TREKENDESHI I TELASHEVE

Kur bisedon me mjekë, shpesh të ankohen sa të paditur janë pacientët e tyre, madje edhe për çështje elementare të kujdesit për vetveten, ose për t’i kuptuar sëmundjet e tyre.

Nga ana e tyre, këshilltarët financiarë dhe llogaritarët e taksave e dinë se sa pak njohuri kanë klientët e tyre për interesin bankar, huatë, hipotekat, por edhe koncepte të thjeshta si dallimi midis një libreze kursimi dhe një fondi investimesh, klientët e tyre.

Më në fund, juristët janë lodhur tashmë së habituri me paditurinë e të gjithë neve, që nuk jemi në gjendje të hartojmë një deklaratë ose një affidavit, të mbushim një formular dhe të interpretojmë drejt një marrëveshje për divorc ose një dokument juridik çfarëdo.

Pavarësisht nga profesioni që kemi e nga puna që bëjmë, të gjithë detyrohemi që, në jetën e përditshme, të merremi me çështje të mjekësisë, të ekonomisë (financës) dhe të së drejtës (ligjit). Për fat të keq, janë pikërisht këto tri fusha ku jemi edhe më të papërgatitur se gjetiu.

Unë kam kohë që e kam mbaruar shkollën e mesme, por ende i mbaj mend mirë derivatet dhe integralet, formulat për të gjetur vëllimin e sferës dhe të konit, euglenën e blertë, enët komunikuese, bimët njëkotiledone dhe dykotiledone, thekët dhe pistilin, fotoefektin dhe rrafshin e pjerrët, reaksionet oksiduese dhe reduktuese, shkëmbinjtë magmatikë dhe metamorfikë, dallimin midis galaktikave dhe grumbujve yjorë, funksionimin e diodës, fenolftaleinën, klorofilin dhe tabelën e Mendelejevit (për të mos folur për Ali Kelmendin dhe teorinë e “rrëshqitjes”).

Cili prej nesh, të atëhershmit, nuk e dinte se ç’ishte polispasti diferencial ose mekanizmi me kulisë? Kujt nuk i kujtohen shtytësi, thepi, dhëmbi i armatimit, ortoskopi dhe stanoku? Ne kemi studiuar me zell të madh benzinën dhe vullkanet, kandilin e detit dhe pllakat tektonike, anatominë e krapit dhe bimët tuberoze, difraksionin dhe dispersionin, forcën e Arkimedit dhe ekuacionet e Keplerit, limitet dhe polinomet, rrënjët katrore, rrënjët e rrapit, dhe vargun: “ku t’i kërkoj rrënjët e tua Parti”…

Natyrisht, nuk ankohem për cilësinë e shkollës që kam bërë; edhe pse pak gjë nga ato që kam studiuar në shkollë më ndihmon realisht në problemet më jetike me të cilat përballem në jetën e përditshme: si njeri, si qytetar dhe si person të cilit i duhet të punojë, për të jetuar. Përkundrazi, njohuritë mjekësore, ekonomike dhe juridike i kam fituar në mënyrë krejt autodidakte, duke lexuar ose duke mësuar prej gabimeve ose duke rrëmuar nëpër gjithfarë librash, herë të mirë e herë të pamirë, herë seriozë e herë komikë…

E kam të qartë edhe që brezave të sotëm në Shqipëri po u kursehen tmerret e Historisë së PPSH, ose të polispastit diferencial e të skemave të drenimit të tokës; por nga përvoja e tërthortë që kam, më duket se shkolla ende bën shumë pak për t’i përgatitur fëmijët për jetën.

Më të shumtët prej nesh, bie fjala, nuk janë në gjendje të kuptojnë sëmundjet prej të cilave vuajnë ata vetë dhe të afërmit e tyre – dhe këtu s’e kam fjalën për sëmundje të rralla si tularemia ose feokromocitoma, por për sëmundje gjerësisht të përhapura si ato kardiovaskulare, diabeti, artriti, çrregullimet gastro-intestinale, sëmundjet auto-imune etj. Janë të panumërt ata të tjerët që nuk dinë si duhet t’i përdorin barnat, çfarë janë efektet anësore ose ndërveprimet me barna të tjera; ose çfarë është varësia fizike dhe abstinenca. A nuk do të ishte me vend, që fëmijëve t’u ofroheshin, në shkollat 8-vjeçare dhe të mesme, kurse të zgjeruara për marrëdhëniet e njeriut me sëmundjet e veta nga njëra anë dhe me institucionet shëndetësore nga ana tjetër?

Në lëmin ekonomik, përsëri janë të shumtë ata prej nesh që nuk janë në gjendje t’i administrojnë të ardhurat e tyre, ose të planëzojnë ekonominë familjare – kursimet, pagesat afatshkurtra dhe afatgjata, raportin e borxheve me të ardhurat, përdorimin e kredive bankare. Sa e sa familje rrënohen ekonomikisht, ngaqë as burri as gruaja nuk janë në gjendje të orientohen brenda sistemit ekonomik; t’u rezistojnë tundimeve të tregut, ofertave për kredi të hapur, kazinove, investimeve të gabuara; sa e sa të tjera familje shkatërrohen krejt, sepse kurat që u sugjerohen për të dalë nga kriza (p.sh. huatë me interes të lartë) janë edhe më të dëmshme sesa kriza vetë?

A nuk do të ishte më e arsyeshme që, në vend të fshikëzës notuese të levrekut, thekëve e pistilëve, meandreve të lumit dhe derivateve të dyta, këtyre t’u ishte mësuar në shkolla diçka më tepër për administrimin e parasë, sistemin bankar, sistemin e kreditit dhe sistemin e sigurimit shoqëror?

Në lëmin juridik, padija çon drejtpërdrejt në rrënim ekonomik, veçanërisht kur gjendesh në hall, p.sh. kur të duhet t’u japësh zgjidhje çështjeve të pronës, të trashëgimisë, ose të një divorci; ose kur nuk je në gjendje t’u kushtosh vëmendje hollësive të një kontrate që je duke nënshkruar, ose të një prokure që je duke lëshuar. Asnjë prej brezit tim, ndoshta me përjashtim të juristëve vetë, nuk ka qenë në gjendje të interpretojë drejt një dokument juridik, e aq më pak ta hartojë atë; a ka ndryshuar vallë gjendja, me brezat që po rriten dhe edukohen sot?

Në fusha si mjekësia, ekonomia (financat) dhe e drejta, padija e publikut jo vetëm shkakton çrregullime të mëdha sociale dhe sjell me vete kosto të larta për të gjithë, por edhe u jep mundësi kategorive të caktuara të mjekëve, financierëve dhe juristëve (avokatëve) të përfitojnë shuma të mëdha duke rrjepur klientët dhe pacientët e tyre guhakë.

Për fat të keq, nuk i kam në dorë programet e shkollave të mesme në Shqipëri; prandaj nuk futem dot shumë në hollësi, veçanërisht për t’i krahasuar kurrikulumet e sotme me ato të djeshmet. Megjithatë, e kam pak a shumë të qartë se çfarë studiohet në shkollë të mesme në SHBA, dhe nuk më duket se ka ndonjë ndryshim të madh; edhe këtu programet më shumë i përgatitin nxënësit për çka do të studiojnë më pas, sesa për sfidat që i presin në jetë.

Që ta gëzojë të plotë lirinë e vet, një qytetar duhet të marrë pjesë si palë në administrimin e shëndetit të vet, statusit të vet ekonomik (financiar) dhe statusit të vet juridik. Çfarë ndodhi në Shqipëri në 1997 me firmat piramidale, tregoi se shumica prej nesh nuk ishin në gjendje të administronin paranë, prandaj edhe iu dorëzuan tundimit elementar për fitime parazitare. E njëjta katastrofë u përsërit tani në SHBA, me krizën e hipotekave; ku njerëzit pranuan të merrnin hua bankare subprime, pa e kuptuar se nuk do të ishin kurrë në gjendje t’i shlyenin. Në të dy rastet, peshkaqenët e financave e shfrytëzuan padijen e publikut, për t’u rrjepur njerëzve edhe kacidhen e fundit.

Kur është fjala për të përballuar probleme të shëndetit, të ligjit ose të financave, njerëzit zakonisht nuk ndalen as para shpenzimeve marramendëse. Cili prind nuk do të shiste, bie fjala, shtëpinë, për të paguar një operacion të shtrenjtë të fëmijës, ose avokatin në një proces gjyqësor që mund të shpjerë në burgim të rëndë? Cila familje do t’i rezistonte dot shkatërrimit, e ndodhur përballë një borxhi të pashlyeshëm, për shkak të miopisë financiare, ose të dorëzimit para tundimeve materiale?

Në shkollat amerikane bëhet punë relativisht e mirë për edukatën seksuale, veçanërisht sa i përket parandalimit të sëmundjeve veneriane; por kjo ka të bëjë më tepër me rregullimin e marrëdhënieve mes moshatarësh, sesa me raportet e qytetarit me shëndetin e vet. Kam dëgjuar që edhe në Shqipëri nuk mungojnë përpjekje të tilla, të nxitura nga institucionet ndërkombëtare dhe OJQ-të. Megjithatë, e vetmja mënyrë për t’i ulur shpenzimet – individuale dhe buxhetore – për kujdesin shëndetësor do të ishte edukimi shëndetësor në shkolla; jo i tillë që ta zëvendësojë autoritetin e mjekut, por që ta lehtësojë atë. Nuk ka mjek që nuk do të lumturohej, po të komunikonte me një pacient “të zotin” si pacient; që është në gjendje ta kuptojë sëmundjen e vet, dhe nevojën për ndryshime në stilin e të jetuarit dhe në dietë; ose të jetë i aftë të perceptojë stresin në vete dhe tek të tjerët e kështu me radhë. Nga ana tjetër, gabime që bëhen nga padija, në fazat fillestare të një huaje, ose të lidhjes së një kontrate ekonomike ose të pronës, ose të hartimit të një testamenti ose të krijimit të një trusti, shndërrohen, me kalimin e kohës, në vrima të zeza financiare për viktimat.

Shpresoj të hap këtu, me ju kolegë dhe lexues, një diskutim në lidhje me këto çështje, mundësisht të integruar edhe me përvojat tuaja, të drejtpërdrejta ose si prindër, me mangësitë në edukimin shëndetësor, financiar dhe juridik.

 

14 Komente

  1. “Erdhi koha që mu rrit çupa në një moshë që sipas meje duhet t’i dinte ca gjëra të nevojshme. E thirra dhe i thashë:
    – E dashur, duhet të flasim për diçka që është shumë e rëndësishme… do flasim për seksin.
    – Mirë babi- më tha-, çfarë doje të dije më tepër?”

    Duke lënë barsoletën mënjanë, mund të flasim vetëm për hipoteza, sepse nuk ja kemi idenë se çfarë studiojnë fëmijët sot në shkolla dhe se sa ata shfrytëzojnë burimet e tjera të informacionit (kryesisht tv, por edhe libra/revista, internet dhe përvoja e të tjerëve).
    Por, nëse ka diçka që ju mungon sot fëmijëve, si për të kompletuar bagazhin kulturor të fituar në shkollë ashtu edhe “karakterin” (e vë në thonjëza, se e di që sulmuesit e ideollogjisë së PPSH e konsiderojnë si diçka krejt tjetër), është mungesa e PRAKTIKËS, dmth e provës në jetën reale të njohurive që mund të kenë marrë në shkollë.

  2. Ne shkolle 8-vjecare ne Tirane kemi patur ekonomi shtepiake si lende ku nder te tjera mesonim te qepnim apo lende si puna me dru apo puna me metal :). Gjithashtu kemi patur ne gjimnaz dhe nje lende e titulluar “dituri makinash” nga e cila une nuk mbaj mend me asgje. Keto lende jane ideuar ne nje kohe e shoqeri kur te dije te punoje me dru apo me metal apo te dije te qepje ishte e rendesishme.

    Lendet e mesiperme jane pra lende qe jane krijuar pikerisht per ti dhene nxenesve njohuri baze per te mbijetuar ne nje kontekst shoqeror e ekonomik. Keto lende jane per mua kandidatet kryesore per tu pershtatur per edukimin ekonomik te popullsise sic shkruan dhe xhaxhai apo per edukimin shendetesor.

    Une kam perjetuar gjimnazin e tranzicionit te ketyre lendeve. Kam qene ne gjimnaz atje pikerisht ne kohen kur keto lende me te drejte u hoqen dhe u zevendesuan pjeserisht nga lenda e informatikes. Fatkeqsisht si mesues te infomatikes na vune mesuesin e meparshem te punes me dru dhe programi i informatikes te cilin tani kam mundesine ta shoh me syrin e nje profesionisti ishte pa e ekzagjeruar nje corap i vertete nga i cili nuk merrje asgje. Kjo ishte deri diku e kuptueshme pasi ne ishim brezat e pare mbi te cilin ky program mesimor aplikohej. Pervec kesaj informatika eshte lende e vlefshme ne shoqeri informacioni ku Shqiperia akoma nuk bente/ben pjese. Pra futja e informatikes pavaresisht se ne princip hap i drejte qe per mendimin tim e koordinuar keq.

    Me kete dua te them qe te pakten ne shkollat shqiptare te viteve 90 ka patur perpjekje per t’ju pershtatur kontekstit te ri ekonomik e shoqeror. Puna ngeci si gjithmone tek realizimi.

    Para pak kohesh isha ne Rusi dhe me rane veshet rastesisht qe Putini kishte nisur nje program per pajisjen me salla kompjuterash te te gjitha shkollave te Rusise. Nga nje bisede private qe pata atje me nje mesuese mora vesh qe sallat kishte vite qe ishin ndertuar por nuk kishte asnje mesues qe te dinte ti perdorte apo ti mesonte femijet. Pra ishte harruar qe mesuesit te benin trajnim in e duhur. Gjithcka ishte pa program. E gjitha pra ishte nje flluske propagandistike per te cilin ishin derdhur kushedi se sa para por pa koncept e pa koordinim. Te njejten gje ndjeva kur lexova njehere qe nje program te ngjashem donte ta realizonte dhe Shqiperia. Problemi ishte i qarte. Megjithese ideja apo iniciativa nga lart mund te jete e drejte ne sisteme autoritariste me administrata te pafta e te korruptuara keto ide nuk perkthehen asnjehere ne vepra te mirekooordinuara e te suksseshme.

  3. Dakord, por e njejta gje mund te thuhet per cdo gje. Une mund te shtoja se shumica nuk mund te mbijetojne nje jave ne natyre ku t’u duhet te sigurojne gjithcka vete, se ka plot qe nuk dijne not, se ka plot qe nuk dijne edhe gjerat me elementare te higjenes personale… e keshtu me rradhe. Nese percaktojme sistemin shkollor apo cdo sistem tjeter ne menyre negative (duke vene ne dukje tiparet qe nuk kane), atehere percaktimi vete do te ishte i pafund.

    “është mungesa e PRAKTIKËS, dmth e provës në jetën reale të njohurive që mund të kenë marrë në shkollë”

    E po prandaj quhen “fëmijë.”

    1. Censura shkruan:

      Dakord, por e njejta gje mund te thuhet per cdo gje. Une mund te shtoja se shumica nuk mund te mbijetojne nje jave ne natyre ku t’u duhet te sigurojne gjithcka vete, se ka plot qe nuk dijne not, se ka plot qe nuk dijne edhe gjerat me elementare te higjenes personale… e keshtu me rradhe. Nese percaktojme sistemin shkollor apo cdo sistem tjeter ne menyre negative (duke vene ne dukje tiparet qe nuk kane), atehere percaktimi vete do te ishte i pafund.

      Mirë, o Censura, po kur ishte hera e fundit kur u gjende ti ose njerëz që njeh ti një javë në natyrë dhe pate nevojë të siguroje gjithçka vetë e nuk dite; apo, kur re në ujë e të hyri noti në punë se përndryshe do të ishe mbytur? Argumenti im më lart nuk është se shkolla nuk na i mëson këto njohuri, por se këto njohuri, që shkolla nuk na i mëson, na duhen pothuajse përditë, dhe shumë më tepër se gjëra që shkolla na i ka mësuar. Në qoftë se jetojmë në shoqëri, atëherë shkolla duhet të na përgatitë për të jetuar në shoqëri. Nëse e ardhmja jonë është në shpellat, atëherë shkolla duhet të na mësojë si të ndezim zjarr me strall, ose duke fërkuar shkopinj. Nëse të gjithë nesër do të udhëtojmë drejt planetit mars, atëherë shkolla bën mirë të na mësojë si të përdorim skafandrin e astronautit. Mirëpo unë, kur hedh sytë përreth, shoh se shërbimet kryesore për të cilat të gjithë kemi nevojë janë shëndetësia, ndihma juridike dhe ndihma financiare. Përndryshe, mbijetesën na e ka siguruar qytetërimi ku jetojmë, dhe nuk kemi nevojë që, bie fjala, të shpojmë puse për të gjetur ujë, ose të ngremë leqe në pyll për të kapur lepurin; sepse ujin dhe ushqimin na e sjellin te dera. Prandaj, kur flasim se çfarë na ofron dhe çfarë nuk na ofron shkolla, unë besoj se këtë gjithnjë duhet ta bëjmë në përqasje me çfarë e ndiejmë se na mungon më pas, kur dalim në jetë.
      Shumë vite më parë, kur punoja në Tiranë, kisha një koleg i cili, nuk di për ç’arsye, e urrente modernizimin, qytetin, liberalizmin e të tjera si këto. Në një bisedë në zyrë, ky u egërsua kaq shumë sa m’u kthye mua dhe më pyeti: pa më thuaj, po të të jepnin ty një kalë dhe të të thonin lidhe, do dije ti ta lidhje? Unë u stepa, sepse vërtet unë nuk do të dija ç’të bëja me kalin, përveçse t’i fërkoja qafën, po të ishte i butë. Po ky njeri, në një bisedë tjetër, pat thënë për qytetarët si puna ime që “ju duheni çuar të gjithë të hapni kanal”. Dua të them që ky njeri kaq i zymtë jetonte në një botë ku aftësia për të lidhur kalin mendohej si kritike për të mbijetuar (e thotë edhe shprehja: “ti s’di nga lidhet gomari”); ndërsa unë jetoja në një botë ku kali më shoqërohej në mendje me Skënderbeun ose me shahun. Nuk ishte faji i tij, as është faji im; por kam frikë se ai njeri nuk gjendej mirë në Tiranë, ndërsa unë gjendesha në mjedisin tim të natyrshëm.

  4. Një të ngjashme me këtë që tregon Xha xhai, ia kishte thënë im gjysh (ndjesë pastë) mësuesit, pasi ky i fundit kishte rrahur xhaxhanë (timin jo të blogut).

    Ti i tha, duhesh çuar të prashitësh kopshtet me mua. 😀

    Hollë hollë, edhe kjo duhet – prashitja e kopshtit, apo lidhja e kalit. Apo ndryshe, eksperienca me punën dhe jetën në klasat sociale të cilave normalisht nuk u përkasim.
    Che Gevarës psh, iu desh një udhëtim nëpër Amerikën Latine, për tu bërë revolucionar përsëmbari.

    1. Në fakt, J., edhe mua më duket vetja superior sa herë më bie muhabeti me njerëz këtej në Perëndim (por tani vonë edhe me shqiptarë), që më thonë se nuk kanë prekur kurrë armë me dorë; jo se unë kam luftuar ndonjëherë, po se ka qenë një kohë në jetën time, nga viti i parë gjimnaz deri në fund të universitetit, kur arma (në fillim karabina Simonov, më pas kalashnikovi) më ishte bërë aq e zakonshme sa stilolapsi ose luga. Unë nuk di ç’të bëj me ato gjëra që kam mësuar atëherë për armët – jo vetëm të krahut, por edhe mortajat, mitralozin e lehtë, mitralozin e rëndë… dhe shpresoj të mos më duhet kurrë të prek përsëri ndonjë armë; megjithatë, pak superior ndihem! Ndoshta superioriteti është faza e fundit e bindjes se na rriti “nëna” për një botë që nuk ekziston më.

  5. Shkollat 8-vjecare dhe gjimnazet ne Amerike kane shume ndryshim midis njeratjetres; jane si te thuash shtete me vete e nuk mund ti pergjithsosh, pervec liberalizmit qe mbizoteron ne cdo shkolle publike. Femijet ne shume shkolla nuk zoterojne libra, por perdorin fletushka ne te cilat pergatisin detyrat e shtepise. Cdo shkolle eshte e pajisur me computera nderkohe qe shume studente nuk jane ne gjendje akoma te lexojne e nuk kane respektin elementar per mesuesin. Keshtu kur flasim per shkollen publike, por nese do te shikonim curriculum te shkollave private dhe pregatitjen e studenteve ne keto shkolla, shpesh do te mahniteshim me kualitetin e shkolles e te mesuesve.
    Shkolla te cilat kane libra te vecante per financen, kurse mbase shkolle qe mesojne femijet sesi te ruajne ekonomine, libra te vecante qe i mesojne te kujdesin shendetin e kurse mbas shkolle qe bejne te njejten gje.
    Pra, cfare dua te them eshte qe sistemi i shkollave ne Amerike eshte kaq i ndryshem saqe nuk mund te krahasohet me ate te Shqiperise e sidomos asaj gjate kohes se komunizmit. Nese ke kerkese ndaj te ardhmes se femijes tend ato para qe ke ne banke investoji ne edukimin e plote te tij., ose blej computera dhe ankohu per shkollat.
    Ajo qe me vjen vertet keq eshte qe mesuesia ne amerike nuk ka meriten e duhur, por kjo eshte nje teme tjeter.

  6. “Impara l’arte e mettila a parte” thotë një proverb italian…
    Edhe pse shpesh nuk jam dakord me ato që thotë Xhaxhai, gjithsesi nuk mund të imagjinoj një “kalimtar” që të arrijë të kuptojë nivelin e formimit kulturor të Xhaxhait dhe shumë prej komentuesve të këtij blogu… për sa “kalimtari” mund të jetë gjeni në një-dy apo disa fusha, gjithsesi nuk i ka rënë puna që të përballet me shumllojshmërinë e argumenteve që trajton ky blog… nganjëherë përpiqem që ta imagjinoj Xhaxhain të formuar kulturalisht në brezin e Çiljetës… 😛

  7. Shqetesimi me duket me vend, sidomos nese futet ne loje si protagoniste prirja per mashtrim qe punonjesit e ligjit apo te ekonomise , shfaqin here pas here e ne fakt nuk jane te pakta ‘viktimat’ qe shkaktojne. Nese do kishte ndershmeri, rrallekujt do i shkonte ne mend te merrej me perqindjet e ngaterruara te finances apo me gjuhen dhe formen e frikshme te juridikut.

    Mund te thuhet se nevoja per te parandaluar mashtrimin eshte bere e rendesishme, thuajse jetike.

    Provoj te imagjinoj nje gjimnazist qe flet per uzukapionin apo uzufruktin, qe jane koncepte elementare te se drejtes private, e sinqerisht nuk ja da dal dot, ashtu si nuk imagjinoj dot nje gjimnazist qe flet me kompetence per llogaritjen e TAN e TAEG, te cilat gjenden ne cdo ‘mutuo'(kredi) te madhe apo te vogel.

    Cdo studenti shqiptar ne Itali i ka ardhur per te qeshur me injorancen e frikshme matematikore qe kane studentet italiane , te cilet kane mbaruar liceun klasik(lende shoqerore). Keta jo vetem derivate e integrale qe nuk dine cjane, po as limite e logaritme e lere pastaj konceptet e fizikes, kimise etj. Entropia per ta duhet te jete emer femre, ndersa Entalpia me siguri motra e Entropise.

    Mendoj se nevoja per superspecializim bie ndesh me nevojen per te parandaluar mashtrimin ose ndodhen ne lufte te pashpallur.

    Sodit, te zgjedhesh dijet e duhura per formimin e individit eshte bere thuajse beme herkuliane. Perendimi psh duhet te kishte pak a shume nje sistem te njehsuar shkollor , meqe individi perendimor perballet me problematika te ngjashme, mirepo kjo me duket se eshte shume larg te qenit realitet. Biles ne Itali brenda te njejtit fakultet, per shkak te programeve te ndryshme qe kane profesoret e kanaleve(sipas mbiemrave caktohen kanalet), dalin 2 studente me pergatitje te ndryshme apo te pakten jouniform.

    Baza e palekundshme ne kohe e ne hapesire , ngelet vullneti i individit dhe perkujdesja prinderore.
    Im ate i lindur pasi fatkeqesia komuniste u be realitet, per shkak te grabitjes komuniste te asaj pak mireqenie qe i kishin garantuar paraardhesit me punen e tyre, detyrohej te bente ne kembe 6-7 kilometra vajtje e po aq kilometra ardhje, cdo dite pavaresisht motit,lluces e 2 kodrave per te kaptuar, per te ndjekur shkollen e mesme, detyrim qe i vinte nga gjyshi i cili kishte kuptuar njekohesisht edhe vullnetin tek im ate, perndryshe sdo e kish detyruar te masakrohej perdite si me qene ushtar e jo adoleshent.

    Ka pasur shume si im ate ne mbare Shqiperine ,biles nga ata qe kane bere edhe dyfishin e kilometrave per te shkuar ne shkolle apo ne pune, e mendoj se me teper sesa programet shkollore, eshte forca e individit dhe e familjes qe ben diferencen mes njerezve.

    Te dish te vuash e per cfare te vuash, kjo eshte ndoshta gjeja me e vyer qe ka humbur e kohet e sotme, ku te gjithe i duan gjerat gati e duan vetem te hapin gojen per ti pasur, perndryshe dalin ne proteste se po shkelet ‘dinjiteti’ njerezor, a thu se kane vertet dinjitet njerez te tille.

    Nejse se u futa prape tek ideologjia e djathte, por thjesht doja te perforcoja se ne kete lume informacioni e njekohesisht problematikash qe vershojne mbi individin, me teper se programet e goditura shkollore, jane perseri individe te caktuar energjike e me fat qe do perbejne shtresen me eficente te shoqerise.

  8. Dakord në përgjithësi, por problemi është se këto lëndë duken me rëndësi tani, por problemet i hasin ata që i kanë mbaruar shkollat 8-vjeçare me kohë. I bie të jesh si Nostradamusi dhe të parashikosh se çfarë duhet të mësosh tani që do t’u duhet njerëzve mbas 20 vjetësh. Për mendimin tim duhet të mësojnë më shumë rreth informatikës se na mbytën virusët e programe të tjera që përhapen si rezultat i përdoruesve të kompjuterave që s’e vrasin shumë mendjen (ashtu si s’e vras unë për makinën).

    Do thuash ti që mjekësia, ekonomia dhe ligji do jenë të rëndësishme dhe në të ardhmen, por a do jenë po ato dije po aq të vlefshme?

    Më mirë të mësosh studentët se si të vazhdojnë të mësojnë, të kenë një mendje kritiku dhe skeptiku, etj. Unë biles çuditem se si i mban mend tërë ato lëndë që përmende, ndërsa unë s’mbaj mend as ato që kam mësuar para 5 vitesh. Nëse s’më hyjnë në punë, s’i mbaj mend (ndoshta dhe kam fillimin e alzheimer-it), ama di si ta gjej informacionin që më duhet dhe di të jem skeptik atje ku duhet. A jam i përgatitur për nga ana mjekësore, financiare, apo ligjore? Absolutisht jo! Më tepër kam mësuar nga reklamat e lajmet se kam mësuar nga shkolla, megjithatë s’kam ndjerë ndonjë mungesë në këto fusha.

    Dija e njeriut është përhapur aq shumë sa që është e kotë t’i mësosh të rinjve gjithçka. Mësoji se si të mësojnë dhe jepi bazat që u nevojiten për të mësuar. Kaq duhet të bëjë shkolla për mendimin tim.

  9. AC thote: “Më mirë të mësosh studentët se si të vazhdojnë të mësojnë, të kenë një mendje kritiku dhe skeptiku”.

    …dhe keshtu mendoj edhe une.
    Maksima e njohur “kush di shume di pak” vlen posacerisht per debatin ne fjale. Ne te vertete, nese Zoti nuk te ka pajisur me nje inteligjence te dallueshme dhe kujtese fenomenale, “ai qe di shume”, ne te vertete “di shume pak”. Eshte e pamundur te thellohesh ne te gjitha fushat e nevojshme te jetes, te cilat ne vetvete jane shume.

    Xhaxhai tenton ta thjeshtoje sfiden, duke adresuar vec tek ekonomia-ligji dhe mjekesia:)… (a thua se njeriu i zakonshem gjallon ne sfera te tjera, vec tyre!!!).

    Sidoqofte, une po e pranoj per nje cast se keto tre fusha te jetes jane vec tre nga te shumtat (dhe jo shumesia e pothuaj shumices se marredhenieve te perditshme ndernjerezore) dhe po vijoj me ligjin, meqe jam ne zonen time…
    Dhe pyes (veten, por, derisa e bej keshtu hapur, pyes natyrisht edhe lexuesin): deri ne cfare nivelesh duhet/mund te shtrihet edukimi ne menyre qe te plotesoje “mangësitë në edukimin shëndetësor, financiar dhe juridik”? Hyllin permend “uzufruktin” – i cili eshte gjithaq nje leksion i tere, po a e imagjinoni “malin” qe mbetet pas (te cilit kam vite qe i ngjitem me kembe e nuk po ia gjej dot fundin – sepse fund nuk ka). Nje avokat fiton tek detajet, aty ku fshihet djalli, e jo tek njohurite siperfaqsore qe do te marrin femijet shkollave. Detaje, te cilat shpesh edhe nje i diplomuar jurist nuk arrin ti evidentoje paragrafeve te nje kontrate.

    Nisur nga pergatitja qe ka nje i sapodiplomuar i ligjeve – qe le shume per te deshiruar, vecanerisht lidhur me asimilimin e dijes se dhene, mendoj se edhe nje lende e tipit “njohuri fillestare mbi te drejten”, e zhvilluar ne klasat e gjimnazit, nuk do te sillte ndryshim.

    Dhe e fundit (disi malinje, por pa qellim, thjesht realiste): Xha xha, njerezia, ata te zakonshmit, kane ne fund te fundit aq sa meritojne. Njerez si ti dhe te tjere te ngjashem nga cilesite (ku me te tilla nuk kam parasysh posacerisht ato morale) kane ditur te adaptohen dhe fitojne nje jete decente ne kohe, sisteme dhe vende te ndryshme. Te tjere, kane mbetur funksione ekonomike dhe ligjore edhe ne ato vende ku rendi i gjerave ka qene favorizues.
    Ka shume gjase qe Zoti e deshi pa e krijoi keshtu njerzimin, nuk eshte i rastesishem.

  10. Tema e kapur eshte interesante per faktin se prej viteve ’90 jo vetem ne (me origjine Shqiperine), por edhe nga vendet qe i konsiderojme(konsideronim) te avancuara per nga zhvillimi ballafaqohen ne menyre te ngjashme me po ato probleme. Kam degjuar qe biznesmene nga vende jashte Shqiperise (pra kapitaliste) u rrejten dhe futen parate ne piramidat financiare te Shqiperise duke lene edhe breket.
    Ne fakt mangesite ne edukimin e pergjithshme (qe jam i mendimit zakonisht fillon me themel ne shkollen e mesme) qe kemi trasheguar ne, kane baze historike. Ne nje shtet komunist totalitar ti kishe per detyre te mesoje, punoje me zell per partine, ti nuk mund te mesoje ngarjen e automobilit se ste linte njeri te kishe makine, ti smund te merreshe me aksione, me investim paresh se ato i kontrollonte shteti, ti smund te kishe prone qe ta administroje, ti smund te merreshe me juridizem drejtperdrejt, te mesoje avokatí se ato presupozoheshin monopol i shtetit. Une qe kam patur shoqeri te gjere me te shkolluar nga shume fusha te ndrshme asnjehere nuk kisha shok qe te ishte avokat, e as qe degjova qe filani eshte avokat.
    Para 20-30 vitesh kompjuteri i pare quhej commodore dhe USHT-a(universiteti shteteror) ne vitin 80 mori nje cope. Atehere u tha se dikur do te kete cdokush nje te tille ne shtepi.
    Sot perdorimi i kompjuterit, ngarja e makines jane njelloj si dikur ngarja e bicikletes dhe notimi (flas per brezin tim te viteve 60). Sidoqofte aresimi i asaj kohe na mesoi si te kapnim çekiçin, shatin, kazmen, sepaten gje qe femijte tane sot nuk dine nga ta kapin (ne kuptimin e plote te fjales), por nuk mund te pritej qe te mesonim perballim me sfidat e reja me te cilat ndeshemi sot. Ka ardhur me te vertete koha qe te behemi mjeke te vetvetes, se edhe mjeket sot jane blere nga firmat farmaceutike qe te rekomandojne prodhimet etyre, juristet e vertisin klientin si tu doje b…. per te vjele sa me shume.
    Ka ardhur koha te futen lende te reja mesimore si psh:
    – teori e mashtrimit piramidë,
    – teori e mospagimit te taksave,
    – bankat dhe pastrimi i parase,
    – njohuri minimale mjekesore dhe farmaceutike,
    – morali kapitalist postkomunist .

  11. Totalisht dakort qe femijet, por edhe te rriturit, te mesojne bazat e mjeksise dhe te se drejtes. Parimet baze te mjeksise dhe se drejtes nuk mund te demodohen sepse i kane mbijetuar si kohes ashtu edhe hapesires. Kjo pavaresisht nga evolucionet qe mund te kene pesuar shkencat perkatese pergjate aventures njerezore.

    Baza e mjeksise eshte thjesht mirembajta e trupit te njeriut dhe duke qene e tille ka lindur me te. Nderkaq, baza e se drejtes ka lindur me shoqerine sepse ka lindur si domosdoshmeri per te evituar kaosin.

    Sakaq, nuk mund te themi te njejten gje per ekonomine, te pakten ne trajtat qe kjo e fundit ka marre sot. Ekomomia eshte “shkence” shume moderne (lexo: lehte pré e interpretimeve ideologjike) per t’u marre shume seriozisht. Nderkaq, puna ndryshon totalisht kur flasim per bazen e saj, tregtine.

    Nderkaq, lendet qe duhen kthyer me force dhe urgjence ne shkolla jane:

    – Edukata morale dhe qytetare.
    Per sa kohe shteti sekularist nuk i lejon fese rolin predominat ne edukimin moral dhe qytetar te shoqerise, atehere duhet te jete shteti ai qe pricipet e dikurshme fetare te rikuperuara nga morali laik apo ateist i shtetit moden, t’ua mekoje femijeve ne menyre qe shoqerite tona ne mos kthehen ne barbare, siç po rezulton dita-dites te kthehet kjo e jona.

    – Edukata apo ekonomia shtepiake.
    Nuk besoj se teoria e mesiperme therret per argumentim te hollesishem. Majfton te permendet argumenti i Xha Xhait, “ku njerëzit pranuan të merrnin hua bankare subprime, pa e kuptuar se nuk do të ishin kurrë në gjendje t’i shlyenin”, per te kuptuar se eshte ne fakt ekonomia shtepiake ajo qe i pregatit njerezit te dijne te buxhetojne sipas mundesive reale dhe jo sipas deshires apo lakmise qe dikton momenti (lexo; reklama).

    Eshte e patolerueshme qe njerezit te mos dijne me te qepin njej kopse. Siç dhe eshte e papranueshme qe njerezit te mos dijne ç’eshte higjena intime dhe si duhet mirembajtur trupi apo floket. Eshte mungese dinjiteti te kthehesh ne konsumator per gjera kaq bazike sepse ke pranuar varesine si koncept i brendashkruar njerezor; je leshuar ne rastin me te pare.

    Eshte pasuri te dish te qendisesh nje lule apo nje zog mbi te shami mendafshi apo te dish te reastaurosh nje çentro qe ta ka besuar gjyshja ne trashegimi. Qendisja e lemon femren dhe e pregatit ate me durimin per qe asaj do t’i lipset per t’u bere nene. Perpos kesaj, i ushqen asaj stilin dhe sensin e te bukures. Tek e fundit, pse kaq mizore me traditen tone xhanem? Valle na duket vetja me te mire e te mençur se gjyshet e gjysherit tane?

  12. Heeem.

    Shume interesante kjo e fundit Xhaxha.

    Trekendesh telashesh dybrinjeshem. Baza shume e ngushte. Ne kulmin e siperm eshte shendeti. Pune e nderlikuar me te dhe qe lidhet edhe me trashgimine e individit. E vetmja qe behet me te eshte kujdesi per veten dhe ndjekje me durim e nje problemi qe shfaqet. Po ashtu marja e disa opinioneve te ndryshme nga mjeke te ndryshem do bente qe te krijoje nje mendim me te drejte per problemin qe shfaqet.

    Diagnosing not drugging is the whole issue.

    Ndryshe qendron puna me dy kulmet e tjera te cilat jane, fillimisht, edukata familjare dhe marja e nje pervoje duke mesuar shume shpejt nga gabimet e pesuara. Per to mund edhe te diskutosh dhe te maresh opinione nga rrethi i njerzve. Duke qene se per keto te dyja shkruhet shume per problemin qe te ka rene per pjese, po te lexohet me vemendje, gabimet dhe si rrjedhim edhe pasojat, do te zvogeloheshin se tepermi.

    Pa diskutim, do te ishte me shume vlere nese organet arsimore do te perfshinin ndonje lende te vecante ku te flitej per parime baze te ketyre problemeve.

    Tema eshte trajtuar shume bukur dhe me perfitime edhe nga diskutimet e ndryshme.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin