LIBËR I RI

Libri im “Shqipja totalitare” ka dalë tashmë në shitje dhe mund të gjendet të paktën në disa librari të Tiranës. Libri është botuar nga shtëpia botuese Çabej, në gjerdanin Excipere, të drejtuar nga Ledi Shamku-Shkreli, e cila i ka shkruar edhe parathënien.

Vizitorët dhe komentuesit e rregullt të blogut do ta mbajnë mend se disa pjesë të kësaj eseje i kam nxjerrë dhe diskutuar paraprakisht këtu me shumë kolegë, të cilëve u jam mirënjohës për stimulimin intelektual; çka më shërbeu për ta orientuar trajtimin më mirë, por edhe më dha kohë për t’iu qasur çështjeve nga anë të ndryshme.

Pse pikërisht shqipja totalitare?

Arsyen libri e ka në vetë faktin që ekziston; por unë do të shtoja se pesëdhjetë vjet instrumentalizimi të ligjërimit publik nga shteti totalitar kanë lënë gjurmë të thella në shqipen që flasim e sidomos që shkruajmë; dhe në përgjithësi në shqipen që përdorim për të komunikuar me njëri-tjetrin, në një kontekst social që tashmë i është larguar shumë modelit totalitar.

Librin e nisa dhe e përfundova si përpjekje për t’ia gjetur dhe zbuluar rrënjët totalitarizmit në shqipe; me shpresë se kështu do të ndihmoj për të kuptuar jo vetëm vështirësitë e shqipes së sotme publike, por edhe disa aspekte të vetë totalitarizmit shqiptar.

Të dy këto fusha më rezultojnë jo vetëm të pastudiuara, por shpesh edhe të pakuptuara mirë, sa i takon realitetit shqiptar të cilin shumë prej nesh edhe e kanë përjetuar drejtpërdrejt.

Çfarë ishte shqipja totalitare dje? Më tepër se një sistem rregullash retorike dhe pragmatike, klishesh leksikore dhe metaforash të fosilizuara, kjo formë e ligjërimit publik shqip ishte një tërësi kushtesh të përftimit të këtij ligjërimi, që mundësonin pjesëmarrjen e ligjëruesit në riprodhimin e pushtetit totalitar.

Ishte, me fjalë të tjera, gjuha shqipe e veshur me uniformë polici dhe e dërguar në shesh të qytetit ose agorá, për të ruajtur dhe mishëruar rendin publik në të cilin manifestohej regjimi komunist i Enver Hoxhës.

Natyrisht, ligjërimi publik, në vetvete, nuk vret as burgos njerëz; por fjala mund të stërvitet në mënyrë të tillë, që të shërbejë si burg i mendimit. Ideali i ligjëruesit totalitar do të ishte, në këtë rast, përftimi dhe sidomos riprodhimi i një sistemi të tillë ligjërimor, që ta bënte të pamundur lirinë e mendimit dhe të fjalës.

Ky ideal do të mishërohej më së miri në momentin kur njeriu i ri do të mund të përkufizohej jo si folës i totalitarishtes, por si i folur prej saj; jo si gjenerator ligjëratash dhe tekstesh, por si tërësi ligjëratash dhe tekstesh.

Procesi i përftimit, riprodhimit dhe mirëmbajtjes së shqipes totalitare mund të studiohet nga pikëpamje të ndryshme – filozofike, sociologjike, pedagogjike. Në libër jam kufizuar me aspektet gjuhësore-pragmatike, duke i lënë vend të madh edhe retorikës.

Studimi im nuk ka natyrë akademike, as u drejtohet vetëm specialistëve të fushës. Kur vendosa që t’i shndërroj përsiatjet e mia në një libër të plotë, u nisa nga dëshira për të komunikuar me të gjithë ata shqiptarë të cilëve u rri ngushtë këmisha gjuhësore e ligjërimit të sotëm publik dhe që me të drejtë kërkojnë të gjejnë arsyet e kësaj ligështie të shqipes së sotme.

Para së gjithash, “Shqipja totalitare” u drejtohet të gjithë atyre që interesohen për komunikimin publik – gjuhëtarëve, mësuesve, gazetarëve, specialistëve të mediave, intelektualëve, shkrimtarëve, politikanëve dhe studentëve të fushave përkatëse; sikurse u drejtohet edhe historianëve dhe sociologëve që interesohen për totalitarizmin shqiptar ose format e komunikimit totalitar në përgjithësi, duke përfshirë edhe bullshit-in korporatist.

Shpresa që ky libër të ngjallë ndonjë debat publik ose interes të veçantë në qarqet akademike të Tiranës më është venitur disi, sidomos në rrethanat e sotme kur çdo lloj konflikti dhe debati vetvetiu i referohet ballafaqimit politik midis PD-së dhe PS-së, Berishës dhe Ramës, protagonistëve të politikës dhe institucioneve.

Megjithatë, kam shumë shpresë te lexuesi jashtë skemave politike, formulave ideologjike, konferencave, takimeve kombëtare, kongreseve, simpoziumeve dhe kolokiumeve; ose në përgjithësi te lexuesi që u qëndron larg mekanizmave dhe proceseve ku riprodhohet rendi ekzistues i sendeve, në studimet shqiptare dhe në përgjithësi në shoqërinë shqiptare; sepse studimi im synon ta marrë në pyetje këtë rend sendesh, çka akademia e tanishme – në kuptimin abstrakt – nuk do ta gëlltiste dot po aq lehtë sa ujin mineral në foltoret.

Lexuesi i kësaj eseje, me fjalë të tjera, do të përkojë me subjektin ndaj të cilit shqipja totalitare ende ushtron dhunë masive, si hije dinake e së djeshmes dhe si mbijetesë e vrazhdë e të sotmes anakronike.

Librin “Shqipja totalitare” do ta gjeni me siguri në Tiranë, në këto librari:

1. Pranë bibliotekës kombëtare, ku shiten edhe gazeta e revista.

2. Te libraria te 21 dhjetori.

3. Te Libri Universitar.

4. Te libraria “e7e” (e njohur edhe si “E për7shme”, ose libraria e Hatibit).

Të interesuarit mund të lidhen edhe drejtpërdrejt me shpërndarësin e librit, Spartakun, në numrin 0692165746, i cili është i gatshëm të ndihmojë këdo.

Nuk ka komente

  1. Urime autorit për këtë libër të ri. Pa tjetër që vepra do të gjejë vend tek lexuesi shqiptar. Tema e gjuhës shqipe, pavarësisht nga këndvështrimi prej nga ku rroket, do të mbetet ndër temat më tërheqëse, por edhe të nevojshme në universin e kulturës shqiptare.
    Kjo është sidomos e vërtetë për kohët e turbulltanë të cilat jetojmë, ku shqipja po mësyhet pa mëshirë nga të gjitha anët: politikanë, gazetarë, levantinë që duan të tregojnë se dinë gjuhë të huaja, etj, etj.
    Urime edhe njëherë.

  2. Urime, xhaxha! Megjithese i kam ndjekur deri diku shkrimet tuaja ne blog mbi gjuhen shqipe, mendoj se nje permbledhje e tille si liber do te jete akoma dhe me e vlefshme per te gjithe ata qe e kane vertet perzemer ceshtjen e gjuhes sone, vlerat e se ciles po shkelen dita dites. Suksese!

  3. Pegezime te veçanta per librin . nje studim i cili perpiqet te hedhe drite mbi nje nga aspektet me te zymta te historise linguistiko- politike te vendit tone . Sigurisht qe ky lem eshte pothuajse i parrahur nga studiuesit dhe intelektualet e mirefillte por une mendoj se kjo perpjekje do te çele shtigje te te tjera hulumtimi dhe studimi.

  4. Ne radhe te pare pergezime per librin Ardian edhe fat sa me te mire me te.

    Bashkohem, per fat te keq, me shpresat e tua te venitura mbi dialogun qe mund te ngjalli ky liber ne disa qarqe te caktuara ( edhe fjala “carqe” eshte pak totalitare, apo jo? ) por kujt i plasi, ka gjithmone e me shume njerez qe largohen nga kjo menyre mendimi, konceptimi ne Shqiperi, e besoj se publiku vetem do shtohet dita dites.

    Edhe une i kam lexuar here pas here shkrimet e tua ne kete blog e kam menduar qe nje permbledhje e tille ishte, ne mos e domosdoshme, e nevojshme, si per te lene nje deshmi, si per te treguar qe gjuha – qe shpesh here ne e perdorim thjesht si mjet trasporti te mendimit – ne fakt eshte nje menyre mendimi qe na tregon per personin perballe me shume se sa ai mendon. Por kete ti e di me mire se mua.

