URA E SHENJAVE

 

eye of horus

Meqë ky debat është shtjelluar rreth shkrimit dhe rolit të tij në kulturë, në raport edhe me sistemet e tjera të shenjave, ndoshta është vendi për të sqaruar edhe mënyrën si është përftuar shkrimi historikisht.

Prejardhja ikonike e shkrimit

Martesa pothuajse e përsosur që ndeshet sot midis shkrimit dhe gjuhës së folur, në shumë gjuhë, duke përfshirë edhe shqipen, nuk i përgjigjet ndonjë gjendjeje ose prirjeje natyrale e të pashmangshme, por vetëm një konvergjence shekullore etapat e së cilës mund të ndiqen lehtë.

Në origjinë shkrimi nuk është veçse një gjurmë ose një modifikim i qëndrueshëm i materies, për të komunikuar diçka çfarëdo; me fjalë të tjera, i ngjashëm me atë që bën qeni, kur urinon në rrëza pemësh për të shenjuar territorin; ose i burgosuri që i numëron ditët në qeli duke gërvishtur viza në mur.  

Egyptian pictogramShkrimet më të hershme, ose parahistorike, nuk i ndan dot me thikë nga paraqitjet piktoriale të sendeve, njerëzve dhe ngjarjeve; ato u përngjajnë për nga koncepti atyre tablove të pikturës në të cilat ngjarja rrëfehet duke u fiksuar në momentin kulmor.

Sisteme të tilla shenjash nuk kanë qenë dytësore ndaj gjuhës së folur, por vetëm alternative; përparësia e tyre ishte se i siguronin komunikimit atë qëndrueshmëri që ligjërimit gojor i mungon.

Prandaj shkrimi nuk e ka aq origjinën në përpjekjet për t’i dhënë gjuhës së folur një suport material më të qëndrueshëm se tingulli; sesa në pikturat shkëmbore, ornamentet e sendeve të përdorimit, magjinë dhe të tjera shenja pamore (ikona) të cilat u referohen objekteve duke u përpjekur t’i riprodhojnë vizualisht.

Edhe pse sistemet e sotme shkrimore kanë evoluar, përsëri mund të dallohen në to mbijetoja ikonike; madje edhe në shkrimet alfabetike, të cilat riprodhojnë nyjëtimin e dytë të ligjërimit – ose nivelin fonetik. Kjo shpjegohet me atë që alfabeti fenikas (grek) e ka prejardhjen, në analizë të fundit, nga hieroglifet egjiptiane, të cilat shpesh kishin bazë ikonike, ose paraqiteshin si vizatime të stilizuara objektesh konkrete.

Sot e kësaj dite, shkrimi hieroglifik i kinezçes nuk ka ndonjë lidhje të drejtpërdrejtë me gjuhën e folur; dhe kjo është aq e vërtetë, sa përdoret nga gjuhë praktikisht të ndryshme mes tyre, të cilat i lexojnë hieroglifet në mënyra të ndryshme (p.sh. gjuha kineze ose mandarin dhe gjuha kantoneze).

Nga pikëpamja semiotike, por edhe e këndvështrimit të debatit tonë, është ironike që ne ia kundërvëmë sot shkrimit komunikimin vizual, edhe pse shkrimi jo vetëm ka origjinë piktoriale (ikonike), por edhe mbetet vizual sot e kësaj dite, pa çka se ikonicitetin shpesh e ka humbur.

Prandaj shkrimi, si sistem shenjash, nuk është aq derivat i gjuhës së folur siç duan të thonë disa antropologë dhe gjuhëtarë; sesa sistem shenjash i pavarur, nga pikëpamja historike dhe funksionale, që ka konverguar me gjuhën e folur në shumë prej kulturave të sotme.

Frigoriferi i kujtesës

Qëllimi i shkrimit është të ruajë kulturën duke e mbajtur të regjistruar në suport material; i afrohet ashtu gjuhës së folur, sikurse u afrohet ornamenteve, afreskeve dhe skulpturave. Në këtë kuptim, është njëlloj i baraslarguar nga muzika dhe nga arti vizual; dhe pikërisht ky tipar i jep vend qendror në kulturat.

Këtë koncept ma shembëllzon më së miri katedralja mesjetare, me narrativat biblike të pikturuara në afresket dhe vetratat dhe me muzikën korale e më pas instrumentale (organo etj.) që rimerr, shtjellon dhe pasqyron motive kristiane; e gjitha e organizuar në një strukturë të mbështetur në vetë arkitekturën e katedrales nga njëra anë, dhe të Biblës si libër i shkruar nga ana tjetër.

Nga ky këndvështrim, Interneti nuk është veçse katedralja e kulturës masive të ditëve tona, të konsumizmit, korporatizmit dhe të ekonomisë së tregut; meqë përdor të njëjtat sinkretizma, për të arritur të njëjtat efekte – kontrollin e mendjeve nëpërmjet (tej)ngopjes semiotike.

Paradoksalisht, elemente të shkrimit i gjen edhe brenda strukturave të ligjërimit të folur, sa herë që lind nevoja për të mbajtur mend, ose për të ruajtur, bie fjala, një poemë epike (narrative), e cila zgjatet me mijëra e mijëra vargje.

Këto poema, p.sh. “Iliada” ose “Cikli i Kreshnikëve” ose “Kalevala” ose “Gilgameshi” përmbajnë tipare të tilla si klishetë, formulat, anaforat dhe përsëritjet e tjera dhe në përgjithësi u binden skemave të tilla që të ndihmojnë rapsodin për t’i mbajtur mend kur i këndon; në kohët moderne, këto funksione do t’i përmbushë shkrimi.

Ashtu funksionojnë edhe proverbat, fjalët e urta, shprehjet “popullore”, e të tjera copëza urtësie të vyera e të meritueshme për t’u përcjellë folës pas folësi. Proverbi zakonisht paraqitet me një formulë hyrëse (introduktive): e thotë mirë fjala, nuk ka tym pa zjarr, dhe gjithnjë i referohet një instance ose okurrence të mëparshme, nga ku e merr edhe autoritetin. Njëfarësoj mund të thuhet se proverbi është i shkruar në ligjërim; çka lejon të ndriçohet më mirë jo vetëm si funksionon ky mekanizëm, por edhe vetë atributi i autoritetit që i bashkëlidhet zakonisht shkrimit.

spqrNë lashtësi fjala e gdhendur në gur, e ekspozuar në një vend publik, mundësisht e shoqëruar me një post-skriptum të tillë si S.P.Q.R., e ushtronte autoritetin si të ishte zgjatim i vullnetit publik; sot diçka e ngjashme në funksion i ka mbetur ndoshta gazetës zyrtare…

Fjalën shqipe shkruaj Eqrem Çabej e nxjerr nga parashtesimi i kruaj; duke argumentuar se etimologjia latine nga scribo, scripsi, scriptum nuk qëndron nga pikëpamja fonetike. Nëse është kështu, atëherë edhe shqipja e ruan këtë konceptim të shkrimit si gërvishtje, gdhendje, ose skalitje e një mediumi të ngurtë – duke e mbështetur kështu përsëri analogjinë me artet pamore. Mbishkrimi në gur i jep fjalës peshë dhe qëndrueshmëri jo vetëm materiale, por edhe abstrakte; jo më kot ka mbijetuar si teknikë komunikimi sot e kësaj dite, që nga pllakat përkujtimore e deri te epigrafet në fasada të institucioneve.

Një vizitë disaditore në Romë do të mjaftonte për të rrokur rolin e mbishkrimit publik në kryeqytetin e perandorisë, si manifestim i autoritetit qytetar. Le të krahasohet kjo me mbishkrimet e lëna sot në Twitter ose në Facebook, për të kuptuar sa përpara kemi ecur.

Derisa u shpik riprodhimi mekanik i teksteve, shkrimi e ruante karakterin unik; një dorëshkrim është po aq i papërsëritshëm, për nga aspekti vizual, sa edhe një pikturë. Grafologët ende e studiojnë të shkruarit për të kuptuar tipare të personalitetit të shkruesit; firma ende përdoret si instrument unik autentikimi. Shkrimi me dorë e ruan vijueshmërinë midis proceseve cerebrale dhe majës së penës në letër; tastiera e makinës së shkrimit ose e kompjuterit e ndërpret. 

Arabic CalligraphyTeknologjia e shtypshkrimit, që nga Gutenbergu deri te touch-typing mund të krahasohet, për nga efektet, me fotografinë; të dyja shkaktuan një të çarë të pariparueshme midis gjestit njerëzor dhe (ri)prodhimit të shenjës vizuale. Shkrimi sot e kësaj dite i ruan disa tipare të artit grafik; jo vetëm në konceptimin e shkronjave (typefaces), por edhe e sidomos në kaligrafinë, e cila krijon objekte të një bukurie sublime në shkrime të tilla si kinezçja ose arabishtja. Fotografia, nga ana e vet, ia hoqi pikturës peshën utilitare, duke e lënë të harliset në kotësi të kulluar, por edhe duke i hapur rrugë një arti të ri – kinemasë, dhe një mass mediumi të ri – televizionit.

24 Komente

  1. A mund të përkthehet “Ura e Shenjave”, Xha Xha, si metaforë për karakterin lidhës që ka shkrimi midis komunikimit pamor dhe gjuhës së folur?

  2. Njatjeta!
    Diskutimet per kete teme jane nder me te mirat e viteve te fundit ne blogosfere. Ju faleminderit te gjitheve per kete!

    Do te doja te hyja ne dialog duke bere nje permbledhje por edhe komente te disa ceshtjeve qe u preken. Per te mos u zgjatur do mundohem ti shtroj me pika.

    1. Dakort per lidhjen ne gjeneze te shkrimit me vizualen. Por per arsye praktike une do ti diferencoja se pastaj vdes debati.

    2. Dakort edhe me disa ketu; modalitetet e ndryshme nuk kane hierarki. Por nga ana tjeter ato kane perparesi ne momente te caktuara te historise ose ne aspekte te caktuara. Dhe bash per kete kane dominuar per shekuj e mijvjecare me rradhe. Dhe ketu do te doja ta shtroja ceshjen per tu trajtuar nga perqasja antropologjike dhe kulturore pervec anes komunikuese qe u prek bukur ketu nga shume. (Ndoshta kete ka dashur te kape edhe Fuga pavaresisht se nuk ia ka arritur sepse eshte anues nga entuziazmi i vizuales)

    Pa dashur te banalizoj po jap shembuj konkrete

    a. Nje foto eshte me e mire se 1000 fjale …

    Kjo shprehje tregon perparesi te vizuales ne njefare drejtimi sepse ajo jep detaje dhe njekohesisht di ti permbledhe ato shume me shpejt se shkrimi.

    b. Por nga ana tjeter nje fjale e vetme mund te pershkruaje dimensione njerezore qe vizualja i kap me mund.

    2. Shkrimi eshte me i ngurte. Vizualja me amorfe. Rorschach-ut i mjaftoi te shihte nje njolle ne leter dhe ta kthej ne test projektiv psikologjik. Nga ana tjeter, ne psikolinguistike edhe sot e kesaj dite speciaistet sforcohen keqas te formojne fjali me struktura kuptimore te paqarta per arsye studimore. Duhen thene se keto fjali konfuze duken qe jane perjashtime dhe nuk ndodhin shpesh. Mirepo ne perdorim shpesh fantazine gjate leximit. Kjo prape eshte mosperfeksion i shkrimit por paradoksalisht nxit fantazine tone sepse ne perpiqemi te kompesojme dhe te imagjinojme modulet e tjera (vizuale, zanore etj).

    3. Te dyja keto modalitete mund te kthehen ne diktatoriale. Mjafton te permendim se Enver Hoxha perdori rendshem kinematografine per nenshtrim dhe indoktrinim por po keshtu bente me nje tufe shkrimesh te presupozuara te tija (veprat voluminoze). Hilteri gjithashtu u perpoq me shkrimin (Mein Kampf) por kulmin e indoktrinimit masiv e arriti fale mjeshterise kinomatografike te Leni Riefenstahl-it.

    4. Skepticizmi i sotem ndaj multimediales dhe vizuales te kujton skepticizmin historik ndaj gjuhes se shkruar ne raport me gjuhen e folur. Fakti qe Fuga ngre ne qiell vizualen nuk do te thote se ne duhet te ngrejme ne qiell shkrimoren si barazpeshe.
    Nga ana tjeter ka shkrimtare ne perendim qe te mberthyer nga paniku shkruajne libra sesi Youtube po shkaterron kulturen sic ne e njohim sot. Mundet, por ka krijuar gjithashtu nje mundesi prezantimi me kete kulture per miliona njerez me shume. Nje mundesi qe perndryshe nuk do te kishte ekzistuar per nje pjese te mire.

    5. Modaliteti shkrim fundja fundit (sic e shprehu dikush ketu) eshte shpikje pra nje artific i nevojshem i njerezimit. Fakti qe ne pamje te pare nuk ka shume shume vepra shkrimore qe imitojne ato vizuale nuk tregon perparesi. Psh romanet e Balzakut jane te mbushura me detaje te lodhshme vizuale, qe do te thote se ai perdor shkrimin per te pershkruar nje perjetim kryesisht vizual. Nga ana tjeter kinemaja eshte thjesht nje vazhdim i natyrshem i deshires qe arti te jet nje perjetim sa me afer normales. Sic u tha ne komentet e fundit ne jetojme me te gjitha modalitetet ne jeten e perditshme. Dmth ne nuk marrim informacion vetem nga degjimi, gjuha, apo shikimi. Ne marrim edhe nga nuhatja dhe nga ndijimi apo shijimi. Perjetimi jone eshte shumedimensional. Tani ne kinema perdoren modalitetet vizuale, zanore por edhe e shkruara. Synimi i ardhshem eshte perjetimi i nuhatjes e ndoshta me vone edhe i te prekurit a te shijuarit. Kjo eshte nje rrjedhoje normale. Kjo e ben kinemane dhe artin me kompleks (jo domosdoshmerisht me te mire).

    6. Tani se cili modalitet vjen i pari ky eshte nje debat pa fund. Mund te spekulohet se ne fillim eshte fjala(modaliteti zanor). Psh ne fillimet e tij foshnja ne barkun e nenes degjon zerat dhe sidomos zerin e saj por pa qene e afte ta shohe ate. Ndoshta kjo ka lidhje me te famshmen fjali te Gjenezes ne Bibel apo me fjalen e pare “Lexo!” qe i zbriti Muhamedit. Eshte ndoshta kjo lidhje thuajse religjioze me fjalen qe ben qe te ngjitemi fort pas saj dhe te kemi frike nga zhvillimet e modaliteteve te tjera? Mbaj mend se vite me pare ne Tirane (rasteisisht perpara se Fuga te shkruante kete artikull) i thoja nje miku tim piktor qe jetonte jashte se ne fillim per mua vinte figura. Cuditerisht ai mendonte se vinte zeri dhe fjala. Ndoshta ndryshimi ishte se une jetoja ne Shqiperi ku dominon nje kulture e dhunshme vizuale ndersa ai jashte saj. Perkunder Fuges une mendoj se shoqeria shqiptare eshte duke jetuar ne nje diktature kryesisht vizuale por jo vetem. Mendoj gjithashtu se edhe vizualja nuk eshte aq irracionale sa duket dhe se edhe ka ka nje kod te sajen (qe e ben te ngjashme me gjuhen dhe shkrimin).

    7. Persa i perket shoqerive te ndryshme me sistem shkrimor ose jo edhe kjo eshte nje palo pune per tu shkokolepsur. Sepse vertet mund te argumentohet se shkrimi ka ngritur civilizimin (sic ndodhi me arabet ne mesjete me hyrjen e Islami) por ceshtja eshte se cfare vlereson nje shoqeri. Civilizimin apo vlerat morale e shpirterore? Kuptohet qe te dyja bashke nuk do te ishin keq por deri atehere….

    Kerkoj ndjese qe u zgjata.

  3. S’besoj se ndokush fillon e kruan (duke patur parasysh edhe kohën dhe fuqinë e harxhuar për këtë) vetëm për të komunikuar. Nëse do të ishte e vërtetë kjo, atëhere format e tjera të komunikimit do të kishin eliminuar me kohë atë si mënyrë komunikimi (një zile në celular dhe mund t’i thuash ç’të duash kujtdo nëç’do cep të botës).
    Shkrimi, më tepër se urë shenjash është lënie shenje… dhe pikërisht në ato lënie shenjash të të tjerëve më parë se ne, gjejmë burimin e informacionit për të pasuruar bagazhin tonë pa patur nevojë që sapo të lindim të fillojmë e të shpikim rrotën.

  4. “Në këtë kuptim, është njëlloj i baraslarguar nga muzika dhe nga arti vizual; dhe pikërisht ky tipar i jep vend qendror në kulturat.”

    Prape hierarkia, packa se horizontale. Po mire, nuk eshte muzika, le te themi hymnet kishtare, njesoj e barazlarguar nga liturgjia kishtare dhe nga imazhet qiellore neper neper hapesirat e kishes? Nuk eshte arti pamor, te themi ai qe u zhvillua prej llogaritjeve gjeometrike te perspektives po neper kisha, njelloj i barazlarguar nga harmonia matematike e muzikes dhe nga narrativa liturgjike qe keto imazhe perfaqesojne? Kujt i mbetet vendi qendror kur kjo barazlargesi funksionon ne te gjitha kahet, mes te gjithe mediumeve? Mos ndoshta “Z-tit”? Apo mos ndoshta performances trupore, estetike, etike, morale, ligjore? Ketu besoj eshte edhe me e pasur kjo miniere.

  5. Nga ky këndvështrim, Interneti nuk është veçse katedralja e kulturës masive të ditëve tona, të konsumizmit, korporatizmit dhe të ekonomisë së tregut; meqë përdor të njëjtat sinkretizma, për të arritur të njëjtat efekte – kontrollin e mendjeve nëpërmjet (tej)ngopjes semiotike.

    Jo kaq përgjithësues Xha xha. Ka diferencim edhe këtu. Universitetet, lëvizjet e thjeshtësuara nga poshtë lart, mësimi, lojrat sociale, open source, etj. etj. Aktualisht nuk mund të ankohemi për mungesë diversiteti apo jo? Interneti është një ekosistem me hierarki dhe specie dominuese natyrisht. Dmth. ka nga ato në fund të zinxhirit ushqimor dhe nga ato poshtë fare. Por ka edhe nga ato speciet e vogla të gatshme në çdo kohë të zëvendësojnë dinozauret sapo të ndryshojë pak konteksti. Po zgjedhjen e Obamas ku do ta fusnim në këtë lloj kategorizimi tak fak të mësipërm? Në korporatizëm, në konsumizëm, ku pra? Nga kjo ese na del që shkrimi ka evoluar ndër të pakten disa mijëvjecarë. Internetit nuk po i japim as njezet vjet megjithese është aktualisht “best in class” në disa lëndë të rëndësishme?

    I gjithë ky dikutim mbi modalitetet mua më duket më shumë një perplasje midis interesave dhe kulturave profesionale njerëzore. Ose me qarte midis shkencave sociale dhe teknologëve. Teknologët në procesin e tyre krijues nuk e kuptojnë mirë se cfarë ndryshojnë dhe prandaj kanë nevojë të madhe për shkencat sociale. Kurse tek shkencat sociale kemi në përgjithësi barrikadim konservativ dhe skepticizmin e atyre që nuk e kuptojnë mire forcën e teknologjise dhe shanset qe ju jep ajo. Ne vend të qahen se si është bota sot, le ti lënë kolltuqet e rehatshme të universiteteve dhe konferencave të zgavërta e të futen nëpër garazhde bashke me kolegët e tyre teknologë për ta ndryshuar shoqerinë sipas idealeve që mendojnë të arsyeshme. Teknologjia ju a jep këtë shans. Luftërat kulturore do të zhvendosen në të ardhmen në teknologji. Prandaj për këtë duhet dialog i mirëfilltë dhe bashkëpunim nga të dyja palët.

    Ndryshe nga Kapshtica mua rrjedha e diskutimit këtu nuk më impresionon shumë. Është përdorur një gjuhë dhe frymë e mire natyrisht dhe kjo nuk është pak. Nga ana tjetër ama refuzohet me kokëfortësi të bëhen diferencimet e duhura, të konteksteve dhe qëllimeve shumë diverse të komunikimit. Dhe kur ky trajtim sipas kontekstit e qëllimit mungon duhet ta lëmë pritshmërinë se po nxjerrim ndonjë perlë këtu. Pasi ajo pak metodikë shkencore për të cilat na le hapsirë komenti po mbushet nga lojera fjalësh që nuk i lë në mendje askujt ndonjë gjë të qëndrueshme.

    1. Eni, edhe ky diskutim në hapësirën e Internetit zhvillohet – por unë flisja për prirjen e përgjithshme për dominim nga interesat ekonomike dhe korporatat.
      Unë as që mund ta konceptoj gjithë veprimtarinë time të 10 vjetëve të fundit pa Internetin, të cilit ia kam parë të mirat (me shumicë) dhe të këqiat. Këto të fundit i gjej më shumë në përdoruesit, sesa në mediumin.

    2. Eni. Kam pershtypjen se duhet te jeni student univeristeti apo pasuniversitar ne ndonje dege teknike sepse shoh qe teknologjia, ajo computerike, ze vend qendror ne argumentimin e mendimeve tuaja. Qenia ne avangarde apo cuting edge te zhvillimeve te kesaj lloj teknologjie mua s`me duket si nje fillim i nje bote te re, por si nje vazhdim i asaj te vjetres, dhe pavaresisht nga mediumi qe perdoret, qellimi ngelet po ai qe kane qene per mijra e mijra vjet: thjesht thenia e te vertetes me mjetet sa me te pershtatshme. Une nuk shoh te kete ndonje shkeputje, nje prerje te plote me te shkuaren. Era ku jemi ngelet akoma annus dominis dhe jo annus computatus.

      Pavaresisht nga twiters apo aplikimet e ndryshme per Apple me te cilat im bir mbush kohen e vet, kur atij i duhet te hape librat e gramatikes, ai nuk ka nga ta dije se ai po perdor nje sistem mesimor te organizuar dhe te perfunduar nga Denisi i Thrakes, gati 2000 vjet me pare. Edhe sikur te doje, kesaj ai nuk i shpeton dot, sado qe ta kete shpejtesine ne te shtypur ne tastjere, e sado programe komputeri te njohe.

  6. Eni,

    Ne i kategorizojmë gjërat jo për t’i futur në sënduk por për të mundësuar një vështrim kritik ndaj tyre. Për shembull t’ia dedikosh zgjedhjen e Obamës internetit pa iu përqasur në mënyrë kritike fenomenit, për mendimin tim është njësoj si t’ia dedikosh krejt demokracinë internetit. Kjo fare mire mund të jetë e vërtet, por do kërkonte gjithashtu edhe një rivlerësim të historisë mijëvjeçare të konceptit të demokracisë.

    Përsa i përket diskutimit këtu, nuk është aspak siç thua ti se thjeshtë “qënka përdorur një gjuhë e mirë” por gjithësesi nëpër llogore. Pavarësisht nga pritshmëria që mund të kemi, është mire të dallojmë që të gjithë argumentat që janë hedhur këtu janë legjitim, dhe kjo ka më shumë vlerë pavarësisht nëse biem apo nuk biem dakort. Në fund të fundit, edhe ky blog është hierakik; “mësuesi” shkruan temën në dërrasë dhe “nxënësit” diskutojnë rreth kësaj teme. Kur mbaron klasa “nxënësit” dalin në oborr dhe luajnë me shoqi-shoqin.

    1. Ujk, nuk eshte puna fare te biem dakort. Puna eshte qe ketu ka inflacion te madh fjalesh e pergjithesimesh metafizike. Nuk po diskutohet akoma per nje kategorizim e diferencim duke na e mundesuar thjeshtesimin e argumentimit dhe duke na lejuar ti marrim rast pas rasti te mirat e te keqijat e modaliteteve per njeren apo per tjetren kategori. Fundja diskutimi mbi menyrat e komunikimit eshte si nje diskutim tipik inxhinierik, ku si arkitekt duhet ta dish me mire se te gjithe qe nuk ka zgjidhje universale qe i pershtatet te gjitha kerkesave dhe kushteve. Pra cdo gje varet nga rasti dhe konteksti per te cilin flasim. Pikerisht diferencimi e strukturimi i kontextit te komunikimit mungon tek gjithe ky diskutimi yne. Dhe vetem pas diferencimit mund te fillojme te hedhim argumente pro apo kontra. Ta kam fjalen qe sado te holle e llogjikisht elegante te kene qene disa argumenta ketu, pa nje kontekst te qarte e te miredefinuar (hajt po themi te pakten te pervijuar meqe komente po bejme e jo artikuj shkencore) ato jane pa vlere.

      1. Eni,

        Këtu nuk po kërkohet ndonjë zgjidhje e veçantë, po diskutohet rreth natyrës së gjuhës së shkruar në varësi me gjuhët e tjera të komunikimit në përgjithësi, ndaj edhe diskutimi është i tillë. Por edhe nëse do kërkonim zgjidhje, përsëri nuk i injoron dot natyrën e gjërave, dhe është mirë të kesh një përgjigje për to. Për mua profesionalisht ky debat është shumë i vlefshëm, sepse kuptoj dobësitë por edhe anët e forta të profesionit tim. Në histori ka raste të shumta kur arkitektët kanë besuar jashtë mase tek teknologjia. Lexo Le Corbusier “Les Cinq Point d’une Architecture Nouvelle” që e krahason shtëpinë me makinën dhe aeroplanin. Bindje që përcaktuan të famshmen “machine age”. Po ky Le Corbusier mendonte se nxënësit duhet të mësonin në shkolla arkitekturë, njësoj siç mësojnë gjuhë letërsi dhe matematikë. A është ky një vlerësim i tepruar për arkitekturën? Ndoshta. Po ashtu i njëjti besim në teknologji solli rrafshimin e qëndrave historike, me pasoja ende të pariparueshme. Pra konteksti ku zhvillohet arkitektura, teknologjia (interneti) dhe të gjitha artet është “kultura”. Prandaj është i dobishëm ky debat, sepse kultura është konteksti i çdo lloj konteksti, nëse mund ta quaja kështu.

      2. Eni, ka kaq dite qe po lexoj kerkesen tende, dhe sinqerisht qe nuk e kuptoj. Kategorizimi besoj se eshte bere, ku mediume te ndryshme jane diferencuar nga njeri tjetri, jane shprehur te perbashketat mes tyre, dhe eshte folur per avantazhe apo privilegje. Ky teksti me larte, psh, eshte ne kontekstin e kujteses historike, dhe ne kete kontekst i jep perparesi shkrimit. E debatueshme, pasi fare mire funksionin e kujteses historike ne lidhje me organizimin e shoqerise mund t’a luajne simbolet arkitektonike dhe shenjat arkeologjike, apo perfaqesimi i subjekteve shoqerore nepermjet evolucionit te kodeve piktoriale, apo nepermjet gjesteve te kapura nga skulptura, deri edhe muzika e ritmi ne rastin e nje kujtese te ruajtur nga feja ne lidhje me fiskulturen dhe po ashtu dhe shkrimi. Teksti i Ujkut ishte ne kontekstin e meditimit, dhe ne kete kontekst i jepte perparesi shkrimit. Edhe me e debatueshme, per te gjitha arsyet qe u numeruan, e sidomos per cilesite jashtegjuhesore te meditimit. Ti vete komentove ne kontekstin pedagogjik. Une argumentova ne kontekstin politik. E te tjere. Te gjitha keto kontekste kane pika takimi me njera tjetren, dhe une jam dakord me anonimin me larte qe ky ka qene nga diskutimet me te mira ketu tek PTF.

  7. “Teknologjia e shtypshkrimit, që nga Gutenbergu deri te touch-typing mund të krahasohet, për nga efektet, me fotografinë; të dyja shkaktuan një të çarë të pariparueshme midis gjestit njerëzor dhe (ri)prodhimit të shenjës vizuale. Shkrimi sot e kësaj dite i ruan disa tipare të artit grafik; jo vetëm në konceptimin e shkronjave (typefaces), por edhe e sidomos në kaligrafinë, e cila krijon objekte të një bukurie sublime në shkrime të tilla si kinezçja ose arabishtja. Fotografia, nga ana e vet, ia hoqi pikturës peshën utilitare, duke e lënë të harliset në kotësi të kulluar, por edhe duke i hapur rrugë një arti të ri – kinemasë, dhe një mass mediumi të ri – televizionit.”

    Pershtypjen se shkrimi “ruan disa tipare te artit grafik” edhe pse teknologjia ushtron efekt, ndersa fotografia pikturen “duke e lene te harliset ne kotesi te kulluar”, nuk me thote me shume se fenomeni, pra i shkrimit, piktures, fotografise, kinemase, televizionit, ndersa i mendojme si vezhguese te realitetit, ato fare mire mund te konsiderohen si te para/vezhguara prej realitetit. Me fjale te tjera; Ne se do te mendohej si stamp, akti i nderveprimit realitet medium do te na jepte negativin e saj/realitetit duke u stampuar ne medium. Mirpo medium historikisht evolon, keshtu qe realiteti stampon evolimin e mediumeve. Dhe kjo nuk verteton as gje, qe ne te mbeshtetemi perjetesisht ne mediumet per te kuptuar realitetin, perderisa mediumet jane ne ndryshim te vazhdueshem, dhe aq me teper eshte realiteti ai qe stampon mediumet dhe jo e anasiellta. Pamvaresishte se gjeja konkrete si objekt eshte shkrimi apo imazhi cfardo qe ne informohemi per egzistencen e nje realiteti, te cilin, kete te fundit ne e konsiderojme si pozitiv dhe mediumet si negativ te nderveprimit. Kjo mendoj se thjeshton perceptimin e rrolit te mediumeve jo si realitet, por si gunga/forma ku stampohet realiteti.
    Nuk ka dallim ne stampimin qe ben realiteti mes ketyre gungave/mediumeve, si rrjedhoj, ato, ndryshimet jane faktor per llojin, brenda llojit, pa pergjigje, se c’eshte reale.

    p.s.
    Qe shkrimi eshte imazh, nuk perjashton faktin qe edhe imazhi eshte shkrim. Jemi ne kete betej bashke-stampuar nga realiteti cdo sekond. Kujdes!

    1. dhe aq me teper eshte realiteti ai qe stampon mediumet dhe jo e anasiellta.

      Vëmëndje,

      Një shprehje, që nuk e di sa e urtë është, thotë që “puna e bën njeriun”. Se është kështu, mediumet nuk janë thjeshtë “stampime të realitetit” siç i konsideron ti, por e bëjnë (krijojnë) realitetin njerëzor. Xha Xhai po thotë, me sa kuptojë unë, se; në krahasim me të gjitha këto mediume, shkrimi i ka bërë sintezën më të mirë aktivitetit krijues njerëzor.

  8. “Një shprehje, që nuk e di sa e urtë është, thotë që “puna e bën njeriun”

    Po punen kush e ben, Ujku?

    “mediumet nuk janë thjeshtë “stampime të realitetit” siç i konsideron ti, por e bëjnë (krijojnë) realitetin njerëzor.”

    Realiteti nuk eshte i tjeshte, Ai evidenton mediumet ne syrin e mendjes sone, kjo e fundit eshte qe merret me mediumet, ndersa pertej mendjes eshte ajo gjeja qe e bene Realitetin te mos ngjis ne procesin e krijimit te formes se ‘realitetit njerzor/mediumeve’
    Realiteti eshte Ai, qe stampon ate realitet qe medumet, qe thua ti, krijojne, dhe jo vetem ate realitet, por edhe ato-realitete qe nuk shkruajn

    “Xha Xhai po thotë, me sa kuptojë unë, se; në krahasim me të gjitha këto mediume, shkrimi i ka bërë sintezën më të mirë aktivitetit krijues njerëzor.”

    Edhe mund te jete ajo, qe thote Xha, qe une se pranoj, edhe pse eshte pjese e krijimit njerzor dhe shume prezente, prap nuk me thote se vecohet nga nje numer i pa kufizuar faktoresh te rendesishem te tjere, qe jane te ndryshem nga shkrimi. Nje nga ato eshte edhe deshmia e zerit qe nuk na vjene si fosilizimi i ikonave, shkrimeve nga e kaluara, dhe prap deshmia e tij/zerit eshte e lidhur me cdo frymemarrje te asaj mendje e dore qe shkruan e fotografon.

    p.s
    Ujku, kujto punen me silogjizmat, dhe mos fragmentarizo ceshtjen.
    ‘Ndersa shkrimi eshte imazh, atehere edhe imazhi eshte shkrim.

    1. Po punen kush e ben, Ujku?

      Vëmëndje,

      Tek komenti i djeshëm kur të thashë që bëre gjysmën e rrugës drejt meje, pohova pikërisht këtë që po thoshe ti pak a shumë që: “puna bëhet prej njeriut”, që është mos gaboj edhe përgjigjja e pyetjes më sipër.

      Kurse unë ndërkohë po përpiqesha të thosha që shprehja “puna e bën njeriun” është gjithashtu po aq e vërtet.

      1. Dje, Ujku, nuk ngela i bindur nga c’shkruaje. Po te njejten gje vazhdon edhe sot. Fragmentarizon, ne menyre selektive sheh njeren me te rendesisheme se tjetra ‘pjese’ nga ato qe bejne te teren e aktivitetit te njeriut qe behet njeri.

        Ti pergjigjesh; puna e beri njeriun, ne nje kohe qe edhe punen njeriu e beri. Kjo mund te quhet edhe qark i mbyllur, se pse nuk e ben edhe gomarin (si puntor i rende qe eshte) puna njeri, por e le gomar, e cdo qenje tjeter si bleten, milingonen etj. Kushdo e ka parasysh se sa punojne ne fabrika punetoret, dhe nuk ka ndonji statistik te mbeshtese se ata punetore jane me njerez si rrezultat, pervec se disa pune mendore te tyret qe nuk kane lidhje me ate punen e turrnit, qe i ben inert, dembel, te kenaqur me llapazanin televizor sa gjen kohe aty e le.

        Luliani ve ne dukje dicka qe eshte bere strumbullar i kesaj teme, une e konsideroj nderhyrjen e tij, kur lexoj edhe ne ato temat para ardhese rreth hierarkis, te cilen po e ushqen ndofta nje keqkuptim, te cilit i ka ardhur koha te pastroj mendimin; ‘ku dhembe dhembi shkon dhe gjuha’, sepse ne fund te fundit te dyja ne koke jane edhe gjuha edhe dhembi.

  9. …kjo botë është mbrapsh që nga fillimi,
    e para ishte fjala jo mendimi.

    Shkrimi ka lindur prej njeriut, e nëse ai e do pak më shumë pjellën e tij se pjellat e mëmës natyrë nuk është sakrilegj.
    Fazat mësimore përkojnë me prejardhjen e shkrimit: në fillim lapsa me ngjyra për të vizatuar, pastaj shkopi, pena, lapsi për të bërë kërraba, e më në fund stilografi a tastjera për të shkruar. Më në fund jo e fundit, por me gjasë të mbetemi brenda po asaj spiraleje që po u projektua në plan (rrafsh) duket si rreth. Për sa kohë që dijet e botës nuk do na i fusin me shiringë a chip në tru, ne do kalojmë nëpër të njëjtën rrugë. Ka pasur e do ketë përjashtime, por bëhet fjalë për miliardat e njerëzve.
    Po ju jap gjithë liritë 6 miliardë tokësorëve e shfaros çdo hierarki; brenda minutës kemi 6 miliardë muzikantë por edhe 6 miliardë piktorë por jo 6 miliardë shkrues, për fat të keq ndodh që kemi 1 miliard analfabetë. Po bëj një kapërcim skëterre e po them “e ç’ë pastaj?” Mbetemi tek 6/6/5 miliardët. Secili prej tyre për të kënaqur veten e tij është muzikant/piktor/shkrues, por në kornizë të shoqërisë vetëm 5 miliardë shkruesit janë 5 miliardë shkrues, qoftë edhe sa shkruajnë emrin e tyre diku. Deri më sot këta 6 miliradë shumëpozicionësh vetëm shkrimit i kanë dhënë viston duke e bërë mjet që përdoret nga shumica dërmuese me efektivitet e që kënaq shumicën. Firmën mbase e rrëzon biometria por vështirë fërshëllima a zëri, fytyra a figura.
    Duhet të ketë qënë më shumë prakticiteti e masiviteti, dhe jo padija në fushën muzikore, që etërit e kompjuterave i vunë makinës së shkrimit ekran kur ndërtuan kompjuterin dhe nuk i vunë pianos ekran. Makina e shkrimit ishte thuajse për këdo që e ka përpara, pianoja për virutozë. Kompjuteri u bë i të gjithëve edhe për këtë, ndërsa mund të mbetej i një shtrese fort mirë të kulturuar. Duke shtruar pyetjen: po sikur të kishte qënë pianoja? – përfundimi interesant është se askush nuk do shihte grafema mbi tasta por do ti dinte përmendësh ku binin; rrjedhimisht nuk do të ekzistone problemi ynë i ç-ë-ëve. Por ndërsa morrën shkrimin e mbajtën tastierën para, po të njëjtët njerëz e çuan botën nga DOS 6 tekstuale në Windows-in që punonte sipas parimit vizual WYSIWYG (çfarë ju shihni është çfarë ju gjeni). Mjafton të shtypje ikonën me r (fjala vjen) e të vazhdoje të dëgjoje muzikën e dëshiruar. Por po provove sot të bësh të njëjtën zhgënjehesh, mbas asaj ikone nuk fshihet diçka e përcaktuar (muzikë) por mundësi të pafundme (muzikë, lajme, filma, lojra, gjithë www në do). Tashmë duket se kemi kaluar nga WYSIWYG në WYSINWYG (çfarë ju shihni nuk është çfarë ju gjeni); shihni dhe shembujt e avatarëve që solli Eni.
    Si do të ecet? Pa u hyrë profecive sjell shembull sistemin e numrave romakë e mendoj se më i thjeshti, ai që me më pak jep më shumë ka për të dalë mbi të tjerët, duke qënë ai që do tu imponohet njerëzve e jo e kundërta, njerëzit të imponojnë.
    Në krahasim me fotografinë, pikturën, shkrimi është më pak pretendues por më i saktë, i përcaktuar njëlloj si në kohë dhe në hapësirë, gjëra të cilat foto-piktura i shkel a ja kalon përjetësisë. Kështu, shkrimi (përjashto përdorimin simbolik apo në funksion titujsh) kur do të japë Napoleonin nis e tregon se ishte ashtu e kështu, i gjatë kaq e aq, bëri këtë e atë, për të gjithë këto jepet koha kur; ndërsa piktura e ka ngrirë atë majë kalit (kalë trupvogël?) për ta parodizuar sot një afrikano-amerikan në muzeun e Bruklinit, filmi ja zgjedh personazhet mbas kallëpit e ja vesh me kostume të prodhuara në kushediseku. Shkrimi thotë se ishte, piktura thotë është, shkrimi thotë se mbante një jakë mëndafshi kinez, filmi e vesh me jakë mëndafshi vietnamez. Shkrimi vërtet ekzagjeron, ta bën të bardhën të zezë, por jo padashje, e jo nga pamundësia. Me foto-pikturën njerëzit njëherësh marrin përsipër të pamundurën – kompresimin e kohës, ngrirjen dhe fiksimin e saj e kalimin e saj si të tillë në pafundësi jo ashtu siç është por ashtu siç pretendohet se duhet të jetë. Të retushuar si fotot e Enverit, që s’përligjin dot as mburrjen takimore të çdo ish-qaramani të vogël që ka dalë duke qeshur mbas thirrjeve: zogu, zogu… për këto lexoni Xha Xhai-n te blogu i Shekullit.

  10. Kur lexojme fjalen bubullime ne nje fjali reth saj, nuk do t’kishim te njeten ndjesi sikur ta degjonim ate realisht.Nuk mund te percaktojme saktesisht sa zhurmmadhe,zeshurdhuese,bubullitese do te ishte.Nuk mund te ne sjelli saktesiht tek perceptimi real degjues.kuptohet qe gjuha shqipe si.kruaj ka dhe bubu-ne bobon qe kane sjelle bomb,bumje,bamin e te tjera.Kodifikimi sjell ruajtjen,frigoriferizimin,por duke sjelle njekohesisht nga ana tjeter dhe humbjen e freskise,natyrshmerise,tingellueshmerise e te tjera.Ai duhej dhe perjshpejtoi zhvillimin,por fazat zevendesojne njera tjetren ashtu sic kane zevendesuar te tjerat gjate evolucionit.
    Me ka bere shume pershtypje kur kam lexuar per te pare nga Cezari per Druidet.Ata dinin te shkruanin por nuk donin ta perdornin shkrimin.Arsyeja ishte qe shkrimi sillte mpirjen e ngadalsimin e mendimit.Ata sterviteshin shume qe te mbanin ne memorie sa me shume koncepte.
    Sa rendesi ka dinamika e procesit?
    Shkrimin ne nje krahasim vulgar do ta krahasoja me kufomen e gjuhes se folur.Gjuha e folur tenton te ndryshoje te evoloje.Eshte nje organizem i gjalle qe leviz dhe perfeksionohet,pamvaresisht qe ne periudha te shkurtera 50 vjecare ne nuk arrime ta kuptojme.Shkrimi eshte pengesa e saj,burgu i saj.
    Po te hyjem pak me thelle ne ate sesi mendon truri,me cfare valesh,do te habiteshim.truri mendon me ane te ultratingujve,ne dy lloje valesh(te shkurtera dhe te gjata me fjale te trasha)te cilat punojne ne zonat e tij per te lidhur,percjelle e konkluduar reth informacionit te shqyrtuar.te gjitha keto behen me nje shpejtesi marramendese.Mendimi brendshem qe bazohet te gjuha e folur(sejcili nga ne mund ta provoje lehtesisht kete) e ka raportin e shpejtesise me gjuhen e shkruar si shatelli me breshken.Kur themi qe modalitetet shpikese tona vijne si rezultat i presionit te domosdoshmerise se pambarueshme se kryerjes sa me shpejt qe te jete e mundur te cfaredolloj pune ne pergjithesi,duhet lehtesisht te kuptojme qe nuk jemi ne qe vendosim bi jetegjatesine e dhe zevendesimin e shpikjeve tona me vegla me te sofistikuara.Dhe ata zevendesojne sepse e bejne punen me mire dhe ujku ose njeriu ndoshta nje dite nuk do te prekin fizikisht ndonje gur per te rinisur te shkruaje.

  11. Ujk e Lulian, problemi kryesor qe shoh une eshte tek ndarja dhe klasifikimi qe beni (apo nuk beni) kur flisni per politiken apo kulturen. Luljani argumenton per politiken psh. Por politike eshte kur ne nje qyteze te vogel mbledh dhjete njerez e proteston para nje institucioni ashtu sic eshte te dalesh ne nje debat televiziv per te argumentuar per ndertimin e nje centrali atomik apo te shkruash nje manifest te shkurter qe e shperndan tek shoket. Cfare i karakterizon keto lloje te beri politike? Cilat jane metodat e komunikimit me te pershtatshme per te nxjerre dhjete njerez ne shesh apo per ti organizuar te mbledhin firma tek qytetaret (pamfleti, emaili, rrjetet online sociale, nje mesazh ne twitter)? Cilat jane metodat me te pershtatshme per ti komunikuar nje qytetari nje filozofi te re politike (140 germa ne twitter, nje ese filozofike e shkruar ne internet, nje liber)? Po ne pedagogji cfare metodash i pershtaten nje grupmoshe te caktuar per te thithur informacione te caktuara? Po ne arkitekture cfare metode komunikimi duhet perdorur per ti mbushur mendjen njerezve te blejne ndertime te lehta apo ekologjike te cilat mund te jene me te shtrenjta.

    Dua te them qe klasifikimi eshte ne kete diskutim problemi kyc dhe eshte shume me i veshtire sesa argumentimi pro apo kundra dickaje. Pasi behet klasifikimi, argumentimi per njerin apo tjetrin modalitet behet trivial. Une i nxorra dy kategori ku komunikimi me njerin apo tjetrin modalitet kane kushte dhe role cilesisht te ndryshme. Mesimin dhe komunikimin instantan. Keto dy kategori mund te kategorizohen me tej duke lejuar nje argumentim shume me granular e me te sakte. Poashtu ne shkence psh. debati shkrim apo metoda multimodale e interaktive ka te beje me debatin e para disa shekujve arsyetimi me deduksion vs. eksperimentit (eksperimenti eshte nje lloj feedback-u pra komunikimi). Sot e dime si i ka shkuar filli ketij debati. Shkenca ka nevoje per te dyja, qofte per deduksionin qofte per feedbackun qe te jep eksperimenti e deri dhe per diskutimet e pushimit te kafeve me koleget neper konferenca. Nese eksperimenti mungon ndodh ajo qe shohim sot psh. ne fiziken teorike ku kemi teori paralele nga me te fandaksurat qe jane matematikisht ne rregull por qe kane pak te bejne me realitetin.

    1. Eni, ne politike, qellimi justifikon mjetin po aq sa mediumi eshte mesazhi. Kontekstet politike jane te pafundme. Nuk mund te merret njeri me te gjitha kontekstet e te beje diferencimet e duhura. Kjo qe kerkon eshte ne kufinjte e te pamundures, ambicioze, por tejet e vleresueshme po te ndermerrej me seriozitetin e duhur.

  12. Eni,

    Ne jemi ballkanas, dhe kemi ditur edhe atëherë kur kësi debatesh ishin të ndaluara, ta lidhnim p.sh. konceptin “e ndërzimit në masë” me idenë e komunizmit; dhe jo vetëm aq por edhe të eksperimentonim me të. Pra e kam fjalën që është në traditën tonë t’i trajtojmë problemet në shkallë të gjërë siç po i trajtojmë. Problemet e “vogla” rrallë janë pjesë e diskursit shqipatr. Për këtë edhe unë jam i ndërgjegjshëm. Jo më shumë për faktin që bëj gjithmonë të njëjtin gabim, por për faktin që nuk ndryshoj dot. Ndoshta është kjo arsyeja që ato 140 gërmat në twitter nuk ma mbushin syrin për kësi debatesh.

    Megjithatë, duhet thënë se gjatë këtij debati diskutantët nuk kanë dalë jashtë teme; kjo ndoshta edhe për faktin që nuk ke nga t’ia mbash sepse është shumë temë e përgjithshme. Por akoma më shumë, mendoj unë, për faktin që është diskutuar me terma të njëjtë dhe konsistencë. P.sh. unë fola me metaforën e muratorit dhe shumë diskutant analizuan pikërisht këtë metaforë, dhe unë e lidha atë më konceptin e punës, dhe Vëmëndja e lidhi atë me gomarin dhe me bletën punëtore, dhe në të njëjtën kohë po me konsistencë përmendi idetë e Lulianit, mbi konceptin e barazisë i cili mori shkasë nga koncepti im i pabarazisë midis mediumeve. Kurse vetë shkrimi im nisi si një koment ndaj shkrimit të mëparshëm të xhaxhait, i cili nga ana e tij mori shkas nga një koment i yti me gjithë sqarimet përkatëse.

    Ndërkohë siç e vuri re edhe Vëmendja disa nga problematikat që preken në këto tema për shkak të historisë së blogut, merren edhe rrimeren, dhe ndoshta prandaj bëhën të vështira për t’u kuptuar me gjithë përpjekjet e dukshme të diskutantëve për të mos e humbur koherencën e debatit. Dhe ja se si debati për kulturën bëhet lëmsh në kontekstin e blogut. Por e rëndësishme është që ne tashmë këtij problemi ia dimë të dyja; zanafillën dhe zgjidhjen, e cila ndonjëherë e bën të domosdoshme daljen nga tema.

  13. Nga gjithe ky debat, argmenta pro e kundra, mua me del qe cdo lloj komunikimi dhe mediumet respektive ose bazohen ne mendimin/fjalen ose eventualisht shpjegohen me te. Dhe fjala shkruhet, apo jo?

    Ka nevoje per shembuj?

    Te gjitha format e letersise ne menyre absolute mbeshteten mbi fjalen e shkruar.

    Mesimdhenia gjithashtu mbeshtet mbi fjalen e shkruar, packa se ku, ne derrase te zeze, ne liber, ne elemente vizuale. Edhe nje video pa fjale fare, dikur, diku eshte konceptuar mbi nje mendim te formuar e te shprehur me fjale (po supozojme qe s’ka skenar te shkruar fare.)

    Kinemaja, televizioni, interneti te gjitha te bazuara mbi fjalen, plus efektet vizive sigurisht.

    Artet, muzika, skulptura, piktura bazohen ne frymezime, qe dikush mund te thote me te drejte jo gjithmone bazohen ne mendime e fjale (megjithese kam dyshim per vleren e nje frymezimi kot, pa mendim e objektiv.) Por si shpjegohen e analizohen keto arte? Muzikanti dhe piktori, kritiket, studiuesit, nuk shkruajne e pikturojne nje veper tjeter qe te shpjegojne e analizojne, po ju kthehen mendimeve dhe fjaleve.

    Hierarkia ekziston. Ne natyre, ne shoqeri, ne kultura, kudo. Perpjekjet rrafshuese, demokratiko-leftiste-populiste jane, ne rastin me te mire, naive. Tani, dikush mund te doje te me mbushe mendjen mua qe nuk ka hierarki kulturash midis atij fisit te kanibaleve ne Amazone, bie fjala, dhe qytetit-shtet te Athines;apo nje video ne MTV ka te njejten vlere me nje esse filozofike. Qe nje forme komunikimi mund te perhapet me shpejt, apo te jete me popullore ne nje moment te caktuar, per mua, eshte ne rradhen e argumentave te tipit “ai filmi beri kaq milione dollare kete jave, duhet te jete qamet i mire.”

  14. ””’Ne vend të qahen se si është bota sot, le ti lënë kolltuqet e rehatshme të universiteteve dhe konferencave të zgavërta e të futen nëpër garazhde bashke me kolegët e tyre teknologë për ta ndryshuar shoqerinë sipas idealeve që mendojnë të arsyeshme. Teknologjia ju a jep këtë shans. Luftërat kulturore do të zhvendosen në të ardhmen në teknologji.””’

    Kjo qe thua ti Eni, eshte e krahasueshme me ta zeme, nje athinas qe i thote Platonit ose Aristotelit; boll bere gerr-verr mbi republiken, nderlidhjen mes parase e vesit, idene e se mires a ku ta di une, po futju punes ne kantierin detar e projekto nje trireme te shpejte, se fale triremeve me te shpejta do kemi zhvillim me te shpejte. Teknologjia na jep mundesine ta ndryshojme shoqerine athinase, ta bejme me te pasur.

    Ky varg temash mbi shkrimin, mendoj se nder te tjera. pahnxjerr, vizionin e se ardhmes qe kane mbeshtetesit e athinasit te siperm, dmth perqendrimi i plote mbi teknologjine, ku kultura e bazuar kryesisht mbi shkrimin, perben pengese per te ardhmen, keshtu qe sa me pare krijohet kulturalisht homo mediaticus, qe duket se ploteson homo ekonomicus, aq me pare do kemi njeriun e se ardhmes.

    Homo economicus eshte tashme koncept jetik i ekonomise, dmth ka arritur te shquhet , ndersa homo mediaticus eshte ne formim e siper.

    Finaliteti eshte homo tecnologicus, i thene me nje term qe njohim mire (por jo ne ate kuptim), Njeriu i Ri.
    Ja nje faqe interesante:
    http://www.fucine.com/print.php?url=archivio/fm28/longo.htm&id=469

    Xha xhai flet per prejardhje ikonike, po termi nuk eshte i sakte, sepse ikonat jane simbole, keshtu qe termi i sakte eshte prejardhje simbolike.
    Simboli eshte forma me e sofistikuar e komunikimit, sepse perfaqeson komunikimin shpirteror, nga ku arti merr limfen e vet.
    Kinematografia si art, supozon komunikim shpirteror, po une nuk e ndiej kete lloj komunikimi.

    Cka dua te them eshte se komunikimi pamor, nuk mund te jape apriori komunikim shpirteror, vetem nese ndiej simboliken mund te kem komunikim shpirteror. Po keshtu komunikimi pamoro-zanor.

    Shkrimi ne formen e hieroglifeve ka qene vertet art, bir i piktures, vecse art qe perconte me shume mesazhe ideore se piktura, percillte racionalitet.

    Tani shkrimi eshte shume i ftohte, kallkan, ashtu sic eshte racionaliteti dhe nuk eshte me i magjishem (humbi misteri). Tek shkrimi i sotem, njeriu ndien ftohte, mbase prandaj edhe perpiqet ti largohet. Nderkaq televizioni, kinemaja,youtobe&co kane ngrohtesi, njeriu perfshihet.

    Vetem kultivimi i nje ndjesie dashurie, per shkrimin e afron njeriun tek shkrimi, psh rilindasit u perpoqen ta kultivonin dashurine per shkrimin, duke peshuar tek emocionet patriotike, te cilat duhet te krijonin edhe ndjenjen e dashurise per shkrimin ne shqip. Faktikisht ne, shqiptaret sot (ne mase te madhe) nuk kemi pothuaj fare dashuri per shkrimin, normal qe do shkruajme shkel e shko.

    Mendoj se humbja e dashurise per shkrimin (qe quhet ndryshe, dashuria per librin) e le shkrimin shume te ftohte per masat, po te fusim edhe ritmin frenetik te jetes, me duket mese normale qe adoleshenti, parapelqen televizionin dhe e sheh librin (romanin kryesisht) si humbje kohe.

    Pervec kesaj, empirizmi, pothuajse e ka rrenuar teorine, deduksionin. Deduksioni (perfundimet deduktive) ka nevoje per shkrimin, per racionalizmin e shkrimit, shume me teper sesa empirizmi.

    Po ta zbresim diskutimin mbi shkrimin, kulturen, televizionin ne mjedisin shqiptar, atehere na ruajt’ Zoti nga shpartallimi, se ne keto 20 vjet, nga kjo kulture e re eshte cenuar rende gjuha e shkruar dhe e folur, pa llogaritur pasojat ne formimin kulturor, dmth braktisjen e atij formimi kulturor qe fillonte me perrallat e mitet, vazhdonte me rilindasit e folklorin, me shkrimtare shqiptare, muziken e kinematografine shqiptare e mbaronte me perthithjen e kultures europiane.

    Kam frike se me kete kulturen e re, qe ‘komunikon amerikanisht’, do merdhifim. Franca jo me kot ka kohe qe i ka vene nje linje te re Mazhino, kufirit me amerikanishten.
    Te shikojme ne do jete eficente kjo Mazhinoja e dyte franceze, per ta praktikuar ndoshta edhe ne ndonje dite(fatkeqesisht eshte kaq e pamundur,saqe menjehere mu kujtua ;e ra Faja nga fiku, e ra si top llastiku ) .

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin