TERSI NË FIZIKË

Shpesh ndesh në artikuj, në revista ose botime popullarizuese të shkencës, ku analizohet e ashtuquajtura “fizikë e fantashkencës”, ose mundësitë që teoritë dhe teknologjitë e përshkruara në një roman, tregim, ose film të atij zhanri të kenë ndopak shans për t’u realizuar ose vërtetuar.

Më rrallë, por bindshëm, ndesh edhe në artikuj të tjerë, të cilët analizojnë ndikimin e ideve të fantashkencës, ose të imagjinatës fiksionale, në teknologji; duke përmendur, bie fjala, nëndetësen Nautilus të Jules Verne-it, ose përshkrimin që ia bën po ky autor udhëtimit të njeriut të parë në Hënë.

Marrëdhënia midis fantashkencës dhe teknologjisë reale është studiuar mirë; edhe ngaqë çdo shpikje e ka zakonisht origjinën në një ëndërr, ose dëshirë për të përmirësuar marrëdhënien tonë me realitetin; që nga biçikleta deri te Interneti; dhe në fund të fundit është e njëjta mendje njerëzore që përfytyron, para se të veprojë dora; madje edhe në ato rrethana kur diçka e vyer shpiket ose zbulohet rastësisht (penicilina).

Megjithatë, çfarë lexova sot në faqet e NYT më duket ekzemplar i rrallë i një marrëdhënieje kur fantashkenca ndikon drejtpërdrejt jo në teknologji, por në vetë fizikën teorike, e cila nga shkencat e natyrës është ndoshta më abstraktja dhe më e afërta me kozmogoninë dhe metafizikën.

Edhe këtë herë, doemos, bëhet fjalë për Përshpejtuesin LHC (Large Hadron Collider), të ndërtuar afër Gjenevës, në Zvicër, dhe që ende nuk është vënë në funksionim me kapacitet të plotë, për shkak të incidenteve të ndryshme, mes të cilave një rrjedhje heliumi dhe tani së voni arrestimi i një punonjësi të atjeshëm të dyshuar për lidhje me organizata terroriste.

Siç kam shkruar edhe në blog, dhe siç dihet botërisht, eksperimentet që mendohet të kryhen me këtë përshpejtues kanë ngjallur shqetësim në disa qarqe, edhe dijetarësh, të cilët druhen se mos në eksperiment e sipër krijohet ndonjë grimcë anomale ose strangelet, e aftë për të shkatërruar krejt planetin, madje edhe universin. Fizikanët që do të kryejnë këto eksperimente me LHC-në, dhe të tjerë shkencëtarë anembanë botës, i kanë shpërfillur këto alarme apokaliptike, duke i quajtur të pabazuara në “shkencë”.

Mirëpo tani dy fizikanë të respektuar, Holger Bech Nielsen i Institutit Niels Bohr në Kopenhagen, dhe Masao Ninomiya i Institutit Yukawa për Fizikë Teorike në Kyoto, Japoni, kanë dalë me një teori të re, ose më mirë hipotezë, sipas së cilës përshpejtuesi LHC në Gjenevë po sabotohet nga e ardhmja.

Sipas këtyre shkencëtarëve, është e mundur që një nga grimcat subatomike që do të përftohen në LHC, bozoni Higgs, mund të jetë kaq e padëshiruar dhe e papranueshme për natyrën, sa krijimi i saj do të pengohet vetvetiu nga e ardhmja, nëpërmjet një mekanizmi të ngjashëm me feedback-un (i njëjti mekanizëm, p.sh. që përdor termostati për të mos e lejuar furrën të tejkalojë një temperaturë të caktuar dhe ta përcëllojë kekun).

Nëse është kështu, thotë Dr. Nielsen, të gjitha makinat që prodhojnë bozone Higgs janë të dënuara të kenë fat të keq ose të jenë ters; çka shpjegon edhe pse një super-përshpejtues i ngjashëm me këtë të Gjenevës, që do të ndërtohej në SHBA, u la përgjysmë në 1993 pasi ishin investuar në të miliarda dollarë.

Nielsen e quan këtë lloj tersllëku “kundër-mrekulli”.

Çuditërisht, dy fizikanët e kishin formuluar teorinë e tyre para se përshpejtuesi LHC në Gjenevë të niste të “pengohej” nga probleme të ndryshme teknike; por kur probleme të tilla u shfaqën, kjo u dha zemër atyre t’i çojnë përpara spekulimet, madje edhe të propozojnë një eksperiment të posaçëm për të testuar, në praktikë, nëse tersllëku e ka burimin në të ardhmen.

Natyrisht, lexuesit e rregullt të fantashkencës e dinë se udhëtimet në kohë, së bashku me paradokset përkatëse, janë një nga makinat narrative më të preferuara të autorëve të këtij zhanri – së paku që nga H.G. Wells-i e këtej. Veçanërisht ato situata, kur e ardhmja përpiqet të paralajmërojë të shkuarën, për një katastrofë që po afrohet, janë shfrytëzuar gjerë e gjatë, në letërsi dhe në film (seria “Terminator” është vetëm një prej shembujve më të njohur, ose “Twelve Monkeys”).

Sikurse vëren edhe artikulli i NYT, ne jemi mësuar me idenë se është e shkuara që ndikon në të ardhmen; por fizikanët e sotëm gjithnjë e më tepër po bien dakord me Einstein-in, i cili dikur pat shkruar se “Për ne që i besojmë fizikës, kjo ndarje midis së shkuarës, të tashmes dhe të ardhmes nuk është veçse iluzion.” Kjo do të thotë, me fjalë të tjera, se edhe e ardhmja mund të ndikojë në të shkuarën, me kusht që paradoksi të shmanget.

Nëse e gjithë kjo histori do të provojë gjenialitetin e autorëve të fantashkencës, apo vetëm degradimin e fizikës moderne në pseudo-shkencë, këtë mund ta tregojë… vetëm e ardhmja – me kusht që rehabilitimi i fantashkencës vetë, si fushë e respektueshme e dijes, të mos konsiderohet edhe ai si padëshiruar nga universi.

3 Komente

  1. Interesant ai artikulli, por ka disa probleme:
    1. Si dihet që bozonet Higgs janë kaq të dëmshme pa u provuar? Dhe nëse janë provuar do të thotë që nuk ke mundësi të shkosh mbrapa dhe të pengosh krijimin e tyre 🙂
    2. Nëse ekziston mundësia për të shkuar mbrapsh dhe për të penguar krijimin e tyre, atëherë le të vazhdojmë me eksperimentet sa të kemi qejf, dhe sa të kemi pare, se s’ka për të ndodhur gjë 🙂

  2. Xha xha, ndersa nuk mund te bej ndonje koment per teorite e cuditshme te atyre dy fizikanteve, me ler te them qe nuk eshte ndonje veshtiresi e madhe te parashikosh qe nje eksperiment fizike nuk do dale me sukses heren e pare, te dyten e plot here te tjera. Une kam punuar ne LHC vete, ne 1995, kur parashikohej qe LHC te fillonte punen ne 2005. Sidoqofte qe atehere viti 2005 merrej vetem si pike referimi rreth te cilit duhet te kishin mbaruar punimet e jo si date fikse kur gjitchka do funksiononte 100%.
    Pajisje te tilla si LHC, nga vete natyra e tyre jane sisteme unike qe perdorin teknologjine me te fundit te ndertimit, inxhinierise mekanike, elektrike, informatike etj. Sisteme te tilla nuk kane se si te mos kene defekte. Nese nuk kane defekte d.m.th. qe nuk i ke shtyre kufijte e shkences aq sa kishe mundesi.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin