FJALË, NUMRA, LODRA

calculusRolin qëndror të shkrimit në qytetërimin dhe kulturën perëndimore e shembëllzon më së miri matematika, e cila pjesërisht është gjuhë e koncentruar, dhe pjesërisht përshkrim i vetive të figurave pak a shumë ideale.

Një formulë matematike gjithnjë mund të përkthehet në gjuhën e zakonshme; është një lloj shprehjeje shkrimore simbolike, e përshtatshme për të mishëruar koncepte dhe operacione abstrakte; por të njëjtin specializim e përmban në embrion edhe gjuha vetë, nëpërmjet numërorëve (një, dy, tre, katër), përemrave të pakufishëm (çdo, të gjithë, asnjë), ndajfoljeve vendore (këtej, andej) dhe disa procedurave gramatikore të posaçme.

Kush i ka parë ose i ka lexuar Elementet e Euklidit, do ta ketë vënë re sa afër është ai tekst me ligjërimin normal; përkundrazi, gjeometria e sotme e ka thjeshtuar formulimin e teoremave, dhe krejt matematika ka fituar pavarësi nga gjuha, duke përpunuar “gjuhën” e vet specifike; edhe pse gjithnjë mund të gjenden ura lidhëse midis teorisë së bashkësive, logjikës matematike dhe strukturave sintaksore e semantike të gjuhëve natyrore.

bowtiePor matematikës nuk i duhet nënvlerësuar aspekti vizual; dhe jo thjesht në gjeometrinë klasike, por edhe në degë moderne si topologjia ose gjeometria e fraktaleve. Që disa koncepte specifike të topologjisë janë të vështira për t’u shprehur me fjalë, këtë e tregon, bie fjala, edhe vështirësia që kemi për t’i shpjeguar dikujt me fjalë si lidhet kravata ose këpucët, ose për t’i përshkruar qartë një objekt të tillë elementar si fjongoja e Möbius-it.

Edhe programimi kompjuterik, në të gjitha nivelet, mbështetet mbi një version të specializuar të gjuhës – duke qenë, në vetvete, një lloj shkrimi i posaçëm, ose një seri udhëzimesh për t’u “ekzekutuar” nga kompjuteri, siç ekzekuton violinisti një sonatë. Po të kemi tani parasysh se kompjuteri vetë e ka prejardhjen nga makina llogaritëse, e cila është një teknologji për manipulimin e numrave (ose numërorëve), atëherë rrethi mbyllet dhe shkrimi e gjen vetveten jo vetëm në ndërfaqen (interface) e komunikimit midis përdoruesit dhe makinës, por edhe në proceset komputuese që kryhen në vetë makinën.

Deri më sot me kompjuterin kemi komunikuar zakonisht nëpërmjet tastierës dhe miut, por tashmë po përgjithësohen edhe mënyra të tjera, më intuitive, si p.sh. me fushëprekje ose edhe drejtpërdrejt me komanda zanore ose me gjeste. Sot në SHBA është e pamundur t’i telefonosh një shërbimi publik ose privat, pa t’u përgjigjur një kompjuter rudimentar me diksion të përsosur, i cili të kërkon t’i flasësh në anglishte (Para español oprima el dos) për t’ia sqaruar hallin që ke.

furbySistemet automatike të komunikimit me klientët më kujtojnë kukullat folëse që thonë “mama” kur i përkul, ose edhe lodra automatike të mëvonshme, më interaktive (Furby); përndryshe, edhe metroja e NYC i përdor gjerësisht sisteme të tilla, të cilat më irritojnë për vdekje ngaqë gjithnjë më tingëllojnë të dekontekstualizuara; që nga lajmërimet pompoze për “train traffic ahead of us”, njoftimet për rrezikun e terrorizmit dhe nevojën për ta mbajtur lart vigjilencën, e deri te një zë i çjerrë femëror që u uron udhëtarëve “have a nice day” tek eskalatori i stacionit në Herald Square, e që një herë më është dashur ta dëgjoj ndoshta me qindra herë, ngaqë treni im ishte bllokuar në stacion (and I was having a really nice day).

Ka gjithnjë diçka fyese, kur korporatat vë sisteme automatike t’u përgjigjen klientëve të vet në rrugë gojore për t’ua filtruar ose vonuar telefonatat, meqë klientët janë ata që i mbajnë gjallë korporatat, duke ua blerë produktet. Fyerja kalon në ironi, kur mendon se po këto korporata i kanë formalizuar deri në neveri marrëdhëniet e administratës me punonjësit, duke përpiluar e dërguar memo të shkruara (me e-mail) deri edhe për etiketën e përdorimit të letrës higjenike në nevojtoret, ose orarin e pastrimit të furrës me mikrovalë.

Me siguri do të ketë njerëz që entuziazmohen për risinë teknologjike të komunikimit zanor me kompjuterët dhe sistemet automatike në përgjithësi, por unë vetë e kam të vështirë t’i flas një kompjuteri; në një kohë që mund të kaloj pasditen duke i folur maces ose qenit (kryesisht duke u bërë pyetje; në një kohë që kafshëve të punës zakonisht u drejtojmë komanda, njëlloj si kompjuterëve). A i detyrohet vështirësia thjesht inercisë e konservatorizmit, apo ka të bëjë me mënyrën intuitive si i organizojmë marrëdhëniet me botën përreth, kjo mbetet për t’u sqaruar. Në fakt, unë besoj se për ne si qenie njerëzore ndarja e objekteve në të gjalla dhe të pagjalla është po aq themelore, sa edhe ndarja e njerëzve në femra dhe meshkuj…

Megjithatë, më shkon mendja edhe në një shpjegim tjetër – ngurimi im për t’i folur kompjuterit dhe për t’ia dëgjuar fjalët e prekonfeksionuara që më thotë ka të bëjë me atë që kompjuteri është krijesë e shkrimit e nuk ka punë të përzihet me mjedisin e komunikimit zanor.

Ndoshta është vendi edhe për ta menduar thelbin e qytetërimit perëndimor si të organizuar rreth marrëdhënieve të njeriut me botën rrethuese; në këtë kontekst teknologjia merr përparësi ndaj ritualeve sociale dhe komunitare dhe shkrimi shndërrohet në mjetin kryesor për ruajtjen dhe riprodhimin e dijes, teknologjisë vetë dhe institucioneve.

Koha në të cilën jetojmë nuk karakterizohet nga ndonjë dominim i videos ndaj tekstit të shkruar, por vetëm nga skizofrenia në sistemet e komunikimit. Komunikimi me imazhe, në vetvete, është padronizues, sepse shpesh parakupton paaftësinë e së paku njërës palë komunikuese për të interpretuar shenjën e shkruar. Filmi “Idiocracy” përshkruan, shpesh me dorë të rëndë, një qytetërim ku kjo prirje drejt komunikimit vizual është bërë tashmë dominuese.

piktogram

piktogram

Sot për sot, kudo në mjediset publike ndesh në piktograme, logo grafike, imazhe të stilizuara reklamash, fotografi ose figura objektesh dhe ikona (në kuptimin semiotik), të cilat nga njëra anë kanë për qëllim të thjeshtojnë barrierat e gjuhëve natyrale dhe të kursejnë hapësirën e përdorur për komunikim (meqë një piktogram zë më pak vend se mbishkrimi përkatës). Ndërfaqja grafike e kompjuterëve Mac dhe Windows është një tjetër shembull i thjeshtimit dhe i lehtësisë së përdorimit që mundësohet edhe nga bashkërendimi me teknologjinë e miut. Tani pajisjet elektronike po adoptojnë në masë teknologjinë me fushë-prekje, e cila u mbivendoset ikonave ekzistuese; por edhe komandimin lëvizor, veçanërisht për pajisje të vogla, si telefonat celularë ose lexuesit MP3. Eni ka shkruar në blogun e vet për zhvillime të tilla. Megjithatë, unë besoj se ndërfaqja grafike nuk është veçse maja e ajsbergut e një teknologjie e cila mbështetet në programe të shkruara tepër të sofistikuara, e që në vetvete nuk kanë asgjë grafike, ndërsa masa e  përdoruesve zbavitet, bie fjala, me emotikonet.

Nga kjo pikëpamje, qytetërimi vjen duke u ndarë në dy klasa – në klasën e patricëve teknokratë që zotëron dhe përdor instrumentet shkrimore, ose nivelin abstrakt të komunikimit; dhe në klasën e plebejve analfabetë, që llokoçiten në ujërat vizuale, teksa marrin bekimet e filozofëve të PO-së, të kalibrit të profesor Fugës.

4 Komente

  1. “Nga kjo pikëpamje, qytetërimi vjen duke u ndarë në dy klasa – në klasën e patricëve teknokratë që zotëron dhe përdor instrumentet shkrimore, ose nivelin abstrakt të komunikimit; dhe në klasën e plebejve analfabetë, që llokoçiten në ujërat vizuale, teksa marrin bekimet e filozofëve të PO-së, të kalibrit të profesor Fugës.”

    Ky perceptim, i ndarjes ne klasa, kadegori, te zgjedhur, dhe jo, po shkumon postimet e temave te fundit.
    Me ate fragment (shkrimin e sjelle nga Xha) qe lexova te Fuges, shoh qe po stimulohet vetem kundershtimi, pra, e kunderta e tij me te Xha, duke percaktuar kufijt e njeri-tjetrit, gjithnji sipas Xha Xhait.
    Problemi ne veshtrimin tim eshte me i vogel se pretendohet nga keto dy grupime qe i vendos Xha Xhai, ne munges te tjetrit/Fuges. Kjo per arsyen e thjeshte se te dy “grupet” funksionojne me karakteristikat e njera tjetres; Fuga shkruan, i entuziazmuar, edhe pse mbeshtetes i teknologjise, qe Xha po i nenvlefteson rrolin zhvillues ne kulturen e sotme, dhe vet Xha kte e ben jo vetem me shkrim por duke e perdorur teknologjin me tere kuptimin e saj.

    Po ti heqesh paragrafin qe une sjell per koment shkrimit, mbaron loja, pra edhe kjo, metod, e juaja Xha eshte nje loj, qe merret si te duash, por e shoh te jete e njejta qe shkruan me siper se te shqeteson, dhe kete e stimilon edhe tek Ujku apo Luliani. Problemi nuk eshte se te tre ju qe ju permend nuk e keni thene shqetsimin ne shkrimet tuaja edhe pa thumbin e bletes (apo grenxes ne ca raste) ne shkrimet me nektar, por plotshmeria e argumentit duhet te flas vete dhe jo te mbeshtetur ne thumba.

    Kufizimet vijne nga menyra e nje konceptimi, te kuptuari, dhe jo nga mediumet.

    Superprodhim te shkruari per te jashte-nxierre shqetesime.

  2. Ashtu sic thote xhaxhai, gjuhet e programimit jane akoma gjuhe formale te shkruara me nje gramatike dhe sintakse formale te percaktuar, por… sot vete gjuhet e programimit po vizualizohen.

    Se pari me duhet te sqaroj shkurt se si jane te ndertuara gjuhet e programimit. Pothuaj te gjitha gjuhet e programimit jane te ndertuara ne baze te tre konstrukteve formale (te cilat mund ti quajme dhe gramatiken baze). Perpunimi i informacioneve ne radhe, ne degezime, dhe ne cikle. Keto konstrukte perdoren ne cdo lloj perpunimi te informacionit dhe jane baza e te gjitha programeve sado komplekse qofshin ato. Radha i ka rrenjet ne radhet matematike, cikli tek rekusionet matematike e degezimet tek logjika e shkalles se pare.

    Cdo program kompjuterik eshte i ndertuar si hierarki e ketyre konstrukteve baze. Vete gjuhet e programimit moderne ndryshojne nga njera tjetra ne pergjithesi pikerisht tek filozofite e hierarkizimeve qe perdorin. Paradigma mbizoteruese sot psh. eshte ajo e objekteve ku cdo lloj informacioni modelohet ne klasa dhe objekte (qe mund te permbajne vete objekte e keshtu me radhe). Ekzistojne gjithashtu paradigmat e agjenteve inteligjente apo paradigma ekzotike si ajo e organizatave qe perbehen nga agjente inteligjente etj. Paradigma te ndryshme hierarkizimi kane legjitimitetin e vet ne fusha te ndryshme perdorimi.

    Per te mos ta zgjatur shume ajo qe dua te them eshte qe gjuhet e programimit perbehen ne teresi prej tre kontrukteve baze matematike dhe nje hierarkie formale. Te tre konstruktet baze jane ne vetvete topologji. Dhe vete emrat bile i kane nga topologjite qe kane. Jane pra shume te thjeshta per tu vizualizuar. Poshtu hierarkite jane te lindura per tu vizualizuar pasi nuk jane gje tjeter pervecse lloje topologjish.

    Dhe me te vertete gjuhet e programit vizuale jane duke u zhvilluar dhe do te jene per mendimin tim dhe shkalla tjeter e evolucionit te gjuheve te programimit. Flas per shkalle evolucioni tek gjuhet e programimit pasi vete gjuhet moderne te programimit bazohen tek gjuhet “assembler” apo gjuhet e makines ku nuk ka hierarki. Ne te ardhmen gjuhet vizuale te programimit do te bazohen tek gjuhet e sotme moderne.

    Programimi do te behet vizual mbi te gjitha sepse gjuhet e shkruara jane seriale dhe nuk jane te pershtatshme per programimin e paralelizmit dhe sinkronizimit (zbatimi njekohesisht i disa urdhrave dmth. jo ne radhe). Ndersa topologjite dhe rrjetet jane me te pershtatshme per kete. Une vete temen e diplomes e kam patur rastesisht per perdorimin e rrjeteve formale per te programuar sisteme adaptive (sisteme ku ka shume paralelizem).

    Vizualizimi i gjuhes se programimit mund te shkoje deri ne piken qe e kombinuar me metoda bashkeveprimi pak inovative dhe nje femije te programoje duke i vendosur lodrat para kompjuterit, ne radhe, te degezuara apo ne cikle. Ne nje shoqeri informacioni programimi nuk duhet te jete luks i pak veteve, sic ishte shkrimi e kendimi per murgjit por duhet te jete pjese e mesimit baze ne shkolla ashtu si shkrimi e kendimi sot. Programimi vizual e mundeson kete me se miri. Per te pare shembuj rudimentar te programimit vizual mund te shihen psh. yahoo pipes me te cilat mund te manipulosh e perziesh burimet rss ne forma nga me te ndryshmet. Femijet tane mbas disa dekadash me siguri qe do te na e kalojne ne aftesite llogjike duke u llokocitur ne programimin vizual nese e perfeksionojne ate sic perfeksionojme ne shkrimin ketu.

  3. Xha xha,preferencat jane preferenca ndersa e verteta e frikshme e automatizimit te jetes njerezore(me sakte dixhitalizimit) eshte pasoje e shkrimit.Si filloi arsyeja njerezore te konservoje ne simbole ideore mendimin-gjuhen e folur,nje drejtim te rendesishem fillestar te ketij procesi evolucioni tonjan,ashtu normal do te vazhdonte me gjetjen e menyrave te tjera te cilat do te kompensonin pa aftesite tona njerezore,ose zevendesonin aftesite e ngadalta tona njerezore,ose pershpejtimin e aftesive tona njerezore,kuptohet per te kryer cfaredolloj pune ne kuptimin universal.Do te kemi gjithmone kete kontradikte,qe ka nisur qe prej mosdeshires se druideve te perfshihen ne kete proces dhe qe vazhdon ne ditet tona me amishet ne Amerike,ku natyarlja,shpirterorja qe e mban gjuha e folur,do te zihet,gricet cdo dite me letren e saj ,si ashtu dhe drejtimet e tjera.
    Tani hame mish te konservuar kushedi prej sa kohesh,te rritur kushedi diku me hormone dhe ku kafshet trajtohen si te ishin kriminele te llojit vrases serial.Tani hame perime te cilat jo vetem kane vlera ushqimore te dyshimta,por nuk mbajne te pakten aromen,e cila do te genjente pak tipat gjithmone pyetes.Dhe lista eshte e gjate..dhe zgjatet nga minicikli ne minicikel.
    E keqja rritet kur infeksion ka kaluar tek njerezit(nuk mund ta percaktoj se kur ka nisur ky procs),te cilet flasin gjithmone e me shume pak me njerez te tjere dhe ato ne biseda specifike te rendomta;sa e bukur eshte dita sot…ku dhe ata nu kane bere perjashtim,kane nisur me kohe procesin e konservimit
    Pra nga njera kushti i ekonomizimit te gjithcakaje dhe ana nga ana tjeter liria natyrore-njerezore,te ciles po i ngushtohet gjithmone e me shume fusha e saj.Dhe ne bazen e tyre qendron ndihmuesi shkrim,kuptohet jo ai letrar filozofik

  4. ””Nga kjo pikëpamje, qytetërimi vjen duke u ndarë në dy klasa – në klasën e patricëve teknokratë që zotëron dhe përdor instrumentet shkrimore, ose nivelin abstrakt të komunikimit; dhe në klasën e plebejve analfabetë, që llokoçiten në ujërat vizuale, teksa marrin bekimet e filozofëve të PO-së, të kalibrit të profesor Fugës.””’

    Perfundim mjaft i goditur, per mendimin tim.
    Por kjo arrihet me thjeshte me konceptin e homo tecnologicus.
    Persa kohe ne mesjete qe kish ‘homo religiosus’, kishte nje klase klerikalo- feudale qe formonte majen e gjithe te tjeret. Ata ne fakt zoteronin edhe shkrimin e dijet, te tjeret ishin analfabete.
    Sot Irani , pavaresisht ndryshimeve ekonomike, ka nje kaste klerikalo-industrialistesh, qe dominon.

    Keshtu homo tecnologicus, do i jape jete, klerikeve teknokrate( qe nga financa e cila varet plotesisht nga teknologjia e deri tek pronaret e mediave) dhe gjithe te tjeret.

    Po ashtu paralelizmi eshte i ngjashem edhe ne aspektin tjeter. Ne kohen kristiane, mund te themi se kisha krijonte fenomene masive (si kryqezatat), nderkaq vete jeta rrotullohej rreth kishes, keshtu qe mijra e mijra kisha anembane Europes, luanin rolin kulturor te mijra e mijra televizioneve te sotshem.
    Pra vendosja e kishave ne cdo fshat e qytet europian , jeta qe rrotullohej rreth kishes e kultura biblike , gjejne paralelizem sot tek media anenmbane e kultura mediatike qe po perhapet ngadale.

    Ne mes ketyre dy epokave te fenomeneve masive, secila me metoden e vet, kishat dje , mediat sot, kemi ‘epoken e shkelqyer’ qe po perendon, ate qe filloi me protestanizmin me 1525, vazhdoi me konsolidimin e konceptit te shtetit modern,me 1648, me revolucionin francez 1789 e shtetin-komb per ta quajtur mbase te perfunduar ne 1992, me rrezimin e Sovjetikeve e krijimin e Komunitetin Europian ne kuptimin politik.

    Pra ‘epoka e shkelqyer’ plot 5 shekuj, i takon epokes se ndarjeve, percarjeve, krijimit e konsolidimit te subkulturave kristiane qe kulminoi ne shtetet kombetare, e faktikisht epoka e shteteve kombetare eshte edhe epoka e shkelqimit europian ne cdo fushe.

    Keshtu mund te flasim per ciklin e ri, te fenomeneve masive, kesaj radhe fale mediave.
    I bie,qe c’eshte krijuar ne keto 5 shekuj te rrenohet, perfshire edhe demokracine sic konceptohej kjo ne shek 19 e 20.
    Ndersa ne sferen shqiptare, do kemi shkombetarizim masiv, humbje te kultures shqiptare apo asaj pjese te madhe qe do jete e padobishme sidomos ajo e shkruar dhe ‘fatkeqesine'(persa mund te vleresohet e tille) qe te mos themi kurre: Ne arritem te jetonim ne nje demokraci te mirefillte.

    Si perfundim, mund te thuhet, se shkrimi (ne mase) eshte pengese per nje shoqeri te fenonemeneve masive, prandaj duhet o komunikimi zanoro-pamor i priftit ne kishe, o komunikimi zanoro-pamor i klerikeve moderne ne televizion.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin