EMRA FËMIJËSH 37

mbishkrimVënia e emrit fëmijës është akt dëshire, i tillë që fëmija ta bartë pastaj me vete përgjithnjë bekimin e prindërve, së bashku me përkatësinë në një kulturë, në një fe, ose në një vizion fatlum të botës së nesërme.

Emërtimi vetë e ka gjithnjë një aspekt magjik, madje përtej ritualeve të lashta të pagëzimit dhe të kalendarit; për këtë na bind vetë historia e emrit shqip, në të cilën gjen të pasqyruar historinë e shqiptarit vetë.

Fetë ndër shqiptarë, nga ana e tyre, e kanë sistematizuar emërtimin prej shekujsh, në kuptimin që pagëzimi ndër besimtarët funksionon më tepër si akt përkatësimi, teksa dëshira e prindërve përtretet në dëshirën e përbashkët të komunitetit për t’u riprodhuar dhe përkushtimin e përbashkët ndaj hyjnisë.

Për këtë arsye, konfirmimi i shqiptarisë si fe kombëtare, që nga Rilindja e këtej, përkoi me gjallërimin dhe përhapjen e një sistemi të ri emrash shqip, të cilët do t’ia ndërronin pamjen madje ngjyrën shoqërisë në shtetin shqiptar, edhe ai i porsapagëzuar sërish në 1912-ën.

Çfarë ndodhi me emrat e përveçëm të shqiptarëve gjatë shekullit XX mund të merret si shembull i një ringjalljeje relativisht të suksesshme, edhe pse vënia e emrit fëmijës është akt social më tepër sesa institucion.

Tradicionalisht, edhe ndër shqiptarë, fëmijëve u janë vënë emra që kanë të bëjë me besimin dhe botëkuptimin fetar dhe që, ndër të krishterët, lidhet drejtpërdrejt me aktin e pagëzimit (“unte paghesont premenit…”). Megjithatë, gjithnjë janë përdorur, sidomos ndër myslimanët (por edhe në malësorët katolikë të Veriut), emra të ashtuquajtur “apelativë”, ose që janë edhe fjalë të gjuhës, p.sh. Drita, Shega, Rrapi, Lule, etj.

Mirëpo unë këtu e kam fjalën për dukurinë e ringjalljes dhe të përhapjes nga lart, ose artificiale, të emrave ilirë të gjetur nga historianët, filologët dhe arkeologët në tekste të lashta ose në mbishkrime varresh; të cilët emra do të konfirmonin formulën rilindëse se “feja e shqiptarit është shqiptaria”.

Ndryshe nga apelativët (Ylli, Dafina, Agim, Vjollca, Luan, Lumturi, Besnik, Dashamir, Dhurata, Majlinda, Liri, Bekim, Fatbardh), për të cilët gjithnjë ka pasur traditë autentike, emrat ilirë si Agron, Teuta, Ardian, Enkeleida, Bardhyl, Taulant, Etleva, Skerdilaid, Genc, Gent, Pleurat, etj. ishin krejt të panjohur për masat e gjëra, prandaj futja e tyre në përdorim ishte operacion elitar i kulluar, që gjeti mbështetje për shkak të frymës kombëtariste që mbartte.

Futja e emrave ilire mund të interpretohet edhe si pjesë e një prirjeje të përgjithshme të Rilindjes Kombëtare për t’ua restauruar shqiptarëve kujtesën historike, të topitur prej shekujsh. Që prej fillimit të shekullit XX, në fillim ndër shtresat e mesme qytetare e pastaj edhe gjetiu, nisën të përdoren emra që u përkisnin burrave dhe grave të shquara të kombit në të shkuarën – duke filluar me Lekën e madh, e pastaj me radhë Pirron, Gjergjin, Kastriotin, Donikën, Gjinin, Vojsavën, Tanushin, Kamanin, Gjonin, Aranitin, Mamicën, Jerinën.

Meqë krenaria për lavdinë e shkuar do të shkonte krah për krah me gjeografinë e atdheut, si tokë të shenjtëruar nga historia; që andej emra si Korab, Shkëlzen, Drin, Sazan, Arbër, Rozafë, Tomorr. Shqipëria, e shtrirë në hapësirë dhe në kohë, po riprodhohej tani në identitetet vetjake të qytetarëve të saj.

Kësisoj, kombëtarizimi i trashëgimisë në antroponimet (emrat e njerëzve) eci krah për krah me shekullarizimin e procesit të emërtimit, ose, në kuptim të gjerë, të pagëzimit; sa kohë që vënia e tatuazhit të emrit tani kryhej në një zyrë (institucion) publike të gjendjes civile, dhe fëmija ashtu i emërtuar klasifikohej vetvetiu si shqiptar jo vetëm për nga shtetësia, por edhe nga kombësia.

Madje edhe emra me preardhje të huaj, si Liliana, Robert, Kozeta, Ernest, Hektor, Diana, Eduard, Edmond, Roland e të tjerë u përdorën më tepër si shprehje e shekullarizimit të kulturës shqiptare, ose e një prirjeje për t’iu shmangur emrave tradicionalisht të diktuar prej feve. Kultura kombëtare kërkonte kontroll mbi emrin e përveçëm; dhe shekulli XX u shtjellua edhe si shekull ndërrimi rrënjësor të emrave ndër shqiptarët, çka u shoqërua me shndërrime të tjera shoqërore po aq të thella dhe gjithëpërfshirëse, mes të cilave hapja ndaj kulturës botërore, veçanërisht asaj perëndimore.

Nëse janë përdorur, ndër shqiptarë, emra ilirë në mënyrë të vijueshme që nga lashtësia, kjo mbetet për t’u konfirmuar; ka të dhëna se disa prej emrave të përdorur në malësorët e Veriut mund të kenë prejardhje pagane parakristiane; të tjerë mendojnë se vetë struktura tripjesëshe e emrit të malësorit, e tipit Ndue Ndrec Gjoka (ose Gjergj Elez Alia) i përgjigjet një sistemi paralatin e gjithsesi më të lashtë se kontaktet iliro-romake; më në fund, ka emra si Dedë (në Veri dhe në Jug), ose Bato (në Jug) që mbahen si të trashëguar prej ilirishtes.

Megjithatë, adoptimi në kohët moderne i emrave si Agron dhe Teuta nuk ka të bëjë me ruajtjen, por me inovimin; ose me shartimin e një vetëdijeje masive pseudo-historike, për qëllime të kompaktësimit social dhe të konsolidimit të përkatësisë kombëtare. Prindët i përdorën këta emra jo aq ngaqë përdëlleheshin shumë me lashtësinë ilire të shqiptarëve, por më tepër ngaqë ashtu gjetën një mënyrë për të shprehur, nëpërmjet tyre, vendosmërinë për t’i përkitur kombit shqiptar modern, i cili kishte nevojë ta përfytyronte veten si të shtrirë edhe në lashtësi.

Për ta kuptuar më mirë këtë dukuri, duhet pasur parasysh edhe që shqiptarët e sotëm e kanë gjithnjë të vështirë të identifikohen me figura të tilla të mjegullta, si Skerdilajdi ose me emra fisesh ilire të dy-tre mijë vjetëve më parë, si Ardianët, Taulantët ose Enkelejdët; dhe aq më pak me emra të nxjerrë nga mbishkrimet zakonisht funerare, si Lydra, të cilët sjellin në kulturë vetëm vlera, si të thuash, arkeologjike. Ndryshe ka qëndruar puna me emra personazhesh historike të mirëfillta, si Donika, Gjergj, Aranit, Tanush, Skënder, Pirro, Lekë (ose edhe Viron, që është forma e greqizuar e Byron-it) e kështu me radhë, të cilëve u ishin bashkëlidhur tashmë narrativat përkatëse.

Prandaj, emrat ilirë u ngjajnë më tepër simboleve algjebrike abstrakte, të cilat mbushen me kuptim individual nga bartësit, duke iu referuar një modeli social kombëtarist. Ringjallja e tyre nuk është veçse rezultati i një fushate elitare modernizuese, edhe pse paradoksalisht të maskuar prapa përftesash arkaizuese pseudo-historike.

37 komente

  1. Shpesh here pikellohem me pamjaftueshmerine e literatures sociologjike/antropologjike te perkthyer gjuhen shqipe si dhe me varferine e ketyre fushave te hetimit ne diskursin akademik e me gjere. Me se fundi e pata kete mendim pasi lexova komentin e Armandes tek tema e Ringjalljes ku permendej The Past is a Foreign Country i David Lowenthal, por pasi lexova kete shkrim te Xha Xhait, mendova: “Ky shkrim eshte perkthimi me i sakte qe mund ti behej Lowenthal ne shqip.” Me perkthim ne kete rast nenkuptoj interpretim e shtjellim te mendimit te Lowenthal & Co. ne boten shqiptare. Xha Xha, pa dashur t’u hyj ne hak akademikeve vertete te talentuar ne keto fusha, ne kete shkrim je Lowenthal-i shqiptar.

    Pëlqejeni

  2. ka emra si Dedë (në Veri dhe në Jug), ose Bato (në Jug) që mbahen si të trashëguar prej ilirishtes.

    Pse kisha pershtypjen qe emri Dede, eshte vulgarizim i emrit te krishtere “Domenik”?

    Pëlqejeni

    • Në fakt, me emrat e përveçëm është gjithnjë e vështirë, në mos e pamundur të bësh lidhje të prejardhjes; aq më tepër kur dihet se këta përfundojnë në forma të shkurtuara, marrëdhëniet e të cilave me format e plota nuk qeverisen nga rregullsitë fonetike – p.sh. asnjë rregullsi fonetike nuk na ndihmon për të kuptuar si mund të kalojmë nga DominikDedë ose Dodë… Gjithsesi, lidhjen e emrit Dedë me një emër të lashtë Dida e kam parë të përmendet në histori të shqipes; por nuk e përjashtoj as lidhjen me Dominik.

      Pëlqejeni

  3. “Ndryshe nga apelativët (Ylli, Dafina, Agim, Vjollca, Luan, Lumturi, Besnik, Dashamir, Dhurata, Majlinda, Liri, Bekim, Fatbardh), për të cilët gjithnjë ka pasur traditë autentike, emrat ilirë si Agron, Teuta, Ardian, Enkeleida, Bardhyl, Taulant, Etleva, Skerdilaid, Genc, Gent, Pleurat, etj. ishin krejt të panjohur për masat e gjëra, prandaj futja e tyre në përdorim ishte operacion elitar i kulluar, që gjeti mbështetje për shkak të frymës kombëtariste që mbartte”.

    E nenvizoj kete paragraf sepse i pergjigjet pike per pike raportit te emrit tim me emrin e tim eti. Nuk besoj se im ate bente pjese te masat e gjera, e per pasoje emri im ishte nje zgjedhje e vetedijshme si per shkak te njohjes historike te bartesit ilir por edhe per tingellimin. Kjo e dyta nuk duhet harruar, ose me mire nuk u la pa u vleresuar. Per kete arsye edhe pse mbiemri origjinalisht vjen nga nje tjeter dimension ka raport harmonik me emrin ilir. E them kete sepse e para pergjithesimi qe behet ketu “me djeg” pakez per shkak se ai vendoset ne shtratin e nje fushate qe vjen nga Lart dhe qe e zbeh shume rolin e Atit si autor arbitrar dhe protagonist te vetedijshem ne kete zgjedhje. Plus xha xhai nuk permend ketu faktin se kjo fushate elitariste nuk do te gjente perhapjen qe gjeti nese nuk do te shoqerohej me masa shtrenguese nga Shteti. (Ky nuk eshte rasti im dhe shpresoj as ndoshta edhe i ndonje tjetri ketu qe ka emer fisi ilir). P.sh une e di nga pervoja e miqve te mi te pagezuar pas ’90, se ky veprim qe rishkruante regjistrin e gjendjes civile si nje proces rishkrimi te historise, duke sjelle me vete emra me tingellim ‘arkaik’, si Mihal apo Jovan apo Sotir per nje brez te rinjsh si ne, nuk bente gje tjeter, porse “vendoste ne vend deshiren e mohuar dikur”. Keto emra rreth viteve 70-80 nuk u lejua te perdoreshin me dhe per pasoje onomastika e rigjetur ilire mori nje goditje ne Demokraci. Ketu duhet te nenvizoj se ky kundershtim me shume reflektiv sesa i vetedijshem, erdhi nga komunitete te caktuara ne formen qe permenda me siper. Pjesa tjeter dhe qe perkon me hapesirat gjerografike ku shqiptarizmi historikisht nder masa popullore afirmohet si antihelenizem i terbuar dhe kaq, u vu re lindja e onomastikes anglosaksone qe si shenje e nje etape te re historike pajton ne menyre qesharake Perandorine Osmane te Mbiemrave me Xha Xha Sam Protestantin te emrave. Mjafton qe ne kete binom te jete zhdukur dhe te mos duket asgje nga tradita e dikurshme bizantine apo edhe onomastika ilire qe meqe identifikohet me revolucionin onomastik te Diktatures ngjan si anakronik.

    “…emrat ilirë u ngjajnë më tepër simboleve algjebrike abstrakte, të cilat mbushen me kuptim individual nga bartësit, duke iu referuar një modeli social kombëtarist. Ringjallja e tyre nuk është veçse rezultati i një fushate elitare modernizuese, edhe pse paradoksalisht të maskuar prapa përftesash arkaizuese pseudo-historike”

    Pjeserisht dakord z. Autor dhe kjo eshte e drejte ne kontekstin e shkrimit tuaj. Por dua te kujtoj se sipas modelit shkencor te Ilirologjise aksi etnik i ilireve eshte Mat – Glasinac (Bosnje-Hercegovine). Dua te them se nese shtrirja ilire sot deshmohet ne te gjithe Gadishullin, pse valle perkujtimi i saj historik u be vetem nga Rilindja jone dhe u mbajt gjalle vetem nder shqiptare? (Idete e Strossmayerit ne Kroaci rane shume shpejt). Dua te them pse kjo ndjeshmeri gjallon vetem nder ne apo thjesht si nje prirje per te gjetur identitet historik dhe vetem kaq? Nuk ka valle ne kete kuader edhe nje grimce te vertete qe edhe pse risillet trashe gjithesesi na deshmon nje trashegimi qe me shume se kujtdo tjetri ketu ne Ballkan na perket? Faleminderit!

    Pëlqejeni

    • Thellogos shkruan:

      xha xhai nuk permend ketu faktin se kjo fushate elitariste nuk do te gjente perhapjen qe gjeti nese nuk do te shoqerohej me masa shtrenguese nga Shteti.

      Kjo është shumë e vërtetë; vetëm se Shteti nuk të detyronte që t’u vinte fëmijëve emra ilirë, por vetëm të ndalonte të përdorje emra të natyrës fetare (Qeramudin, Thomaidha, Françesk), ose të huaj (Adriano, Greta, Zherar). Prandaj prindët gjithnjë mund të zgjidhnin midis apelativëve (Ylli, Majlinda, Lumturi, Flamur), dhe simboleve algjebrike të ilirishtes: Skerdilajd, Alketa… Me fjalë të tjera, Shteti totalitar emrat ilirë vetëm sa i sugjeronte – tek e fundit, asgjë nuk të pengonte t’i quaje fëmijët Rrapi ose Shega

      Pëlqejeni

  4. Jo, jo, jo, jo dhe vetem jo xha xha i nderuar. Nuk e di si behej andej nga ju ku dovleti ishte shume afer per te qene shume radikal dhe i duhej te toleronte. Fundja keto ndodhin ne nje kryeqytet sado katundaresk te jete ai. Por aty ne rreze te armikut, ku kam lindur dhe jetuar une nuk falej edhe kaq lehte. Eshte e vertet se shteti vetem sa i sugjeronte emrat ilire duke fshire ata fetare, por ky sugjerim ishte e qarte se nuk ishte thjesht nje prezantim buzagaz i listes se ermave nga nepunesja e sjellshme e Gjendjes Civile. Ketu kemi te bejme me nje fryme qe stimulohet holle dhe shembullin kaq shume ndikues e jep vete Diktatori me femijet e niperit e tij.

    Sa per ate ironine fundore ” asgjë nuk të pengonte t’i quaje fëmijët Rrapi ose Shega”, he, eshte e vertete vetem se kemi te bejme me nje ndryshim cilesor. Ndryshimi i tipologjise se emrave legjitimohet me nje fakt tjeter; me ate se ato u vihen femijeve qe lindin ne qytet kryesisht nga prinder qe kane pesuar nje proces urbanizimi sado relativ. Rrapi dhe Shega jane emra pemesh qe per cdo femije sado indiferent te jete kujton mesimet apo kapitujt e abetares apo leximit letrar qe lidhen me fshatin. Ketu duhet marre parasysh pra se mes qytetit dhe fshatit ndryshimi vihet re edhe ne kete leme te jetes, sepse fundja degjoja shpesh ne fshat ne Permet kur thoshin se “emri kapister eshte”. Ky koncept nuk ekziston ne qytet, aq me teper asokohe kur vrulli transformues ishte ne rend te dites.

    Por nuk u pergjigje se pse onomastika ilire u rimor vetem ne Shqiperi dhe askund tjeter ?

    Pëlqejeni

    • Thellogos, nuk e marr vesh pse nuk po merremi vesh.
      Ty të lindte një fëmijë, ti shkoje për t’ia vënë emrin në zyrën e gjendjes civile.
      Nëpunësi i Gjendjes Civile ishte porositur që të refuzonte emrin, nëse ky kishte origjinë fetare – të krishterë ose myslimane; ose nëse ishte “i huaj”.
      Nëse ti ende ngurroje, ose nuk të vinte ndonjë ide, të jepnin një listë me emra nga ku mund të zgjidhje. Në listë kishte emra ilire, por edhe apelativë, emra historikë, gjeografikë e kështu me radhë.
      Ti nuk ishe i detyruar të zgjidhje emër ilir patjetër. Mund të zgjidhje edhe një apelativ, p.sh. Kujtim, Shkëlqim, Bukurie, Vjollca, Manushaqe; ose një emër “kulturor”, psh. Valbona, Zana, Korab, Donika, Pirro, etj.
      Me fjalë të tjera, detyrimi kishte të bënte me ndalimin e disa emrave; jo me imponimin e disa të tjerëve. Nëse ti vendosje ta quaje fëmijën me një emër të sajuar, p.sh. të përdorje inicialet e prindërve ose të tjera marifete (p.sh. kompozita të tipit Parlind ose Ylljet), nuk të ndalonin.
      Askush nuk u detyrua kurrë të përdorte emër patjetër ilir; ata që i zgjidhnin këta emra, edhe kur nuk dinin gjë specifike për prejardhjen e tyre, e bënin ndoshta të shtyrë nga dëshira për të shmangur apelativët – por kjo s’ka të bëjë me temën që diskutojmë.
      Më në fund, ti më pyet pse onomastika ilire u rimor vetëm në Shqipëri; unë nuk them dot shumë për vende të tjera, por di që aty tradita e emërtimit të krishterë (nëpërmjet pagëzimit) ka qenë gjithnjë shumë e fortë; dhe nga ana tjetër, me sa kuptoj unë, myslimanët e kanë pasur disi më të lirshme procedurën e zgjedhjes së emrave për fëmijët, duke përdorur ndonjëherë edhe fjalë të zakonshme të osmanishtes – shpesh pa ua ditur as kuptimin. Pra me një pjesë të popullsisë arbitrariteti me emrat ndoshta e kishte edhe një bazë, si të thuash, kulturore.
      Ti thua pse vetëm shqiptarët i përdorën emrat ilirë – ndoshta sepse vetëm shqiptarëve u duheshin emra të rinj; meqë për apelativët ka gjithnjë rezistencë, që ka të bëjë me mënyrën si funksionon në gjuhë emri i përveçëm. Shto këtu dëshirën kolektive për t’ia dhënë vetes një lashtësi (reale ose fiktive) të shprehur edhe në emrat… Këtë e kanë bërë edhe gjermanët në kohën e nazizmit, kur shkuan dhe rrëmuan për emra në mitologjinë gjermanike. Ka një dozë të fortë paganizmi në këto iniciativa kulturore, dhe paganizmi në këtë rast përkon me kombëtarizmin, si në Shqipëri, si në Gjermani.
      Më në fund, nuk bën të ngatërrohet ilirofilia me Rilindjen. Rilindja e kishte mendjen te pellazgët; ilirët nuk i hynin kujt në sy. Si stërgjyshë të shqiptarëve, ilirët u shfaqën në kulturë më pas; me përhapjen e ideve të indo-europianistëve (Meyer-it, Jokl-it) ndër elitat kulturore, veçanërisht ndër katolikët para Luftës II, dhe pastaj ndër arkeologët dhe historianët akademikë të Tiranës, pas Luftës II.

      Pëlqejeni

  5. Siç më del nga burimet e mia, çështja e emrave vetjakë është diskutuar më 1975 gjerësisht edhe në Kuvendin Popullor i cili miratoi vendimin (Nr. 5339, dt. 23/9/1975) për shpërndarjen në gjendjet civile një katalogu me emrat të cilët ishin të parapëlqyer nga Partia/ Instituti i Gjuhësisë për t’u vendosur fëmijëve. Është botuar edhe në Fletoren Zyrtare (Nr 4, 11/11/1975). Nga një artikull i A. Kostallarit (Njerëzit dhe emrat, “Mësuesi”, 31/5/1963 ribotuar në Norma letrare kombëtare dhe kultura e gjuhës, v. I, botim i ASHeRPSH, Tiranë 1973, ff. 361-371) shikoj se diskutimi kishte filluar në rradhët e gazetës “Mëshuesi” në vitin 1963 i cili nuk prekte vetëm emrat e përveçëm të njerëzve por edhe mbiemrat e toponimet të cilat duhet të kalonin nga purizmi onomastik.

    Pse vallë kjo ksenofobi? Arsyet për mua janë dy. Lufta ndaj feve, pra një homogjenizim i popullsisë me elemente antifetare/ neutrale. Sepse, të paktën në Shqipëri, vetëm nga emri, mund të gjykoje shumë gjëra për një njeri pa hapur mirë mirë gojën tjetri. S’kishte mundësi që të të thoshte tjetri se e quanin Zef e të mos të shkonte mendja se ishte me origjinë nga Veriperëndimi i Shqipërisë dhe katolik. Apo të të thoshte se e quanin Kristo dhe të mos mendoje se ishte nga Jugu e ortodoks. Kurse me emrin Agron nuk kishe paragjykime për personin, ishte neutral dhe mund të fshihej kushdo pas tij. Arsyeja tjetër është lidhja artificiale me të kaluarën historike për t’u krijuar ideja e vazhdimësisë kulturore-historike nga Ilirët deri tek Shqiptarët.

    Kjo si pasojë solli rrënimin e traditës familjare ku djali merrte emrin e gjyshit me rezultate shumë herë komike brënda një familjeje. Kishte raste psh që njëri gjysh të quhej Islam e tjetri Petro, babai të quhej Proletar e nëna Thëllëzë dhe dy fëmijët të quheshin Agron dhe Elvis. Cili Elvis? Elvis is dead. Rrënimi i traditës onomastike si dhe pasurimi artificial i saj solli në shoqëri besoj një konfuzion të madh. Kjo duket shumë mirë sot me larminë e pashëmbullt të onomastikës shqiptare. Mjafton të futeni në një klasë shkolle.

    Nga ana tjetër, a ka traditë të mirëfilltë onomastike shqiptare dhe cili është vëllimi saj? Duke hequr emrat të cilët hynë nëpërmjet krishterimit dhe islamit si dhe ato që u zhvilluan sidomos në gjysmën e dytë të shekullit të XX ngelet një sasi jashtëzakonisht e vogël e emrave vetiakë të cilat kryesisht vijnë nga bota bimore dhe shtazore (dhe kryesisht janë emra femërore). Këtu hyjnë emra si Sorkë, Drëndelinë, Drandofile, Dafinë, Thëllëzë, Manushaqe. Por sa janë këto emra? 20? 100? Për krahasim them se Homeri përdor një fjalor me rreth 11000 fjalë nga të cilat rreth 3000 janë emra të përveçëm. Nga lashtësia ka mbijetuar ndonjë emër ? M. Lambertz përmend disa në një punim të tij (“Kanuni i Lekë Dukagjinit dhe emri Lekë në gjuhën shqipe” botuar në Studime për nder të Aleksandër Xhvanit, botim i ASHeRPSSH, Tiranë 1986, ff. 429-431) ku shprehet se emri Lekë nuk del nga Aleksandër por nga emri ilir Licaus, Licca. Ndër emrat që kanë mbijetuar përmend emrat vetjakë Borë, Cac, Bardhi, Cali, Dedë, Mar, Marash, Gjelosh, Dash etj. Por për sa nga këto mund të bëhen afrime të sigurta?

    A ka patur efekte në masat ndërhyrja nga lartë për vendosjen e emrave? Sigurisht që po. Mjafton të hidhet një sy në statistikat e mëposhtme. Shkodra në vitin 1950 ka pasur 1396 lindje nga të cilat u regjistruan me emra të fondit ilir 1% të të lindurve, me emra të burimit vendas u regjistruan 21,9% të të lindurve, me emra të huaj laikë u regjistruan 12,6% të të lindurve dhe me emra të huaj fetarë u regjistruan 64,5% të të lindurve. Në vitin 1985 Shkodra ka patur 1578 lindje nga të cilat me emra të fondit ilir u regjistruan 19,2% e lindjeve, me emra të fondit shqiptar u regjistruan 18,1% e lindjeve, me emra të huaj laikë u regjistruan 56,7% e lindjeve dhe me emra të huaj fetarë u regjistruan vetëm 6% e lindjeve. Statistikat janë marrë nga punimi i Yllka Selimit, Dukuri të vënies së emrave vetjakë, “Etnografia Shqiptare”, nr 16, Tiranë 1989, ff. 111-132.

    Siç vëren autorja (f. 123) pas viteve 1970 u dukën edhe të metat në këtë pëpjekje, 1. Emrat e përhapura me anë listash nga punonjësit e Institutit të Gjuhësisë nuk u pëlqyen nga të gjithë njëlloj, 2. Rritja e popullsisë kërkonte një numër më të madh emrash të cilat nuk përballoheshin nga listat e atëhershme. Kështu autorja në shfletimet e disa regjistrave shikonte në një klasë 3-4 Valbona, 4-5 Gentë etj dhe 3. Zëvënësimi i emrave fetarë dhe numri i kufizuat i burimit ilir/ shqiptar hapi terren të favorshëm për hyrjen e shumë emrave të huaj laikë.

    Në shumë raste në Shqipëri personalisht më ka ngelur pikëpyetje edhe seksi i emrit. Eri, Klevi, Eni, etj janë emra të gjinisë mashkullore apo femërore? Por habinë më të madhe e kisha marrë njëherë kur shikoja emisionin e Portokallit. Ishte çuar një djal nga Shkupi për të thënë një barcaletë dhe i cili quhej Shpenzim. Imagjinoni vetë tani se çfarë u kishte kaluar në mendje prindërve kur mësuan për shtatzaninë…

    P.S, XhaXha, emri Alket është grek maqedon.

    Pëlqejeni

    • Tannhäuser shkruan:

      Rrënimi i traditës onomastike si dhe pasurimi artificial i saj solli në shoqëri besoj një konfuzion të madh. Kjo duket shumë mirë sot me larminë e pashëmbullt të onomastikës shqiptare.

      E çuditshme, po të mendosh se gjendja e sotme kaotike është rezultat, sado paradoksal, i një përpjekje në thelb homogjenizuese, për t’ia dhënë shqiptarit një identitet edhe në lëmin antroponimik.

      Tannhäuser, të falënderoj për pasurinë e materialit që solle dhe në përgjithësi kontributin në këtë diskutim.

      Pëlqejeni

    • Per mua eshte fare mire keshtu; me mire nja tre-kater Valbona se sa nja dy Dhimitrulla e ndonje Elefteriqi apo Muharabije…
      Dhe nese s’ka tradite le te krijohet,ne nuk kemi bere ndonje perbetim qe te vdesim patjeter Mazllem apo Korofillaq.

      Tannhauser,nese mundesh,meqenese e ke pare ligjin,si shpjegohet qe ne lindjet e Shkodres me 1985 “.. u rregjistruan me emra te huaj fetare 6% e lindjeve.” Ishte ligji i detyrueshem apo jo?

      Edhe nje tjeter,me teper kuriozitet : nese Brikena ( apo Birkena) eshte emer i gurres ilire c’mesazh mund te jape qe vete Cabej e zgjodhi per femijen e vet?

      Pëlqejeni

      • fatma, personalisht mund të gjej shumë shpjegime. 6% do të thotë 96 lindje, që është një numër relativisht i vogël, ndonjë punonjës i korruptuar i gjendjes civile, dëshira e Zotit apo ndonjë konspiracion për të sfiduar Byronë Politike. Shkodra e ka patur këtë frymë reaksionare.

        Pëlqejeni

        • Ndoshta mund të shkoje në Gjendjen Civile e të thoje se po ia vije djalit emrin Luigj për kujtim e nder të Luigj Gurakuqit – nuk besoj se kjo do të kundërshtohej automatikisht.

          Pëlqejeni

          • Te mos harrojme edhe individin si agjent. Perpjekja e diktatures ka qene pikerisht zvogelimi i rolit te individit si agjent ndryshimi, dhe dihet se kjo gje nuk eshte arritur asnjehere, nga asnje sistem diktatorial. Ne kete rast punonjesit e gjendjes civile ishin shpesh agjentet qe e benin te mundur sado pak lirine e venies se emrave. Keshtu kur lindi vellai im, mami deshi ta quante ate Artur, por babi, qe nuk ka pasur asnjehere marredhenie te mira me punonjesit e cfaredolloj administrate, kur punonjesit e gjendjes civile i thane se nuk mund ta vinte kete emer se ishte i huaj, i ra shkurt dhe zgjodhi emrin Alban. Ndersa nje bebe tjeter ne moshe me vellain tim u quajt Artur, sepse punonjesja e radhes e turnit tek gjendja civile nuk e vrau shume mendjen, dhe mamaja ende sot e kesaj dite ia mban inatin babait per kete pune…
            Ndersa per mua, qe linda dy vjet me vone, mami tregon se shkoi vete per te me regjistruar, “dhe ia thashe me nje vendosmeri te tille emrin tend atyre te gjendjes civile, saqe ato u terhoqen. “Mire shoqe,” me thane “si te duash””.
            Por duhet thene se emrat e huaj qe u vune gjate fundit te 70tave dhe gjate viteve 80te, e kishin gjithesesi prejardhjen ose nga filmat e lejuar, ose nga ato pak romane te lejuara qe perktheheshin ne shqip. Dhe ato viheshin gjithesesi ne formen e shqiperuar, psh jo Armando, por Armand, jo Renato, por Renat.
            Keto erdhen duke pasur nje tingellim kaq shqiptar, saqe ne fund te viteve 80 ato konsideroheshin si te ishin emra shqiptare, e per pasoje gjate viteve 90te thuajse dolen nga perdorimi.
            Sot jane ne mode kompozitat, ca shkronja nga emri i mamit dhe ca nga ai i babit. Ne fillim me dukej e peshtire kjo, pasi shume emra dalin skandaloze edhe per nga shqiperimi, por ne fund te fundit, kjo nuk eshte vetem se nje perpjekje per pak kuptim dhe per identifikim me ane te emrit me ambjentin ku femija jeton. Shqiptaret po lodhen edhe nga Xhoni, Xheku, Sjuzeni dhe Rejcelli……….

            Pëlqejeni

  6. Xha xha (ne Diber, per shembull do te te drejtoheshin mixhe) mund te gjesh interesant diskutimin qe i ben Richard Bulliet, historian i lindjes se mesme ne Columbia U., ceshtjes se emrit. Ai e ka perdorur studimin e emrave per te datuar periudhat e konvertimeve ne Iran. Nje diskutim me i permbledhur mund te gjindet tek libri i tij “The case for an Islamic – Christian Civilization.” Meqe jam me i njohur me historine e lindjes se mesme, procesi i zevendesimit te referencave kulturore dhe emrave me emra dhe ngjarje te para perhapjes se Islamit u perdor gjeresisht nga regjimet nacionaliste, sekulariste te Linjes se Mesme (si Bathistet ne Irak.) Procesi thjesht qe me intens ne Shqiperi. Se fundmi, vertet shteti nuk te detyronte venien e emrit Ilir, fjala vjen, por ndodhte nje proces sociolizimi qe nxiste perdorimin e ketyre emrave.
    Gjithashtu, ky shkrim me kujtoi nje ese te Ervin Hatibit ku komenton per emrin e vet si emri i gjendjes civile te pas vitit ’67.

    Pëlqejeni

    • Nje fenomen i ngjashem, ndonese shume me i rralle, ka ndodhur ne Egjypt. Kryetari i Vllazerise Islamike atje, nje organizate qe konsiderohet si ithtare e pan-Islamizmit, e ka emrin Klovis(dhe eshte burre ne moshe)

      Pëlqejeni

  7. Fjala ‘artificial’ nuk ka ndonje domethenie kushedi se cfare gjate proceseve ndryshuese. Emrat e krishtere ne fillim jane vendosur artificialisht, emrat myslymane po ashtu, emrat e sotem te huaj po ashtu.
    Krijimi i nje instituti cfaredo ne Shqiperine e sotme eshte artificial.

    Normalisht artificial i kundervihet konceptit i natyrshem/i vetevijueshem, mirepo cka eshte artificiale ne nje hapesire x mund te jete i vetevijueshem ne nje hapesire y.

    Ne rastin tone, kemi vendosje artificiale nese hapesira x eshte vazhdueshmeria e emrave, kurse eshte i vetevijueshem ne hapesiren kombngjizese e kombmjekuese.

    Pra vendosja e emrave ilire i perket nje logjike te vetevijueshme e cila prej mbi 100 vjetesh po synonte shkundjen e pleshtave e shushunjave shekullore, qe ligeshtonin bashkesine shqiptare.

    Perkundrazi, artificiale do ishte qe ne vend te emrave ilire te vendoseshin emra kongoleze, franceze apo amerikane ose vendosja e emrave latine si Cassio, Sempronio, Patrizia, Calpurnia, Lavinia etj.

    Prandaj nuk shoh ndonje arsye te vlefshme perdorimi per ate fjale.

    Nga ana tjeter, komunizmi e kapi me emrat fetare edhe sepse ishte vete thellesisht fe civile e sipas ligjit te ngurte te feve universaliste, duhet te zhdukte cdo gjurme te fese/feve se meparshme.

    Nacionalizmi shqiptar dhe komunizmi kishin te njejtin armik te perbashket. Vetem dobesia e vazhdueshme e teresise parimore kombetariste, ndalon truplidhjen e kombit e lejon pjeset e qullta te majmen e te rendojne te tashmen e te ardhmen me padobishmerine e tyre.

    Persa i perket ‘simbolit algjebrik’, mos te harrojme se Franca ka varur paturpesisht ne qafen e saj, asteriksa e obesliksa apo Greqia emrat e dardaneve trojane.

    Eshte e pamenjanueshme pasoja ‘simbol algjebrik’, kur shkohet shume prapa ne kohe, rendesi ka qe ky simbol te ndjehet e te mbushe ndjesine e autoktonise.

    Pëlqejeni

  8. “Prandaj, emrat ilirë u ngjajnë më tepër simboleve algjebrike abstrakte, të cilat mbushen me kuptim individual nga bartësit, duke iu referuar një modeli social kombëtarist”

    Nese dikush ketu ka nje emer ilir mund te me thote se cili eshte kuptimi individual qe ai i ka dhene si bartes i tij?
    Mundesisht ne terma te thjeshte dhe popullore, se me kete rast kuptojme ndoshta edhe kompleksin qe mund te kete lindur nga emrat ilire si reforme asgjesuese e emrave sidomos muslimane.
    Nese dikush pergjigjet, ju falenderoj.

    Pëlqejeni

    • Unë kam emër ilir… të një fisi diku në Veri të Shqipërisë. Kurrë nuk kam ndier ndonjë farë lidhjeje as me atë fis, as me ilirët si popull. Emrin e kam përjetuar (1) në raport me personin që ma ka vënë dhe që ka qenë shumë i dashur për mua; dhe (2) të tjerë njerëz që quhen ashtu dhe që, bash nëpërmjet emrit, mund t’i identifikoj si të brezit tim, meqë pas njëfarë kohe ai emër e humbi popullaritetin dhe praktikisht nuk u përdor më.

      Pëlqejeni

      • Nje koment i fundit nese lejohet.

        Shume mire. Perjetimi i emrit tuaj lidhet thjesht dhe vetem me nje pervoje personale dhe e shumta me nje hapsire te ngushte sociale te nje brezi. Kjo nuk ka ndonje te keqe, madje te jep liri perjetimi ne raport me emra tradicionale fetare qe kuptimin e kane te dhene dhe te panegociueshem qe ne momentin e pare. Fundja ç’kuptim personal apo kombetarist, apo social mund t’i japesh p.sh emrit Kristo???

        Dua te them qe emra te ketille sipas meje nuk jane edhe aq simbole abstrakte qe kerkojne ta gjejne kuptimin kuturu, porse perkojne me nje gjurme historike e cila kerkon ringjallje aty ku vijimesia kondesohet ne ndergjegjen historike te ne populli. Edhe nese kjo ndergjegje pretendohet se induktohet si reforme elitare, aty nje baze vertetesie serish ka. Sado i holle te jete, nje mashtrim kaq i madh nuk mund te jetoje gjate dhe nuk mund te ngjise si i thone. Shikoni sesa qesharake duken sot maqedonasit ne pretendimin e tyre te historise antike, por edhe kur kerkojne te perdorin ne kudher nacionaliste nje figure me te afert si Nene Tereza.
        Por edhe nese do mbyllja syte plotesisht dhe do te pranoja te plote shkrimin tuaj, kam nje pyetje. Nese ai Dikushi qe ju vuri emrin juve – nje fis ilir ne Veri me te cilin juve nuk ndjeni lidhje – ishte pjese e te gjithe kesaj reforme elitariste, ç’mund te me thoni per emrin qe ju i vini femijes suaj? Dhe tjetra, po nese keta emra ilire, madje edhe ai juaji qe ka humbur popullaritetin mund te perdoret serish nga brezat e mepassshem cili do te ishte argumenti per ta shpjeguar kete ? Sepse e shohim qe emrat e tranzicionit jane qartazi tranzitore dhe qesharake, pse humasin fillin e historise dhe te onomastikes qofte edhe mesdhetare.
        Ne fund me pelqen nje thenie e Einstein qe deklaron se “Nje ekuacion per te qene i vertete duhet te jete edhe i pranueshem nga ana estetike”. Nuk mund te besohet se dikush, sado i lexuar te jete te vendose ne Kroaci p.sh nje emer te tipit Ardian Klementinoviç… Ringjallja ilire edhe pse u banalizua mund te ndodhte vetem aty ku dikton historia. Faleminderit edhe po nuk u postua.

        Pëlqejeni

        • “Fundja ç’kuptim personal apo kombetarist, apo social mund t’i japesh p.sh emrit Kristo???”

          Shembulli me te cilin je sherbyer ketu tenton drejt absolutes, ama pa ia qelluar absolutisht.

          Emri, qofte edhe ai i shembullit, nuk mundet te transcendoje vetvetiu asnje kontekst.

          Ne aspektin kombetarist, emrin greqisht te Mesise mund ta shperdoroje per te pajisur te birin, nje nacionalist ateist grek, me origjine cfaredo, qe nga Himara e deri ne Santorini.

          Ne aspektin personal, emrin qe zgjodhet per shembull merr kuptime …personale sapo nje fshatar konfuz dhe zemermire nga cilado prejardhje fetare ne vend, mund tía vendose te birit, si blatim ndaj infermierit shetites qe i shpetoi gruan nga tetanozi apo ndaj shokut te paharruar dhe vetmohues te ushtrise, burgut apo gomones per ne Brindizi.

          Ne aspektin social, emri merr kuptim te mirenjohur…social per cdokend familjar me historine e emigracionit shqiptar ne nje nga vendet tona fqinje.

          Vete grafia e emrit qe u zgjodh per shembull, rezaton njerin apo tjetrin dimension (social, personal, kombetarist etj,etj) te pavarur prej kuptimit origjinal, se kemi edhe nje kengetar me emrin Kristi, psh. keto kohe apo gazetarin Kristi Pinderi etj etj.

          Te gjitha keto hyjne ne negociate, duam-s’duam, me kuptimin origjinal te emrit. Se po flasim gjithsesi per nje mbishkrim te emrit ne nje person tjeter, ne nje kontekst cfaredo

          Pëlqejeni

      • E marr me mend që do t’i hap punë vetes me përmendjen e rastit në vijim, por bashkërendimi tronditës i një emri dhe mbiemri si, Taulant Pellazgu, përbëjnë një formacion, të cilin vështrirë se mund ta fshehësh.

        Siguroj të pranishmit se, megjithë pabesueshmërinë evidente që paraqet ky rast, emri Taulant Pellazgu fsheh një personazh krejtësisht të vërtetë të Tiranës së viteve ’80.

        I mirëkuptoj paraprakisht pyetjet e tipit, “je i sigurtë për mbiemrin të pakten?” sepse kam rreth 25 vite që u bëj ballë sa herë vendos ta ndaj këtë rast etalon në ndonjë kuvend, por përgjigja ime mbetet e palëkundur.

        I kërkoj ndjesë të gjorit Taulant Pellazgu që po e sjell si shembull në këtë menjdan të nderuar, por shpresoj të na falë për nevojat e shkëncës, sigurisht.

        Pëlqejeni

  9. Disa shenime te vjetra te miat:

    Emrat – jo toponomistiken, por anthroponomastiken – emrat e vecante te njerezve, per vete natyren e tyre, me shume se sa emrat e vendeve, tentojen te mbartin mbi vehte karakteristikat e epokes kur ato jane perdorur.
    Para disa kohesh me ra ne dore pema gjenealogjike e fisit te familjes se tim eti. Ajo vjen nga fshatra te thella te malesise, dhe nga sa c`mbahet mend, ajo shkon 9 breza ( rreth 180 vjet) thelle ne kohe. Pema shperndahet ne dege te shumta me disa qindra emra ne te, dhe vetem deget mashkullore te fisit vazhdohen- ato te femrave vdesin, sapo krijohen. Emrat jane shumica me origjine koranike ne te dy sekset, dhe trungu fillon me patriarkun e pare me emrin Nezir. Me pas vijne emra te tille si Mustafe, Rexhep, Haxhi, Ymer, Ahmet, Nurie, Hamide, Muradie etj. Cfare bie ne sy nga natyra por sidomos radha e emrave eshte fakti se ne brezin e dyte dhe te trete sheh nje numer te konsiderueshem emrash, qe per mendimin tim jane pagan, si Man, Curr, Uk, ose Mire, Zoje, Bulle, Begishe etj. Mungesa e cdo reference qofte kriptike apo edhe te hapur te nje anthroponomastike me origjine kristiane nuk me duket se ka te beje me friken nga autoritetet administrative se sa me rezonancen e nje kaluare jo shume te larget, kur megjithese banoret e vendit mund te luteshin si te krishtere, ata mendonin e jetonin si pagane.

    Studimi i emrave te njerezve te perdorura ne zona te ndryshme te Shqiperise apo tokave te jetuara nga shqiptare mendoj se do te ishte nje mjet i vlefshem per hedhur drite ne shume periudha historike te shqiptareve. Do te ishte njesoj si aplikimi i sistemit te kordinatave gjeografike ne nje toke te njohur pak. Nga gjeanologjia e fisit te familjes sime mund te thuhet se fshati i tim eti ka qene i besimit mysliman, te pakten qe 200 vjet perpara. Ne fillesat e hereshme (1810-1850) shihet perdorimi i emrave pagan (pse?!?!). Nga 1860 deri ne 1960 vihet re nje mbizoterim i plote i emrave myslimane. Por mbas 1960 ky element fillon e zbehet ne menyre te dukshme, madje te konsiderueshme, sepse sheh nje perdorim ne mase te emrave me origjine historike, si Gent, Arian, Arber, Agron,Iliriana, Artur, Besalaba, Dea etj, etj.Ky fenomen vihet re sidomos ne vitet 1960-1990. Por ndryshimi me i madh, nje lloj shkeputje te plote me traditen apo historine gjenealogjike te fisit vihet re ne brezin e fundit, kur emrat e krishtere si Mark, Mikela, Andrea etj. fillojne e vihen re te perdoren per here te pare ne nje periudhe 200 vjecare.
    Pse ndodh kjo? Hamendjet dhe aresyet mund te jene po aq te shumta sa faqet e nje libri te trashe. Por perfundimi kryesor qe mund te arrihet eshte se nga ky shembull mund te perpiqet per te pare apo kerkuar se kush jane pjeset e levizshme dhe ato te palevizeshme te shoqerise shqiptare dhe elementeve perberese te saj.

    Ne korrikun e kaluar (2006 -id) ne Angli u mbajt Kongresi Nderkomebtar i studimeve Mesjetare.
    IMC (International Medieval Congress) eshte nje nga konferencat me te medha akademike qe mbahet rregullisht ne Britanine e Madhe, dhe kete radhe pati rreth 1000 studime te paraqitura prej specialisteve te studimeve mesjetar te ardhura nga 40 vende te ndryshme. Kete vit temat e studiuara u moren me aspekte nga me te ndryshmet te jetes ne Mesjete, qe nga virgjeria e femrave, kaloresit e oborreve e deri tek semundjet mendore apo simbolizmi dhe koded ne art dhe ne doreshkrime.
    Nje nga studimet e paraqitura merresh me Shen Gjergjin. Simbas akademikeve skoceze, Shen Gjergji ka qene nje figure qendrore dhe ka pasur nje kult me vete dhe mjaft te perhapur ne mesjet e voneshme ne Skoci. Ne shekullin e 14-te emri Gjergj ka qene nga emrat me popullore per familjet aristokrate te Skocise. Arsyeja? Shen Gjergji ishte mbrojtesi i kryqetareve , te cilet per 2-300 vjet luftuan per te cliruar apo mbrojtur tokat e shenjta nga turqit selxhuke. Ne Skoci per nje periudhe te gjate, kjo deri thelle ne shekullin e 20′, ne prag te vitit te ri, neper fshatrat skoceze ishte si tradite organizimi i pervitshem i lojrave ne te cilat paraqitesh Shen Gjergji qe luftonte me nje kalores turk.
    Periudha e fillimit te perdorimit te emrit te Gjergjit ne Skoci, dhe arsyet per te, korrespondojne me fillimin e perdorimit te emrit Gjergj ne Shqiperi gjithashtu. Dy figurat me te njohura jane Gjergj Kastrioti dhe Gjergj Aranitasi. Te dy keta, ashtu si edhe ne rastin e perdorimit te emrit ne Skoci, ishin pinjolle nga familje aristokrate, dhe qe te dy e ndertuan emrin dhe famen e tyre me se shumti prej luftes se tyre kunder turqve. Duke qene se emri i nje njeriu (brezi) flet me shume mbi brezin e meparshem, mbi njerezit e atij brezi, mbi popullsine e atij brezi ( te gjithe ne e dime arsyen e perdorimit te emrave historike ne Shqiperi ne 40-50 vjetet e fundit), atehere mund te thuhet se zgjedhja e emrit Gjergj nuk eshte e rastesishme. Ajo reflekton gjendjen e kohes – koshiencen e eksistences se nje problemi turk – te drejtperdrejte (turqit erdhen ne Ballkan qe ne shek. 14) ose te terthorte (kultural) – ne 1400 me siguri jehonat e kryqezatava do te kene qene te gjalla ne psiken e shqiptareve te kohes. Ajo reflekton faktin se andej nga dolen Gjergj Kastrioti dhe Gjergj Arianiti, ne mos e gjithe popullsia, te pakten kreret e saj ishin te besimit katolik ( kryqezatat jane me shume histori katolike se sa orthodokse) dhe cka me duket me e rendesishme ajo reflekton faktin se kultura shqiptare per nga preokupimet e saj, menyra e perceptimit dhe te shprehurit te ketyre preokupimeve ishte ne sintoni me kulturen katolike qe mbizoteronte ne pjese te tjera te Europes (do kujtuar se emri Gjergj ishte emri me popullor ne aristokracine skoceze, kjo per arsye te historise se kryqezatave).

    Ne ate periudhe te mesjetes, Shen Gjergji ishte nje nga shenjtet kryesore ne haxhiogafine e krishterimit. Me kalimin e kohes ai do te delegohesh ne nje rang te dyte e me vone, nga fundi i shek. 19, ne nje rang te trete. Ky retrogradim perkon me periudhen kur krishterimi kish siguruar tashme nje triumf te plote ne perplasjen e tij per jeta a vdekje me islamin.

    p.s: Shen Gejrgji dhe flamuri i tij jane shenjti mbrojtes dhe flamuri i ushtrise greke. Ndofta kjo ka te beje me numrin e madh te shqiptareve qe mbushnin rradhet e te gjitha sherbimeve te armatosura fillimisht te mbreterise, e me vone te republikes grek?!?!

    Pëlqejeni

  10. Te Nderuarit,

    kam nevoj per nje favor,

    Mund ma rekomandoje apo te ma tregoje njeri ndonje burim te mire ( liper, publikim etj.) ku ceket saktesisht qe emri Ardian vjen nga emri i fisit Ilir Ardianet apo Ardijejt?

    Si duket ekziston nje problem lidhur me kete emer: Nuk ka asnje prove te shkruar qe ky emer ka te bej me emerin e Ardianeve!

    Kete fakt e ka shfrytezuar nje person ne artikullin wikipedia te titulluar ” Ardian” ku jep, sic thot ai, te vetmin burim qe ka te bej me kete emer e ky nurim thot qe Ardian eshte nje prej emrave te krijuar nga komunistet ne Shqiperi per ta bindur boten qe Shqiptaret jane pasardhes te ilireve.

    Ehd eneqotse eshte keshtu, vet fjalia e tij tingellon keq dhe nencmon kete emer dhe kulturen Shqipater.

    Jam mirenjohes nese dikush mund te me ndihmoje ketu.

    Ju falemnderit

    Ibes

    Ju lutem pergjegjet dhe burimet te mi dergoni ne Daesit@yahoo.com

    Pëlqejeni

    • Ka pasur një fis ilir të cilin latinët e quanin ardiaei ose vardiaei, ndërsa grekët Ἀρδιαῖοι ose Οὐαρδαῖοι; ardiaean është forma e mbiemrit në latinishte, me kuptimin “që i përket atij fisi, që rrjedh prej tij ose që ka lidhje me të”.

      Emri Ardian, si emër i përveçëm djemsh, më rezulton i përdorur ndër shqiptarë duke filluar nga vitet 1950. Është emër kulturor, i sugjeruar nga lart, sikurse të gjithë emrat e tjerë ilirë.

      Kur vlerësojmë përhapjen e këtij emri ndër shqiptarë, nuk duhet shpërfillur ngjashmëria e tij me emrin Adrian(o), i cili ka prejardhje latine.

      Megjithatë nuk dyshim se ndër shqiptarë, Adrian dhe Ardian janë dy emra të ndryshëm, me prejardhje të ndryshme.

      Shënim 1: ky blog nuk ofron shërbime e-maili të personalizuara, madje as me pagesë.

      Shënim 2: ju vetë do t’i shërbenit kulturës shqiptare drejtpërdrejt, sikur të përpiqeshit ta shkruanit shqipen më mirë.

      Pëlqejeni

    • Unë i kam tre libra me emra njerëzish, dhe në këta libra shkruan se emri Ardian është emër ilir:

      1. ”FJALOR EMRASH” nga Vladimir Zoto, Sh.B. Desara, Tiranë 2005

      2. ”5043 Emra shqip për fëmijë” nga Hasan Hasani, Sh.B. Faik Konica, Prishtinë 2001

      3. ”Emrat vetjakë në funksion të identitetit individual dhe kombëtar” nga Ibrahim Koci, botim i autorit, Prishtinë 2006

      P.S. Hasan Hasani është edhe autor i librit ”Laksikoni i shkrimtarëve shqiptarë 1501-2001”

      Pëlqejeni

  11. Zgjim,
    shume falemnderit per ndihmen tuaj, dhe sigurisht edhe per mirsjellje, e cila besoj ende eshte nje prej karakteristikave me te bukura Shqiptare qe ekzistojne.

    xhxhai, juve poashtu ju falenderoj per ndihmen tuaj, edhe pse me duhet te jem i sinqert dhe te them qe pergjigja juaj me tinglloj “i cik” patronizuese dhe ligjeruese, dmth. i mungonte tingulli i bashkpunimit dhe modestise. Mos ma merni kete personalisht, ju lutem. Personalisht, kerkoj ndjese nese kam bere gabime ne shkrim por duhet te kemi te gjith parasysh qe ka shume Shqiptare ne bote qe nuk jane lindur ne Shqiperi dhe nuk jetojne ne Shqiperi, dhe shume nga ata e kane mesuar gjuhen Shqipe vete, aq sa kane mundur ne nje vend jo-Shqiptar. Jam pakez konzervativ dhe me pelqejn ato karakteristikat te vjetra Shqiptare sic jane Rrespekti dhe bashkpunimi. Ju pershendes.

    Zgjim, ku mund ti gjej keto libra qe mi rekomandove dhe a mund te gjendet ndonje citim apo faqe nga keto libera ne internet ( qe ta bej nje lidhje drejtperdrejt me referenca ne Wikipedia)? Me se shumti do te me ndihmonte ndonje pjese e fjalise apo citim nga kto libra.Shume flm edhe nje here.

    Ibi

    Pëlqejeni

    • Ibes, nga komenti juaj, shoh se nuk e keni kuptuar arsyen e tonit të thartë në replikën time më lart.

      Është shkelje e rëndë etikete të vish në një forum publik, të lypësh një shërbim çfarëdo dhe të kërkosh pastaj që përgjigjen të ta dërgojnë me e-mail.

      Kjo është njëlloj sikur të thuash: “unë nuk shkel më në këtë forum.”

      Si një nga autorët dhe administratorët e blogut, mua nuk më vjen mirë kur dikush si ju përpiqet ta shfrytëzojë potencialin intelektual të blogut (duke përfshirë këtu autorët dhe komentuesit), por gjithë duke shprehur haptazi se jo vetëm nuk e viziton, por as ka ndërmend ta vizitojë në të ardhmen.

      Zonjë ose zotëri, forume si ky yni mund të mbahen gjallë vetëm nëpërmjet interesimit të të tjerëve. Në Internet interesi, kurioziteti dhe gatishmëria për pjesëmarrje kanë zëvendësuar shpërblimin ekonomik, ose kacidhen. Ju kërkuat një informacion gratis, por në një forum ku shumë njerëz shpenzojnë kohë dhe energji mendore, për qëllime të ndryshme. Të paktën ta kishit shpërblyer atë shërbim që kërkonit duke premtuar se do të vinit ta lexonit përgjigjen po aty ku erdhët për ta kërkuar.

      Pëlqejeni

  12. Zgjim,

    ja edhe nje here po te bezdis,

    Librin e Hasan Hasanit e kam edhe une, por ka nje problem ketu. Ne kete liber, ne faqen 13, thot keshtu. ” Ardian nga nje emer njeriu, Ilir”. Nuk jam i sigurt nese mund ta perdor kete si burim sepse kjo fjali ne fakt nuk tregon qe ky emer ka te bej me emrin “Ardianet”.

    Mua pikerisht me duhet cfaredo burimi i autorizuar ku thuhet qe Ardian del nga Ardianet, ose , se paku ndonje burim ku permendet fjala “Ardianet”, qe ta mare si shembull per ta treguar se Ardian eshte thejsht njejes i fjales Shqipe “Ardianet”.

    Ka mundesi te me thuash se cfare thot ne keto libra tjera per kete emer (dhe numerin e faqes po s pertove; dua ta perdor si citim).

    flm

    Ibi

    Pëlqejeni

  13. Ibes,

    nuk e di sa mund të të ndihmoj…
    Librin e Ibrahim Kocit e kam blerë në librarinë pranë Institutit Albanologjik, në Prishtinë. Kurse librin e Vladimir Zoto-s e kam blerë vjet në Durrës, në librarinë ”Shtëpia e librit”.
    Në librin ”FJALOR EMRASH” të V. Zoto-s në f.42 shkruan:
    Ardian
    Emër mashkullor që vjen nga emri përgjithësues ardianët, ose ardiejtë.Këta ishin një fis ilir, banorë të krahinës Ardia në Dalmati që përmenden që në shekullin e katërt para erës së re.Kryeqendra e tyre ishte fillimisht Risiniumi e më pas Shkodra.Ardiana është forma femërore më e përdorur e emrit.Ardi,Ardia përdoren si forma të shkurtuara….
    (… në vijim renditen format tjera të këtij emri…)

    Në librin ”emrat vetjakë…” të I. Kocit, emri Ardian është i vendosur në kapitullin VIII. Emrat vetjakë mbi bazën e ilirishtës, f.80.

    Pëlqejeni

  14. Zgjim,

    Shume falemnderit per ndihmen tuaj. Shpresoj dhe besoj qe tani kemi nje argument konkret , nje burim mjaft te autorizuar per ta parandalur keqperdorimin e Wikipedias nga njerez qe dukshem vuajn nga Shqiptarofobia.

    z. Xhaxhi,

    me lejoni te kerkoj ndjese nese i kam shkelur rregullat te ketij forumi. Nese kete e kam bere, me duhet te them qe kete nuk e kam bere me qellim. Thjesht kerkoja ndihme nga Shqiptaret e mi, dhe nuk kam pare ndonje rregull te shkruar ne kete faqe ku thuhet qe te kerkosh ndihme per nje ceshthe qe ka te bej me imazhin dhe kredibilitetin e kultures Shqiptare eshte shkelje etike. Personalisht, per muea eshte me keq te jesh patronizues dhe cinik se sa te shkelesh ndonje rregull te nje forumi rastesisht. Ky eshte vetem mendimi im qe nuk do thot qe rregullat duhet te injorohen ketu apo cdokund. Perkundrazi, perseri po them qe me vjen keq nese kam shkel ndonje rregull. Nese ju mendoni qe une mund ta korrigjoj kete gabim, do te jem mirenjohes per shansin e dyte.
    Ju falemnderit

    Ibi

    Pëlqejeni

  15. Kam per te kerkuar dhe nje favor te vogel, nese me lejoni

    Zgjim,

    e di qe te bezdisa,

    ke mundesi ta besh skenimin e kopertines se librit “Fjalor Emrash”, te uatorit V. Zoto, dhe sidomos faqen 42, ku flitet per emrin “Ardian” dhe te ma dergosh ne emailin tim Daesit@yahoo.com ?

    Ndoshta kerkoj shume, por kjo eshte menyra e fundit se si mund ta parandaloj nje Shqiptarofob ne Wikipedia te na heq nje faqe qe flet per nje emer Shqiptar.

    Me rrespekt

    Ibi

    Pëlqejeni

Komentet janë mbyllur.