    Fat te mbare perseri.

  5. Urime per librin. Nje pyetje e vogel. A ka ndoje shprese qe libri te dale mbas njefare kohe dhe tek dyqane online si Amazon apo te ngjashme ne menyre qe te mund ta blejme dhe prej se largmi?

  6. Eshtë një shans i mirë që më (na) jepet të kem këtë libër në bibliotekën time. Jam i gëzuar dyfish edhe për faktin se shumë shkrime nuk i kam ndjekur këtu në blog, pasi të them të drejtën, leximi nganjëherë bëhej i vështirë, por kjo s’do të thotë që ai nuk ishte më se interesant për të tjerët.
    Takimi i lexuesit me këtë libër ka një rendësi të veçantë në hapësirën trendy dhe sfumato të Tiranës opozitare, por dhe atyre që marrshojnë triumfalisht drejt betonimit të pushtetit.
    Do të kisha preferuar që ky takim të bëhej ndryshe, ndoshta në mes të një grupi të rinjve që me aq pasion “ngrohen” pranë spektakleve koklavitëse për trurin. Por, besoj se këto emisione mungojnë për fatin e keq (shpresoj ta kem gabim meqënëse nuk jam shumë i dhënë pas Tv-së, e aq më pak asaj shqiptare).
    Atëherë le të shpresojmë se reklama nëpërmjet blogut të ketë pak efekt, primo që publiku të ketë në duar një libër të pergatitur me zell të madh; secundo që autori të ketë një shpërblim material për netët e gjata dhe kohën e shfrytëzuar për të na sjellë një panoramë më të qartë dhe të vlefshme të atyre viteve që rreckosën deri dhe bretkosat në për moçalet e Myzeqesë.

  7. Eni,
    kam frikë se Amazon.com dhe motrat e saj në zona të tjera të globit e bëjnë thuajse të pamundur plotësimin e kërkesës tuaj, kur vjen puna për tirazhe të vegjël. Të mëdhenj për botimet në shqip, (e më të mëdhenj u bëfshin!), por të vegjël kur çështja shihet nën dritën e shifrave të botimeve që përbëjnë shumicën e stokut të Amazon-ave. Politikat e tyre tregtare i lënë shtëpisë botuese, e për rrjedhojë edhe autorit, përfitim monetar vetëm për tirazhe që, për shqipen, pak i kanë pasur. Nuk di të ketë shifra mbi kandidatë të sotshëm.

    Duke e pranuar të mirëqenë këtë gjendje, besoj se rruga më e mirë për të shprehur maksimalisht mbështetjen për botimin do të ishte blerja e drejtpërdrejtë te shpërndarësi që Xh2 e përmend më sipër. E di që për shumë nga ne blerja brenda 5 minutave në një nga Amazon-at është shumë herë më komode. Por them se do t’ia vlente një sakrificë e vogël e jona për vazhdimin dhe përmirësimin e botimeve të Xh2.

  8. Falemnderit të gjithë juve që më uruat, drejtpërdrejt në blog ose privatisht – ju jam mirënjohës për vëmendjen dhe besimin.

    Më thonë që libri nuk gjendet lehtë – çka për fat të keq nuk e verifikoj dot vetë. Prandaj ju lutem, brenda mundësive, të më lajmëroni qoftë edhe privatisht, nëse e kërkoni librin në libraritë e përmendura më lart dhe nuk e gjeni.

    Për sqarim – unë vetë nuk kam asnjë të ardhur nga libri, i cili është shtypur me ndihmën bujare të një bamirësi shqiptar në Gjermani, z. Gjon Radovani. As shpresoj që libra të kësaj natyre t’i sjellin autorit ose botuesit ndonjë fitim material, përveçse kur përfshihen në programet e studentëve…

    Por në asnjë mënyrë nuk dua të ndodhë që lexues të interesuar për librin të mbeten pa e marrë në dorë, thjesht për shkak të mangësive në shpërndarjen.

  9. Po ju tregoj (një dëshirë) si i bëhet për ta blerë këtë libër në Tiranë. Në fillim telefoni (falas nëpërmjet Skype), adresat ku mund të gjëndej libri. Personi i atjeshëm (pra në Tiranë) vizitoi numërin një (në rënditje) të librarive të radhitura. Përballë me xhaminë, dhe jo pranë Bibliotekës (siç e radhiti XH XH). Mengjes (ora 10), sapo hapet libraria (për mua ajo është kioskë) dhe personi kërkon me letër në dorë titullin e librit.
    Shitësja: “motra sapo e mora pakon, ja ta hap içik, hë të keqen, duron pak…” Hapet pakoja, nga e cila dalin pesë kopje të librit. Personi pyet: ” po vetëm pesë kopje kini marrë për librarinë (kioskën) tuaj?”… Eh moj xhan, po kush i blè këto libra moj aman… Një kopje e librit e blerë (për mua), ndërkohë që personi po shikonte për ndonjë libër tjetër, apo dhe revistë, kur dy vajza të hijshme (mendoj) blejnë edhe ato nga një libër seicila. Pra, XH XH, tre kopje janë shitur, kanë mbetru vetëm dy nga pakoja pesë kopjeshë. Shpresoj se edhe ato dy kopje të jenë shitur.

    Pra kush kërkon, dhe gjen… por duhet pritur që libri të vijë deri tek unë (meqë edhe ma bëre publike vendodhjen: Paris – … et j’en suis content de te lire cher XH XH).

  10. A duhet gjykuar një libër nga kapakët? Bindja ime është se sot librat duhet gjykuar EDHE nga kapakët. Kapakët e librit “Shqipja Totalitare” nuk ma mbyshën syun. Si nuk ma mbushin ata të shumë librave të tjerë shqip, botuar së fundmi. Arsyet dhe debatet mbi to janë (ndoshta) jashtë teme këtu. Ndaj po i “rikthehem” librit, kësaj radhe me një propozim konkret, të cilin mund ta ndiqni këtu. Ju falënderoj paraprakisht për çfarëdo përkrahje apo pjesëmarrje.

  11. jshm,
    eshte interesante sa ndryshojne perceptimet e njerezve per te njejten gje…varet si e sheh dicka, ne c’moment je, apo me cfare realitetesh e lidh. Nuk e kam lexuar ende “Shqipen totalitare”, por kur pashe kopertinen mendova se ishte sh e gjetur. Ka nje lloj robotizimi qe i shoh asaj pune te Escherit (jam gati e sigurte qe eshte e tij) qe me ka bere gjithnje te mendoj per shqiptaret ne kohen e komunizmit, ose pergjithesisht njerezit nen sisteme qe i denatyralizojne dhe qe i bejne te jetojne (ose te besojne se jetojne) ne dukje jete normale. Vec nga jashte, nga nje sy qe e sheh gjithckane nga jashte e i palidhur me jeten brenda kuadrit, mund te dallohet ajo cka nuk shkon. Sic dallojme ne problemin me natyrshmerine e grafikes se Escherit.Gjuha eshte njelloj si ne, ose me mire ne jemi si gjuha. Gjuha ashtu si ne mund te denatyralizohet, t’i shtrydhen lengjet e lirite e te gjeje hapesira brenda dhomezave shume te ngushta qe prape se prape t’i kryeje funksionet e veta baze. Por sido qe ne mesohemi me te e na behet po aq e natyrshme sa lekura jone, sepse ne fakt jemi njesh me te e na prodhon aq sa e prodhojme, gjuha i vuan rrethana shtrengimesh e prangimesh te tilla bashke me ne.

    Pa dyshim grafika mund te shihet edhe shume me ndryshe, si nje ftese per te pranuar cdo lloj menyre veshtrimi, si simbolike e idese se gjithcka eshte relative, si nderlidhje e gjithckaje ne kohe e hapesire qofte edhe ne dimensione te pakonceptueshme lehte, si deshmi se shumedimensionaliteti eshte menyra e ekzistences etj etj. Por mua, sic thashe, gjithnje me ka sjelle ne mend robotizimin e njeriut…

  12. Eni pyet: “A ka ndoje shprese qe libri te dale mbas njefare kohe dhe tek dyqane online si Amazon apo te ngjashme ne menyre qe te mund ta blejme dhe prej se largmi?”
    Info: Ka një mundësi për blerjen e botimeve shqiptare online nëpërmjet sitit të “shtëpia e librit”: ata djemtë kanë marrëdhënie te rregullta me disa shtëpi botuese të TR, mes të cilave edhe me “Botime Çabej”. Mjaft t’i kontaktoni dhe ata, po s’e patën marrë ende botimin e ri, lidhen fill me botuesin dhe jua nisin. Janë të besueshëm dhe korrektë.

  13. ED,

    Ne të dy kemi të njëjtin perceptim për objektin në fjalë, nëse perceptimin e përkufizojmë sipas faqes 877 të Fjalorit të Shqipes së Sotme, Tiranë 1984. Gjykimi mbi çka perceptohet është ai që na ndan.

    Njohja jote me veprën e Escher-it të shpie natyrshëm në vlerësimin e kopertinës. (Unë prapë dyshoj që ky më tepër është shijim i tablosë së Escheri-t dhe kënaqësisë që sjell përshoqërimi i ideve zbatuar në botën totalitare shqiptare, se sa i kopertinës per se)
    Ç’ndodh në rastin e atij që nuk di gjë fare për tablonë, e megjithatë ka rrojtur në regjimin totalitar, dhe do të ishte shumë i interesuar rreth temës së librit? Unë besoj se ajo kopertinë nuk do ta afronte më pranë librit, duke u bërë faktikisht kundërproduktive. Kopertina duhet të jetë në funksion të librit, jo libri të shërbejë si një shpjegim i tablosë së përdorur në kopertinë.

    Edhe po të pranohet Escher-i si zgjedhje e goditur, kam përshtypjen që elementët e ndryshëm të kopertinës i shërbejnë njëri tjetrit. Kapaku, i parë në tërësi, i rri larg elegancës.

  14. Nuk me jipet doresh per te vizatuar, porse une e imagjinoj kopertinen nje lloj pikture ala-pikaso me disa elemente te forte te Metropolis nga Fritz Lang dhe Drux Flux, dmth. dicka teper mekanike, aspak organike, hekura, shkronja si gjerdane fisheku, shkronja duke u ngulur me cekic ne nje grumbull hekurishtesh, nje pirg me shkronja e fjale te ndryshkura diku, nje furnalte me nje diciture siper qe vjell shkronja, disa vagona me shkronja, nje presues celiku qe nxjerr shkronja. Shkurt nje kombinat celiku qe prodhon shkronja dhe njerez te derdhur nga metali i shkronjave — tunxh bir, keto jane flori e shkuar floririt!

  15. Jam me te dy ju, jshm e Kapedan. Sic thashe, eshte shume subjektive. Ndoshta pasi ta lexojme librin, mund te sjellim ide me konkrete per kopertinen. Une jam e re ne blogun tuaj, dhe vec imagjinoj (me disa baza reale) permbajtjen e librit.
    Por nje kopertine per nje permbajtje si “shqipja totalitare” eshte didi veshtire te kete permbajtje sh konkrete. Dicka me abstrakte, rehaton me shume veshtrime e jep me shume liri…nese ke nge te mendosh per te. Nese mbulesa e ketij libri ju krijon nje lloj shqetesimi, cfare keni thene me pare per “Fraktalet e shqipes”? Besoj se, sado te duash ta lidhesh permbajtjen e gravures me gjeometrine apo perpilimin paraprak te dickaje, zor t’ia dalesh te shkosh larg ne arsyetim. Kopertinat jane tekanjoze. Jo gjithnje na kenaqin. Ngacmimi eshte nje lloj para-shijimi i librit kur nuk e ke ende. Qe pastaj mund edhe te te deformoje te kuptuarit e tij. Ndaj, une po e heq nga mendja per momentin:).

  16. Më në fund “Shqipja totalitare” doli në shitje online te faqja “Shtëpia e librit”. Mezi po e pritnim, pra kush do më në fund mund ta porositë.

  17. Urime per librin e ri

    Kam pasur kenaqesine t’i lexoj nje e nga nje hyrjet mbi punerat e gjuhes ne kete blog, ne vecanti serine mbi “shqipen e drunjte”.

    Si lexues, bazuar ne ca shenja te dukshme qe ofron autori, jam i prirur te kompozoj nje trilogji te hapur, te cilen e nisa me “Kullen e Sahatit”, do ta vazhdoj me “Shqipja Totalitare”, dhe po shoh ta permbyll (perkohesisht?) me pritjen per botimin e eposit te Maks Gjerazit.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin