SHQIPJA E DRUNJTE (XI)

Folja jam në ndërtime të emërzuara

Folja jam në ndërtimet e emërzuara shfaqet si efekt anësor i këmbënguljes së folësve për t’i nisur fjalitë me emra prejfoljorë veprimi, duke qenë kjo e fundit veçori dalluese e shqipes së drunjtë.

Le ta ndjekim procesin hap pas hapi:

(1) Çmimet e valutave janë luhatur shumë.

Kjo thënie përshkruan një dukuri të caktuar, ose diçka që u ka ndodhur çmimeve të valutave.

Në një nivel më formal, thënia mund të ndeshet edhe si:

(2) Çmimet e valutave kanë pësuar luhatje të mëdha.

Këtu emri prejfoljor mbetet pjesë e kallëzuesit, duke marrë përsipër peshën kuptimore-leksikore; ndërsa çmimet e valutave vazhdon të jetë tema e fjalisë, ose lënda rreth së cilës po flitet.

Drunjëzimi fillon kur duam ta nisim thënien me togfjalëshin: luhatjet e çmimeve të valutave. Për ta mbyllur një fjali të tillë, jemi të detyruar t’i kërkojmë ndihmë një foljeje që, në thelb, nuk është fare folje – këpujës jam:

(3) Luhatjet e çmimeve të valutave… kanë qenë të mëdha.

Përkundrazi, emërzimi mund të pranohet madje si i detyrueshëm, në qoftë se thënien fillestare (“çmimet e valutave janë luhatur shumë”), duam ta tematizojmë, ose ta përdorim si temë të një thënieje të re:

(4) Luhatjet e mëdha të çmimeve të valutave… i kanë çrregulluar (kanë sjellë çrregullime në) tregjet financiare.

Thënia (4) ende nuk tregon ndonjë shenjë të dukshme drunjëzimi, por prania e emrit prejfoljor në pozicion nistor (tematik) gjithnjë fton për të përdorur këpujën, që këtej:

(4) Luhatjet e mëdha të çmimeve të valutave… kanë qenë shkaku i çrregullimeve (të sotme) në tregjet financiare/janë veçoria kryesore e tregjeve financiare të valutës gjatë këtyre muajve të fundit/janë problemi kryesor me të cilin do të ndeshet Guvernatori i ri i Bankës së Investimeve.

Disa shembuj të tjerë që mund të trajtohen në këtë rubrikë:

Qëllimi i statistikave të Jurisprudencës ka qenë dhe është që të sigurojë të dhëna në fushën e Jurisprudencës.
Statistikat e Jurisprudencës
kanë synuar dhe synojnë të sigurojnë të dhëna në fushën e Jurisprudencës.

Shkaku i përplasjes mes tyre ka qenë një udhëtim i Kullurit në Angli.
U përplasën për shkak të një udhëtimi të Kullurit në Angli.

Përkufizimet

Përkufizimet vlejnë në fjalorët, në artikujt shkencorë dhe tekstet shkollore, por përndryshe e rëndojnë ligjërimin dhe mund të thjeshtohen, pikërisht duke mënjanuar këpujën është:

ADSL është një teknologji që lejon transmetim të dhënash me shpejtësi të lartë aksesi.
Teknologjia ADSL lejon transmetim të dhënash me shpejtësi të lartë aksesi.

Ndërmjetësimi kulturor është një profesion që synon të lehtësojë marëdhëniet midis vëndasve dhe ‎qytetarëve të huaj.
(Profesioni i) Ndërmjetësimi(t) kulturor synon të lehtësojë marëdhëniet midis vëndasve dhe ‎qytetarëve të huaj.

“Mourn Their Death” është projekti që ka për qëllim sensibilizimin e njerëzve në lidhje me dhunën që ushtrohet në mbarë botën.
Projekti “Mourn Their Death”
ka për qëllim sensibilizimin e njerëzve në lidhje me dhunën që ushtrohet në mbarë botën.

Ndërtime ku folja është mund të zëvendësohet me foljen ka

Mekanizmi i këtij zëvendësimi mund të ndiqet në shembujt vijues:

Qëllimi kryesor i organizimit në komunitet, është të ndihmojë njerëzit të identifikojnë nevojat sociale.
Organizimi në komunitet ka si qëllim kryesor të ndihmojë njerëzit të identifikojnë nevojat sociale.

Që një projekt apo program të jetë vërtet efektiv duhet që të sigurojë pjesëmarrjen e komunitetit dhe kjo arrihet vetëm nëpërmjet punës në terren.
Që një projekt apo program të ketë (japë) vërtet efekt, duhet që të sigurojë pjesëmarrjen e komunitetit dhe kjo arrihet vetëm nëpërmjet punës në terren.

Banka botërore ka qenë fajtore në krizën e ushqimeve.
Banka botërore
ka pasur faj në krizën e ushqimeve.

Objektivi i kësaj iniciative është të ndihmojë kompanitë shqiptare.
Kjo iniciativë ka si objektiv të ndihmojë kompanitë shqiptare.

Identifikime

Shpesh folja jam përdoret për t’i atribuar dikujt një cilësi, të përhershme ose të përkohshme. Shqipja vërtet nuk e ka përkulshmërinë e spanjishtes, që përdor në këto kontekste dy folje të ndryshme, ser dhe estar; por gjithnjë ekziston mundësia që folja jam të zëvendësohet nga një folje tjetër, kuptimisht më e pasur:

Këtë e trashëgon nga babai i saj që ka qenë mësues gjuhe dhe letërsie.
Këtë e trashëgon nga babai i saj që
ka punuar si mësues gjuhe dhe letërsie.

Dyqani i familjes Gokaj në lagjen “Rus” ka qenë si qëndër takimesh për ilegalët dhe militantët e lirisë.
Dyqani i familjes Gokaj në lagjen “Rus”
ka shërbyer/funksionuar si qëndër takimesh për ilegalët dhe militantët e lirisë.
Ilegalët dhe militantët e lirisë e kanë përdorur dyqanin e familjes Gokaj në lagjen “Rus” si qendër takimesh.

Në viset e veriut Shurdhi ka qenë demon i rëndësishëm.
Në viset e veriut Shurdhi
njihej si/mbahej si demon i rëndësishëm.

Ndërtimet me përemra dëftorë dhe pyetës

Shpesh këto ndërtime përmbajnë tepëri, dhe togfjalëshat kjo është, ky është, etj., mund të zëvendësohen, duke e riformuluar thënien:

Kjo është një e vërtetë që nuk mund ta mohojë askush.
Këtë të vërtetë nuk mund ta mohojë askush.

Shumë herë gjatë jetës tuaj jeni pyetur se cili është roli juaj unik në këtë botë.
Shumë herë gjatë jetës tuaj jeni pyetur se çfarë roli unik keni në këtë botë.

Cili ka qenë përkthimi letrar që ju ka lënë më shumë mbresa?
Cili përkthimi letrar ju ka lënë më shumë mbresa?

Sa e vështirë ka qenë për ju…
Sa të vështirë e keni pasur…

Ndërtime të nxjerrjes në pah:

Këto ndërtime kanë hyrë së voni nga gjuhët neolatine dhe mund të mënjanohen lehtë:

Por nuk ka qenë vetëm Sinani që është shprehur kundër Dizdarit.
Kundër Dizdarit nuk është shprehur vetëm Sinani.

Në të vërtetë dalja e veprave nga Galeria Kombëtare e Arteve është një histori që ka nisur që nga vitet ’80-të.
Në të vërtetë, historia e daljes së veprave nga Galeria Kombëtare e Arteve ka nisur që nga vitet ’80-të.

Ndërtime me përemra lidhorë

Ndërtimet e tipit: që + është + mbiemër prejfoljor shpesh përmbajnë tepëri mund të thjeshtohen duke i mënjanuar krejt dy elementet e para (që + jam):

Kështu, nëse qeveria do të aplikojë taksën e sheshtë atëherë çdo biznes që është i klasifikuar si i madh do të paguajë 10%.
Kështu, nëse qeveria do të aplikojë taksën e sheshtë atëherë çdo biznes i klasifikuar si i madh, do të paguajë 10%.

Disa autorë, që i përkasin rrymës së semantikës së përgjithshme (general semantics), mendojnë se folja jam mund të mënjanohet krejt nga anglishtja, me përjashtim të atyre rasteve kur përdoret si folje ndihmëse (me pësoret), ose në kontekste filozofike. Anglishtja e çliruar nga folja jam quhet e-prime; dhe ekzistojnë tekste të tëra të shkruara ashtu. Unë kam eksperimentuar me e-prime edhe në këtë blog, dhe askush nuk e ka vënë re; sepse gjithnjë kjo pseudofolje mund të zëvendësohet me një folje tjetër, madje edhe në kontekstet më elementare. Sipas entuziastëve të e-prime, në vend që të themi qielli është i kaltër, mund të themi qielli ka ngjyrë të kaltër, qielli më duket i kaltër, ose qielli kaltëron; madje versioni i dytë e shpreh më mirë konceptin dhe ndihmon për të shmangur disa gabime logjike elementare. Nga përvoja ime, mund të them se kur i kam mënjanuar të gjitha instancat e foljes jam në një tekst, teksti vetëm ka përfituar në qartësi, shprehësi dhe zhdërvjelltësi. Provojeni dhe ju ndonjëherë – si gjimnastikë gjuhësore.

3 Komente

  1. Ku e ke qypin e te hollave?

    Po me aktivizohet ajo zone e pergjumur dhe ne etje pikerisht per sa trajton ne kete seri temash.

    flm!

  2. Me e-prime apo me a-prime, në e paçim lexuar atë tekst (na e thoni ku) dhe nuk na është vrarë syri, d.m.th. mund të kemi ndjerë diçka por çfarë – jo, është në dobi të tekstit. Mirë që nuk e shpalle para se ta bëje, sepse syrin e lexuesit do ta ktheje automatikisht në syrin e kritikut.
    Tani, mbi një prej atyre që vë re:
    Përdorimi i sinonimeve – mund ta titulloni nëse e trajtoni.
    Shkas marr nga “askush”.

    Ju shpreheni këtu: Unë kam eksperimentuar me e-prime edhe në këtë blog, dhe askush nuk e ka vënë re.
    Gjetiu në blog:
    Po kush shkruan sot poezi me vargje të matura, të rregullta?
    Vërtet, askush.

    Sinonime: askush – asnjëri- asnjeri – askurrkush – asndonjë – asnjëfarë

    Them se përdorimi i saktë e do që të marrim në konsideratë prejardhjen e fjalëve, ç’tregojnë ato që në rrënjë, të veçantën që dallon secilën, përdorimin e tyre parësor. Sinonimet duhen përdorur:

    – Kush jeton në Mars?
    – Askush.

    – Kush abstenoi?
    – Asnjëri.

    – Kush ishte?
    – Asnjeri.
    – Po kush trokiti atëhere?
    – Qeni i fqinjit.

    – Kush guxon ti thotë Xha2 se gabon?
    – Askurrkush! Asnjëfarë CD-i, asndonjë (tjetër).

    I kthehem fjalive tuaja. Them se në rastin e parë duhet të përdornit “asnjëri” në vend të “askush” sepse ju i drejtoheni vizitorëve të këtushëm e jo milionave të shqiptarëve. Në rastin e dytë, e keni përdorur drejt, sipas asaj që keni dashur të thoshit dhe kontekstit.

    Sipas të njëjtës llogjike, mund të shpjegohen: kur duhet të përdorim – çfarë (duhet të përdorim).
    Nëse them:
    Bëjeni këtë.
    Si do ti përgjigjeshit saktë:
    1. Mbase
    2. Mundet
    3. Ndoshta
    Për mua:
    “mbase” kur është brenda mundësive tuaja dhe ju keni në duar gjëra të tjera, ju e shtyni në kohë; e vini mbas atyre që po bëni.
    “mundet” kur dyshohet o mbi mundësinë e bërjes, o mbi vlerën e të bërës.
    “ndoshta” kur bërja i lihet rastësisë, ndërhyrjes nga jashte që mund të ndodhë.
    Nga tre përgjigjet, “ndoshta” ka një hap larg mohimin.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin