SIMFONIA E TRETE

 

Vizita që grupi i Kontrollit Punëtor dhe Fshatar ia bëri Orkestrës Simfonike të Operas së Tiranës koincidoi me një periudhë intensive provash të kësaj orkestre, për premierën e Simfonisë së Tretë të Beethoven-it, të mbiquajtur “Heroike”.

Grupi drejtohej nga shoku Keno M., axhustator pararojë në Uzinën “Dinamo”, erudit autodidakt dhe veprimtar i shquar në qendrën e punës dhe në lagje, si dhe autor letrash të nënshkruara gazetave “Bashkimi” dhe “Puna” për çështje me interes të përgjithshëm shoqëror dhe ideologjik.

Grupi i Kontrollit Punëtor dhe Fshatar mbeti i kënaqur nga niveli i përgatitjes ideo-politike që kishte gjetur në punonjësit e Orkestrës, duke përfshirë edhe dirigjentin Virgjil E., një prej artistëve më të nderuar nga Partia dhe Populli.

Beethoven-i, u tha muzikantëve të orkestrës shoku Keno M., ka qenë artist borgjez dhe kufizimet e veprës së tij janë përshkruar mirë nga klasikët e marksizëm-leninizmit, por tek ai njëkohësisht gjen edhe rebelimin e artistit, ose të shpirtit të ndjeshëm, ndaj tiranisë, padrejtësisë dhe mjerimit shpirtëror që sjell me vete kapitalizmi.

Grupi i Kontrollit Punëtor dhe Fshatar asistoi në provat e përgjithshme të Simfonisë së Tretë, pastaj e njohu kolektivin e Orkestrës me vërejtjet e veta konstruktive.

Në përgjithësi, tha shoku Keno M., punonjësit e orkestrës ishin të qartë ideologjikisht dhe përpiqeshin t’i jepnin publikut vepra arti të tilla që të frymëzojnë dhe të mobilizojnë më tej në punën e përditshme për ndërtimin e socializmit.

Megjithatë, grupi i Kontrollit Punëtor dhe Fshatar kishte konstatuar se disa aspekte të punës së Orkestrës mund të përmirësoheshin, për të shmangur sidomos njëfarë fetishizimi apolitik të artit borgjez, nga ana e artistëve që i përkisnin artit proletar dhe vetëm atij.

Për shembull, mund të shihej mundësia për të ulur numrin e disa veglave instrumentale të njëjta, meqë muzikantët që u binin shpesh përsëritnin punën e njëri-tjetrit, ndonjëherë edhe duke e penguar. Kështu, mund të mënjanoheshin disa violina të vogla dhe disa violina të mëdha, duke liruar vend në skenë dhe muzikantë që mund të përdoreshin për të kryer detyra të tjera.

Me qëllim që të theksoheshin edhe më momentet entuziaste të simfonisë, grupi i instrumenteve frymore mund të afrohej më shumë me publikun, sepse në pozicionin që kishte, pamja pengohej nga violinat dhe instrumente e tjerë me harqe, të cilat mund të përqendroheshin vetëm në krahun e majtë të skenës.

Meqenëse kjo shfaqje do të jepej për masat punonjëse, jo për ndonjë publik aristokratik elitar me shije dekadente të oborreve mbretërore, ndoshta do të ishte me vend që punonjësit e orkestrës të mos qëndronin të ulur gjatë ekzekutimit të pjesës, por në këmbë, në shenjë respekti ndaj publikut dhe popullit.

Dirigjenti Virgjil E. duhej të gjente mënyrën për t’u kthyer herë pas here me fytyrë nga plateja e për t’i treguar publikut dashamirës se roli i tij ishte jo vetëm të drejtonte kolektivin punonjës të orkestrës, por edhe të shërbente si kanal komunikimi midis masave dhe artistëve.

Në lidhje me vetë Simfoninë e Tretë, grupi i Kontrollit Punëtor dhe Fshatar e kuptonte se vepra të tilla që u kanë rezistuar kohëve vijnë me njëfarë përsosmërie që nuk mund t’u preket; por edhe aty mund të bëhen disa ndërhyrje në strukturë, për të rritur rendimentin e orkestrës, në pajtim edhe me vijën dhe orientimet e Partisë.

Simfonia, ashtu siç paraqitej, ishte tepër e gjatë, kishte vërejtur shoku Keno M., dhe mund të shkurtohej, sidomos duke hequr disa pjesë ku dukej se orkestra sorollatej më kot, duke iu rikthyer motiveve tashmë të konsumuara, në vend që të kërkonte të çante rrugë të re, në përleshje me të panjohurën.

Veçanërisht, kishte theksuar shoku Keno M., duhej parë mundësia që të eliminohej koha e dytë, ose marshi funebër; sepse një marsh funebër nënkuptonte vdekjen, dhe një ansambël socialist nuk mund t’i këndonte vdekjes në vetvete, ose në rrethanat kur askush nuk kishte vdekur.

Vdekja, vërente raporti i grupit të Kontrollit Punëtor dhe Fshatar, duhej kuptuar në mënyrë dialektike – sepse aty ku kishte vdekje kishte dhe ripërtëritje, dhe arti ynë duhej ta kthente fytyrën nga kjo e fundit, nga drita dhe optimizmi, larg errësirës dhe pesimizmit të artit borgjez gjerman të shekullit XIX, të cilin e ka analizuar aq mjeshtërisht Engelsi.

A i duhej paraqitur publikut tonë një marsh funebër? Po, përgjigjej Keno M.; por vetëm sa kohë që kjo paraqitje i përgjigjej realitetit. Partia kishte lejuar, për shembull, që të luheshin marshe funebre nga Chopin ose edhe ky i Beethoven-it gjatë ceremonisë së homazheve dhe të varrimit të shokut Foto H.; por në asnjë mënyrë nuk duhej lejuar që arti t’i thërriste vdekjes vend e pa vend, dhe aq më tepër muzika, e cila ka rëndësi të madhe për edukimin komunist të masave.

Natyrisht, thuhej në fund të raportit të grupit të Kontrollit Punëtor dhe Fshatar, vetëm një muzikant profesionist si shoku Virgjil E. dhe veçanërisht kolektivi punonjës i Orkestrës Simfonike mund të vendosnin nëse një vepër si kjo simfoni e Beethoven-it do ta përligjte dot vetveten edhe pas ndërhyrjeve dhe shkurtimeve të nevojshme të parashtruara më lart.

Ka momente, do të tregonte më pas dirigjenti i njohur Virgjil E., kur heshtja e një orkestre është më elokuente se vetë pjesa e luajtur. Pas fjalës së axhustatorit pararojë Keno M. dhe virtuozitetit autodidakt të treguar prej tij, të gjithë ishin larguar nga mbledhja me motivet e marshit funebër në mendje. Tek e fundit, asnjë vepër arti, madje edhe majat më të larta të gjenisë muzikore, nuk ekzistojnë të shkëputura nga realiteti – violinat e tepërta, topografia e tunxhit, sorollatjet e orkestrës, dirigjentët që ende ia kthenin shpinën popullit që i kishte rritur dhe çuar në shkollat më të mira anembanë botës.

 

1 Koment

  1. Më kujtove or mik i dashur sekretarin tim të partisë dikur shokun Teno Z. Kur ishte fjala të shihte prmierën e estradës në pallatin e kulturës së punëtorëve , ku kisha shkuar për të punuar përkohesisht. Gjatë shfaqjes (prova xhenerale ) as qeshi dhe as duartrokiti. Tejet i menduar dhe serioz. (Sa për dijeni Tenua ishte motorist në një ndermarje për shpime nafte dhe gazi dhe kishte mbaruar shkollën e ulët profesionale natën. Se si shkoi në Shkollën e Partisë dhe e mbaroi me rezultate të shkelqyera…Kush e sheti dhe sma tha dhe mua…nejse) Në fund beri nje pyetje dhe që rruga ime mori tatëpjetë….
    -Kësaj shfaqje i mungon partishmëria, sepse..
    -Ç’thua shoku Teno, ja prita me ironi dhe i nervozuar..E di që nga 23 aktorë, gjysmit janë të organizuar..?
    VETËM TI MUNGON..

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin