GARANCI PREJ VESESH

Para pak ditësh, në një fjalim në Parlament, kryeministri shqiptar Sali Berisha i kërcënoi haptazi kundërshtarët e vet se, po të vazhdonin sulmet politike ndaj tij në lidhje me çështjen Fazlliç, do të detyrohej të kundërpërgjigjej duke bërë publike disa video, regjistrime ose materiale të tjera komprometuese për protagonistët e kësaj fushate sulmesh.

Këtu nuk ka asgjë për t’u habitur, madje vetë lajmi nuk ia vlen të përmendet si lajm, sa kohë që dihet se shantazhi është shndërruar prej kohësh në një monedhë të preferuar shkëmbimesh midis forcave politike në Shqipëri.

Që shantazhi të mund të funksionojë si sinjal paqeje dhe bashkëpunimi midis kundërshtarëve, duhet që secila palë e përfshirë në këtë përqafim djallëzor të ketë diçka kundër tjetrës – një regjistrim telefonik, një deklaratë të dikurshme, një krim të padenoncuar, prova të një skandali seksual ose pornografik, një llogari bankare të fshehtë.

Vetë shteti i së drejtës, në atë masë që ekziston në letër, përdoret për si instrument për të përftuar presion. Këtë e vërente me të drejtë, para disa javësh, Blendi Kajsiu në një artikull për korrupsionin, ku argumentonte sesi aktualiteti i luftës ndaj korrupsionit shërben, në thelb, për të energjizuar vasalitetin dhe besnikërinë e zyrtarëve të korruptuar.

Shkruante atëherë Kajsiu (theksimi është imi):

Në politikë, media apo ekonomi bashkëpunimi mes palëve, përveç interesit personal sigurohet nga shkelja e përbashkët e një norme apo parimi të caktuar publik apo ligjor. Veçanërisht në sistemin politik është ky “partneritet në krim” që i mban palët bashkë. Në këtë aspekt deklarata e Berishës në vitin 1992 “bashkëfajtor dhe bashkëvuajtës” më shumë sesa të kaluarës i drejtohej të ardhmes. Sot potencialisht dhe aktualisht çdokush ka kryer një shkelje. Por nëse individi është fajtor ose jo, nuk përcaktohet nga shkelja konkrete, por nga pozicioni social apo politik ku ai ose ajo ndodhet. Sa më e madhe shkelja, aq më i madh edhe luajaliteti ndaj grupit, klanit apo partisë politike që e strehon individin për shkeljen e ligjit apo të moralit publik. Prandaj sistemi ynë politik ka nevojë për individ me “njolla”. Nëse në këtë sistem futen si padashur individë “të pastër”, siç ishte rasti i KOP-istave, ata shumë shpejt “njollosen”, ose nëpërmjet shkeljeve ligjore që kanë qenë të detyruar t’i bëjnë për arsye politike, ose duke mbajtur qëndrime politike që bien ndesh me normat minimale të moralit publik. Janë pikërisht “njollat” që garantojnë solidaritetin dhe luajalitetin politik. Pra, perversiteti i sistemit tonë politik është se ai ka njëkohësisht nevojë për një moral publik, por edhe për shkeljen e tij. Por që të shkelet morali publik duhet të ekzistojë. Prandaj në skenën publike vazhdojmë të flasim për luftën kundër korrupsionit, për drejtësinë, për demokracinë, për interesin publik, edhe pse e dimë shumë mirë që pakkush i merr këto parime seriozisht në realitet. Ato tashmë tingëllojnë më shumë si parullat komuniste dje, çka shpjegon formalitetin, boshllëkun dhe hipokrizinë e debatit tonë publik. Të gjithë, politikanë, analistë, gazetarë, flasin për parimet dhe moralin e demokracisë të ndërgjegjshëm se askush nuk i dëgjon. E megjithatë ata duhet të vazhdojnë të flasin, pasi në mënyrë formale morali publik duhet mbajtur gjallë, përndryshe sistemi i bashkëfajësisë dhe luajaliteti që ai prodhon shkërmoqen.

Secila palë ndërluftuese ka mjetet e veta për ta forcuar dhe përsosur mekanizmin e shantazhit. Gazeta “Tirana Observer” njoftonte sot se në Shqipëri, gjatë nëntë muajve të para të vitit 2008, janë përgjuar 7600 vetë – çka përbën një rritje prej gati 2 herë në krahasim me vitin 2007.

Artikulli në fjalë përmban edhe të dhëna të një natyre mirëfilli teknike, për të qetësuar kureshtarët:

Burime nga Ministria e Brendshme dhe prokuroria bënë të ditur se, në rastet kur telefoni vihet në “spiunim” nuk ka asnjë lloj zhurme të tillë dhe asnjë lloj interference, dhe në asnjë moment nuk mund ta kuptosh se çfarë po ndodh. Një aparaturë speciale që quhet “MRF1” arrin të përgjojë të gjitha bisedat dhe nuk pranon asnjë interferencë. Ajo vendoset me urdhër të prokurorisë, ku një prokuror ose një oficer i Policisë Gjyqësore i drejtohet kompanive të telefonisë fikse apo celulare që të lejojë përgjimet. Natyrisht veprim ky që kryhet pasi të jetë marrë një vendim në gjykatë.

Është për t’u përshëndetur fakti që përgjimi i një bisede telefonike nuk ndikon negativisht në cilësinë e bisedës. Tek e fundit, kontrata që kanë të përgjuarit me shoqëritë telefonike parakupton cilësi optimale të transmetimit të sinjalit, në vartësi të kushteve rrethanore, atmosferike dhe teknike të linjave dhe/ose të antenave.

Gjithsesi, të dhënat e mësipërme u referohen vetëm përgjimeve të autorizuara nga Prokuroria, të cilat logjikisht janë maja e ajsbergut e një procesi përgjues të përgjithshëm, i cili i prek të gjitha strukturat e pushtetit politik dhe ekonomik. Gjithnjë logjikisht, ato rezultate përgjimesh që e gjejnë rrugën deri në sallë të gjyqit janë vetëm maja e ajsbergut e rezultateve të tjera, të cilat përfundojnë në dosjet e shantazhit.

Papritur, na kumbon veshëve përsëri avazi i vjetër i folklorik i argumentit të dosjeve, ndaj të cilit publiku i mediave tashmë është desensibilizuar, për shkak të ekspozimeve të përsëritura. Debatit të pashtershëm dhe moralizues në mediat për hapjen e dosjeve të periudhës totalitare ndoshta i duhet shtuar, për kontrapunkt, debati tjetër ndoshta njëlloj i frytshëm për mbylljen e dosjeve të periudhës post-totalitare. Nëse ndodh kjo, atëherë mund edhe të arrihet në përfundimin se është fjala për të njëjtën shenjë papjekurie të shtetit ligjor, ose të paqytetërimit të shoqërisë shqiptare, që ia lejon vetes dhunime të tilla të integritetit dhe privatësisë së individit. Ose, për ta thënë ndryshe, nëse sistemi në Shqipëri vërtet detyrohet të mos respektojë privatësinë e individit në emër të ruajtjes së rendit, ndoshta kjo provon se kushtetuta e republikës nuk i përgjigjet realitetit në terren, por ëndrrave dhe dëshirave oportuniste të elitave politike.

Nga ana tjetër, gjatë periudhës së Luftës së Ftohtë, thuhej se bashkekzistenca midis dy superfuqive i detyrohej të ashtuquajturit MAD (Mutually Assured Destruction, ose Shkatërrim Ndërsjelltazi i Sigurt), sikurse thuhej se armatimi bërthamor ishte garancia e vetme e paqes. Një doktrinë e ngjashme duket se i rregullon marrëdhëniet midis superfuqive në pirgun e plehut shqiptar, e cila rrallë e tek shprehet nëpërmjet deklaratash si ajo e Berishës më lart, por zakonisht materializohet në një rrjet vetosh të ndërsjellta.

 

3 Komente

  1. Çlirimi prej komunistëve dhe vendosja e demokracisë duket se, më tepër se për të fituar atë liri të ndrydhur, qënkërka bërë për t’i dhënë liri aftësisë për t’u treguar më dinak, finok, i zgjuar për të përfituar sa më tepër dhe kjo nën moton: “qëllimi justifikon mjetet”.
    Dua që ti heq kënaqësinë komentuesit të mëpasshëm, që patjetër do thotë: “Është rrjedhojë e edukimit dhe mentalitetit të komunistëve dhe të mënyrave që ata përdornin”, dhe pasi t’ju djeg këtë përgjigje standart doja t’ju kujtoja se, ndërrimi u bë pikërisht për të mos bërë si komunistët.
    Nëse do vazhdohet me metodat e “lashta”, atëhere ku qëndron ndryshimi???

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin