KONTRAPUNKTI NË KULTURË

Si ta ruajmë kulturën shqiptare nga kërcënimi që i vjen prej globalizimit kulturor dhe super-mediave?

Lajmet që vijnë përditë nga Shqipëria dhe trojet e tjera shqiptare në Ballkan janë shpesh dëshpëruese – libri nuk shitet mirë, autorët mbeten të panjohur, televizioni detyrohet t’u falet reality shows dhe të tjerave karagjozllëqe, gazetat merren me skandalistikë dhe kultivojnë celebrities, teatrot mbeten të zbrazëta, filmat shqiptarë shfaqen vetëm në festivale ndërkombëtare, muzikantët shpesh të kalibrit u bien qemaneve në dasma…

Duket sikur produktet kulturore kombëtare nuk i bëjnë dot ballë konkurrencës prej produkteve të kulturës pop, të cilat po e pushtojnë tregun e publikut shqiptar me po aq lehtësi sa edhe tregje të tjera, ndoshta edhe më të konsoliduara si yni.

Kultura nuk njeh mëshirë

Në fakt, produktet e kulturës pop janë rezultat i një procesi të rreptë përzgjedhës, i cili ka lejuar të mbijetojnë vetëm llojet më agresive dhe më ngashënjyese. Sipas një logjike thjesht evolutive, produktet që rrezatohen nga vatrat globale të trash-it kulturor e kanë të sigurt fitoren, përballë produkteve të kulturave kombëtare, si ajo e jona.

Kjo nuk lidhet aq me cilësinë as me aftësinë për t’i folur publikut; por vetëm me aftësitë e produktit pop për të tërhequr vëmendjen dhe për t’iu bashkëlidhur një stili të jetuari i cili i kapërcen kufijtë e konsumit thjesht kulturor.

Si duhet reaguar përballë kësaj trysnie?

Modeli purist

Reagimi instinktiv i një sistemi çfarëdo përballë një kërcënimi ekzistencial është mbyllja, tërheqja, karantina, barrikadimi, groposja. Deri më sot, këtë recetë e gjen të përsëritur në arsyetimet e të gjithë atyre që shqetësohen për fatet e kulturës kombëtare shqiptare përballë trysnisë globalizuese. Ky është një qëndrim në thelb purist, i cili kërkon ta shpëtojë kulturën kombëtare duke e mbajtur të pastër.

Hyjnë shumë fjalë të huaja në gjuhë? Le t’i zëvendësojmë me fjalë të bukura shqipe. Njerëzit pëlqejnë muzikën e huaj? Le të promovojmë muzikën tonë. Njerëzit dalldisen pas filmave të Holliwood-it? Le ta propagandojmë filmin shqiptar më mirë, dhe t’u japim më shumë fonde regjisorëve… e kështu me radhë.

Nuk kam ndërmend ta analizoj gjatë purizmin këtu, por po mjaftohem vetëm të vërej se nuk mund të funksionojë; meqë kultura shqiptare është tepër e dobët për t’u ballafaquar drejtpërdrejt me produktet globale dhe konteksti shqiptar është vetvetiu i hapur ndaj gjithfarë ndikimesh, depërtimesh dhe “infektimesh”. Për më tepër, gjysmë shekulli totalitarizëm e ka diskredituar krejt autoritetin moral të censurimit.

Modeli elitist

Një reagim tjetër, alternativ ndaj purizmit, do të ishte elitizmi – në kushtet kur trysnisë që vjen nga jashtë nuk i përgjigjemi dot, atëherë le ta ruajmë kulturën kombëtare në “manastiret”, ose në rrethe elitare ku produkti kombëtar të mund të qarkullojë i parrezikuar nga kultura pop.

Kësisoj, publiku do të lihej madje braktisej në mëshirë të produkteve globale, ndërsa elita kulturore do të konsumonte dhe riprodhonte produktet kombëtare; në kuptimin që masa do të lexonte Dan Brown ose Danielle Steel, ndërsa elita Kasem Trebeshinën dhe Martin Camajn.

Elitizmi funksionon, meqë elitat kanë gjithnjë më shumë kohë të lirë, mjete financiare dhe talentet e duhura për ta ruajtur dhe riprodhuar kulturën. Vetë kultura jonë kombëtare, në trajtat që e njohim sot, lindi në krye si kulturë elitare, për t’u masivizuar vetëm në rrethanat disi të jashtëzakonshme, dhe gjithsesi autarkike, të periudhës totalitare.

Çështja është se elitat e sotme në Shqipëri nuk e kanë predisponimin moral dhe shpirtëror për t’u shndërruar në depozitare të kulturës kombëtare. Përkundrazi, janë globalizuar më shpejt dhe më gjerësisht se publiku poshtë; dhe zotimet e tyre patriotike ose pozat e tyre kombëtariste që i ndesh kudo, sidomos në mediat, nuk duhen ngatërruar me përkushtimin ndaj kulturës kombëtare.

Rruga e tretë

Përveç purizmit dhe elitizmit, ka edhe një rrugë të tretë, të cilën do ta parashtroj në mënyrë shumë skematike këtu më poshtë, dhe që mund të quhet, tentativisht, rruga e përvetësimit.

Zakonisht konkurrencën midis produkteve kulturore (ose memeve) e interpretojmë në mënyrë darviniane – mbijetojnë ato produkte që arrijnë t’ua zënë vendin të tjerëve në komunikim, në qarkullimin e vlerave, ose në vëmendjen e publikut. Për shembull, një roman i Anton Pashkut nuk ka asnjë shans përballë “Kodit Da Vinçi” të Dan Brown-it, për nga numri i librave të shitur. Shanset që një lexues MP3 çfarëdo në Tiranë të ketë një këngë të 50 Cents janë shumë më të larta (tepër shumë më të larta) që të ketë një këngë të Tefta Tashko-Koços, e kështu me radhë. Po ashtu, një program televiziv për arkitekturën e Pragës nuk konkurron dot, për nga numri i spektatorëve, me “Kafazin” në kanalin tjetër. Natyrisht, që kultura të mbijetojë nuk mjafton vetëm të prodhohet; duhet edhe të konsumohet – dhe në shembujt e mësipërm konsumi i një produkti, virtualisht, e përjashton konsumin e produktit alternativ.

Megjithatë, modeli i mësipërm i komunikimit midis dy produkteve konkurrente nuk është i vetmi. Nuk është e thënë që mbijetesa e njërit produkt të shoqërohet me zhdukjen e tjetrit nga qarkullimi. Edhe nga pikëpamja evolutive, lufta për ekzistencë jo gjithnjë shpie në eliminimin e specieve që i humbin betejat për hapësira, burime ushqimi dhe kushte për t’u riprodhuar. Në rrethana të caktuara, rezultat i kësaj lufte mund të jetë simbioza.

Ç’na mëson kontrapunkti

Një shembull tjetër, këtë herë nga muzika, mund ta ilustrojë idenë edhe më mirë: kontrapunkti. Me përkufizim, kontrapunkti është marrëdhënia midis dy ose më shumë zërave (ose melodive) të pavarura në formë dhe në ritëm, por të ndërvarura në harmoni. Meloditë që përftojnë kontrapunktin janë të ndryshme nga njëra-tjetra dhe mund të dëgjohen veçmas, por tingëllojnë bukur sidomos kur luhen njëkohësisht.

Çështja është nëse mund të arrihet diçka e ngjashme me kontrapunktin edhe në fusha të tjera të shkëmbimit kulturor, që nuk kanë lidhje me muzikën? A mund të përftohen mesazhe kulturore të tilla që të bartin njëkohësisht edhe tiparet globale të imponuara nga tregu, edhe tiparet kombëtare të imponuara nga vullneti ynë për të mos e lejuar kulturën shqiptare të zhduket nga qarkullimi?

Unë besoj se kjo mund të arrihet.

Shembuj nga letërsia

Në vitet 1960 u botua në Tiranë përkthimi i “Iliadës” së Homerit prej Gjon Shllakut, në gegërishte, një vepër që duhet konsideruar si monumentale për kulturën shqiptare. Çka arriti Gjon Shllaku me atë përkthim, ishte një simbiozë e epopesë homerike, në krejt madhështinë e saj, me frymën e Ciklit tonë të Kreshnikëve – me figuracionin, tropet, retorikën, tonin gjuhësor dhe të tjera karakteristika të bartura në tekstin e përkthimit. Dy “melodi” letrare u bashkuan kështu në kontrapunkt, aq sa ai version i “Iliadës” menjëherë u bë pjesë e trashëgimisë kulturore shqiptare. Nuk mund të thuhet e njëjta gjë, gjithsesi, për versionin në shqipen e njësuar të së njëjtës poemë, të cilin përkthyesi e përgatiti më vonë; sepse atje kontrapunkti nuk dallohej më.

Në letërsi efekti kontrapunktal arrihet duke e manipuluar gjuhën në nivele më të larta se gramatika, ose përtej caqeve formale të fjalisë. Për shembull, në veprat e shkrimtarëve të sotëm gegë që shkruajnë në standard gegërishtja përcillet jo në format fonetike ose gramatikore (hundorëzimi, paskajorja me punue etj.), por në nivele tekstuale. Ose për ta thjeshtuar shembullin edhe më: një fjali si shumë po shndrit ai diell e pak po nxeh e bart me vete kulturën malësore gege përtej drejtshkrimit.

Shembuj nga muzika

Në muzikë i njëjti efekt mund të arrihej duke e përpunuar materialin burimor shqiptar për t’ua përshtatur formave globale; por jo nën diktatin e nevojës vulgare për t’ua replikuar efektet, siç bën, bie fjala, muzika turbo-folk ose të tjera shartime mekanike. Gjithnjë kam ëndërruar për një jazz të mirëfilltë shqiptar, të mbështetur në fakturat ritmike aq të pasura të muzikës popullore shqiptare dhe në mundësitë e hapura për improvizim; duke pasur në mendje produkte të tilla si “Thimar”, i Dave Holland, John Surman dhe Anouar Brahem; ose “Charms of the Night Sky” i Dave Douglas. Kompozitorët e muzikës filmike gjatë viteve 1970-1980 i eksploruan këto shtigje jashtëzakonisht pjellore; por vepra e tyre tashmë ka mbetur pezull midis harresës dhe përdorimit në sfond.

Refuzimi elitist

Kjo lloj zgjidhjeje, me përshtatje ose kontrapunkt, zakonisht nuk pranohet prej puristëve; edhe pse shpesh alternativa nuk mund të jetë veçse kapitullimi përballë një forme më e zonja për të mbijetuar. Këtu s’e kam fjalën vetëm për përballjet midis kulturave kombëtare dhe kulturës globale pop, por për komunikimin kulturor në përgjithësi.

Bie fjala, në muzikën klasike, ka një rrymë elitiste muzikantësh të cilët këmbëngulin se pjesët duhen luajtur me instrumente të epokës kur janë shkruar; p.sh. pjesët e Bach-ut për klavicembal duhen luajtur me klavicembal dhe rrudhin buzët kur i dëgjojnë të luajtura me piano, ose edhe më keq, të tejshkruara për instrumente të tjera, si kitara.

Në anën tjetër të spektrit, qëndrojnë të gjithë ata që i marrin pjesët muzikore dhe i shndërrojnë në zile telefonash ose në lojëra të tjera për fëmijë; ose marrin një koncert të Vivaldit dhe e luajnë si për disko e të tjera transformime të ngjashme.

Përshtatje të suksesshme

Kufiri këtu nuk mund të vendoset nga lart, është çështje shijesh. Megjithatë, tejshkrimet dhe transpozimet i kanë afruar shumë njerëz me kulturën klasike – p.sh. një nga librat e mi më të preferuar, kur isha fëmijë, ishte një ritregim i thjeshtë i “Odiseut” të Homerit; pa përmendur pastaj “Tregimet e moçme shqiptare” të Mitrush Kutelit, ose ritregimet e pjesëve teatrale të Shekspirit nga Charles dhe Merry Lamb. Pa përshtatjen e “Milosaos” në shqipen e sotme nga Dh. Shuteriqi, De Rada nuk do të kishte luajtur atë rol që luajti në zhvillimin e poezisë moderne shqipe, as do ta kishim shijuar dot në origjinal. Unë sot e kësaj dite sonatat dhe partitat e Bach-ut për violonçel të pashoqëruar preferoj t’i dëgjoj në versionin e tejshkruar për kitarë. Njëlloj, sonatat për klavicembal të Scarlatti-t do të kishin mbetur të panjohura për publikun, sikur të mos ishin botuar tani së fundi në versionet për piano, nga Naxos.

Ia vlen?

Natyrisht, efekti kontrapunktal në kulturë është po aq delikat për t’u arritur sa edhe kontrapunkti në muzikë; kërkon nuhatje, talent, frymëzim dhe njohje – çka artistëve tanë dhe të gjithë prodhuesve të kulturës nuk duhet t’u mungojë.

Ka nga ata që do të pyesin, ndoshta jo në publik por gjithsesi vetmevete, nëse ia vlen mundimi; ose nëse vërtet duhet të lodhemi e të sakrifikojmë që të mbijetojë e të riprodhohet kultura kombëtare, në qoftë se publiku është kaq i gatshëm të përqafojë globalen, duke e reduktuar kombëtaren në pak simbole dhe monumente sterile (Naimi, Fishta, Mic Sokoli, Ismail Qemali, Muji dhe Halili, Doruntina, Skënderbeu). A nuk do të ishte vallë elitiste vetë kjo përpjekje për të mbajtur gjallë, artificialisht, një sistem vlerash të perënduara?

Përgjigjja është se ia vlen; dhe se përpjekja mund të jetë vërtet elitiste, por rezultatet nuk është e thënë të mbeten të tilla. Kultura kombëtare duhet ruajtur, mbrojtur dhe riprodhuar jo sepse është kombëtare ose e jona, por sepse e meriton, për nga vlerat unike dhe të papërsëritshme që ka në vetvete, dhe për nga vlerat e tjera që mund dhe që duhet të shprehë, ose që asnjë kulturë tjetër nuk mund t’i shprehë aq mirë në vetvete, dhe për publikun shqiptar në veçanti.

11 Komente

  1. Kultura nuk duhet kuptuar/menduar si produkt, pamvaresisht se perdoret si produkt i sukseseshem.

    Sa rrethana krijohen po aq drejtime-fizionomi kultura merr, eshte si frymemarrja, s’ka kufij fryma nga ato qe kane gjuhet-shtetet, por fizionomi qe karakterizon karakteristika te kultures.

    Rreziku i kultures eshte se s’njeh kufij, por njeh veten, ashtu si cdo individ, kudo qe ta cosh apo gjesh.

    Xha Xha je i rrezikshem!

  2. Vëmendje, nuk e kuptova mirë nëse, kur thua që kultura “nuk duhet kuptuar/menduar si produkt” e ke fjalën për ndonjë pohim timin më sipër, apo është kjo një ide që të lindi pasi e lexove shkrimin tim. Në të vërtetë, për mua raporti i kulturës me produktet kulturore është i ngjashëm me raportin e gjuhës me fjalët – në kuptimin që kultura nuk mund të reduktohet në produktet e veta, edhe pse realizohet nëpërmjet tyre. Megjithatë, mos më ler të gaboj!

  3. Vezhgime personale ne telajon e madhe te kultures, me modestin e detajit ne te teren dhe frymemarrjen e se teres te detajuar; ky eshte leximi qe beje une shkrimit tend

    p.s. Po te gaboje do ishe jo i rrezikshem, pra une nuk-as te le te gabosh, qe te rrezikosh rehatin e driteshkurtesine qe eshte e gjithekudogjendur ne rutinen e ritmin e kultures, per te cilen kam pershtypjen se te intereson, pse, e qe ka vlere, per te mos u cvleresuar nga te cakorduarit.

    Jo edhe nji here, s’jame i keqkuptuar nga shkrimi, por as ilustrova c’lexova me ate konstatim. Thjesht, kjo eshte rrezikshmeria e mendimeve me jete ne shkrim.

  4. Ndonese tek tre rrugedaljet nga diktati global qe xhaxhai rradhit ketu ka pak per te shtuar nga ana llogjike, nuk e di nese mund te flitet per importet kulturore ne vecanti pa u trajtuar importi i vlerave ne pergjithesi. Importet e suksesshme kulturore behen te mundur per mendimin tim vetem nese ndodhin paralelisht me importin e pergjithshem te vlerave. Dhe importet e vlerave mund te ndodhin vetem ne nje kontekst te pershtatshem ekonomik, social e politik.

    Nuk di shume se cbehet me kulturen aktuale ne Shqiperi por te pakten mund te them qe vlerat globalo-perendimore jane pervetesuar nga shqiptaret te filtruara nga historia/realiteti/kultura e pikepamja shqipare e meparshme e botes. Pra keto vlera jane pervetesuar alla-shqiptarce. Si puna e bencit dhe traktorit qe xhaxhai kishte shkruar tek shkrimi tjeter. Mbi keto vlera te pervetesuara alla-shqiptarce eshte ngritur nje infrastrukture ekonomike e sociale jo e qendrueshme qe sipas te gjitha gjasave do ti lere vendin nje infrastrukture tjeter e cila mund te kete nje raport te ndryshem me importet globaliste (ekonomike kulturore politike etj.).

    Per mendimin tim per sa kohe gjuha (shqipe) te mbetet mjeti kryesor i komunikimit e bashkeveprimit social e ekonomik kultura e vlerat lokale do te mund jo vetem te konkurrojne por edhe te pervetesojne importet globale duke i lokalizuar/shqiptarizuar/pershtatur ato. Pra importet globale te para ne perspektive do te ndryshohen ne menyre unike e te paperseritshme duke u bere keshtu vetevetiu pjese e kultures lokale. Dje po shihja nje dokumentar mbi “hip-hopin” kamboxhian nese mund te quhej akoma i tille. Ishte shume interesante te degjoje se cfare hibridi interesant ishte krijuar e cfare ndryshimi te madh kishte me hip-hopin amerikan megjithese pruresit e hip-hopit kamboxhian ishin bazuar fillimisht koke e kembe tek hip-hopi amerikan.

    Kulturat ne pergjithesi nuk jane rrenuar nga kontakti apo marredheniet me kultura te tjera qofshin keto edhe ato rajonale e globale perkundrazi jane pasuruar. Rrenimet kane ardhur nga rrenimi i superstrukurave mjedisore, ekonomike, sociale, politike. Per sa kohe shqiptaret do te te kene hapesira te tyre sociale, ekonomike e politike te qendrueshme ata do te jene te afte te ruajne e riprodhojne kulturen e gjuhen e tyre.

    Sidoqofte kjo teme eshte shume interesante dhe trajtimi i xhaxhait me shume vlere.

  5. Xha xhai thote: A nuk do të ishte vallë elitiste vetë kjo përpjekje për të mbajtur gjallë, artificialisht, një sistem vlerash të perënduara?

    Përgjigjja është se ia vlen; dhe se përpjekja mund të jetë vërtet elitiste, por rezultatet nuk është e thënë të mbeten të tilla. Kultura kombëtare duhet ruajtur, mbrojtur dhe riprodhuar jo sepse është kombëtare ose e jona, por sepse e meriton, për nga vlerat unike dhe të papërsëritshme që ka në vetvete, dhe për nga vlerat e tjera që mund dhe që duhet të shprehë, ose që asnjë kulturë tjetër nuk mund t’i shprehë aq mirë në vetvete, dhe për publikun shqiptar në veçanti.

    Une do te kisha qejf ti ilustroja keto mendimet e mia Xhaxha me ca foto nga Egjypti, nga shkenca e etnologjise dhe industria e turizmit. Porse ketu nuk ka mundesi te vendosesh foto, as me HTML, nuk e di pse?! Sidoqofte mund ti imagjinojme, mjaft te kujtojme programe televizive me motive nga kultura te ndryshme indigjene neper bote, psh. ne Afrike ose ato koncertet e pervjetshme ne Egjypt te cilat kane si motiv histori faranoesh. Po ti shohim me vemendje keto programe edhe pse me njerez te ndryshem dhe per kultura te ndryshme, kane emerues te perbashket, “Inskenimin”. Pra te tera keto tradita, momente nga “kultura” e nje grupi te caktuar, jane teresisht inskenime per te gezuar dhe kenaqur kureshtjen e ne perendimoreve. Njerzit ne keto emisione jane vetem figurante me pupla ne koke ose shigjeta neper duar, kur asnje psh. ne afrike nuk kercen me rreth zjarrit lakuriq, pervec shamaneve, pamvaresisht se neve na komunikohen “skena” te tilla. Keshtu qe eshte e veshtire te dallosh midis asaj qe eshte nje inskenim dhe asaj qe eshte e vertete; e nje tradite qe pasqyrohet ne televizor (larg veshtrimit tone direkt) dhe asaj vlere (permbatje) qe permban ky transmetim televiziv. Pra ne keto programe nuk kemi te bejme nje objekt te paster, cfare do te ishte kultura dhe tradita e nje vendi ne kohen Tx dhe ne vendin Lx, porse me nje objekt krejtesisht te ndryshem, qe vjen tek ne ne kohen Tx+1 dhe ne Vendin Lx+1, dhe per me teper qe lidhja midis kohes, hapesires dhe njerzve eshte e “manipuluar”, pra kontexti eshte teresisht i manipuluar. Ajo qe ne shohim eshte jo vetem nje inskenim, porse edhe nje reflektim i shtremberuar (Spiegelreflex Kammera) i objektit te transmetuar, i perzjere me dispositat tona emotionale dhe kognitive. Shkurt, ketu komunikohet forma, por jo permbatja e nje vlere ose tradite.

    Atehere inskenimi dhe transmetimi jane dy instrumente per te percuar traditen neper breza (kujtojme emisionet cdo te djele me kenget folklorike tek TVSH i RPSSH). Por objekti qe percohet ka aq lidhje me traditen e “paster”, sa kam une me kulturen eskimeze. Shkurtimisht, do te dali gjithmone pyetja se cfare eshte e “jona”, dhe cfare mund te konservojme, dhe a duhet ta ushqejme kete tradite? Nje pyetje tjeter ka te beje edhe me rentabilitetin e ketyre sipermarrjeve. Kostoja te mbash nje muze etnografik dhe nje asamble te kenges popullore eshte e madhe. Tregu eshte shume i vogel, dhe nuk i justifikon kostot.

    Ne kete moment, – kur kemi nje diskrepanc midis deshires se nje grupi dhe kostos te larte, pra e pamundesise per t’ja kaluar kete kosto te gjithe kolektivit – hyn mekanizmat e tregut, i cili i pershtatet realitetit te ndarjes se shoqerise ne segmente, dhe krijon keshtu njekohesisht “produkte” gjithperfshirese, pra duke plotesuar disa deshira njeheresh. Ketu Hyn psh. turbo-folk dhe muzika orientale dhe ajo per haeng qe eshte aq e dashur per popullin e ballkanit. Askush nuk mund ta ndaloj dot kete.

    Ne Gjermani biznesi ka mbajtur disa tradita, ka perzjere ca te tjera dhe ka hedhur ca te tjera poshte. Por ketu nuk kemi te bejme me ruajten e Permbatjes, porse te Formes. Psh. marrim kete Oktoberfest (Festa e Tetorit) qe po festohet ne keto dite. Nje feste tipike gjermane, qe vjen nga festat qe kane te bejne me jeten bujqesore dhe pastoriale te ketij kombi. Psh. festa mbas korrjes, mbas fermentimit te Elbit per Birre, ose Vera e Re, Birra e Re, e te tjera momente celebrimi qe kane te bejne me “ambjentin” tyre te jetes (Umwelt, Lebenswelt) te meparshem. Ta kapesh me arsye, pra me “rational choice”, keto festa e kane humbur funksionin e tyre, sidomos ne nje vend, ku vetem 14-15% e Popullsise jetojne ne Fshat. Pra nuk ka arsye te festohet. Por ka hyre ideja e tregtarit, dhe keto festa jane komercializuar. Pra jane komercializuar, pa jetojne. E njejta situate me keto festat (Stadtfest) qe behen ne cdo qytet ne gjermani, ose me tregjet e vogla (Weihnachtsmarkt) ne kohen e krishtlindjeve.

    Shkurt, ideja ime ishte, qe eshte tregu qe i mban shume nga keto tradita, por me cmimin qe keto “Forma” boshatisen nga “Permbatja” e tyre.

  6. Kapedan, po të jetë fjala për inskenimin, ne kemi një muze të tërë në Shqipëri, atë të Skënderbeut në Krujë, që është diçka artificiale dhe vetëm e evokon traditën historike, pa e mishëruar.
    Edhe festivalet folklorike, në kohën kur mobilizonin shumë njerëz, artistë dhe fonde, ishin në masë të madhe artificiale; këngët krijoheshin nga kompozitorë profesionistë, tekstet nga poetë profesionistë, vallet nga koreografë profesionistë, veshjet nga etnografë profesionistë.
    Megjithatë, nëpërmjet artificialitetit përcillej edhe diçka autentike, që mund të identifikohet nëpërmjet diferencës së shqiptares nga joshqiptarja. Polifonia labe, ose krejt mënyra e jetesës së malësorit në Veri, ose shkallët muzikore tonike, ose mënyra dhe teknika të tjera të shprehjes dhe të komunikimit ritual, nuk ka dyshim se janë autentike.
    Kjo nuk do të thotë se trysninë e kulturës pop mund ta kundërshtojmë sot me këngët labe ose majekrahi – por vetëm se një mesazh i cili i përcjell të dyja mesazhet, globalin dhe lokalin, do të kishte epërsi ndaj secilit komponent veç e veç.
    Ti vetë përmendje pozitivisht, në një koment të një teme tjetër, glokalizimin si dukuri për t’i kushtuar vëmendje.
    Një tjetër gjë që mendova kur lexova vërejtjet e tua për artificialitetin e festës së birrës dhe inskenimeve të tjera folklorike në Gjermani; vërtet këto mund ta kenë humbur domethënien që kanë pasur dikur, dhe tani mbahen gjallë vetëm për arsye komerciale ose turistike; por kultura gjermane është kulturë e realizuar në tërësinë e vet, dhe nuk ka shumë nevojë të mbijetojë duke mjelë kostumet e bavarezëve ose këngët e barinjve të Alpeve – meqë këto i gjejmë tani të mishëruara në vepra që janë pjesë e trashëgimisë kulturore globale, si muzika klasike, operat etj. Përkundrazi, kultura shqiptare është ende e parealizuar në potencialin e vet, ekziston më shumë si kod sesa si tekst.
    Më në fund, ti pyet se “çfarë është e jona pikërisht” – ndoshta më mirë të thuhet se çfarë është bërë e jona, gjatë shekujve; sepse përndryshe do të përfundonim në misticizmin pellazg dhe në pozicione të tjera esencialiste. Unë s’kam asnjë iluzion se shumë prej tipareve të kulturës tradicionale shqiptare e kanë origjinën tjetërkund; por tashmë kjo s’ka shumë rëndësi, sa kohë që tiparet i perceptojmë si tonat. Për shembull, raportet midis muzikës popullore shqiptare dhe muzikës tradicionale bizantine; ose midis ciklit shqiptar të kreshnikëve dhe ciklit analog të boshnjakëve. Përrallat popullore, p.sh., janë në shumicën e tyre me prejardhje turke-orientale, por tashmë janë pjesë e trashëgimisë sonë. Këngët korçare, që i përdorim të gjithë si një lloj protokolli për t’u zbavitur në rastet kur mblidhemi bashkë, thuhet se e kanë prejardhjen nga këngë qytetare që çuan në Korçë francezët gjatë Luftës I Botërore; mirëpo jam i bindur se tani ato këngë këndohen më shumë në Shqipëri sesa në Francë. Në thelb, origjina e këtyre memeve nuk më duket se ngre shumë peshë, ndërsa teknikat e përvetësimit po. Kulturës shqiptare qytetare të shek. XX i duheshin këngë që të mos i referoheshin drejtpërdrejt orientit, dhe materialet e sjella prej francezëve e luajtën këtë rol më së miri, duke zënë vend menjëherë në vetëdijen kolektive. Thonë edhe se disa teknika mjekësore popullore në Veri të Shqipërisë janë, në të vërtetë, imitime ose kopje recetash galenike të marra prej mjekëve që shoqëronin trupat austriake në trojet shqiptare, përsëri gjatë Luftës I Botërore. Edhe në këtë rast, origjina është harruar dhe bashkë me të edhe ndjenja e fajit në përdorim. Last not least, ne shqiptarët edhe himnin e flamurit e kemi sajuar sipas një melodie rumune ose bullgare… Ta kam fjalën që çka është inskenim sot mund të shndërrohet në diçka autentike nesër, mjafton të ndihet nevoja; prandaj elitat duhet të rrinë gati për të ndërhyrë.
    Tutkalli i të gjitha këtyre elementeve heterogjene që përmenda më lart mbetet, për mendimin tim, gjuha shqipe; sepse gjuha lejon të ndiqet vijueshmëria e traditës edhe atje ku mungon dokumentimi. Sistemet e tjera të shenjave, p.sh. muzika, veshjet ose besëtytnitë, si dhe ritualet sociale (martesat, vdekjet, fejesat, zgjidhjet e sherreve etj.) mund të interpretohen si të organizuara rreth gjuhës.

  7. Si spunto e “kontrapunkti ne kulture” i referohem muzikes ne skenen e madhe te botes, me nji ndarje ne grup cilesish jo kadegorikisht te vertetuara por si nji vezhgim karakteristikash te hasura ne kontinete te ndryshme si psh: “Ritmi e ka diepin ne Afrik, Melodia ne Indi dhe Harmonia ne Perendim”. Kete shembull, te tre karakteristikave ne muzik, nuk ka muzikant te mos e kete te aplikuar-rreflektuar kudo qe ndodhet sot ne bot, kjo do te thot se karakteristikat jane pron e cdo individi tashme ne glob.
    Ne Shqiperi kam ne kujtes nje ze te kthiellt si Lumi i Drinit te nji kengetareje nga bjeshket (Puka me duket) qe s’jeton qe prej shume vjetesh (s’me kujtohet emri i saj)-po ashtu edhe Demir Zyko, me ne jug Polifonin e jugut, te dyja keto ndjekin kujtesen time, duket sa te jem gjall, ndersa duhet te vras mendjen dhe seleksionoj per nje numer te madh llojesh muzike (gjithnji popullore e kam fjalen) Me kete doja te thoja se keto raste-elemente ja arriten qellimit per te perciell me force vlere te qendrueshme tek une si individ edhe pse ne njezet vjetet e fundit une jam i ekspozuar brutalisht ne vlera te pa numurta te llojeve te tjera nga ato qe mbushin kulturen boterore.
    Ketu, domosdoshmerisht vij ne konkluzionin se; Kultura ushqen Kulturen dhe ajo eshte e till ku do, Kulture, pamvaresisht nga rajoni, njerz te ndryshem ne dukje, por si pjese e nji game te madhe qe jep e merr si njeriu frym. Duke degjuar tinguj te nje muzike nga Trinaded, apo duke pare valle Ukrainase, ose instrumenta egzotik te gjendur vende-vende neper bote nuk ndodh gje tjeter por vetem unifikim i kultures ne individin tim, kjo mendoj se ndodh njelloj edhe per cilindo edhe i huaj i ekspozuar perball kultures se nji vendi tjeter, pa dyshim edhe Kultura Shqiptare luan nje rrol te nderaktivizuar ne kete sken te madhe kulturore.

  8. Mendoj se modeli elitist do sjelle vetvetiu modelin purist. Pse e them kete ?

    Sepse, ne castin kur Elita zhvillon kulturen kombetare atehere meqe zoteron mjetet e informacionit dhe te prodhimit, fare lehte mund te kufizoje ndikimin e huaj,sigurisht jo ta censuroje krejt por ta kufizoje.

    Publiku pergjithesisht eshte nje mase pa forme e pa thelb, nje lloj plasteline te cilen e perpunon me ane te informacionit e propagandes e kjo eshte arsyeja pse media perben pushtetin e katert.

    Suksesi i Kadarese ne bote, nuk vjen nga perceptimi i tij si disident, por sepse aftesise se shkrimtarit i bashkohet historia shqiptare dhe analiza e kultures shqiptare.
    Kjo sinteze doli shume e sukseshme, aq sa Kadare i lejoi vetes qe te shese ne Itali librin e tij ‘3 canti funebri per Cossovo’ 18 000 lireta e libri si ka tamam as 100 faqe.

    Mirepo tregoi se kultura shqiptare ka mundesi te prezantohet jashte ne menyre dinjitoze.

    Tani pse mendoj se modeli elitist eshte me i miri.

    Kultura shqiptare eshte ne thelb nje kulture popullore , dmth e krijuar bashkarisht nga populli e jo nga individet.
    Polifonia labe eshte pasuri e Unesco-s e ka zene vende te para neper festivale popullore ballkanike, europiane e mesdhetare, po ashtu kostumet tona jane mjaft te pelqyera, Epika jone eshte e mrekullueshme dhe paraqet ne menyre te shkelqyer artin e luftes tipik shqiptar ne parapelqimin e shpates e topuzit, ndaj psh harkut te vilhelm telit zviceran apo heshtes se Sigridit gjerman, pra armes se shkurtes trup me trup , ku duket forca e luftetarit, perdorimi i reduktuar i kalit, po ashtu kemi elementet morale shqiptare, si mosprekja e grave,femijeve e pleqve te armikut, ne ndryshim nga epose te tjere ku kemi edhe masakra apo kultures barbarike sllave e cila masakronte cti dilte para psh serbet mbajne si simbol Ujkun e dihet qe ujku mbyt gjithe kopene edhe pse ha vetem melcite e nje deleje,pra vrases i lindur.
    Po ashtu armiku i mundur trajtohet bujarisht e biles edhe respektohet ne eshte i forte cka ruajti me kujdes edhe Fishta tek lahuta e tij.

    Pra ndersa kemi nje prodhimtari cilesore popullore vuajme gjeresisht per prodhimtarine individuale.
    Cdo ishte psh kultura italiane, pa Danten , Bokacon, Makiavelin, Da Vincin, Mikelanxhelon etj apo ajo gjermane pa Geten, Kantin, Hegelin, Vagnerin , Nicen etj.

    Cdo ishte Vagneri pa Valkiriet e pa Sigrifridin ?
    Ku eshte Vagneri shqiptar qe merr persiper Eposin ?

    Keshtu qe kultura te ndryshme jane zhvilluar kryesisht nga Paria,Elita pasi prodhonin per Eliten ,prandaj mendoj se modeli elitist do ishte ideali e heret a vone do zhvilloheshin edhe elemente te modelit purist.

    Pike se pari nuk do merrte hov muzika me motive te qarta lindore e shqiperise se mesme e kosoves, por do kembengulej ne muziken e jugut dhe cifteline,daullen e lahuten e Veriut.

    Pastaj mendoj se shkencat sociale kane shume pune ne zberthimin e kultures, mentalitetit, historise e gjuhes shqiptare.
    Une jam tmerruar kur kam gjetur ne biblioteke historine e Amerikes ne 10 volume me nga 5-600 faqe. Ku i bene keta 5-6 mije faqe histori ne pak qindra vjet ?
    Po ashtu gjuhes i kane zberthyer cdo fjale e kane kthyer mbare e prape me qindra autore.

    Ketu duhet te punoje elita, ka kaq shume per te zberthyer e punuar ,saqe kur lexoj shkrime te rilindasve e debatet e tyre e i krahasoj me keto te sotmet duket qe jemi shume te varfer edhe ne krahasim me 80-90 vjet me pare,sepse atehere ekzistonte etja per te zberthyer c’eshte shqiptari, ku qendron energjia, si kanalizohet per te arritur pavaresine e bashkimin kombetar si dhe per te ofruar bazat per nje zhvillim kulturor jo me thjesht popullor por edhe sidomos individual.

  9. Eshtë e ndërlikuar lidhja midis kulturës dhe dëshirës për të folur mbi kulturën e një vendi.
    Cfarë kuptojmë me kulturë? Jo shumë e vështirë ta përshtasim me jetën që bëjmë, si sillemi, çfarë lexojmë, me kë kuvendohemi dhe (së fundi) në çfarë sitesh interneti futemi për të kultivuar atë që është thënë dhe, ndoshta e pathënë.
    E njëjta gjë në këtë blog, ku shumë gjëra thuhen dhe do të thohen.
    Të vijmë tek problemi shqiptar. Në Shqipëri, me aq sa mund ta parashikoj, bëhet dita ditës kundra kulturë. Për fat, ky vështrim është jo i drejtpërdrejtë meqënëse nuk jetoj fizikisht në Shqipëri, por që fati më ka dhënë mundësinë të merrem me prodhime kulturore edhe pse këto të fundit nuk patën ndonjë impuls shqiptar.
    Pse bëhet kundra kulturë? Televizioni. Kopje e shëmtuar e disa televizioneve që vazhdojnë akoma të budallepsin njerëzit. Humbja e shumë vokacioneve që disa prezantues simpatikë/e mund t’i përshtateshin më me njerëzim mendjeve të shqiptarëve që, të papunë, pijanecë, batakçinjë, mundohen të humbasin kohën me plehra të tilla.
    Të më korrigjojnë. Ndoshta ka dhe emesione të mira që flasin për librin, për pikturën, për historinë, për kinemanë, por me çfarë më jepet të lexohet, dhe me çfarë lexoj nëpër disa blogje korrekte, kultura që trashëguam, edhe pse e kopjuar në shumë raste, sot po humb një peshë që duhet ta kishte përballë një bote të ashpër kapitaliste.

  10. Xhaxha, une jam teresisht dakord me ty. Une deshiroja vetem te tregoja ne menyre te skajshme (polarizuese) alternativen e tregut. Pra cfare ndodh nese disa detyra, si psh. kultivimi i kultures kombetare, do ti merrte tregu. Dhe sic e shohim ne vendet perendimore dhe ne disa vende turistike, kjo lloj kulture eshte jo vetem artificiale, por edhe e perzjere, si ne funksion ashtu edhe ne qellim dhe organizim. Por elementi me i rendesishem i kultures, eshte kultivimi i saj, pra praktika e perditshme, qe shkon pertej “funksionit” te saj ne treg, pertej “ideologjise” dhe instrumentalizimit te elitave. Praktika eshte ajo copa e byrekut, kenga qe shoqeron berjen e petave, ninulla qe i kendohet foshnjes, fishkellima e burrit tek vjen ne shtepi, kenga ne dasem e ne vdekje, pra ambjenti kulturor qe na rrethon nga djepi ne varr. Se edhe ajo qe konstruktojne elitat duhet te praktikohet, si psh. ne gjermani ajo Miesbacher Tracht (kostumi popullor i Miesbach) ne Bavari, ka dale vone, nga 1900, por ngase eshte nje lloj perzjerje traditash te atyre vendeve (prandaj edhe nje element organik), shihet si nje tradite 2000 vjecare per kete arsye: pasi praktikohet. Dhe kjo tradite praktikohet jo vetem nepermjet mekanizmave te tregut (psh. edhe C&A, nje supermarket rrobash per shtresen e mesme/punetore shet te tilla kostume). Praktika e mirefillte gjendet neper Vereine (bashkesi tradicionale qindra vjecare me stemat e tyre dhe ideologjine e tyre), festa popullore me natyre fetare (procesione) etj. Pra shkurt, jo vetem tregu eshte pergjegjes per keto praktika, por edhe populli, dhe kjo ne menyre te organizuar (na kujtohen shtepite e kultures dhe shtepite e pionerit ne Republiken e II-te, ate socialiste).

    Tani ta kalojme nga ekstremi tjeter biseden (qe te mund ta hedhim edhe kete alternative poshte). A mund te praktikohen keto tradita ne kohet e sotme? A i pershtaten psh. keto kenge e melodi zhvillimit dhe procesit te emancipimit te shoqerise shqiptare? Psh. marrim ne analize dy vargje nga ajo kenga qe kam tani ne koke:

    A kane uje ato burime,
    ti moj buze karafilja ime?!

    Ketu ne mund te shkepusim dy elemente kryesore: 1. Erotiken dhe 2. Hapesiren publike ku ndodh ky komunikim, burimi i ujit, atje ku takoheshin dikur ciftet dhe fshati mblidhej te bisedonte e te kuvendonte. Eshte e kote te flitet tani per kete “hapesiren publike” te burimit te ujit. Sot njerzit takohen neper klube, sheshe, shkolla, te gjitha keto vende qe jane “disenchanted”. Te cilave u ka ikur magjia e dikurshme, jane ose vende/hapesira politike (sheshi, kuvendi, gazetat), ose te pushtuara nga tregu (klubi, mediat), ose vende te emancipimit (shkolla). Ketu duhet te ekzistonin “hapesira te ndermjetme” si ato Bashkesite (Vereine) ne Gjermani, por ne Shqiperi nuk ekzistojne te tilla, ose jane zevendesuar nga bashkesite fetare (shih. ate Temen e XhaXhait mbi bestytnite).

    Ndersa persa i perket erotikes, ne ate kohe nuk dallohej midis asaj qe pershkruhej (description) dhe asaj qe parashkruhej (urdherohej, prescription). Keshtu qe per femren kjo kenge shihet si nje reduktimi i qenies se saj ne “funksionin” e saj: pra ne pjellorine e saj (a kane uje ato burime? – a je ti akoma ne gjendje te prodhosh, a je akoma e fresket?). Kenga jo vetem e pershkruan ate si “buze karafilja”, por edhe i kerkon asaj te jete “buze karafile”. Tradita pra e urdheron femren te sillet sic e pret shoqeria, te perfeksionohet, te permiresohet per te gjetur burrin e ardhshem. A eshte kjo tradite e kohes (zeitgerecht, timely) pra? A mund qe femra te kendoj dicka te tille pa u ndikuar ne menyre te pandergjegjshme? A duhet ne ti kendojme femres me kete “Prapaskene” (Hintergrund), qe therret per nenshtrimin e saj ndaj deshirave tona mashkullore? etj…

  11. Me vjen mir qe ka njerez qe prekin tema permbajtesore.
    Shtepia ime eshte e vjeter por eshte e imja,
    Gruaja ime s’eshte yll holivudi por ashtu sic eshte un e dua,
    Kepucet e mia nuk jane te shtrenjeta por nuk jam kembe-zbathur etj.
    Permes ketyre shebujve deshta te ilustroj tere ate qe ndodh me ne ne sferen muzikore.
    -yjet Shqiptar kendojne ne gjuhe te tjera neper eurovizione,thua se ju mungon gjuha e nenes,
    -disa kengetar vishen e xhvishen per te qene me pornografik dhe per tiu ofruar shtazarakise vetem e vetem te dallohen me dicka tjeter por jo edhe me zerin ose kengen,
    -disa kengetareve nuk u mjaftojne vendet e bukura shqiptare per te bere nje “spot”por ato i bejne neper shtete te huaja ndersa i prezentojne para publikut Shqiptar sepse te tjeret as qe i shikojne,
    -disa kengetare lavderohen neper emisione televizive se jane internacional kendojne shqip por i tejkalojne kufijt e pastaj kendojne edhe maqedonisht serbisht etj.duke mos cuar llogari se ende asnji kengetar i huaj nuk e ka kenduar as edhe nji kenge te vetme shqipe,
    -kengetaret tane marrin melodi te huaja dhe ia plasojne publikut shqiptar me tekst shqip,
    -TV publike dhe private Shqiptare pa kurrfar perkujdesje permes ekraneve te tyre shfaqin kenge me permbajtje,melodi,ritem,veshje dhe gjithcka qe eshte jo-shqiptare dhe keshtu helmojne rinin tone me kultura te te gjithe popujve jashte-shqiptar,
    -vlerat e kenges Shqipe,vlerat e emisioneve televizive per dite e me shume po ndikojne negativisht ne frymezimin dhe edukimin e gjeneratave te reja me anti-kulture kombetare.
    Te nderuar lexues,te gjith e dijme se nencmimi i vete-vehtes eshte kapitullimi me i madh ne te gjitha fushat e veprimtarise qofte ne kultur,art,tradite,shkence,sport,arqitekture e gjetiu.
    Me keqe-ardhje mund te konstatoj se po biem viktime e disa njerezve “me fame”te cilet shiten artificialisht dhe per pak para,duke mos qene te ndergjegjshem se po i shkaktojne gjera shum te keqia popullit te vet ose me afer femiut te vet.
    Ta kene parasysh se mjetet finansiare ose kapitali behet edhe me i madh edhe me i paster vetem me kulture kombetare sepse ne fund te fundit po ai popull i paguan televizionet, biletat per koncerte,cd-te,kasetat,videokasetat etj.
    Nje thenje e mehershme po del e sakte edhe pse kurr skam dashur te pajtohem me te:institucionet e jashtme ne forma te ndryshme depertojne dhe pushtojne njerezit e skenes permes te cileve ua humbin identitetin kulturor popullit te tyre edhe ate me pagese.
    Te na falin te gjithe ata njerez te skenes qe nuk i takojne kesaj kategorie mos t’na e zene per te madhe,fundja edhe ata jane protagoniste te ruajtjes se kultures dhe identitetit kombetar ndersa per kategorin tjeter te te xhveshurve jo vetem prej rrobave por edhe prej identitetit te dyshimt te tyre mos u qoft hallall qumeshti i nenes per te keqiat qe ia sjellin popullit te tyre.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin