FJALE TE URTA 9

 

Shekulli boton sot një kumtesë të Hans-Joachim Lanksch, mbajtur në Tubimin e 3-të Kulturor-Shkencor Shqiptaro-Gjerman “Kongesi i Manastirit: sfidë mes traditës dhe risisë në kulturën e shkrimit shqip”, në Universitetin e Mynihut.

Lanksch, që e prezanton veten si “qytetar i thjeshtë që punon me gjuhën shqipe”, prej kohësh merret me përkthime nga shqipja duke i kushtuar vëmendje të veçantë letërsisë në gegërishte, prandaj mendimet e tij për çështjen e raporteve të standardit me variantet letrare dhe me dialektin geg kanë interes të madh, meqë vijnë nga një intelektual që nuk e fsheh se është “dashamirës i madh i gegnishtes”.

Autori ndalet në debatin rreth mënyrave të gjallërimit të gegërishtes dhe rishikimit të politikave gjuhësore ndaj shqipes, duke parashtruar disa kërkesa për të gjithë ata që mbeten të përfshirë në këtë debat.

Thotë Lanksch:

Diskutimi për gegnishten dhe standardishten e sotme duhet liberalizue, duhet me i dhanë fund monopolizimit të këtij kuvendimi nga ana e disa gjuhëtarëve që e mbrojnë standardishten e Kongresit të Drejtshkrimit dhe orvaten me uzurpue çdo diskutim për këtê çâshtje, ku përjashtohen sidomos shkrimtarët, ata pra që e përdorin dhe e krijojnë gjuhën.
Gjuhën e Dantes dhe Petrarkës s’e kanë krijue gramatikanët, por Danteja dhe Petrarka. Me fjalë të tjera: nuk ban që për problemet e këndimit operistik të monologizojnë profesorët e kantos tue ua kyçë gojën kangëtarëve.

Mendim i drejtë, edhe pse mua nuk më duket që gjuhëtarëve ithtarë të standardit t’u ketë mbetur shumë frymë, motivim dhe energji për t’i mbrojtur pikëpamjet e tyre. As më duket se janë përjashtuar shkrimtarët nga ky diskutim. Prandaj nuk e kuptoj se për çfarë e ka fjalën pikërisht Lanksch. Ndoshta kërkon që shkrimtarët të mos përjashtohen nga forumet e gjuhëtarëve? Po nëse është ashtu, a nuk do të ishte e udhës që edhe gjuhëtarët të mos përjashtoheshin nga forumet e shkrimtarëve? Se vërtet gjuhën e Dantes dhe të Petrarkës “s’e kanë krijue gramatikanët”, por gramatikanët e kanë kodifikuar dhe e kanë përpunuar në mënyrë që ajo të shndërrohej në gjuhë të përshtatshme jo vetëm për tercina dhe sonete, por edhe për të kryer të gjitha funksionet e tjera që i kërkohen standardit, sidomos në një shoqëri moderne si ajo italiania.

Vazhdon autori:

Duhet me i dhanë fund diskriminimit të gegnishtes letrare si “dialekt”. Asht e vërtetë që ekzistojnë të folmet gege me nëndialektet, nën-nëndialektet dhe nën-nën-nëndialektet etj. të tyne, por asht e vërtetë edhe se autorë si Migjeni a At Anton Harapi kanë shkrue nji gegnishte letrare edhe pse ajo s’ka kenë e standardizueme.

Përsëri mendim shumë i drejtë e që nuk kuptohet mirë, as nga mbrojtësit e standardit as nga partizanët e gjallërimit të gegërishtes. Gegërishtja letrare vërtet mbështetet mbi dialektin geg, por si kod i përket një niveli tjetër, ku gjuha lëvrohet nga autorët dhe normëzohet me shkrim – në kuptimin që ka pasur një normë të gegërishtes veriperëndimore (katolike) dhe një normë të gegërishtes qendrore-jugore (elbasanishtja) dhe një normë të gegërishtes veriperëndimore (kosovarishtja), edhe pse këto kanë pasur dhe kanë dallime të rëndësishme mes tyre. Shumë mbrojtës të standardit, që nuk arrijnë të dallojnë midis dialektit dhe variantit letrar, e njëjtësojnë gegërishten letrare me gjuhën e rrugës, ose zhargonin që përdoret ndonjëherë në forumet online (gegërishtja jugore e Tiranës në forume me shqiptarë Shqipërie dhe gegërishtja verilindore në forume me shqiptarë Kosove). Nga ana tjetër, shumë ithtarë të gegërishtes kujtojnë se janë përnjimend në gjendje ta shkruajnë atë variant letrar vetëm e vetëm sepse janë vetë gegë, edhe pse gegërishtja letrare për t’u shkruar drejt duhet studiuar si çdo gjuhë tjetër.

Vazhdon Lanksch:

Diskutimi për gegnishten dhe gjuhën zyrtare letrare duhet shlirue prej vështrimeve jashtëgjuhësore. Gjuha nuk mund t’i nënshtrohet nji qasje ideologjike, sidomos jo nji qasje politike. Dihet që në djepin e gjuhës së dekretueme prej Kongresit të Drejtshkrimit qëndronin pikëpamje kryekëput politike që s’kishin me bâ asgjâ me çâshtjen e gjuhës. 

Përsëri mendim shumë me vend, që meriton të analizohet nga të dy krahët e debatit. Nëse dje standardi u mbështet me argumente ideologjike, sot disa kundërshtarë të standardit duan ta rrëzojnë me argumente njëlloj ideologjike, si “gjuhë të komunizmit”.

Përsëri Lanksch:

Poashtu, debati për gegnishten dhe standardishten duhet shlirue prej emocionesh dhe frazave bombastike e patetike. Gegnishtja duhet të çmitologjizohet dhe standardi duhet të demistifikohet. Ithtarët e gegnishtes duhet me u dhanë lamtumirën shprehjeve si “gegnishtja e shêjtë”, “lahuta ilire këndonte gegnisht” etj.

Edhe unë kam menduar gjithnjë kështu – mistika që shoqëron ndonjëherë ligjërimin e ithtarëve të gegërishtes sidomos veriperëndimore më është dukur e shtirur, në mos e rreme; më tepër orvatje për të manipuluar emocionet e turmës, sesa bindje e tillë që mund të sjellë rezultate praktike. Prandaj e gjykoj me vlerë të paçmuar opinionin e Lanksch-it për këtë çështje, sepse askush nuk mund ta akuzojë Lanksch-in se po luan lojën e toskëve, ose të “komunistëve”. Nevojat kulturore të gegëve dhe mënyrat si do të ringjallet gegërishtja letrare nuk kanë të bëjnë me profka lahutash dhe ilirësh; dhe ishte vërtet koha që dikush ta shpallte këtë hapur… Këtu është për t’u shtuar edhe miti i “pasurive të humbura” të gegërishtes, ose i fjalëve që janë lënë “qëllimisht” jashtë; çështje kjo që e kam trajtuar gjetiu në këtë blog. 

Nga ana tjetër, vëren Lanksch:

Avokatët e standardit duhen me u distancue prej shtrembnimeve faktesh. Disa mbrojtës të gjuhës së sotme zyrtare shqipe pretendojnë se gjuha e Kongresit të 72-ës na ishte nji si arritje aspiratash shekullore të popullit shqiptar për nji gjuhë të përbashkët letrare.

Në të vërtetë, disa prej mbrojtësve të standardit të shqipes janë kapur pas fijes së barit të Kongresit Drejtshkrimor të 72-shit sepse i tremben kaosit ose nuk duan t’i hapin vetes punë, duke rishikuar një kod të cilin e kanë hartuar vetë; ndërsa disa të tjerë tremben nga arroganca dhe injoranca e shumë partizanëve të “rikthimit geg”, të cilët me pasionin e tyre të rrëmbyer i kanë polarizuar debatet pa nevojë; për të mos përmendur pastaj tribunën partikulariste që mban në këmbë Migjen Kelmendi tek “Java”, si flamur të provincializmit kulturor kosovar.  

Shpjegon Lanksch:

Siç dihet mirë dhe shpesh harrohet me gjithë qejf, orvatjet dhe aspiratat e shqiptarëve për nji gjuhë të përbashkët letrare rezultonin në vendimet konsensuale të Komisisë Letrare të Shkodrës, në gegnishten jugore elbasanase. Elbasanishtja qe nji idiomë e gjallë, që mund të përdorej pa telashe të mëdha si prej tosknishtfolësve ashtu dhe prej gegnishtfolësve. 
Elbasanishtja si normë e shqipes nuk funksiononte në të gjitha nivelet. Nji pjesë të fajit për këtê kanë edhe shkrimtarë të njohun që e injoronin modelin e elbasanishtes, ndër ta edhe At Gjergj Fishta, përndryshe anëtar i Komisisë Letrare të Shkodrës, i cili me kryeneçësi prej gegit vazhdonte me shkrue nji gegnishte veriperëndimore.

Fjalë ari, Lanksch! Ka shumë të ngjarë që varianti letrar i gegërishtes së Elbasanit me kohë do të ishte shndërruar në një shqipe më të plotë e më përfshirëse se kjo që flasim sot, por kjo perspektivë edhe logjike edhe historike u sabotua nga të dy krahët – jo vetëm nga toskët, por edhe nga vetë gegët e koinesë katolike të Shkodrës, të cilët kishin peshë të jashtëzakonshme kulturore jo vetëm për arealin geg, por për krejt trojet shqipfolëse.

Vazhdon autori:

Përdorimi i standardit duhet liberalizue. Romancieri, poeti dhe publicisti Dr. Agron Tufa asht ankue disa herë në media shqiptare që redaktorët ia ndalojnë dhe shlyejnë edhe mâ të voglin devijim nga standardi. Kjo praktikë e mumifikon gjuhën dhe pengon çdo zgjanim dhe zhvillim, madje dhe frymëmarrjen e organizmit të gjallë që e quejmë gjuhë.

Agron Tufa qenka autor i privilegjiuar: meqë cili autor në Shqipëri e gëzon akoma luksin e pamendueshëm të redaktorit? Unë jam i bindur se disa prej librave që botohen në Shqipëri, sidomos krijimet letrare, nuk lexohen nga askush përveç autorit vetë – madje edhe pasi kanë dalë në treg. Megjithatë, unë shoh kudo në mediat shkrime të botuara në gegërishte; dhe nga ana tjetër e kuptoj se disa gazeta ose shtëpi botuese kanë të drejtë të refuzojnë botimin e teksteve që nuk janë shkruar në gjuhën standard.

Vëren Lanksch:

Standardi nuk duhet fosilizue. Dihet se në bashkëpunim ndërakademik janë krijue komisione të ndryshme të “Këshillit Ndërakademik për Gjuhën Shqipe” për shikimin dhe rishikimin e shqipes standarde. Lutja ndaj anëtarëve të Këshillit e ndaj të gjithë të tjerëve që merren me rishikimin e standardit asht – mos me u kënaqë me retushime të vogla, mos me u marrë me arnime, por me përmirësime e kurime të vërteta. 
Retushimet vetëm e vazhdojnë petrifikimin e standardit. Për t’iu shmangë diglosisë duhet me marrë para sysh edhe realitetin gjuhësor të shqipes në të shkruemit e të folunit, ku mundem me veçue sidomos, fjala vjen, çâshtjen e paskajores e cila përdoret prej dy të tretave të viseve shqipfolëse.

Unë vetë kam propozuar prej kohësh që Këshilli Ndërakademik duhet të hapë një faqe të posaçme në Internet, diçka si tip forumi ose blogu kolektiv, për të tërhequr mendimin e specialistëve dhe autorëve në lidhje me cilat forma të standardit duhet të lirohen pak, për t’u lejuar dysorët. Për shembull, mund të lejohet të përdoret pjesorja e shkurtër e foljeve me temë në bashkëtingëllore: pasur/pasë, hapur/hapë, lidhur/lidhë; ose të mos shkruhet më ë-ja në disa fjalë ku praktikisht nuk shqiptohet më; ose të shtrihet përdorimi i apostrofit etj. Dysorët i lejojnë gjuhë edhe më të konsoliduara se shqipja, si p.sh. italishtja (gioco/giuoco; debbo/devo), spanjishtja (krejt e pakryera e lidhores është e dyzuar), gjermanishtja. E mira e dysorëve është se të dy format e një fjale ose të një trajte gramatikore do të mund të përdoren lirisht, dhe me kohë mund të shihet se cila pikërisht preferohet prej përdoruesve. Nëse pjesoret e shkurtra të foljeve me temë bashkëtingëllore pranohen nga përdoruesit, atëherë mund t’i hapet rruga edhe paskajores gege: me pasë, me hapë, me lidhë; e cila tani për tani nuk shartohet dot në sistemin e standardit për arsye të pajtueshmërisë gramatikore dhe fonetike.

Vazhdon Lanksch:

Disa fjalë për statusin quo. Në Kosovë de facto ekziston gjendja e diglosisë. Përveç kësaj, kur orvaten me e përdorë standardin, shumica dërrmuese e popullatës atê nuk e zotnojnë. Në Shqipni, nji pjesë e mirë e toskëve e përdorin tosknishten në vend të standardit, gjâ që mund të vërehet mjaft mirë në radio e televizion, përderisa nji pjesë e mirë e gegëve nuk e zotnuekan mâ plotësisht gegnishten dhe përdorin nji mish-mash gego-standardisht.

Unë besoj se gjendja e mjeruar e përdorimit të shqipes standard në Kosovë nuk ka aq të bëjë me paaftësinë e kosovarëve për të mësuar një variant të shqipes të mbështetur në toskërishten, sesa me nivelin e ulët të mësimit të shqipes në shkollat e atjeshme, i cili u dëmtua edhe më gjatë viteve 1980-2000, kur riprodhimi i kulturës shqiptare në Kosovë u rrezikua për shkak të politikave shtypëse të Beogradit. Përndryshe është fyese për vetë kosovarët të thuash se këta nuk e mësojnë dot standardin. Si nuk e mësokan dot kosovarët standardin? Njerëzit mësojnë pa asnjë problem gjuhë të huaja, me struktura gramatikore krejt të ndryshme nga ajo e gjuhës së tyre amtare; veçanërisht fëmijët në shkollë. Unë besoj se kosovarët nuk po e mësojnë mirë standardin sepse mësuesit e tyre nuk e kanë mësuar mirë standardin. Aty ka shkëputje të vijueshmërisë, e cila kompensohet pastaj me profka populiste.

Lanksch rrëfen pastaj se ka biseduar me shumë autorë gegë në Shqipëri, për të mësuar se çfarë i pengon ata pikërisht në përdorimin e variantit letrar geg. Sipas tij, nga këto anketa del se:

[G]egët e Shqipnisë janë rritë e rriten me standardishten dhe janë mësue me tê. Mungesa e nji norme gjuhësore të gegnishtes së sotme e vështirëson mâ têj përdorimin e nji gegnishte letrare.

Thotë pastaj autori:

Sa i përket gegnishtes – çka me bâ? Linguocidi që e ndërmori sistemi komunist ndaj gegnishtes asht ireversibël. Tash për tash, krijimi i nji norme të përbashkët gege duket me kenë iluzion, sidomos për shkak të bajraktarizmit të njohun notor, por edhe në mungesë të strukturave të nevojshme organizative, administrative e shkencore.

Natyrisht. Një tjetër e vërtetë e tipit “mbreti lakuriq”… Pa përmendur të gjithë ata që ende shpresojnë se një ditë gegërishtja letrare do të imponohet si forma standard e shqipes (sepse më “e bukur”, ose më “e pasur”, ose më “e vjetër”, ose më “e pastër”, ose më “autentike”, ose më “patriotike”, ose me më shumë folës se toskërishtja), shumë intelektualë gegë dëshirojnë ta shohin gegërishten letrare së paku të rehabilituar dhe në të njëjtin nivel funksional përdorimi si edhe standardin, por gegërishten letrare të tyren, jo të atyre të tjerëve. Këta nuk kanë ndryshuar shumë, në krahasim me ata të tjerët që dje refuzuan ta përqafojnë elbasanishten letrare, dhe me këta të tjerët sot, që kërkojnë të standardizojnë një formë të tretë të gegërishtes, atë verilindoren. Mua kjo më kujton një histori me Nastradinin, që kur e pyetën se ku ishte qendra e dynjasë, e nguli bastunin para këmbëve dhe tha “këtu është”; sikurse më kujton edhe një dobësi themelore të kulturës gege historikisht – pazotësinë për të gjetur platforma të përbashkëta, ose “bajraktarizmin”, siç e quan Lanksch.

Porosit Lanksch:

Duhet me i dhanë fund demonizimit të gegnishtes si element antikombëtar, anmik i popullit shqiptar, armë e përçarësve të kombit shqiptar etj.

Patjetër, por unë sinqerisht nuk kujtoj dot asnjë instancë pas 1990-ës ku gegërishtja të jetë demonizuar si element antikombëtar. Çfarë të ketë pasur parasysh Lanksch këtu?

Botimi dhe distribuimi i librit në gegnishte duhet me u bâ edhe në jug të Shkodrës e Lezhës.

Për fat të keq, botimi dhe distribuimi i librit në gegërishte bëhet në pajtim me kërkesat e tregut. Do të ishte e mrekullueshme sikur poeti që shkruan në gegërishte të lexohej edhe në Delvinë ose Leskovik, por në qoftë se kjo nuk ndodh, asnjë botues nuk do të rrezikonte që t’i shpinte librat atje. Madje mungesa e lexuesit është arsye kryesore që botuesit druhen të marrin përsipër botime në forma gjuhësore jostandard. Prandaj do të ishte e nevojshme, për mendimin tim, që gegërishtja letrare, e shkrimtarëve të mëdhenj gegë të letërsisë shqipe, të studiohej në shkolla të mesme anembanë vendit. Ashtu ndoshta do të përgatitej edhe lexuesi i ardhshëm i Fishtës dhe i Camajt në Tepelenë, në Qeparo ose në Bilisht.

Përfundon Lanksch:

Sa i përket standardit – statusi ante quo sot nuk mundet me u vendosë, nuk mundet me u rivendosë norma e elbasanishtes. Gjuha e sotme zyrtare letrare duhet me u lirue nga korseja e nji standardi të ngurosun. Duhet lejue zhvillimi organik i gjuhës, ku standardi i bazuem mbi tosknishten ka me u shkrî me elemente gege. Kultivimi i gegnishtes letrare dhe liberalizimi i standardit nuk duen me thanë dhe nuk synojnë divergjencën por konvergjencën e natyrshme të idiomave shqipe.

Për fat të keq, Tiranës duket sikur i mungojnë institucionet me autoritetin e nevojshëm për t’u marrë me këto punë; dhe mllefi poetik i Tufës dhe të tjerëve përbën një arsye më tepër për të qenë të kujdesshëm. Me Lanksch-in, edhe unë besoj se standardin do ta zhvillojnë shkrimtarët, por ndryshe nga Lanksch-i, unë kujtoj se ndryshimet në standard gjithnjë do t’i kodifikojnë gjuhëtarët; dhe se këta të fundit po i mungojnë debatit publik edhe më shumë se shkrimtarët vetë.

Unë kam shpresuar, dhe vijoj të shpresoj, se trysnitë për ndryshim ndaj standardit nuk do të mbeten në nivelin e fonetikës, morfologjisë dhe leksikut, por do të ngrihen një nivel më lart, për t’ia lejuar gjeografisë së shqipes të shprehet në nivelin stilistik, retorik dhe poetik; ose në formën e brendshme të ligjërimit shqip. Këtë natyrisht mund ta bëjnë vetëm shkrimtarët; por që ta bëjnë këtë, shkrimtarët duhet të shkruajnë vepra të cilat të priten mirë nga lexuesi. Përndryshe, kjo puna e Kongresit të vitit 1972 do të përfundojë si tabelat e qitjes që përdornim dikur në zbore, me fytyrat e Brezhnjevit dhe të Reaganit.

9 comments

  1. “edhe pse gegërishtja letrare për t’u shkruar drejt duhet studiuar si çdo gjuhë tjetër.”

    Hmm, si e përkufizon “drejt” kur nuk ka një standard të gëgërishtes? Ma ha mendja se ke parasysh gjuhën e shkrimtarëve por përse duhet vlerësuar më shumë ajo gjuhë se gjuha e përdorur nga ata që e flasin ndryshe. Po s’pate standard si mund ta quash një të shkruajtur të drejtë dhe një jo të drejtë?

    “Njerëzit mësojnë pa asnjë problem gjuhë të huaja, me struktura gramatikore krejt të ndryshme nga ajo e gjuhës së tyre amtare; veçanërisht fëmijët në shkollë.”

    Gjuha e huaj, mjaft e ndryshme nga gjuha amë, mësohet më kollaj pasi i mban kollaj në mend dy versionet. Kur ke dy versione shumë të ngjashme është më kollaj t’i ngatërrosh, sidomos kur s’i dëgjon gjithmonë veçan. Unë them se është më e vështirë të mësosh një dialekt pranë gjuhë tënde se një gjuhë të huaj (të paktën në nivel të plotë jo me fjalë tek tuk).

    • AC shkruan:

      si e përkufizon “drejt” kur nuk ka një standard të gëgërishtes? Ma ha mendja se ke parasysh gjuhën e shkrimtarëve por përse duhet vlerësuar më shumë ajo gjuhë se gjuha e përdorur nga ata që e flasin ndryshe. Po s’pate standard si mund ta quash një të shkruajtur të drejtë dhe një jo të drejtë?

      AC, mendoj se në shkollat e Shqipërisë duhet studiuar varianti veriperëndimor i gegërishtes – i përdorur nga shkrimtarët katolikë. Ka traditë të pasur që nga Buzuku deri te Camaj, shkrimtarë të mëdhenj në sens absolut jo vetëm brenda caqeve të koinesë dhe në përgjithësi zë vend madhor në kulturën tonë. Gjithashtu ka ekzistuar një standard drejtshkrimor brenda koinesë katolike. Studimi gjuhësor i autorëve si Fishta dhe Koliqi do të lehtësojë pastaj edhe qasjen ndaj Camajt. Ashtu shqiptarët do të njihen me një letërsi me vlera artistike dhe kulturore të jashtëzakonshme, por jo vetëm aq; sepse studimi i atij varianti letrar do të bëjë të mundur ndërveprimin me standardin në nivel letrar.

    • AC shkruan:

      Gjuha e huaj, mjaft e ndryshme nga gjuha amë, mësohet më kollaj pasi i mban kollaj në mend dy versionet. Kur ke dy versione shumë të ngjashme është më kollaj t’i ngatërrosh, sidomos kur s’i dëgjon gjithmonë veçan. Unë them se është më e vështirë të mësosh një dialekt pranë gjuhë tënde se një gjuhë të huaj (të paktën në nivel të plotë jo me fjalë tek tuk).

      AC, kam frikë se kjo që thua ti nuk qëndron.
      Për shembull, në Itali edhe milanezët edhe napolitanët përballen me italishten standard, por vetëm në Napoli dëgjon për rezistencë ndaj standardit, vështirësi në përshtatje etj., ndërsa në Milano jo. Mua më duket se rezistenca dialektore ndaj standardit ka të bëjë me shkallën e integrimit të popullsisë në procese kulturore që shkojnë nga periferia drejt qendrës dhe anasjelltas.
      Në Napoli deri edhe funksionarë të lartë të shtetit e kanë të vështirë të flasin standardin; në Milano jo, sikurse gjetiu në Italinë e Veriut. Megjithatë, kam përshtypjen se distanca e standardit nga këto dy dialekte është thelbësisht e njëjtë. Përkundrazi, ka ndryshime të mëdha në marrëdhëniet me qendrën dhe konceptin e qytetarisë.

  2. Vitin e kaluar, kur gjendësha në Tiranë, u ndala tek një librari-kioskë-llamarine përballë Parlamentit. Hyrja ishte e lirë, por zgjedhja e librave që doja të blija, aspak e thjeshtë. E komplikuar jashtë mase se shitësja, një vajzë simpatike aty rreth të tridhejtave, nuk “ia kishte dëgjuar (ndoshta) veshi për autorin” që kërkoja: Ernest Koliqin. Pas disa gërmimesh në atë lëmsh librash, më drejtoi me krenarinë e një njeriu që ka gjetur ai i pari thesarin, librin e vetëm që gjendej në atë librari plot e përplot me libra. “Hija e maleve” ishte libri, novela nga Ernest Koliqi.
    Pse ndodh kështu? Në Shqipëri akoma mungon një sistem librarish që publiku të përballet vetë me autorët nëpër sirtarët e librarisë dhe jo të gjendet në librari me një banak përpara, kjo është një çështje kohe dhe mentaliteti do të thonë disa, të tjerë do të thonë se akoma s’ka treg për librin që të lulëzojnë librari të mirëfillta. Por këto mungesa mund të lëndojnë dhe disa autorë që janë jo shumë të ekspozuar dhe të kërkuar. Librat që menjëherë më ranë në sy sapo vura këmbën në librarinë që mora si shembull, ishin disa tituj nga autorë që s’i kisha dëgjuar ndonjëherë. Autorët e huaj ishin ekspozuar më me kujdes, kurse ato të “vëndit” ishin lënë nëpër disa rafte pingul me tokën që vetëm cepi i librit shihej. Kjo tregon se libri në Shqipëri është një skllav i tregut dhe ai ka vështirësi ta takojë publikun sepse mungon infrastruktura.
    Pra, duke mos patur nevojë të shkojmë në Leskovik apo Konispol që të blejmë një libër të Koliqit apo Fishtës, edhe në kryeqytet nganjëherë nuk është e lehtë të gjesh autorë gegë, sepse siç edhe e thashë, ata ekspozohen keq dhe nuk kanë shumë interes për njerëzit që duan të lexojnë.

  3. Nje gje eshte e qarte. Gjuha eshte baza e nje kombi. Dialektet jane dekor i saj. Ato nuk perjashtojne njera-tjetren, perkundrazi jana nje e tere. Kesisoj ajo mund te zhvillohet ne te gjitha drejtimet. E gjitha i nenshtrohet ligjeve te “tregut” ne kuptimin e lirise te te shprehurit! Ketu hyjne ne loje njerezit e letrave! Koha eshte e verteta e paktheyshme. Kuptohet me heret te qenurit e gjuhes zyretare….

  4. Nuk me pelqen aspak teoria se gjuhen duhet ta krijojne shkrimtaret meqe kemi shembuj, si Dante e Petrarka.
    Italishtja ka 27,7 dialekte keshtu qe ka nevoje per gjuhen e Dantes, por nuk mund ta marrim si shembull per nje gjuhe qe ka 2 dialekte.
    Shkrimtaret mund te persosin pjese te caktuara dhe me rendesi anesore por nuk mund ti lejojne vetes te futen ne thelbin e gjuhes. Rregullat duhet ti bejne gjuhetaret, duke i qendruar sa me besnike gjuhes se folur.

    Problemi kryesor ne njehsimin e gjuhes eshte pikerisht mosekzistenca e nje gjuhe te njehsuar para dialekteve. Te gjitha gjuhet e njehsuara qe njohim vijne nga nje dialekt, italishtja nga toskanishtja, frengjishtja nga dialekti i Ile de France etj.

    Ne te gjitha rastet ‘thuhet se’ apo ‘pranohet se’ ka ekzistuar nje gjuhe nga jane shkeputur dialektet, por vetem kaq, se nuk ka ndonje prove. Latinishtja e famshme vulgare eshte nje koncept i ndertuar per lehtesim, po nuk ka pase kurrfare latinishtje vulgare, ka pasur shume dialekte te latinishtes te cilat dhane shume dialekte ,shpesh te lidhura me njera- tjetren e keshtu u formua gjuha.
    Psh provencalja ka shume me teper lidhje me katalancen sesa me gjuhen e Ile de France, por provencalja njihet si dialekt francez ndersa katalancja si spanjoll ose me sakte gjuhe me vete.
    Gjuha e njehsuar eshte perhere kompromis nderdialektor, kurre nje realitet i dikurshem qe rikthehet ne jete fale mekanizmave gjuhesore.

    Ne kete kendveshtrim, shqipja ka perparesi, meqe prodhohet nga dy dialekte. Nese dy dialektet do vinin nga nje shqipe e njehsuar atehere me perpjekje do arrihej ne nje forme te kenaqshme, por ja qe nuk eshte keshtu. As mund te pretendohet dot se nje dialekt eshte me i vjeter se tjetri apo se eshte me i pasur apo i qendron me mire shqipes se vjeter.
    Nje gje mund te behet, meqe dialektet kane vetine te shkeputen heret a vone prej njeri-tjetrit; mund te behen kompromise per ndalimin e zhvillimeve qe ndajne.

    Nje shembull mund te jete fjala toske mesonjes e gegerishtja mesu’e’s.
    Prapashtesa es-ès eshte tipike per te dy dialektet ne fjaleformim.
    Mesonjes vjen nga folja ‘mesonj’ (mesoj) meqe toskerishtja e perdor shume ‘nj’, nderkaq Mesues vjen nga pjesorja ‘mesu’. Mesonjes ka kuptimin ‘ai qe me(te) meson’ ndersa Mesues , ‘ai qe me(te) ben me mesu’.

    Te dyja fomat jane te persosura secila ne logjiken e vete, njera nga folja e tjetra nga pjesorja, por per hir te moszhvillimit te pjeseve qe ndajne duhet marre nje forme , e ne kete rast eshte zgjedhur gegerishtja, por dihet qe ne shumicen e rasteve eshte zgjedhur toskerishtja.

    Te mbrosh katrahuren e 1972 eshte si te qellosh jo vetem mbi gegerishten por mbi vete mundesine e kompromisit gjuhesor.
    Nga ana tjeter mund te gjenden shembuj sesi forma jo vetem dialektore por nendialektore/krahinore zene vend ne shqipen e shkruar , shembulli me i qarte forma ‘vella’.

    Ne gegerisht ka vlla, ne pjesen me te madhe te toskerise ne te folur eshte vlla e ka tek tuk si labet (qe vdesin per e me dy pika) qe gjithsesi jo perhere i thone ‘vella’.

    Pervec kesaj, forma ‘vl’ apo ‘vll’ qendron shkelqyeshem ne shqip, si vloj,vlleh,Vllasi, vlere etj, pra nuk ka ndonje problem ne shqiptim qe te duhet ndihma e ‘è’-se.
    Forma antike e vlla sipas gjithe gjasave ka qene ‘bra’ , pra perseri nuk ke nga ta kapesh.
    E megjithate ne te gjithe duhet ta shkruajme vella, sepse keshtu i desh qejfi dikujt .

    Nuk besoj se shqipja e shkruar eshte ne formen perfundimtare, perkundrazi, sa me shume do shkohet drejt bashkimit kombetar e zbulimeve ne fonetiken historike aq me e veshtire do jete te mbulohet dielli me shoshe.

  5. Mbas propozimit të Austrisë, një rezolute të Konferencës të Përgjithshme të UNESCO-s që daton 20 tetor 2005, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara shpalli më 16 Maj 2007 vitin 2008 si Viti Ndërkombëtar i Gjuhëve. 100- vjetori i Kongresit të Manastirit, shkruar kështu në pullën përkujtuese mbi një zarf që më ka mbritur, aktivitetet e kryera për këtë ngjarje të madhe sinkronizuan orën tonë me pulsin e botës ose pulsin tonë me orën e botës. Në kohën para e gjatë aktiviteteve lexoja dhe për mërzinë e disave se këto aktivitete po i organizonte qeveria e Maqedonisë, që nënkupton maqedonasit, dhe jo qeveria e Tiranës. Botës i duhen dy vjet të bëhet gati, të kujtohesh dy muaj para, … nxito të gjesh ftesë.
    2008 është njëkohësisht Viti i Mahmudit të Kashgarit, Mahmud ibn Hussayn ibn Muhammad al-Kashgari, një gjuhëtar që e njëjta botë i përkujton 1000-vjetorin e lindjes, sepse ai studjoi dialektet turke e shkroi fjalorin e gjuhëve turke Dīwānu l-Luġat al-Turk në 1072.
    Kombinimi i natyrshëm që bota bën midis: trajtimit të shumëllojshmërisë gjuhësore, vendosjes së barazisë mes gjuhëve zyrtare brenda UNESCO-s, respektit për të gjitha gjuhët, nën moton “Gjuhët kanë rëndësi!” dhe përkujtimit të një gjuhëtari dialektesh, duket se nuk ndodh tek ne.
    Nën lustrën festive, dallon se aktivitetet tona, shkuan kundër rrymës. Në to festohet alfabeti i përbashkët, unifikimi, dhe bëhet shumë, shumë mirë, por … ku flitet për dialektet e shqipes? Ku asht gegnishtja në vitin që UNESCO-ja i ka kushtu dhe asaj? Nuk mund të them askund, por ato janë dromca, para një konference, sa për shembull.
    Duke ditur këto, nuk u çudita as me organizatorët e përvjetorit të Kongresit të Manastirit, as me kumtesën e Lankshit në tërësi. Sa kam për të thënë (sqarime e pyetje) për mendimet e tij dhe tuajat, në vijim…

  6. Përfitoj nga liberalizmi, jo aq nga ai për të cilin flet Lanksh se sa ai që mundëson Xha Xhai & co. në këtë blog, për të thënë mendimin tim, përftuar prej të parit nga pozicione të ndryshme.
    Mjafton të shkruajnë dhe shkrimtarët janë epiqëndra e diskutimit. Zef Pllumbi me “Rrno për me tregue” ka mbajtur diskutimin më të mirë për çështjen. Nëse shkrimtarëve të tjerë nuk ju konsiderohen diskutimet, faji duhet kërkuar tek diskutimet. S’ka kuptim të thuash që disa gjuhëtarë orvaten të uzurpojnë diskutimin kur një rresht më lart kërkon ti jepet fund monoploizimit. Në diskutimi është i uzurpuar a monopolizuar, ai nuk është më diskutim.
    Por ndërsa Lanksh shkruan për diskutimin, ju Xha Xhai kaloni tek forumet. Diskutimi mund të mbahet edhe brenda forumeve edhe jashtë tyre, mbi forumet. Këtu, vlen të kujtohet se tradicionalisht gjuhëtarët kanë pasur Institut, shkrimtarët lidhje; pavarsisht goditjeve të njërës apo tjetrës palë, gjuhëtarët janë më pranë mbrojtjes që kushtetuta i jep gjuhës dhe kanë një Këshill Ndërakademik (a ka në të shkrimtarë që s’janë gjuhëtarë?). Vetëm në nivelin bazë të shkollave të vendit gjuhëtari me shkrimtarin janë të barabartë si mësues: njëri i gjuhës, tjetri i letërsisë; por mos harroni përçmimin ndaj shkrimtarit mediokër, gjuhëtar mediokër s’ka. Shkrimtari është zog në qiell, gjuhëtari në fole.
    Çdo personi që dëshiron të hyjë në lidhjen (forumin) e shkrimtarëve i kërkohet të paraqesë librin që ka shkruar, të paguajë kuotën dhe …u bë! Kur gjuhëtari nuk hyn nuk ka si të përjashtohet. Ndërsa hyrja e çdo shkrimtari tek instituti (forumi) i gjuhëtarëve, bëhet vetëm nëpërmjet asaj që ai shkruan. Është ajo që ai shkruan që përjashtohet. Mos, po kështu, shkrimtarët përjashtojnë ato që shkruajnë gjuhëtarët? Deri në një farë mase. Gjuhëtarët pranohen për aq sa secili shkrimtar ka nxënë nga mësimi i gjuhës, dhe për sa ndihmë jep redaktori, korektori. Por gjuhëtari përjashtohet që sekondën që shkrimtari rebelon, eksperimenton, evokon, etj., por ky përjashtim i tillë, kjo përmbysje e sofrës së drekës, sjell shtrimin e sofrës së darkës. Gjuhëtari duke mos provuar sofrën e darkës reagon emocionalisht; bën mirë a keq?
    Një përmbysje e tillë është gjuha e Dantes e Petrarkës. Ajo që harron Lankshi, i shfajsuar se flet si qytetar i thjeshtë, gjendet në rreshtat e Dantes:
    Se s’asht një punë që i dilet lehtë m’atë anë
    T’përshkruhet si asht fundi i dynjasë,
    S’mjafton një gjuhë që thrret veç “babë e nanë”; .
    Ferri, fundi i dynjasë, të cilit Dantja i doli m’atë anë duke e përshkruar, është në vetvete letërsi. E pra, që ti dalësh letërsisë m’atë anë, ndërsa dihet prej të gjithëve që s’asht punë e lehtë duhet ditur dhe se s’mjafton një gjuhë që thrret veç “babë e nanë”. Gegërishtja e shkrimtarëve të sotëm të veriut nuk është e mjaftueshme. Asnjë prej tyre nuk ka në vepër të paktën sasi sa Kadareja, thellësi si Pllumbi dhe bujë si Blushi i ri, parakushte që vepra e tyre të imponohet në diskutimin e gjuhës dhe kushte, jo të vetmet, që botimi dhe shpërndarja e librave në gegërishte të bëhet edhe në jug të Shkodrës e Lezhës. Këtu Lanksh flet nga padija, keqinformimi, ose dëshira për të mos fyer; dy të parat mund ti kishte shmangur me një pyetsor ndër botues siç e bëri ndër shkrimtarë, apo me ndihmën ndërmjetëse të shifrave që qarkullojnë. Në Korçë kam blerë për vit libra në gegërishte, jo vetëm për vete; Prrallat Kombëtare i kam zgjedhur në gegërishte para gjithë asaj larushie prrallore që kanë kopertinat e librave për fëmijë. Një kopja ime në tirazhin 500-kopje (besoj në ndershmërinë franceskane) duket pak por është shumë, po të shtosh se shpërndarja bëhet në pako me nga 20 libra, se Shqipëria ka dhjetë qytete që blejnë si Korça, e një kryeqytet që mund të blejë sa këta të dhjetë. Zbriti nga tirazhi këto dhe kopjet e promovimit, dhe Shkodra e Lezha dalin po si qytetet e tjera të jugut. E treta ndër ato që Lanksh nuk thotë (por e tregonjnë tirazhet) është se shqiptarët e sotëm për mospërputhje karakteri kanë bërë divorc me librin. Këtë e kanë bërë 80% e kosovarëve të anketuar (pa cituar dot Baton H. tek Tema), shifër që edhe ta marrësh të paqënë, ta përgjysmosh, po e shtrive ndër trojet shqiptare i mbulon terri. Masa e lexuesve nuk ekziston, jo për arsye dialekti, por për mosarsye; shkruaje librin në çfarë të duash, askush nuk çan kaptinë (as kokë as krye) për të, … po nuk i çave kaptinën me të!
    Të drejta pohimet tuaja për zhvillimin e standartit prej shkrimtarëve dhe kodifikimin e ndryshimeve prej gjuhëtarëve, por ju duhet të merrni në konsideratë disa faktorë me peshë. I pari, ndryshe nga koha e Dantes, është media. Tërmetit të saj nuk i qëndron dot asnjë tempull. I dyti, njësoj si në kohën e Dantes janë njerëzit, italianët/ shqiptarët. Tjetër gjë që ndryshon nga ajo kohë është përmbysja dhe nisja prej fillimit. Derisa shumica janë në një mendje që nuk ka nisje nga fillimi, për fat të keq as Dante, dalin pyetjet:
    Cilat do të jenë rrugët që do ti lejojnë shkrimtarët të zhvillojnë standartin?
    A do ta nisin shkrimtarët, gjuhëtarët, apo të dy palët njëkohësisht dhe si?
    A do ta pranojë shqiptari këtë?
    Pyetjen e parë e nxjerr prej përvojës, ballafaqimit me lexuesin. Lexuesi, me aftësi të kërkojë në internet, i interesuar për letërsi, nuk më lexon dot, ose më lexon por nuk më kupton, ai gabon që në titull. Ti shpjegosh atij se “Kur dritat ikin nga Tirana” është ndryshe nga “Kur dritat elektrike fiken/shuhen në Tiranë”, është si të shikosh herbariumin në vend që të vizitosh kopshtin botanik, ta këputësh letërsinë me dorën tënde. Këtu më del pyetja e dytë. Ndryshimin nga/në unë e gjeta gati prej gjuhëtarëve dhe ja përcolla lexuesit. U gjenda si postieri që çon letrën në aksh adresë dhe i zoti i shtëpisë i përplas derën: “Nuk ka njeri me këtë mbiemër këtu.” A mund ti thotë postieri të zotit të shtëpisë, “hej zotëri, ky është mbiemri i vajzërisë së gruas tuaj!” Kurrë! Lexuesit e mbas tij masës së lexuesve, popullit, i duhet shumë kohë dhe shpjegime të thithë prurjen e kodifikuar. Si do ta bëjë populli gjuhë të tijën, gjuhën e shkrimtarëve sipas kodeve të gjuhëtarëve apo gjuhën e gjuhëtarëve sipas kodeve të shkrimtarëve, zor të thuhet, por librat që priten mirë s’mjaftojnë.

Komentet janë mbyllur.