert…”

        Asgje me rendesi nuk i shpetonte dot kanalizimit nepermjet sistemit te partise. Sekretari i OB, ishte pjestar i nje organizmi tjeter partiak. Sekretari i partise i ketij te fundit, ishte per vete pjestar i nje organizmi epror partiak, e keshtu via dicendo, deri sa shkohesh ne Byrone Politike.
        Per cdo problem te shtetit, ne cdo nivel, qofte ai administrativ, ekonomik, juridik, kultural, social etj, etj, Partia ishte ne kontroll te plote. Nderhynte ne proces apo jo, ishte prerogative e saj, te cilen ajo e ushtronte bazuar ne principin ( mbas viteve ’70 te shqipetarizuara) “Partia mbit te gjitha”.

        Kontrolli i privates ishte ne kuptimin e plote te fjales, absolut.
        Deri ne ate pike sa njerezit ishin te kushtezuar qe edhe ne situata me rrezik jete, ata te deklaronin mendimin e tyre per, e te kerkonin shpetimin e teseres se Partise.

        Xhaxhai ben mire qe ngul kembe ne kete subjekt, pavaresisht se arsyet e tij mund te jene krejt te tjera nga ajo cka une shoh ne te.
        Pa kuptuar mekanizma e ketij “pathogeni”, jane te gjitha gjasat qe ai te infektoje njerezine perseri. E majta asnjehere nuk eshte diskredituar dot si e djathta, sepse kenga e saj i ngjan atyre te Sirenave te Odisese. Por kushdo mund te beje sevap e tregohet zemergjere, per sa kohe qe atij nuk i duhet te paguaj nga xhepi i vet.

        Per te majtet njerezit jane ne princip, te mire.
        Per te djathtet njerezit jane ne princip, te keqinj.

        1. Jam dakord edhe pse ky rrefim ne forma te tjera me te sterholluara vijon edhe sot. Ajo qe doja te nenvizoja eshte fakti se ky denoncim qe publikja i bente privates merr karakter penalizues per komunistet. Pra ai vepron mbi ate kategori individesh qe “kane zgjedhur” kete rruge. Sepse nese trashegimia familjare apo e fisit behej percaktuese ne cdo rast eshte e qarte se anetaresimi ne Parti per secilin individ gjithesesi realizohej permes rregullave strikte. (Stazhi). Pra Partia ishte vigjilente ndaj secilit dhe nuk merrte ne mirebesim absolut vetem ne baze te Biografise. Prandaj mund te themi se anetaresimi ishte edhe nje ceshtje zgjedhjeje. Ketu duhet te biem dakord edhe per nje gje; qe ky trajtim te mbeshtese idene e shtjelluar fillimisht nga z. Autor se me shume se nje organizate qe udheheq revolucionin (edhe pse ndryshimi qe teper radikal) PPSh duhet konsideruar per menyren sesi funksiononte si nje Urdher apo Sekt i mbyllur. D.m.th me kete ide ose je ose nuk je dakord. Ketu me duhet te jap nje informacion qe ma ka “konfiduar” nje person shume publik ne Shqiperi, kuptohet ne fushen e letrave. Si nje person qe perfitoi nga biblioteka personale e Hoxhes pas renies se Komunizmit, ai me ka bere te njohur se nje pjese shume e mire e kesaj biblioteke perbehej nga libra per shoqerite sekrete. Prandaj ka me shume gjase qe qasja objektive te perputhet me kete veshtrim. Fotoja ilustruese e OBII eshte e qelluar dhe flet me shume qofte edhe permes fatit analog qe PPSh dhe Cosa Nostra (ajo italiane) paten me zhvillimin e vrullshem urban ne vendet respektive.
          Nga ana tjeter denoncimi i privates une mendoj se edhe pse ka te beje me nje sere rregullash strikte qe kane te bejne me rekrutimin por edhe me mbajtjen ne higjene konstante te modelit shoqeror, gjithesesi e njeh penalitetin ne faza kritike; pra me fushata. Aq me shume qe ne nje vend si Shqiperia edhe sot e para qe denoncon ne forma te ndryshme privaten, duke e kthyer ate ne nje kusht per cilindo behet nga vete shoqeria, pra nga Publikja.

  3. Pra, Abazi (ndjese paste dhe fort i respektuar) paska qene “antikomunist”… ok;
    Enveri (Hoxha) ka qene ai qe dihet… ok;

    po nese L.Omari (jurist dhe njeri shkelqyer – per sa me perket) qe eshte bir i te parit dhe nip i te dytit do te hynte sot politike, cfare do te konsiderohej?

  4. Urime autorit për vëzhgimin e kujdesshëm të një aspekti të diktaturës komuniste në Shqipëri, fatkeqësisht të harruar në mënyrë flagrante. Cikli “Organizata Bazë” po merr formën e një manuali anatomopatollogjik të shoqërisë shqiptare në atë periudhë, shtjellim ky që është jashtëzakonisht i rëndësishëm për kuptimin e vetvetes dhe shpjegon shumë zhvillimeve të djeshme, të pardjeshme dhe të sotme.
    Përshtypja ime është se familja ishte realiteti i vetëm social në Shqipëri, i cili mund të sfidonte dogmën sektare ortodokse (jo në kuptim fetar kjo) marksiste të regjimit të Hoxhës.
    Komunistet kanë qenë gjithnjë të ndërgjegjshëm, që familja në formën e saj tradicionale do të ishte fusha e humbur e betejës së tyre për kontrollin e individit, prandaj edhe instrumentet që u përdorën prej tyre për vënien nën kontroll të saj ishin të një kompliciteti të njëhershëm.
    Ndëshkimi dhe shpërblimi lidhur me zhvillime përreth familjes nuk mund të krahasohen asnjëherë me masa të ngjashme në grupime të tjera sociale, megjithëse ne retorikën marksiste të regjimit të atëhershëm “kolektivi” pozicionohet shpesh artificialisht si një mjedis social që do të duhej të zëvendësonte familjen.
    Lufta kundër zakoneve prapanike e stimulonte zhvendosjen e problematikës intime familjare gjithnjë e përsëri në kolektiv. Ky i fundit vetë ishte për nga natyra i dobët për ta marrë këtë funksion, pasi ishte gjithnjë i formuar artificialisht dhe kishte për bazë të ekzistencës së tij vetëm një nxitje emocionale artificiale të detyruar.
    Nuk ishte shoqëria e një skuadre futbolli që qante hallet e njëri – tjetrit, por ishte kolektivi i prodhimit, një turmë njerëzisht që kryenin punë të detyruar. (Forca udhëheqëse e Partisë brenda skuadrës së futbollit mbase mund të ishte ndonjë impuls për Maks Gjerazin…)
    Mbi kolektivin sundonte Organizata Bazë, e cila këtu i kryente funksionet e veta në mënyrë shumë më efikase në krahasim sikur t’i duhej të ndërhynte në strukturat e familjes së madhe. Unë nuk jam shumë i sigurt, nëse “kolektivi” ndonjëherë ka përbërë ndonjë konkurencë serioze për “familjen”, pavarësisht nga insistimi i “Hallës” tek “Çifti i lumtur” kur i drejtohet Nikolin Xhojës “…do të na e japësh nusen me të mirë, apo të ta marim me kolektiv, mor bullafiq!” (goxha burrë ai tjetri!)
    Siç e vë re edhe autori, komunistët e patën vënë në shënjestër familjen që në ditët e para të tyre dhe unë mendoj se atje ata njohën jo vetëm sfidën dominate strukturale që kjo ju bënte atyre me aq kryeneçësi, por edhe për arsye të thjeshta ideologjike, ngaqë ku tjetër përveçse në familje, brenda dhe nëpërmjet saj lind e kultivohet më mirë ndjesia e pronës private, burimi i aq të këqijave por edhe i mirëqenies, fenomene këto që i mbanin masat larg nga kauza e revolucionit.
    Nëse shteti do duhej parë si një masë e tërë, familjet do të ishte qeliza e tij, të cilat ne vetvete por edhe të ndërlidhura përmbanin mesazhet e vazhdimësisë se strukturave edhe më komplekse sociale, që në fund jepnin pikërisht shtetin. Kjo të paktën në një shoqëri tipike patriarkale postfeduale si Shqipëria dje dhe sot. Në këto rrethana ndërmarrja e komunisteve për vënien në kontroll të familjes ka qënë një platformë e revolucionit të tyre të fantaksur për përmbysjen e strukturave të vjetra.
    Dhuna politike brenda një diktature ka karakter hidraulik, ajo tejçohet kapilarizueshëm pa humbje nga pikënisja e saj deri në strukturat më të imta të shoqërisë, ku unë do të kisha parasysh familjen e vogël. Regjimi i Hoxhës, duke i lejuar vetes që në fillim autoritetin e përcjelljes së kësaj dhune brenda familjes, kishte parasysh jo edhe aq idenë marksiste të përmbysjes së rendit të vjetër shoqëror të pronësisë, por thjeshtë kontrollin total të popullsisë me mjete dhune.
    Dilema ime për disa kohësh është se sa e saktë mund të jetë bindja zyrtare e mbizotëruese, që dhuna politike e ushtruar në këtë formë në Shqipëri ka qenë vërtetë marksiste? Apo ka qenë kjo dhunë feudale-mesjetare tipike për një popullsi të paorientuar mirë nga pikëpamja morale publike, për shkak të mangësive të tmerrshme te vitaminave etike, kjo për ato njëqind arsyet që dihen, kur shqiptarët ishin për veten e tyre për 500 vjet askush, diku në rrëzë e në hije të perandorisë, pothuajse, pothuajse përtej botës normale të gjërave?
    Unë nuk dua as të provokoj e as të spekuloj, por dalëngadalë mua po më krijohet bindja, se dhuna politike e regjimit te Hoxhës, e cila jo vetëm verbalisht vazhdon ciklet e veta ne jetën politike e institucionale të Shqipërisë të pas ’90, është një tipar i vetë shoqërisë shqiptare, e cila e rigjeneron atë aq pakujdesisht në mungesë të një autoriteti moral e etik, i cili nuk është se detyrimisht mund të shfaqet fizikisht i tredimensionaliziar, por mund të ekzistojë si një bindje morale diku në sfond apo përbri të shoqërisë.
    Komunistët ushtruan dhunë që ditën e parë të pushtetit të tyre brenda për brenda familjes dhe kjo dhunë ishte e “mirëpritur”. Dhunën e tyre politike brenda familjes komunistët shqiptarë nuk e prunë gjë nga Rusia, pasi mënyra si u instrumentalizua ajo për goditjen e individit ishte edhe për terrorin stalinist e panjohur. Frika ime është se këtë dhunë ata e gjetën në një formë potenciale midis shqiptarëve vetë. Unë nuk kam asnjë shpjegim tjetër, se si ata përndryshe guxuan që në fillim ta ushtrojnë me aq efikasitet e aq masivisht, pa hasur në një rezistencë morale e etike brenda shoqërisë shqiptare, rezistencë kjo e gjeneruar për arsye të larta, që gjenden përtej ideologjive.
    Zhvillime paralele analoge lipset të provojnë, se ajo e keqe aq e madhe e kish folenë në subkoshencën e pakontrolluar të qenësisë politike shqiptare, ashtu si për shembull edhe vetëkuptueshmëria e kontrollit të popullsisë me metodat terrorizuese të policisë sekrete, e cila nuk më rezulton gjë ta ketë pasur fillimin e për më shumë akoma fundin e vet pikërisht në periudhën kur komunistët e qeverisën aq keq atë vend. Janë shqiptarët vetë, që i bëjnë vend dhunës politike ndërmjet tyre, të pazotët akoma të kultivojnë një sistem më të mirë. Janë shqiptarët vetë, që e nderojnë dhunën dhe terrorin e ushtruar nëpërmjet policisë sekrete, që ju bëjnë vend atyre në “bash të vendit”, pasi në këtë pikë – në kushtet kur ndërgjegjja e tyre sociale qytetare dikur aq pak e zhvilluar është akoma në fazën vetëshkatëruese të saj – ata nuk dinë si si të veprojnë më mirë.

    Një libër që mundëson hedhjen e një vështrimi “esëll” mbi mekanizmin e dhunës politike mbi familjen në periudhën e diktaturës staliniste ne Bashkimin Sovjetik është vëzhgimi i Orlando Figes “The Whisperers: Private Life in Stalin’s Russia”. Libri përshkruan një të keqe shumë të madhe dhe për këtë i duhen si nja 1000 faqe të shtypura imët, megjithëse kur mbyll tema të caktuara të shkojnë ndër mënd natyrisht edhe shumë të tjera akoma, që mund ta gjenin vendin e tyre brenda kësaj akuze të atij sistemi. Lexohet shpejt dhe lejon ndërprerje. Do t’ua kisha rekomanduar me kënaqësi.
    Më tepër informacion gjehet këtu: http://www.orlandofiges.com

  5. Ai perdorimi i konceptit te biopolitikes me duket ca i pavend ne kete rast, pasi eshte nje koncept relativisht i ri dhe vlen per nje sistem kapitalist. Ne nje moment ky koncept mund te kuptohet si nderhyrja e borgjezise deri ne sferen moe intime te cdo individi ne menyre per te kontrolluar praktikat/sjelljet nepermjet kontrollit te epshit/deshirave/trupit.

    Jam dakord me tej, per te kapur nje koncept weberian mbi pushtetin tradicional/patrimonial/patriarkal ku familja luan nje rol paresor ne ndarjen e pushteti nder pinjollet/krushqit/fisin/etj.

    Edhe pse modern si sistem, ne Shqiperi kemi pasur me teper zhvendosje horizontale sesa modernizim vertikal/linear. Nga besnikeria ndaj familjes –> tek besnikeria ndaj partise; nga baca –> Enveri/Kryetari i partise: nga Zoti –> hyjnizimi i Enverit/baces. Kjo e fundit flet me shume per ate tezen e dervisheve qe u permend diku ketu. Sidomos nese do te shihnim se sa bukur thurren idete e bektashizmit mbi “baben e shenjte” dhe shenjterimi i tij se gjalli e pas vdekjes nga gjindja, e nderthurur kjo me autonomine qe gezon ky tarikat qofte nga komuniteti sunnit islam (perkunder pra papatatit) e qofte nga shteti laik.

    Transportimi i modelit te familjes ne modelin e organizimit te shtetit shqiptar nuk ishte aspak e veshtire, keshtu kishte vepruar Zogu e keshtu ishte vepruar deri atehere. Ne fakt une besoj se do te ishte e cuditshme te ndodhte ndryshe duke pare strukturat tradicionale te organizimit te pushtetetit ne Shqiperi. Edhe ne nje sistem “demokratik” do te kishim perfunduar te udhehequr nga nje parti, mbase ne ate rast ndonje parti tip fashiste.

    Mua interesant me duket fakti se edhe nje sistemi organizativ shoqeror modern, sic pretendonte te ishte komunizmi, ne i dhame fytyren e shoqerise tone.

  6. “Ai perdorimi i konceptit te biopolitikes me duket ca i pavend ne kete rast, pasi eshte nje koncept relativisht i ri dhe vlen per nje sistem kapitalist. Ne nje moment ky koncept mund te kuptohet si nderhyrja e borgjezise deri ne sferen moe intime te cdo individi ne menyre per te kontrolluar praktikat/sjelljet nepermjet kontrollit te epshit/deshirave/trupit.”

    Mua me duket se serish qendron si koncepti me i sakte per te kuptuar organizaten baze, pavaresisht se si koncept eshte perdorur me shume per te kuptuar nje kontekst historik te caktuar, ate te kapitalizmit dhe kontrollit te borgjezise tek trupi. Psh, nese shfaqjet e huaja mikroborgjeze, floket e gjata, pantallonat kaubojs, lloji i muzikes, etj, ishin fusha qe kontrolloheshin nga organizata baze, atehere koncepti i biopolitikes eshte drejtperdrejt i aplikueshem.

    Konceptet Weberiane te autoritetit karizmatik, Baba i Shenjte, apo fundja edhe auctoritas Romake, te shoqeruara me konceptin perkates te shtetrrethimit apo te sigurimit te shtetit, (kurrkund Foucault mbi karizmen, pervecse me shtetrrethimin si kusht governmentaliteti) mund te sherbejne per te kuptuar legjitimitetin e pushtetit komunist in totto.

    Tashti, teza bektashe qe po hidhet ketu, mund te perdoret si analogji kam pershtypjen, por eshte ne kontekst teper specifik per te kuptuar nderhyrjet ne praktike me nje specifike krejt te vecante prej organizates baze.

    Nderkohe qe me duket me e sakte per t’u kuptuar nepermjet governmentalitetit dhe biopolitikes se sa koncepteve Weberiane institucionalizimi horizontal i ketij legjitimiteti pasi edhe pse Weberi mund te sherbeje per te kuptuar anen burokratike te ketij institucionalizimi, nuk me duket se eshte ne gjendje te ofroje nje koncept te mirekuptueshem per anashkalimin e burokracise, i ardhur ne kete rast prej organizates baze, gje per te cilen po fliste Xhaxhai tek pjesa e dyte.

    Eshte e vertete qe Xhaxhai na i ngaterroi pak punet me biografine familjare, pasi kjo vertete qe i perket nje koncepti Weberian dhe jo biopolitikes. Por po te kemi parasysh rolin i familjes si transmetuese te nje diskursi dhe edukate mbi trupin dhe higjenen personale – prej organizates baze tek individi; apo faktin qe shumica e mesuesve te edukates dhe higjenes personale kane pas qene te angazhuar ne organizaten baze, jemi te detyruar t’i kthehemi konceptit te te governmentalitetit dhe biopolitikes.

    Gjithashtu, besoj se eshte pyetje me vend: ceshtjet e sigurimit te shtetit, qofte edhe nga armiku i brendshem me njolle biografie, drejtoheshin, apo thjesht sa mbikeqyreshin nga organizata baze? Une nuk besoj se ne te tilla ceshtje organizata baze kishte te drejte vendimmarrjeje, por mund t’a kem gabim. Dhe nese nuk e kishte kete te drejte, atehere biografia familjare nuk i bie te kete qene modus vivendi i organizates baze si entitet sociologjik, por thjesht funksion burokratik i saj.

    Nderkohe qe Foucault nuk vlen per te kuptuar legjitimimin e shtetit totalitar me ane te biografise familjare apo karizmes – gje per te cilen eshte i domosdoshem Weber – ana burokratike e shoqerise mund te shprehet edhe prej kerkeses per siguri me ane te governmentalitetit. Pra per sa i perket legjitimitetit te pushtetit, governmentaliteti, apo edhe Stato di Eccezione i Agamben, them se duhen perdorur per hir te sigurise shteterore, pasi vetem tipi ideal i njeriut te ri nuk mjafton.

    Ama, vetem biopolitika si aspekt i ketij governmentaliteti mund te sherbeje si koncept gjithperfshires jo vetem i organizates baze ne raport me trupin si te nevojshem per t’u kontrolluar, por edhe i praktikave bektashe ne raport me unitetin trupor njeri-zot, apo edhe i potestas Romake ne raport me homo sacer. Po ashtu, se bashku me konceptin e Stato di Ecezione, mund te sherbeje per te kuptuar pezullimin e ligjit per nevoja praktike njerezore, dhe konceptimin e individit si teresi perjashtimesh ligjore.

    Per mua kjo do ishte korniza teorike me elementare.

  7. Më duket se u teprua pak me zhbirimin e biopolitikës në komentet.

    Shkrimi im nuk ka për synim të ilustrojë, as të provojë çfarë ka thënë Foucault. Nuk është shkrim për Foucault, është shkrim për organizatën bazë të PPSh.

    Unë kam bindjen se koncepti i biopolitikës ndihmon për të kuptuar kontrollin, nga ana e PPSh, e martesës dhe e riprodhimit brenda klasave dhe midis tyre, në Shqipërinë totalitare.

    Nëse flasim për martesë, riprodhim biologjik, atësi dhe trashëgimi tiparesh nëpërmjet riprodhimit biologjik, atëherë më duket logjike që çdo orvatje për t’i kontrolluar këto dukuri në mënyrë politike, të quhet biopolitikë.

    Tani, nëse kjo përputhet tamam me çka thënë Foucault, nuk më duket se ngre peshë. Këtë farë impostimi autoritar të diskutimit unë nuk e honeps dot; as jam nga ata që u shkojnë jargë, kur dëgjojnë të përmendet ndonjë filozof ‘cool’ si Foucault.

    LK shkruan:

    Nderkohe qe me duket me e sakte per t’u kuptuar nepermjet governmentalitetit dhe biopolitikes se sa koncepteve weberiane institucionalizimi horizontal i ketij legjitimiteti pasi edhe pse Weberi mund te sherbeje per te kuptuar anen burokratike te ketij institucionalizimi, nuk me duket se eshte ne gjendje te ofroje nje koncept te mirekuptueshem per anashkalimin e burokracise, i ardhur ne kete rast prej organizates baze.

    Unë mbetem i bindur se ka një mënyrë më të thjeshtë për t’i thënë këto gjëra; se kaq kriptik as vetë Foucault-i nuk ka qenë. Por kjo, vërtet, nuk ka të bëjë me biopolitikën.

    P.S. Po nuk ishte ti vetë që ma shture në mendje frëngun? Pse kjo kthesë kaq e madhe tani?

    1. Xhaxha, une thjesht po e inkuadroj ne botkuptimin tim teorik me analizen tende, pasi eksperienca personale, e duhur mbi ate periudhe per t’i thene keto gjera thjesht, me mungon. Jam po aq i bindur sa ty se ka menyra me te thjeshta per t’i thene keto gjera. Neper te perditshme ne fakt, thuhen shume thjesht nga veterane te ndryshem, qofshin nostalgjik apo jo. Por mua nuk me intereson, apo kam zgjedhur te mos me interesoje shume vetem nje shprehje e thjeshte. Nuk behet fjale per jargavitje ketu, por per nje nivel diskutimi dhe kuptimi qe kerkon te pozicionohet ne konceptet e duhura teorike. Nuk besoj se eshte kerkese e tepert, aq me teper qe, qe ne fillim ti iu drejtohesh studiuesve, dhe pyet “a po studiohet,” dhe jo “a po thuhen thjesht keto gjera.”

      Ne fakt qe ne fillim kur e nise kete cikel te bera nje pyetje legjitime, dhe te thashe, a ke ndermend thjesht t’i ofrosh organizaten baze sociologjise, ku me sociologji nenkuptova teori te mirepranuara sociologjike qe kam pershtypjen sociologjia shqiptare i njeh, apo ke ndermend te ofrosh dicka te re ne fushen e sociologjise. Nese ke ndermend thjesht rrugen e pare, nuk ke pse abstraksionin teorik qe me ndihmon mua te kuptoj pak me shume se sa mund te kuptoj nga shprehjet e thjeshta ne lidhje me Organizaten Baze t’i konsiderosh si jargavitje, apo edhe kriptomani.

      Une te sugjerova biopolitiken si koncept, ti e pranove. Jemi te dy fajtor ne “kriptomani” ketu. Sidoqofte une nuk shoh kthese te madhe ne ate qe thashe. Per legjitimitetin e diktatures me ane te biografise familjare ne Shqiperi, nuk te mjafton biopolitika. Vete shembulli qe ke sjelle i pushkatimit te kunatit te diktatorit i perket teorive, qofte edhe Weberiane, ku sovraniteti sigurohet nga kercenimi vdekjeprures prej sovranit, dhe sado qe t’a riperkufizojme biopolitiken, nuk mund te mos e perkufizojme ne kontrast me te tilla teori totalpolitike, ku pushteti nuk kontrollon jeten dhe trupin, por vdekjen dhe shpirtin. Kete shembull nuk mund t’a perfshish ne biopolitike, dhe une jam shume dakord me Kapedanin ne kete pike. Kaq thashe une dhe asnje kthese nuk ka ketu.

      Megjithate, une te kam bere nje pyetje. Vendimmarrja per ceshtjet e sigurise se shtetit, dhe ndeshkimi apo disiplinimi i armiqeve te brendshem, a i perkiste organizates baze, apo tjeter organi? Ti je pergjigjur ne pjesen me larte, se:

      “Diskutimi i çështjeve familjare zinte vend të rëndësishëm në preokupimet rutinë të organizatës bazë të PPSh, duke u shtjelluar në mënyrë relativisht të pavarur nga veprimtaria e organeve të rendit dhe organeve të Sigurimit të Shtetit (që prej vitit 1948, marrëdhëniet midis PPSh dhe organeve të Sigurimit ishin rregulluar me rreptësi të madhe, për të mos i lejuar këtyre të fundit të vinin Partinë nën kontroll, qoftë edhe nëpërmjet shantazhit).”

      Pra, relativisht jo. Dhe te thashe, qe perderisa ky dallim qendron, perderisa Organizata Baze nuk origjinon te tilla ceshtje, por thjesht kontrollon, atehere biopolitika eshte koncepti me i sakte. Ku eshte kthesa ketu?

  8. Foucaultin, nuk e njoh dhe as biopolitika nuk me rezulton te jete ndonje teori e perhapur .
    As nga cfare lexova ketu nuk pashe ndonje vecori te pazberthyeshme nga teoria elitiste, te cilen e ben te zberthyeshme biopolitika.

    Si nazizmi ashtu edhe komunizmi, problem kryesor praktik kishin formimin dhe riprodhimin e parive.
    Vete celulat apo partite komuniste e mbanin vete si paria e punetoreve, ata qe kishin perfituar ndergjegjen klasore dhe do u tregonin udhen edhe te tjereve.

    Kur flitet per familjen e gjakun, ashtu si aristokratet me gjakun blu nuk martoheshin me pleben me gjak te kuq, edhe ne komunizem apo nazizem kemi te njejtin proces, ai me gjak komunisti nuk duhet te perzihej me ate qe s’kishte gjak komunisti.

    Nazizmi ndertoi shkolla te posacme per femije te cilet do ishin elita naziste qe do komandonte boten, ndersa komunizmi tek organizata baze kishte edhe shkollen e posacme per te rritur qe do mesonin mire se si komandohej vendi.

    Zanafilla tek celulat apo mbledhjet e bazes ne ilegalitet ose jo, eshte e pamohueshme dhe pikerisht ndjesia e te zgjedhurit qe kultivohej tek celula u percoll ne partine-shtet.

    I zgjedhuri komunist per te qene ne rregull dhe aspiruar me lart se organizata baze, duhet te ishte nder te tjera gjak i paster komunisti, ashtu si nazisti po te ishte race e paster ariane kishte me shume mundesi te bente karriere.

    ‘Eugjenetika’ komuniste ishte nevoje banale e perzgjedhjes se parive. Sa me e paster do ishte paria e re, aq me homogjene do ishte, gjene te njejta japin homogjenitet.
    Homogjeniteti i kerkuar komunist ne kete aspekt nuk dallon nga homogjeniteti aristokratik apo homogjeniteti nazist, biles nuk ndryshon aspak nga homogjeniteti socio-familjar qe buron nga martesat me shkesi.
    Secili martohet me te seres se vet, keshtu edhe komunisti ishte te martohej me te seres se vet, dmth me komuniste apo nga familje komuniste.

    Sa me lart shkohet ne hierarkine komuniste aq me e madhe ishte pastertia komuniste.

  9. ‘Eugjenetika’ komuniste ishte nevoje banale e perzgjedhjes se parive. Sa me e paster do ishte paria e re, aq me homogjene do ishte, gjene te njejta japin homogjenitet.

    Nuk besoj te kete pasur eugjenetik komuniste, sesa eugjenetik te nje rrjeti familjar te caktuar njerzish . Ndoshta dikush qe e ka perjetuar ate kohe mund te na tregoj dicka me shume mbi kriteret e rekrutimit te dishepujve.

    Me sa lexova me siper (dikush mund te me korrigjoj!) kuptova se ka pasur disa shtresa sociale edhe brenda elites politike dhe se rekrutimi behej jo ne te tera shtresat njesoj, porse i nenshtrohej nje llogjike te funksionimit te kesaj shtrese.

    A mund ta marrim “shtresen”/rrafshin si nje konstrukt analitik apo si dicka te vertete? Le te marrim disa rrafshe psh.

    1. Nese shtresa ishte psh. byroja politike, ketu medoemos qe lidhjet familjare ishin te domosdoshme, gjaku ishte kriter per perkatesine dhe rekrutimin. Lidhjet familjare midis anetareve e deshmojne kete.

    2. Ne rrafshin e mbartesve te ideologjise, kadetet e partise, pra vete Partia Komuniste me institucionet e saj te socializimit (Shkollat, organizat baze etj.), logjika e funksionimit ka qene thjeshte –> ideologjizimi. Besoj se, sic edhe u permend ketu, keto kane funksionuar sikur edhe urdherat kalorsiake apo “vellazerite” islame e tarikatet. Kriteret e perkatesise/rekrutimi ishte thjeshte identifikimi deri ne sakrifice me ideologjine komuniste. Ketu mund te flitet per nje “eugjenetik” komuniste, por e vetmja merite ishte identifikimi ideologjik. Strukturat besoj se kane qene relativisht te hapura/te shkrifta, lejonin thithjen/jashteqitjen e elementeve duke u bazuar mbi kriterin e identifikimit ideologjik.

    3. Ne rrafshin ekzekutiv, ministrite, drejtorite e dikastereve dhe ndermarrjeve etj. (kush e njeh strukturen organizative te asaj kohe mund te flase dicka me shume!) kane pasur nje tjeter logjike funksionimi –> performancen. Sipas logjikes se institucionit mund te jete performanca ekonomike, siguria e qytetarit apo arsimi. Thjeshte teknokratet. Ishin keta qe mundesuan jetegjatesine e sistemit, qofte duke ofruar “kurban” (scapegoats) e qofte me punen e tyre.

    4. dikush mund te gjeje rrafshe te tjera.

    Shkurt si individ qe nuk e ka perjetuar ate kohe, besoj se gjithe ky diskutim mund te permblidhet si me larte.

  10. Pasi e lexova edhe njeher c’ka u shkruajt me siper, edhe shkrimin tim, dola ne perfundimin se ka pasur nje lloj sistemi “check and balance” edhe ne sistemin totalitar.

    Interesant jane ato argumente qe kundershtojne jo vetem intuiten porse edhe mendimin e pergjithshem.

    Besoni se keto rrafshe kane kontrolluar njeri-tjetrin? Apo te tera ishin ne funksion te interesave te ngushta/familjare te Byrose Politike? Fundja perse duheshin kontrolluar nese nuk i sherbenin interesit te dikujt! A ka gjasa qe disa prej institucioneve, sidomos ato logjika funksionale e te cilave ishte performanca, qofte edhe sigurimi i shtetit, te kene qene te pavarura nga njera-tjetra? Pse?

    1. Kapedan, janë me shumë interes këto që thua; por do të të përgjigjem besoj pas Krishtlindjeve… dua të përgatitem pak dhe ndërkohë më janë mbledhur gjithfarë punësh ingrate.

  11. Ç’do gjë në botë, o lind/(krijohet nga hiçi) o është efekt i një evolvimi.
    OB dhe komunistët nuk lindën nga hiçi (sepse askush nuk lind komunist apo besimtar hindu) dhe, për mendimin tim, pa dashur të shkoj e të ngacmoj Fokonë, edhe komunistët, ashtu si blegtorët/gjahtarët/bujqërit, për të mbijetuar si “rracë” do ju duhej të forconin dhe ta mbanin gjallë atë. Ashtu si dhe barinjtë e gjahtarët nuk shikonin me sy të mirë martesat mes njëritjetrit (gjë që,sipas tyre, do sillte “bastardizimin” e racës… që do thotë shuarje të traditës), edhe komunistët ngelën pre’ e kësaj metode evolvimi… ruajtja e pastër e “gjenit” do konservonte edhe përjetësinë e komunizmit.
    Mund të gjykojmë sa të doni që kjo praktikë ishte një fren për zhvillimin mbarëshoqëror, por më duket banale që vetseleksionimi që bënin njerëzit t’i vishet ideollogjisë apo urdhërave nga lart… sepse në fund të fundit, ishin vetë njerëzit që kur bënin krushqi, më parë se të shikonin aspektin ekonomik si bazë e shëndoshë për mbarvajtjen e familjes së ardhëshme, kërkonin të gjenin një bazë të fortë politike (për të siguruar një vijimësi në lënien gjurmë mbi ktë botë të familjeve të veta)… thjesht luftë për mbijetesë… dhe kjo është bërë që kur Krijuesi krijoji të parin mbi ktë botë… bariu me bareshën=> dhe komunisti me komunisten.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin