ETIKA NË SHKOLLË

Ky shkrim mund t’i ishte shtuar fare mirë si koment shkrimit të mëparshëm, por po e nxjerr më vete me shpresë se diskutimi për këtë temë kaq të rëndësishme nuk do të mbetet me kaq.

Nga ana tjetër, ka arsye për ta trajtuar veçmas çështjen e edukimit moral ose qytetar në shkollë, meqë kur flasim për virtyte, vështirë se këto mund t’u kultivohen drejtpërdrejt të rriturve.

Por unë as e përfytyroj dot si mësuesit mund të futen një ditë në klasë dhe të fillojnë t’u thonë fëmijëve që të jenë të drejtë, të ndershëm, të thonë të vërtetën, të ndihmojnë të tjerët, e kështu me radhë; sepse edukimi moral nuk funksionon kështu, por edhe ngaqë shkollës, në këtë pikë, i duhet të konkurrojë me jetën dhe sidomos me mediat.

Fëmija i thith si sfungjer të gjitha vlerat që promovohen e propagandohen nga televizioni, veçanërisht nga programet më të ndjekura, të cilat i shërbejnë atij për t’u ndier pjesë e një grupi – në rastin konkret, grupit që i ndjek ato programe. Mirëpo televizioni sot në Shqipëri shërben kryesisht për të shitur mallra dhe propagandë politike; dhe fëmijët bëjnë mirë t’i rrinë larg.

Një rrugë e sigurt dhe e sprovuar për edukimin moral në shkollë do të ishte nëpërmjet shembullit – këtu vjen në vështrim veçanërisht historia, e shqiptarëve dhe e të tjerëve; Tregimet e moçme shqiptare të Kutelit, ose ndonjë version i përshtatur i Jetëve paralele të Plutarkut do të vlenin më shumë se dhjetë jetë të kaluara para ekranit të TV.

Një mënyrë tjetër e njohur do të ishte pjesëmarrja në veprimtari aventuroze (si ato të boyscouts); por këtyre po vjen duke iu ngushtuar hapësira, kryesisht për shkak të preokupimit obsesiv dhe aq të modës me sigurinë.

E nevojshme është edhe që fëmija ta ndiejë se shkolla është një instrument në shërbim të së ardhmes së tij; por kjo jo në kuptimin material, ose të të fituarit pará.

Të gjitha këto mund të tingëllojnë si broçkulla, në raport me çfarë i kërkojnë sot prindërit shkollës; mirëpo nuk duhet të harrojmë se, në çështje të etikës, prindërit e sotëm janë problemi, jo zgjidhja.

Në këtë kontekst, po më kujtohet tani një pasazh nga një referat mbajtur para pak kohësh në një konferencë të Ministrisë së Arsimit në Prishtinë, ku thuhej:

Edukimi i të rinjve bazuar në një sistem arsimor që identifikon kërkesat e tregut të kohës është ajo që Kosova duhet të arrijë në një periudhë afatshkurtër në mënyrë që të jetë pjesë e vlerave euroatlantike.

Një arsim i orientuar nga “tregu i kohës” përfton ndoshta teknikë të mirë, por jo njerëz të mirë. Megjithatë, atë pasazh mund ta gjesh rëndom në çdo dokument programatik për arsimin, në Tiranë e në Prishtinë; madje në krejt Europën.

Mirëpo problemet e shqiptarëve, sot për sot, janë të ndryshme nga ato që ka Europa. Probleme të ndryshme që kërkojnë zgjidhje të ndryshme.

Një nga këto zgjidhje, që e sugjeroj me dëshirë, është t’i lihet shumë më tepër hapësirë artit dhe krijimtarisë në shkollë – jo vetëm letërsi, por edhe teatër, pikturë, këngë, instrumente muzikore, balet, skulpturë, video, fotografi artistike, instalacione, filma të shkurtër.

Pse pikërisht art?

Sepse arti i zbut njerëzit e ua heq mendjen nga vetja, duke i përfshirë në misteret e padobishmërisë estetike.

Nuk e kam fjalën, pra, për art edukativ, patriotik, moralizues; por art si shprehje të lirisë shpirtërore dhe të dëshirës për të krijuar.

Kam edhe një arsye tjetër – arti është ndoshta mënyra më e sigurt, edhe pse pothuajse delikate, për të zhvilluar imagjinatën te fëmija. Dhe ndoshta përgjigjja për këtë krizë morale që kalojnë shqiptarët sot, mund të gjendet edhe te mungesa e imagjinatës.

Këtu dua të përmend patjetër edhe një ide të thellë të filozofit Yi-Fu Tuan (i njohur ndryshe si gjeograf kulturor), sipas së cilës imagjinata është kyçi i jetës së moralshme; meqë imagjinata na lejon të përfytyrojmë pasojat e akteve tona dhe ta përjetojmë jetën nga pozitat e Tjetrit.

Deri edhe grykësia mund të interpretohet si mungesë imagjinate.

Gjithsesi, një fëmijë shkolle që kalon më shumë kohë duke dëgjuar Mozartin dhe Beatles-at, ose duke i rënë flautit dhe kitarës, ose duke vënë në skenë Shekspirin dhe Sofokliun, ose duke u zhytur në tablotë e Caravaggio-s, Magritte-s ose Picasso-s, do të ketë kohë ta mbështjellë veten me imagjinatë – jo për t’iu larguar botës, por për ta përjetuar më të plotë.

E kotë të shtoj edhe se po të shtohen e të shumohen orët e artit në programet shkollore, do të gjejnë punë edhe ata qindra e mijëra artistë që enden sot rrugëve ose mësojnë alkoolin kafeneve, të papunë ose të punësuar keq.

11 Komente

  1. Xha xha, mendoj se në Shqipëri fëmijët, po përmbyten nën afshin e modeleve të huazuara nga perëndimi. TV, internet, sms, lojra virtuale dhe mbyllje nëpër skuta forumesh apo blogjesh.
    Eshtë e rëndësishme që në shkolla të futen më shumë programe që rrisin imagjinatën, shtojnë kureshtjen për forma, ngjyra, koncepte, shprehje, biografi apo modele historike, por duhet të jemi më realistë; për faktin se nuk ka shumë mbështetje nga pushteti për të tilla vëndime, apo drejtime që disa njerëz duan t’i japin brezit të ri. Akoma ora e vizatimit apo e fiskulturës, konsiderohen nga shume nxënës si dy orë ku edhe mund të bëjmë mungesa pa problem, mund të dalin e të pijnë një kafè. Mos konsiderimi i këtyre dy lëndëve, shkakton pasoja tek brezi i ri i cili gjendet i papërgatitur, i pazotë t’i bëjë ballë shumë pengesave. Imagjinata, gjë që shtohet nga rrethi ku jetojmë, nga ato që lexojmë por dhe nga detyrat që na jepen nga dikush, nuk duket se i mungon shqiptarëve, të cilët arrijnë të mbijetojnë me disa modele akoma arkaike që shumë fotografë i marrin si pamje për t’ia “dhuruar” të diturve.
    Por ky problemi i orës së vizatimi (ose i artit plastik), apo i fiskulturës, ndodh edhe në vënde të zhvilluara si Italia apo Franca. Por në këto vende, mos konsiderimi, largimi nga këto dy aktivitete zbavitëse, hap probleme nga një anë dhe zgjidh probleme nga ana tjetër. Palestrat janë të gatshme me aboné të favorshme për të dhjamosurit, psikologët janë në pritje të përsonave me probleme identiteti apo të mbyllur nga e kaluara. Botuesit nuk ndalojnë me libra me këshilla apo modele sesi të mësojmë aritmetikën, gjeometrinë, sesi t’i mbajmë mend formulat e kimisë, apo dhe si t’i përgjigjemi mësuesit kur nuk i kemi bërë detyrat.
    Kurse në Shqipëri plagët zëvendësojnë plagët. Asgjë nuk shërohet dhe dy apo tre individë “pushtojnë ekranet televizive të cilat nuk lënë (ose fare pak) hapësirë për kulturën, artin, librin, historinë apo spekullimin filozofik.
    Vetëm lajme. Të rrufeshme, kush e kush ta kapë i pari. Ngado gjen kronistë me mikrofin në dorë, të cilët bashkë me kameramanin rrinë në pritje të lajmit.
    Ndërsa artistët, shkrimtarët, muzikantët, kompozitorët, nuk duken gjëkundi. Asnjë nuk i kërkon, asnjëri nuk interesohet për to sepse nuk ka interes, ose më mirë interesi iu është kushtëzuar shqiptarëve. Ata duhet të lexojnë vetëm “kështu” dhe duhet të dinë vetëm këtë.

    “Nuk mund të kemi një shkollë të mirë pa një ekonomi të fortë e cila i jep mjetet e nevojshme për të punuar të qetë”-më thoshtë një mësues në Tiranë. Nuk besoj se ekonomia bën një të tillë ndryshim. Mendësia e disave që mendojnë se ndryshimi vjen duke i rritur rrogat mësuesve apo duke blerë kompjutera, është e gabuar. Njeriu i mëson dikujt diçka jo thjesht për interesa të ngushta ekonomike, por edhe për arsye të tjera më fisnike. Ka shumë të rinj që të flasin me krenari për historinë e artit botëror, por pak kush di të flasi për atë tonin.

    Si përfundim, mendoj, duke patur parasysh modelin francez, ku kultura mbrohet nga ligje serioze me qëllim që të shpërndahet tek të gjitha shtresat e popullsisë, dhe ku arti, muzika, kinemaja e filozofia futen që në shkollë tetëvjeçare dhe gjimnaz, është një ide e mirë që veprimtaritë artistike të kenë më shumë mbështetje nga strukturat dhe drejtuesit e tyre, në mënyrë që të ulin sadopak tensionet midis brezave dhe t’ia rrisin atyre intuitën.

  2. “Sepse arti i zbut njerëzit e ua heq mendjen nga vetja, duke i përfshirë në misteret e padobishmërisë estetike.”

    Objektiv i lavderueshem, por paksa idealizues.
    Se pari duhet qartesuar se cilit nivel te struktures arsimore ia ngarkojme kete detyre (estetiko-artistike krijuese): nivelit te detyrueshem (9-vjeçar) apo atij te mesem. Sipas meje, me kuptim ka ky programim ne nivelin e arsimit te detyrueshem. Por eshte i pamjaftueshem, per te konsoliduar nje profil te ri jetegjate, qe nuk do te therrmohet ne fazat e mevonshme te arsimimit dhe sidomos te jetes.
    Sa per shkollat e mesme, nga njera ane u kerkohet te formesojne aftesi profesionale praktike, sipas kerkeses se tregut (kerkesa per rritjen e vemendjes per shkollat teknike, profesionale, per mua shume e drejte, per disa arsye); kjo do te thote pervetesim rigoroz i njohurive baze shkencore dhe aftesim i shprehive praktike, organizative apo menaxheriale, ne fushen perkatese, deri te niveli i mesem profesional.
    Nga ana tjeter, arsimit te mesem te pergjithshem i duhet te pergatise aftesi mjaft te mira qe do te sigurojne vazhdimesine ne nivelin universitar, pra perseri shkencore dhe aftesim praktik per nevojat e tyre si qytetare, duke ‘shtrydhur’ programet nga teorizimi. Edhe aq sa eshte bere deri tani, me reformimin e programeve, sistemi i njohurive teorike eshte zbehur dukshem, gjithnje sipas meje.
    Sot, besoj, po shkohet drejt kategorizimit te shkollave te mesme (i programeve dhe i mesuesve): 1. shkolla masive, qe kane synim minimizimin e analfabeteve me deftese, te destinuar per tregun e punes; 2. shkolla thellesisht kerkuese me profile gjitheformuese (ose teknike ose ne shkencat humanitare), qe pergatisin kandidatet per nivelin universitar. Ky kategorizim diferencon financiarisht, metodologjikisht dhe ne rezultatin final masen qe dyndet sot ne shkollat e mesme e qe ne fund te gjithe duan te shkojne ne universitet, edhe pse me pesa (deftesa ua mundeson).
    Ju mendoni qe edhe kjo pergatitje teknike apo shkencore/praktike qe parashikohet ne programet e ndryshuara (ju siguroj se zene vend te madh tashme: histori arti, njohuri per formim qytetar dhe demokratik, seksual etj., trajnime per hartime projektesh, shfrytezim i teknologjise dixhitale per ilustrime, te bera nga vete nxenesit per letersine, gjeografine, historine, fiziken) te reduktohet, per t’u hapur vend veprimtarive thjesht estetiko-artistike, pra aftesive krijuese artistike, qe zhvillojne imagjinaten. Deri tani kete natyre, ku dominon edukimi estetik, e kane pasur programet e Liceut; s’di si mund te shtrihet edhe ne arsimin e pergjithshem apo te profilizuar.
    Siç shihet, synimi i shkollave te mesme eshte pergatitja per jeten, pavaresisht nese nxenesi do te vazhdoje studimet apo do te hyje ne tregun e punes. Dakord, “pergatitja per jeten” duhet te kete si prioritet pergatitjen e njerezve me etike demokratike apo humane, sidomos perballe emergjences se shkaterrimit te ekuilibrave te sjelljes etike te shoqerise se sotme. Por fare mire kete rol e luan edhe nje shkolle me natyre teknike (nuk di nese duhet sjelle shembull shkolla teknike e Fullcit, dikur, apo ish-shkolla tregtare e Vlores), nese tere procesi mesimor reflekton etikë pozitive (korrektese, pergjegjshmeri dhe kulture e mesimdhenesve – mostolerimi i fiktivitetit dhe korrupsionit). Duket sikur njerezit me emocionalitet dhe imagjinate racionale nuk kane mundesi te marrin vlera etike pozitive, sepse nuk shprehen bukur per kryevepra arti. Mund t’ua edukojme aftesine artistike edhe tipave racionale (si veprimtari e detyrueshme e programit shkollor), por gjithsesi ata do te reagojne minimalisht, madje, me te mencurit, me te kulturuarit e tyre, thone se edhe fizika ka poetiken e vet, p.sh., gje qe tipat artistikë nuk e kapin.
    Nese dallimi ndermjet imagjinates se vullnetshme (racionale) dhe asaj te pavullnetshme (artistike, sipas Sartrit), percakton llojet e vetenjohjes/ njohjes se botes/Unit, lidhja e saj (imagjinates) me te moralshmen/te pamoralshmen duhet te kaloje neper rruge te ndryshme per tipa te ndryshem.
    Nese do te kerkonim nje emerues te perbashket, kete e ka rol ka luajtur feja, edhe ne Lindje, edhe ne Perendim. Ne kete rast, ‘imagjinata’ lidhet me pasojat e veprimeve/mosveprimeve, sipas ‘kritereve’ hyjnore, me pak ndikim te shqiptaret. Me duket se dolem ne nje qorrsokak…
    Si duhet vepruar per te ecur ne gjurmet e nje pervoje te tille, ne kushtet e rezultanteve konkrete te proceseve historiko-sociale shqiptare?

  3. Mbase se kam kuptuar mire qellimin e temes, por me duket se me ane te arteve kemi edukimin estetik e jo ate etik.
    Arti te con tek e bukura, zhvillohet ideja e se bukures.

    Persa i perket edukimit etik ne shkolle, ne radhe te pare duhet shqyrtuar, ne shkolla duhet te nxjerre njerez te mire,te afte, te pergatitur per veten apo per komunitetin.

    Ketu vijme perseri tek medyshja; e mira e vetes eshte edhe e mira e shoqerise apo e mira e shoqerise eshte edhe e mira e vetes.

    Sot per sot, shqiptaret kane zgjedhur te paren, e mira e vetes eshte edhe e mira e shoqerise, vec te tjerave edhe sepse e kunderta sundoi per 45 vjet komunizem, pra mund te shihet kryesisht edhe si pasoje e mohimit/shtyrjes te gjithckaje qe perfaqesonte komunizmi.

    Nga ana tjeter vete profesoret e rinj e kane humbur ate deshire , ate vrull te epokes komuniste per te nxjerre njerez te afte per komunitetin (asokohe nxirreshin ndertues te socializmit), por jane duke pare te gjitha variantet qe i jep ekonomia e tregut, kryesisht kurset.

    Ne kete pike, etika ne shkolle, nuk mund te kerkohet pa ndryshuar ne radhe te pare mesuesit, nderkaq edhe humbja e prestigjit qe ka pasur roli i mesuesit i heq mesuesit te sotem edhe ate shtyse jomateriale qe ka pasur mesuesi i djeshem.
    Egoizmi i djeshem ushqehej me prestigj, i sotmi me para.

    Gjithsesi mesuesit jane perhapes e pershtates te etikes, ndersa krijuesit, ata qe dine se cduhet bere e nga duhet shkuar gjenden ne nivelet ku mesuesia e humbet rolin e mirefillte edukativ, ne ato nivele ku krijohen ‘dishepuj’.
    Maksimumi qe mendoj si i mundshem eshte shtimi i mesuesve ‘dishepuj’.

  4. Lidhja mes etikes e estetikes ka qene perhere objekt debati , e mira dhe e bukura: a mund te shkohet tek e mira permes te bukures dhe anasjelltas.

    Argumenti eshte qe ndjesite e kultivuara nepemjet artit e bejne njeriun me te bute,me te sofistikuar, me pak narciz apo egoist (meqe heqin mendjen nga vetja) , keshtu qe mund te arrihet te behet edhe i mire.

    Pyetja eshte, cdo bente nje femije para Pikasos apo nen tingujt e Bethovenit ?
    Une per vete, do e kisha mendjen te lozja me top ( ku ne fakt merr edhe rudimentet e etikes nepermjet rregullave e shpirtit te grupit).

    Arti i Pikasos apo muzika e Beethovenit me femijen e biles edhe adoleshentin, formojne marredhenie pa rregulla e reciprokisht te pakuptueshme, midis 2 njesish qe skane asgje te perbashket, si ti japesh mish nje femije gjiri .

    Mendoj se edukimi estetik nepemjet artit te sofistikuar mund te arrije suksese ne fushen etike tek te rinjte.

  5. Estetika natyrisht që krijon kushte të favorshme për Etikën, por është e pamjaftueshme.
    Është e pamjaftueshme sepse vizatimi i një luleje gjatë një ore leksioni, nuk do të mund të arrinin kurrë atë rritje shpirtërore/artistike/estetike, përderisa fëmija të mos e mbjellë me dorën e tija atë lule.

    1. Edrus, ndër shqiptarët materializmi + mungesa e imagjinatës janë një kombinim djallëzor, që ushqen vetveten si orteku.

      Materializmi i bën njerëzit, ndër të tjera, të pyesin në mënyrë obsesive për dobinë e gjithçkaje që bëjnë – e cila dobi vetvetiu reduktohet në diçka që ka lidhje me ushqimin, pijen (alkoolin), seksin, qejfin, pushtetin, paranë, pronën.

      Duke u fokusuar në tregun e punës dhe karierën, shkolla e përforcon më tej këtë shëmti, meqë fëmija rritet i kushtëzuar me idenë fikse se gjithçka duhet t’i “shërbejë” diçkaje tjetër: fitimit, pushtetit, instinktit.

      Prandaj unë e pashë veprimtarinë estetike/krijuese si një rrugë për ta ndrequr shtrembërimin. Duke ia vjedhur një metaforë programimit, dua të them se shkolla duhet të ndikojë për t’i bërë fëmijët më pak object-oriented, dhe më shumë process-oriented; me fjalë të tjera, më pak të obsesionuar me rezultatin ose qëllimin dhe më të hapur ndaj procesit.

      Dikush mund t’i bjerë një vegle muzikore dhe ta shijojë të luajturit muzikë pa u merakosur se ç’fitim do të ketë nga kjo; kështu, jo të gjithë ata fëmijë që mësojnë pianon, kitarën, violinën ose flautin, përfundojnë muzikantë, ose bëjnë pará dasmave; por në thelb ata fëmijë kanë mësuar të shijojnë të luajturit në vetvete, si proces.

      Muzikën e sjell vetëm si shembull – por njëlloj do të vlenin edhe shembuj njerëzish që ndjekin me pasion veprimtari që nuk u sjellin ndonjë dobi materiale: mësojnë të kërcejnë tango, koleksionojnë flutura ose shishe birre ose kartëmonedha të skaduara; shkëmbejnë pulla poste me korrespondentë në Fiji ose në Sao Tome & Principe; i bien Australisë mespërmes me motocikleta.

      Bindja ime se njerëzit që janë në gjendje të shijojnë proceset janë më etikë sesa njerëzit që rendin pas objekteve. Kjo nuk ka lidhje vetëm me hobby-t, as me artet; por në përgjithësi me orientimin tonë ndaj botës, të cilin na e mëson ose së paku na e katalizon shkolla.

      Dikush tjetër këtë ide timen do ta kishte formuluar kështu: shqiptarët kanë nevojë të edukohen me një vizion më kontemplativ (soditës) ndaj botës, i cili do t’i bëjë më etikë vetvetiu.

      Për të gjitha këto, nevojitet para së gjithash një siguri materiale minimale; së bashku me lirinë për të vepruar. Megjithatë, stabiliteti social është kusht kryesor, duke përfshirë këtu edhe ligje të sakta dhe të rrepta në fushë të pronësisë.

      (P.sh. dihet roli që ka luajtur primogjenitura në zhvillimin e kulturës perëndimore; meqë fëmijë nga familje në gjendje të mirë, por vetvetiu të përjashtuar nga trashëgimia, kanë pasur mjete materiale për t’iu përkushtuar veprimtarive intelektuale të mirëfillta; edhe pse kjo nuk ka shumë lidhje me temën tonë këtu.)

      Për ta thënë me fjalët e tua, Edrus: kopshtari dhe artisti i qasen lules me mënyra të ndryshme, por rëndësi në këtë mes ka lulja.

  6. “po të shtohen e të shumohen orët e artit në programet shkollore, do të gjejnë punë edhe ata qindra e mijëra artistë që enden sot rrugëve ose mësojnë alkoolin kafeneve, të papunë ose të punësuar keq.”

    —-
    Në përgjigje të këtij “potenciali” mundësisë per te futur artet në përgjithësi ne arsim me qëllim të mëtejshëm të cilësisë së zhvillimit ne programet shkollore, mund të ndjekim shembullin e Aldo Abreu’t në Venezuelë, krijues i “El sistema”. El sistema u themelua me parimin e sjelljes se muzikës, ne vecanti nga artet e tjera, në jetën e fëmijëve qe jetojne ne ekstremitet vuajtjen e varfërisë. Zoti Abreu ngriti kete sistem në një garazh me 40 instrumente; në ditën e parë, vetëm 11 fëmijë u paraqitën. Tani, rreth 300.000 fëmijë janë pjesë e organizatës e cila përmban disa nga muzikantet me te mire ne bote qe perfaqesojne orkestren e te rinjve, për shembull, Simón Bolívar Orkestra Rinisë. Ai e mbushi jetën e tyre me artin, i disiplinoi dhe i edukoi nepermjet moralit muzikes, dhe i krijoi mundësinë qe përmes muzikës ata te shpresojne per te ardhmen. Për të cituar një nga studentët e tij, i cili ishte kryesisht rritur pa prindur, “ne jemi një familje të madhe.”

    Ai i mori keta femije te dale nga mizerja e pashprese, dhe i dha driten e shpreses; përndryshe, këta fëmijë do të ishin rritur midis droges, dhunes, mashtrimit, dhe erresires, sic është e zakonshme në këto pjesë të shoqërisë, dhe do të kishte jetuar në jetën e tyre ne fund te spirales.

  7. “po të shtohen e të shumohen orët e artit në programet shkollore, do të gjejnë punë edhe ata qindra e mijëra artistë që enden sot rrugëve ose mësojnë alkoolin kafeneve, të papunë ose të punësuar keq.”
    Xha Xhai

    Ne rregull. Por c’ndodh me nxenesit e ketyre mesuesve neser? Po ata ku do gjejne pune? Kush do paguaje per ta?

    Mua personalisht me pelqen nje perqasje e tille estetike. Por per kushtet aktuale eshte e gabuar.

    E para sespe lidhja estetike-etike nuk eshte e qarte.

    E dyta sepse estetika si sistem nga aspekti sociologjik zhvillohet ne ato shoqeri qe kane nje nivel te mire mirqenieje. Dmth ku ne fillim zhvillohet nje treg i qendrueshem. Cfare arti kerkojme ne te bejme me barkun bosh? Vetem artin e Migjenit.

    E treta (sa per metafore). Ne kemi nje kryetar bashkie sot ne Tirane qe vjen nga artet? Sa etik eshte ai? Ne kishim nje minister Kulture qe vinte edhe nga shkencat edhe nga Socialet? Sa etik ishte ai kur u flak pikerisht per problem etike nga nje kryeminister po aq jo etik?

    Pra problemi yne nuk shtrohet thjesht proces apo objektiv. Sepse tek ne te dyja jane te kalbura. Kam pershtypjen se duhet ta kerkojme gjetiu.

    Problemi me shqiptaret sot nuk eshte orientimi ndaj tregut. E verteta eshte se ata nuk jane fare ne treg. Dhe kjo rendon ceshtjen tone etike duke corientuar merrdheniet njeri-pune-rezultat dhe si rjedhim duke corientuar etiken.

    Sa per ilustrim po permend problemin e nepotizmit apo kronizmit (miqesise) ne tregun e punes. Kjo nuk ka aq lidhje me rezultatin por me kulturen tone. Rrezik se te ne edhe ne te famshmen kohe te internetit i kerkohet ndonje shefi te te fuse ne pune vetem e vetem se dikur keni shkruar sebashku ne te njejtin blog… (pra jemi tanet)…

  8. Dietrich Schwanitz në librin e tij ”Bildung” shkruan se, ngjajshëm me thënjen e njohur popullore që apetiti vjen gjatë ngrënjes, edhe idetë vijnë gjatë të shkruarit.
    Edhe mua më lindi një ide-pyetje gjatë të shkruarit të komentit të mëparshëm:
    A mos është imagjinata pjesë kyçe e inteligjencës?

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin