NË UDHËKRYQ ME DIPLOMË

Studentët shqiptarë në Itali, që në vitet 1980 numëroheshin me gishtat e dorës, ua lanë vendin dhjetëra mijërave kolegëve të tyre, që në vitet 1990 dhe 2000 filluan t’u nxirrnin punë instituteve statistikore. Hapja e kufijve pas kalimit nga një sistem në tjetrin, u dha mundësinë shumë të rinjve t’i ndiqnin studimet jashtë shtetit. Italia ka qenë pa dyshim një nga vendet më të parapëlqyera nga shqiptarët për studimet universitare.

Gjatë vitit shkollor 2002-2003, në Itali studionin gjithsej 6.531 shqiptarë. Zinin vendin e dytë pas studentëve grekë (7.745). Këto dy grupe përbënin 45% të të gjithë studentëve të huaj që kishin zgjedhur universitetet italiane. Të tjerat paraqiteshin të copëzuara dhe, veç e veç, nuk arrinin as 4%-shin e numrit të përgjithshëm. Për t’u shënuar fakti që atë vit shkollor rezultonin më shumë vajza se sa djem. Këta të fundit ishin vetëm 2.721 vetë. Studentët grekë, përkundrazi, kishin më shumë djem se sa vajza (vetëm 3.676).

Tre vjet më vonë, situata paraqitet krejtësisht ndryshe. Gjatë vitit shkollor 2005-2006, studentët shqiptarë të regjistruar në universitet italiane, me shifrën 10.543, jo vetëm janë në vend të parë, por përbëjnë më shumë se dyfishin e studentëve grekë. Këto dy shtetësi, për nga sasia,  krijojnë një hendek statistikor me të tjerat. Në fakt, studentët rumunë, gjermanë, polakë, etj. nuk arrijnë tek 4%-shi i numrit të përgjithshëm. Lidhur me përbërjen gjinore të grupit shqiptar nuk duken shumë ndryshime. Femrat përbëjnë shumicën: pothuajse 59%; pa lëvizje të mëdha në këtë pikë paraqiten edhe grekët (rreth 46% femra).

Të dhënat për regjistrimet e reja, pra të vitit të parë, janë gjithnjë domethënëse, sepse tregojnë pulsin e ecurisë së ardhshme. Po gjatë viteve 2005-2006, rezultojnë regjistruar rishtas 2.284 shqiptarë, 56% e të cilëve kanë qenë vajza. Me këto shifra, grupi shqiptar formon 25,1% të të gjitha regjistrimeve të reja mes studentëve të huaj. Grekët, në këtë kategori, kalojnë në vend të shtatë, me 262 studentë (2,9%).

Prejardhja e studentëve të huaj në universitetet italiane dhe përqindja e vajzave (viti shkollor 2005-2006)

Vendi

Të regjistruar

% vajza

% si vend

Shqipëria

10.543

58,4

25,4

Greqia

5.020

45,5

12,1

Rumania

1.630

79,5

3,9

Gjermani

1.381

65,5

3,3

Kameruni

1.305

41,5

3,1

Polonia

1.172

85,6

2,8

Kroacia

1.164

70,3

2,8

Izraeli

985

28,1

2,4

Zvicra

972

59,9

2,3

Peruja

940

67,4

2,3

Gjithsej

41.589

100,0

Burimi: Ministria italiane e Universitetit dhe e Kërkimit shkencor – Zyra e Statistikës

Në vitin 2006 në Itali marrin diplomën universitare 4.438 studentë. Prej këtyre 14,9% janë shqiptarë, të cilët rreshtohen të dytët pas grekëve me 17% të të diplomuarve.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Universitetit dhe të Kërkimit shkencor të Italisë, viti shkollor 2007-2008, i gjen shqiptarët në krye të listës të studentëve të huaj, me 11.415 studentë, prej të cilëve 4.659 djem dhe 6.756 vajza. Rritja nga viti i mëparshëm duket e vogël në vlera absolute, porse me përqindje rezulton pothuajse 8,3%. Degët më të parapëlqyera nga shqiptarët vijojnë si më poshtë: Ekonomia, Jurisprudenca, Mjekësia, Shkencat politike, Letërsi-Filozofia, Inxhinieria e kështu me radhë.

Me pak fjalë, studentët shqiptarë përbëjnë një kategori të rëndësishme dhe jo vetëm nga pikëpamja statistikore. Megjithatë, studentët kanë ndenjur disi në hije të vëmendjes shoqërore dhe mediatike në të dyja anët e brigjeve. Duhet thënë që në fillim se situata në të cilën gjenden studentët është disi e veçantë. Në qoftë se dikush ka vështirësi t’i fusë me të drejta të plota në kategorinë e emigrantëve, kjo i detyrohet de jure faktit se studentët kanë një lejeqëndrim për arsye studimi. Natyrisht, nuk është vetëm çështje burokratike. Ky lloj lejeqëndrimi është konceptuar si i përkohshëm, me idenë se pas marrjes së titujve përkatës, studentët do të kthehen në atdhe. Me pak fjalë, studentët perceptohen si të përkohshëm në trupin shoqëror të vendit bujtës. Mirëpo realiteti tregon të kundërtën. Një pjesë e madhe e studentëve, për arsye të ndryshme, qëndrojnë në vendet ku kanë studiuar. Madje ka raste që viza për studim shihet thjesht si marifet për të emigruar. Vendimi për të qëndruar në Itali lehtësohet tashmë edhe nga mundësia ligjore për ta ndryshuar arsyen e lejeqëndrimit, në vazhdim e sipër të studimeve. Pra, nëse është tepër t’i quajmë emigrantë, ndoshta është pak t’i quajmë “potencialisht emigrantë”. Nga ana tjetër, “përkohshmëria” e tyre i afrohet disi edhe përkohshmërisë së të gjithë migrantëve, lëvizshmëria e të cilëve është shumë më e lartë se ajo e vendasve, sepse ndryshojnë punë e vendbanim në vartësi të kërkesave të jetës, sidomos në vitet e para të mërgimit.

Fakti që studentët shihen si tranzit, si kalimtarë, bën që jo rrallë të mbeten  jashtë vëmendjes së institucioneve. Kalimtaria e tyre formative, pra në sistemin shkollor, shpeshherë përkthehet në indiferencë. Logjika ta do që zona tranzit të jetë nga më funksionalet, sikurse ndodh përditë nëpër aeroporte, por në rastin e studentëve nuk ndodh kështu, argument që mund të sillet në kundërshtim të këtij koncepti. Jeta e studentëve është e mbushur me viza e nota, çka duhet kuptuar më tepër në mënyrë figurative se sa reale. Është e vërtetë që studenti e fillon aventurën e vet me vizën konkrete për studim në konsullatën përkatëse, porse kjo vizë burokratike vazhdon të përthyhet në realitet me lloj lloj pengesash. Nuk kuptohet nëse kemi të bëjmë me një farë reaksioni zinxhir, ose mallkim me efekt të zgjatur, por ndodh që burokracia e vizës (vërtetime, legalizime, noterizime, certifikata, pararegjistrim, fidejusion, etj.) t’ia kushtëzojë jetën studentit. Mjafton një vonesë ose pasaktësi dhe çdo gjë ndërlikohet. Përveç kësaj, kriteret burokratike bien shpesh në absurditet duke kërkuar të pamundurën ose të diskutueshmen.

Me kalimin e kufirit pengesat nuk zhduken. Vështirësive ekzistuese, si ato që vijnë nga paragjykimet, u shtohen ato burokratike. Vjen një çast dhe studenti e ndjen veten si topi i pinball-it: me marrje mendsh nga kalimet e shumta nga një zyrë në tjetrën. Kulmi arrihet me pritjen e ripërtëritjes së lejeqëndrimit. Ka raste kur studentët e marrin lejeqëndrimin e ri të skaduar: pritja ia kalon kohëzgjatjes së dokumentit. Kësi rastesh nuk u mbetet gjë tjetër veçse ta ridorëzojnë (me shpresë të ripërtërirë) për një ripërtëritje tjetër.

Në mars të 2008-s, në shtypin italian pati jehonë të madhe studimi i promovuar dhe i botuar nga “Studenti Magazine“ për programin evropian “Erasmus”. Qëllimi ishte të viheshin në pah problemet e universiteteve italiane parë me sytë e studentëve të huaj. Portreti që doli nga përshkrimi i të huajve ishte befasues. Universitetet italiane konsideroheshin nga studentët “Erasmus“ si problematike për konfuzionin fillestar, për pritjen jo shumë të mirë, për koston e lartë të jetesës, për vështirësitë e banimit, etj. Edhe sot, këto janë pak a shumë problemet me të cilat ballafaqohen bashkatdhetarët tanë studentë.

Numri i madh i shqiptarëve në universitetet italiane krijon në disa raste të caktuara kushtet ideale për probleme që lidhen me integrimin. Sipas rrëfimeve të tyre, shpeshherë në mjedise studentore, kryesisht në konvikte, prejardhja luan e rolin e ngjizësit të grupeve. Sidomos në kushtet e shumicës relative, kjo shkakton ndarjen e shqiptarëve nga grupet e tjera të studentëve, duke i çuar në mbyllje në vetvete. Ka nga ata që sinjalizojnë deri edhe ndarjen krahinore brenda vetë studentëve. Megjithatë, duhet pasur parasysh se relievi i universiteteve italiane është tejet i thyer dhe i larmishëm. Si rrjedhojë, edhe problemet paraqiten me gradë e me trajta të ndryshme. Ndaj përgjithësimi në këtë drejtim do të ishte i gabuar, aq më tepër që shqiptarët nuk janë dalluar kurrë për nga mbyllja kulturore; përkundrazi. Nga ana tjetër, kjo tërheqje në guaskë, mund të shihet edhe si reagim ndaj vështirësive të para të integrimit. Në krye të pak ditëve, studentët – ashtu si edhe emigrantët klasikë – katapultohen në një realitet shoqëror krejtësisht të panjohur, sipas gjasës i ndryshëm nga përfytyrimi fillestar, si rregull i bazuar në stereotipa, mite e llafe pazari. Mjedisi shqiptar, që gjejnë ose krijojnë, u shërben si spirancë sa të orientohen në ujërat e reja. Një zgjidhje e detyruar dhe e parrezikshme po të mbetet në cilësinë e së përkohshmes.

Trysnia e fortë për viza për studim, por edhe ndonjë kriter që bazohet kryesisht në aspektet ekonomike, ka bërë që të zgjerohen më shumë syzat e rrjetës së rregullave, që disiplinojnë flukset e atyre që shkojnë për studime jashtë shtetit. Në mënyrë eufemistike, mund të thuhej se meritokracia ka raste që dështon në zgjedhjen e kandidatëve për studentë. Përshtypja është se mes studentëve shqiptarë të sotëm ka edhe nga ata që studimin nuk e kanë objektiv parësor në jetë. Në këtë kuptim, kategoria e studentëve jashtë shtetit, me disa tipare masive, po vjen e po i ngjan gjithnjë e më shumë kategorisë së kolegëve të tyre në Shqipëri. Kjo do të thotë se edhe mitet e ndryshme për shkëlqimin e përgjithshëm të studentëve shqiptarë në universitet e huaja duhet të kalojnë nga dogana e bonsensit dhe e logjikës. Këtu do ishte e udhës të shikoheshin edhe rezultatet e provimeve, por nga pikëpamja statistikore është pothuajse e pamundur. Ndërkohë, përveç faktit se universitetet italiane janë më objektive në gjykimin e studentëve, ia vlen të shtohet se në vitin 2005 janë diplomuar 660 studentë shqiptarë (237 djem dhe 423 vajza), ndërsa në vitin 2006 rezultonin 883 të tillë (316 djem dhe 567 vajza). Tek ky grup bëjnë pjesë edhe ata shqiptarë që janë shquar në studimet e tyre, duke ua kaluar edhe kolegëve vendas, çka meriton respekt e përgëzime.

Nuk duhet harruar se një nga sfidat më të rënda, që duhet të përballojnë studentët, është ajo ekonomike. Shumë syresh detyrohen të punojnë dhe të studiojnë njëkohësisht. Pavarësisht nga të ardhurat e deklaruara, vitet e shkollës së lartë janë tejet të kushtueshme për xhepat e shqiptarëve të mesëm. Kësisoj, punët part time, luajnë rolin e bursës. Përbën zgjidhje pa alternativë për një kategori studentësh, çka cenon shpesh cilësinë e studimeve të tyre, meqë puna kërkon kohë dhe energji, që mund të ishin investuar ndryshe. Në këtë kuadër, diplomat në duart e shqiptarëve marrin një vlerë tjetër në krahasim me simotrat që marrin kolegët perëndimorë, të cilët nuk kanë të paktën probleme mbijetese.

Edhe pse nuk hyn në synimet e këtij shkrimi, duhet përmendur se shkollimi universitar ka pësuar vitet e fundit transformime rrënjësore dhe jo gjithnjë në kahun pozitiv. Kjo përbën padyshim rrethanë sa lehtësuese aq edhe problematike për studentët shqiptarë, të cilët janë gjendur midis disa zjarreve. Oferta didaktike universitare është rritur në mënyrë eksponenciale si në Shqipëri, ashtu edhe në Itali. Mirëpo, duhet hulumtuar se sa është e lidhur kjo ofertë (pa harruar reformën), me cilësinë e shkollimit universitar, sepse gjithkund në botë arsimi po e ndjen mbi kurriz trysninë e forcave privatizuese, të cilat i shikojnë universitetet me syrin e tregtarit, njëlloj si varietetet e patateve në pazar, kurse studentët kategorizohen njëlloj si klientët përballë rafteve të supermarketit. Që këtej edhe reklamat mikluese dhe ngulmuese njëkohësisht. Kjo, natyrisht, nuk ka të bëjë shumë me të drejtën themelore të qytetarëve për arsimim. Për fat të mirë, arsimi evropian, përveçse traditë qindravjeçare, ka ende hapësira të mbrojtura nga rrymat e ftohta të liberalizmit të egër dhe stinët tekanjoze të tij.

Numri i madh i studentëve shqiptarë në Itali, përveçse me afërsinë gjeografike dhe familjaritetin me gjuhën, mund të shpjegohet edhe nëpërmjet kulturës shqiptare, e cila e ka konsideruar gjithnjë arsimin e lartë me një përnderim të veçantë. Aureola e shndritshme që e ka rrethuar përherë diplomën universitare ndoshta i ka rrënjët në statusin social, ndoshta në vetë përfitimet ekonomike, ndoshta ndriçon vetvetiu në kontekstin shqiptar dijedashës; sidoqoftë është fakt se ëndrra e të gjithë prindërve ka qenë gjithnjë t’i shikojnë fëmijët me diplomë në duar. Që këtej edhe lumi i studentëve që vërshon nëpër universitetet e huaja dhe të vendit.

Realitetin e fragmentarizuar të studentëve e bashkon një nivel i lartë aktivizmi. Një nga risitë absolute të emigracionit shqiptar në Itali është pikërisht veprimtaria e shoqatave studentore. Disa syresh kanë krijuar mjedise të shkëlqyera kulturore ku zien dhe ballafaqohet mendimi, duke iu mbivendosur dendur detyrave që zakonisht duhen kryer nga institucionet shqiptare. Ato luajnë gjithashtu, një rol udhëzues për studentët e rinj, duke u kthyer në pika referimi edhe për vetë institucionet universitare. Nga një anë, nismat e shoqatave përfitojnë nga niveli intelektual i promovuesve të tyre, nga ana tjetër, vuajnë nga përkohshmëria e gjendjes studentore, çka shpie në ndërrimin e shpejtë të “klasës drejtuese” dhe të aktivistëve më pasionantë. Kjo nuk ka se si të ndikojë në favor të kategorisë studentore.

Shkolla e lartë mbetet pazgjidhshmërisht e lidhur me formimin e elitave. Në bankat e saj ulen sot ata që do të na udhëheqin nesër. Nëse jemi dakord me këtë, duhet ta pranojmë se në statistikat e mësipërme bëjnë pjesë ata që do ta drejtojnë Shqipërinë nesër. Mirëpo, kjo nuk është aq e sigurt për arsyen e thjeshtë se studentët e ndjejnë veten në udhëkryq. Dilema e tyre ka të bëjë me kthimin. Zgjedhja e shumë prej tyre për të qëndruar (përgjithnjë ose përkohësisht) në vendet ku kanë kryer studimet, duhet lidhur jo vetëm me mundësitë që u krijohen atje – pa harruar lidhjet e mundshme sentimentale –, por edhe me faktin se e ndjejnë kontekstin e huaj më të interpretueshëm, pikërisht falë hartave me të cilat i kanë pajisur universitetet atje. Edhe vetë burokratizimi i njohjes së diplomave të marra jashtë vendit, jo vetëm tingëllon absurd, por ua ftoh disi dëshirën e kthimit studentëve. Nga ana tjetër, tregu shqiptar i punës shpeshherë nuk ka ç’t’u ofrojë në fushat ku ata kanë s

tudiuar. Pritjet dhe shpresat e shumta, herë reale dhe herë të pabaza, herë të kërkuara dhe herë të pretenduara, shkojnë e ndeshen me një kontekst që nuk u jep as rrugëdalje, as perspektivë. Si rrjedhim, studentët e shikojnë të ardhmen në vende të tjera.

Pavarësisht se për studentët shqiptarë jashtë shtetit janë njoftuar dhe filluar programe dhe nisma të shumta, të shtetit apo të organizmave të tjera, posaçërisht lidhur me kthimin dhe integrimin e tyre në tregun e punës në Shqipëri, duhet thënë se ata e ndjejnë veten ende pezull nga pikëpamja e perspektivës dhe jetimë nga pikëpamja e përkrahjes institucionale. Këtu duhet dalluar pesha specifike e trajtimit burokratik dhe dritëshkurtër të një çështje komplekse, nga kushtet objektive që i bishtnojnë vullnetit të planeve disavjeçare. Ndërkohë, lulëzimi i pakontrolluar i universiteteve private në Shqipëri vetëm sa e ka rënduar ndjenjën e pezullisë, meqë ofertat e diplomave janë shtuar aq shumë, saqë po shkojnë drejt inflacionit të plotë.

Historia e shumë vendeve ka dëftuar se suksesi ekonomik dhe shoqëror ndërtohet duke investuar kryesisht për trurin. 

Lënia në harresë ose pas dore e studentëve, si brenda ashtu edhe jashtë shtetit, është një luks që Shqipëria nuk mund t’ia lejojë kurrsesi vetes, sepse në raport me nevojat e saj dëmtohet më shumë se bashkësitë e tjera nga ikja e trurit. 

Megjithatë, është fare e qartë se kategoria e tyre përbën pasuri të dyanshme, si për vendlindjen ashtu edhe për vendin që i arsimon. Në këtë kuadër, lipset që energjitë intelektuale studentore të bashkërendohen e të kanalizohen në të mirë të të gjithëve, sepse vetë qëndrimi i tyre mes dy kulturash dhe sistemesh arsimore, përbën një urë lidhëse dhe integruese për të dyja vendet.

Ngado ta shohësh çështjen e studentëve shqiptarë, del se ajo është e lidhur me të ardhmen. Nevoja e perspektivës imponohet me ngulm deri sa kalon kufijtë e domosdoshmërisë. Nga kjo pikëpamje, studentët simbolizojnë të gjithë shoqërinë shqiptare. 

Megjithë përparimet e dukshme, fijet e së kaluarës dhe së tashmes, vazhdojnë ta mbajnë pezull në udhëkryq, nga ku duhet të gjejë sa më shpejt rrugën më të mirë: atë që e projekton drejt së ardhmes.

Ky shkrim është shkëputur nga libri “Ura mbi det. Emigracioni shqiptar në Itali”, Ora, Tiranë 2008.

6 Komente

  1. Nuk di nese futen ne ato statistika vetem studentet shqiptare te vajtur atje nga Shqiperia me vize studimi, apo edhe te tjere studente shqiptare, pjese e rreth 400 mije shqiptareve te tjere qe jetojne ne Itali, qe mund te kene bere edhe shkollat fillore e te mesme aty, ose te brezit te dyte, etj etj. Numri i studenteve shqiptare me duket me i ulet sesa mund te jete ne te vertete. Nese jane vetem te paret, mund te jete e dobishme per imazhin e shqiptareve ne Itali sikur ne statistikat e ardhshme te futeshin edhe te dytet. Gje qe eshte ne doren e atyre instituteve qe i bejne keto statistika sigurisht.

  2. Eshte per te pershendetur numri i madh i studenteve shqiptare qe studiojne ne Itali. Me sa me kujtohet nga nje shkrim qe e kam lexuar ne vere numri i studenteve shqiptare qe shkojne nga Shqiperia eshte ne rendin e 2000 – 2500 ne vit. Por pertej kesaj shifre me interes do te ishte te dinim se sa nga keta te regjistruar si studente arrijne te perfundojne studimet (diplomohen) dhe me cfare rezultatesh. Degjojme shpesh qe nuk arrijne te perfundojne studimet dhe nje nga arsyet (qe e permend edhe Rando) eshte pamundesia financiare per te studiuar. Shpesh studentet shqiptare shkeputen perkohesisht nga studimet per te siguruar jetesen dhe perkohshmeria zgjat aq shume sa fiton statusin e te perhershmes. Megjithate nje numer kaq i larte studentesh eshte nje gje shume e mire dhe besoj se eshte nje aset i jashtezakonshem per kombin tone.

  3. Titulli eshte shume i gjetur. Studentet jane me te vertete ne udhekryq pak para perfundimit te studimeve. Sidomos ne vende ku tregu i punes ka veshtiresi ti integroje shpejte, si Italia. Para pak vitesh pata fatin te punoj per nje statistike per studentet shqiptare jashte dhe rezultati me i habitshem ishte qe pak me shume se gjysma ishin te pavendosur se cfare do te benin pas studimit ne lidhje me pyetjen a do te ktheheshin apo jo. Nje pjese e madhe e te pavendosurve ishin afer perfundimit. Rezultat ky qe na habiti te gjitheve pasi nuk ishte intuitiv.

    Me c’kam vene re nje pjese e mire e te sapodiplomuarve po ndjekin strategjine e qendrimit ne vendin ku kane studiuar deri sa te marrin dokumenta/lejeqendrimi afatgjate. Nga ai moment, ata qe nuk jane integruar mire ne tregun e punes vleresojne seriozisht dhe mundesine e kthimit ne Shqiperi. Nese kemi parasysh qe ne deget masive (Juridik, Shkenca shoqerore, ekonomi, etj) ka veshtiresi per te gjetur pune te pershtatshme, duhet pritur qe 3-4 vjet pas perfundimit te studimeve te vales se maturanteve 1999-2003 te kete nje shkalle me te larte kthimesh te te diplomuarve jashte.

    Me pare kam shkruar edhe dicka per temen me specifike te potencialit te studenteve qe qendrojne jashte pas studimit ne krijimin e komuniteteve lokale te profesionisteve dhe rolin qe keto komunitete kane ne shperndarjen e dijes ne vendlindje.

  4. Shkrimi është shumë i goditur dhe analizon disa probleme që ekzistojnë prej kohësh në Itali. Dua të nënvizoj edhe unë faktin se pas pothuajse 20 vitesh emigracion drejt Italisë po bëhet interesant dhe numri i atyre studentëve me orgjinë shqiptare që frekuentojnë universitetet italiane duke pasur një bagazh shkollor pjesërisht ose tërësisht italian. Ka shumë që kanë bërë në Itali, një apo më shumë cikle shkollore para se të futen në universistet.

    Një dukuri tjetër është ajo e raportit ekzistues ndërmjet të diplomuarve dhe të regjistruarve. Po të vëzhgojmë mirë do të vërejmë se ka një sasi braktisjesh dhe mos suksesesh shkollore universitare që forcojnë idenë e nënvizuar në artikull, të përdorimit të kanalit të “shkollës” si kanal të mirëfilltë migrator.

    Studentët shqiptarë zgjedhin në përgjithësi fakultete që edhe pas diplomimit e bëjnë të vështirë hyrjen në tregun e punës italian. Po bëj një shembull edhe pse mund të ketë me dhjetëra të tillë. Një i ri shqiptar që ka mbaruar shkollën e mesme në Shqipëri, vjen në Itali dhe rregjistrohet në fakultetin e juridikut në Firence. Mësimdhënia e atjeshme, kaotike në shumicën e rasteve, i jep këtij studenti mundësinë të përgatitet për sistemin juridik italian. Studenti pas përfundimit të studimeve mund të vendosi ose të qëndrojë ose të kthehet në atdhe.

    Nëse kthehet në Shqipëri do ta ketë shumë të vështirë të ushtrojë profesionin e juristit ose avocati pasi sitemi i legjislacionit është i ndryshëm dhe njohja e diplomës, si e shpjegon dhe artikulli, është shumë e burokratizuar. Pas kësaj sistemi i konkurimit në Shqipëri është shumë inekzistent dhe hyrja në tregun e punës bëhet nëpërmjet njohjeve dhe klaneve familiare.

    Nëse vendos të qëndrojë në Itali do ketë akoma më shumë vështirësi. Për tu bërë avokat duhet të japi një provim shtetëror që prezupozon një përgatitje shumë të avancuar. Në hipotezën më të mirë, që provimi kalohet, studenti për të ushtruar profesionin e avokatit duhet të regjistrohen në listën e avokatëve dhe për të bërë këtë duhet të kesh nënshtetësinë italiane. Një mekanizëm mjaft pervers që e bën pothuajse të pamundur, ose të rrallë, hyrjen në tregun e punë për profilin e studimeve përkatëse.

    p.s pishak te kam nis nje e-mail, ndoshta kam gabuar adrese.

  5. Per her te pare lexoj nje artikull qe merr parasysh kaq aspekte te ndryshme ne lidhje me kte teme. Un jam nje studente nga Tirana qe jetoj ne Rome prej kater vitesh, me lejoni t’ju shpreh eksperiencen time. Studioj arkitekture ne universitetin me te madh ne Europe per numer studentesh: “La Sapienza”, ne kete strukture kaotike dhe ne trasformim te perhershem, ju them se eshte e veshtire te krijosh nje identitet dhe te jesh dikush. Prania e larmishme dhe shume ngjyreshe(jo ne kuptim racor)e njerezve, ka anet pozitive dhe negative te saj, me siguri perballjet me bashkemoshatare nga te gjitha anet e botes eshte nga eksperiencat me interesante,por paragjykimi i te qenit shqiptar na ndjek ende pas. Sa per organizimin e ketij universiteti ne vecanti, dhe shtetit italian ne pergjithesi, mund te them se eshte nga faktoret me pengues ne rrugen e studimit. Nese me duhet te mbaroj ceshtje burokratike ndjehem perher si topi i nje loje ping- pongu, qe shkon nga nje zyre ne nje tjeter, dhe ne fund me kthejne perseri ne te paren! Nderkohe jam duke humbur leksionet, pasi cdo zyre kerkon nje paradite kohe. Leja e qendrimit kerkon te respektohen kohet ne dorezimin e dokumentave dhe berjen e pagesave perkatese, por kjo leje qendrimi ndodh shpesh te dali e mbaruar! Ja ku rifillon maratona e rimbledhjes se dokumentave te nevojshem per te riaplikuar. Nje tjeter shqetesim me vjen nga fakti qe per arsye mardheniesh diplomatike, nje shtetas shqiptar e ka mjaft te veshtire te marre nje vize italiane, ne keta kater vite prinderit e mi (njerez te ndershem, intelektuale dhe pa njohje ne ambasde!!!) nuk kane mundur te vijne kurre per te pare si jetoj dhe si e kam ndertuar jeten tashme qe mundohem ta perballoj vete. Eshte nje kenaqesi per kedo qe jeton ne vend te huaj te kete mundesine te presi te aferm apo miq , mikrpitja eshte virtyt i shqiptareve edhe jashte shtetit! Sikur te mos mjaftonin veshtiresite e jetes ne vend te huaj, me shtohet edhe dyshimi ne lidhje me te ardhmen: jam ne vit te parafundit dhe ende nuk e kam te qarte nese ne fund te vitit qe vjen do te ishte me mire per mua te kthehem ne Shqiperi apo te vazhdoj te jetoj ketu, apo diku tjeter ne bote. Ky mendim i ka rrenjet ne kushtet dhe mundesite qe me ofron vendi im per te ndertuar te ardhmen. Do te doja te jetoja ne nje vend ku te kete mundesi punesimi ne baze te nje konkurence te ndershme, te ofroje te ardhura ekonomike me te cilat te mund te perballohet jeta dhe planet per te krijuar nje familje, nje vend ku femijet te rriten me nje fryme europiane, nje vend ku kufijte shteterore te mos me kushtezojne jeten dhe deshirat. Ndoshta mendimet e mia i kane pasur dhe shume breza para meje,ndoshta nuk kemi punuar mjaftueshmerisht per keto enderra pasi rezultatet nuk duken ende. Do doja shume te mund te kthehesha ne vendlindje per te percjelle njohurite qe kam marre, per te ndihmuar ne emancipimin e vendit tim, por nuk jam e sigurte sa nevoje ka vendi im per mua. Sot per sot ndjehem e huaj si ne vendlindje si ketu ku jetoj dhe te gjithe kemi nevoje te perkasim diku.

  6. “studente shqiptare ne itali…” Të më falësh, por na the ato që pishaku i vuri në dukje.

    Edhe unë kam qënë një ish student shqiptar në Itali (hyj në turmën e të diplomuarve), dhe i kuptoj më së miri të gjitha për çfarë shkruhet. Përqindja e studenteve seriozë, me vullnet, të bindur mbi çfarë kanë marrë mbi supe, është fatkeqsisht e vogël. Dhe kjo vogëlsi nuk mjafton të themi se Shqipëria ka kapital që nuk po din me e shfrytëzue. Jemi ne që vëndosim të kthehemi apo të provojmë ashpërsinë, injorancën, parregullsinë.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin