FJALË BURRASH

Dua të kthehem përsëri tek çështja e hipokrizisë imagjinare, reale ose të perceptuar të folësit ose ligjëruesit, si kriter zhvlerësues të argumentit. Këtë e bëj kryesisht ngaqë ligjërimi publik i shqipes së sotme praktikisht po mbizotërohet nga sulme të tilla të tipit ad hominem, shpesh edhe abuzive.

Kur kam shkruar ndonjëherë për të vënë në dukje përdorimin e shkujdesur të fjalëve të huaja të panevojshme në mediat dhe në përgjithësi në gjuhën shqipe, ndonjë koleg më është kthyer për të më vënë në dukje se edhe shkrimet e mia e në veçanti shkrimi kundër fjalëve të huaja të panevojshme përmban fjalë të huaja të panevojshme.

Çka është e vërtetë, sepse edhe unë vetë e dalloj, të paktën kur ma vënë në dukje. Po a e zhvlerëson kjo inkonsistencë ose paqëndrueshmëri imja argumentin kundër futjes pa kriter të fjalëve të huaja? Natyrisht jo, sa kohë që ky argument mund të përdoret, dhe praktikisht përdoret, edhe kundër vetë shkrimeve të mia. E vetmja gjë që provon paqëndrueshmëria në fjalë është mospërputhja midis çka unë predikoj dhe çka zbatoj në praktikë.

Përsëri një koleg imagjinar mund të vërejë – po ndoshta pikërisht fakti që ti, edhe pse je i vetëdijshëm madje i bindur që fjalët e huaja nuk duan futur në ligjërata pa kriter, përsëri nuk arrin t’i mënjanosh, tregon se këto fjalë të huaja janë objektivisht të pamënjanueshme, megjithë vullnetin e mirë që mund të tregojmë.

Si do t’i përgjigjesha këtij kolegu? Çështja nuk është aq e parëndësishme sa ç’duket.

Le të supozojmë se një shqiptar shkon në Perëndim për të kryer studimet pasuniversitare në biokimi dhe pastaj vendos të qëndrojë atje, për të punuar si profesor pranë universitetit ku ka studiuar. Raste të tilla janë të shumta, madje tipike. Shqiptari ynë është veçanërisht i talentuar në fushën e vet dhe kuptohet që universiteti perëndimor ku punon ia krijon kushtet optimale për të kryer kërkimet shkencore që dëshiron. Megjithatë, me kalimin e viteve, profesori biokimist njëkohësisht përfshihet në një numër nismash të komunitetit shqiptar në vendin ku jeton, dhe përfundimisht del në krye të një lëvizjeje e cila ka për qëllim të ndalë të ashtuquajturin “brain drain”, ose ikjen e kapitalit intelektual nga Shqipëria.

Natyrisht, ka një kontradiktë midis zgjedhjes personale të këtij individi dhe përpjekjeve të lëvizjes që ai frymëzon, për të ndalur ikjen e trurit nga atdheu i vet. Kjo kontradiktë ndoshta lejon të kuptohet diçka më tepër për karakterin e profesorit tonë, ose të spekulohet për një ndjenjë faji që ai mund të ndiejë për vendimin e marrë dikur; por nuk ka të bëjë shumë me arsyet që motivojnë përpjekjet e tij për të ndaluar një dukuri përnjimend të dëmshme për Shqipërinë.

Përsëri mund të ngrihet këtu avokati i djallit dhe të vërejë se pikërisht fakti që edhe një atdhetar i përkushtuar si ky biokimisti, ose një njeri për të cilin nuk ka pikë dyshimi se i është përkushtuar një çështjeje me interes publik pa qenë aspak i detyruar, tregon se “brain drain”, ose ikja e më të mirëve nga vende të korruptuara si Shqipëria nuk mund të shmanget.

Shembulli i tretë është ai i një politikani, i cili i fiton zgjedhjet me një platformë ku premtohet, ndër të tjera, edhe ulja e taksave mbi të ardhurat e qytetarëve. Pas fitores, ky politikan bëhet kryeministër i vendit, por muaj e pastaj vite kalojnë, por taksat mbi të ardhurat jo vetëm që nuk ulen, por edhe fillojnë të rriten.

Kritikave që i vijnë nga opozita, por edhe nga mediat, në lidhje me këtë inkonsistencë ose paqëndrueshmëri, kryeministri i përgjigjet duke argumentuar pse taksat jo vetëm nuk janë ulur, por edhe janë rritur. Ekonomistët vërejnë se argumentimi i kryeministrit qëndron; dhe se, në të vërtetë, problemi qëndronte tek platforma zgjedhore, e cila përmbante premtime të parealizueshme.

A nuk i duhet toleruar edhe politikanit e drejta për të ndërruar mendje, pas një shqyrtimi më të hollësishëm të çështjes?

Ndoshta po, ndoshta jo. Megjithatë, kryeministri ende mban përgjegjësi ndaj zgjedhësve të cilët i kanë dhënë votën sipas platformës së atëhershme; prandaj, në qoftë se rrethanat janë të tilla, që e nxjerrin atë platformë të nxituar ose të gabuar, rruga më e drejtë do të ishte dorëheqja.

Shembulli i tretë nuk është krejt i ngjashëm me dy të parët; por shërben për të sjellë në vështrim kriterin e përgjegjësisë ndaj publikut. Kryeministri është figurë e përftuar dhe e legjitimuar nëpërmjet votës, ndërsa as mua si autor shkrimesh për pastërtinë e gjuhës, as kolegun tim biokimist, nuk na ka zgjedhur kush në rolet që i kemi dhënë vetes.

Për këtë arsye qëndrueshmëria e karakterit të politikanit ngre më shumë peshë sesa e të tjerëve dhe shqyrtohet me kujdes të madh nga mediat, sidomos në vende të tilla si SHBA, ku debatet elektorale shpesh reduktohen në krahasime pothuajse filologjike e tekstologjike midis deklaratave dhe qëndrimeve të kandidatëve, në kohë të ndryshme.

Përndryshe përmbajtja e argumentit ka gjithnjë përparësi ndaj të metave karakteriale të ligjëruesit; sepse argumentimi mbështetet mbi ligjësitë dhe rregullsitë e logjikës, ndërsa karakteri jo. Nëse fjalët e huaja që unë pa dashur përdor në artikull mund të shmangen apo jo, kjo duhet kërkuar e ndoshta gjetur në shtjellimin që i kam bërë problemit, jo në ligjëratën time, e cila gjithnjë mund të përmirësohet. Nëse profesori biokimist mund ta shmangte ose jo ikjen nga Shqipëria, kjo është çështje personale e atij vetë, për të cilën nuk mund t’i kërkohet llogari në kontekstin e angazhimit të tij brenda lëvizjes kundër ikjes së trurit.

Në një botë ideale, asnjë nga mjekët që u këshillojnë pacientëve të tyre të lënë duhanin nuk duhej të pinte duhan vetë; dhe nuk mund të mohohet se lëvizja e frymëzuar nga profesori ynë do të kishte më shumë shanse për sukses, sikur ai vetë i pari të ishte kthyer për të jetuar dhe punuar në atdhe; sikurse nuk mund të mohohet që argumenti im për t’i mbajtur larg shqipes së shkruar fjalët e huaja të panevojshme do të kish pasur më shumë forcë bindëse, sikur unë vetë të kisha përdorur më pak fjalë të huaja në tekstin e artikullit.

Megjithatë, ka mjekë që duhanin nuk e lënë dot sikurse ka edhe dietologë të shëndoshë dhe komentatorë të Formula Uno-s që nuk dinë ta ngasin makinën dhe priftërinj që nuk besojnë në Zot. Përvoja dhe karakteri i folësit, ose i ligjëruesit jo gjithnjë përbëjnë prova, sado plotësuese, për besueshmërinë e ligjërimit vetë. Shpesh është paaftësia jonë për të ndjekur një argument që na bën ta zhvendosim vëmendjen nga argumenti tek autori, ose nga lënda tek prejardhja e saj, meqë kujtojmë se duke e identifikuar dhe klasifikuar autorin në grupe me të cilat jemi familiarizuar prej kohësh, do ta kemi më të lehtë të mbajmë qëndrim ndaj fjalës së tij. Në raste të tjera, argumentet e një autori që na është antipatik për arsye të tjera, ose që i përket një shkolle ose një rryme ose një force politike me të cilën nuk pajtohemi, do të na duken gjithnjë pa vlerë, pavarësisht nga përmbajtja e tyre.

Dukuria ka të bëjë gjithashtu edhe me një qëndrim paranojak ndaj botës, ose me bindjen se kushdo që të flet, të flet për të të mashtruar; por paranoja si sëmundje foshnjore e komunikimit do trajtuar më vete.

7 Komente

  1. Ne parim, argumenti per argument dhe kunder ligjeruesit edhe mund te qendroje, por ne realitet, relativizimi i ketij te fundit, duke theksuar thjesht dhe vetem argumentin, shkon kunder te ashtuquajturve “role models”.
    Nje baba qe perpiqet te edukoje te birin te mos rrihet me shoket duke e rrahur paq, pasi ka boksuar edhe mbi te shoqen,nuk besoj se do tja arrije qellimit, packa se argumenti ne vetvete eshte plotesisht i vlefshem dhe i duartrokitshem.
    Kur predikimi per tu kthyer ne atdhe apo per te punuar ndershmerisht vjen respektivisht nga nje i larguar apo nje i korruptuar, vecanerisht ne shoqeri te pazhvilluara si kjo e jona, argumenti ka gjasa te zbehet deri ne zhberje. Foshnja brenda nesh eshte ende ne kerkim te superherojve… Fjala e mencur dhe mendimi i vyer, kur vjen nga nje i ngjashem ne status social pothuajse nuk merret ne konsiderate. Ne kete kontekst, argumentum ad hominem do te vijoje gjate te jete pjese e pashmangshme e Argumentit.

  2. E kuptoj argumentin tënd, PNH; edhe pse mbetem i bindur se arsyeja është e vetmja mënyrë për të gjetur gjuhë të përbashkët në konfliktet, në qoftë se duam të shmangim dhunën.
    Sa për argumentin ad hominem, sot lexoj rastësisht për një përdorim të tillë, në kuadrin e amendimit për ligjin e të drejtave të autorit, sipas një propozimi të deputetit Neritan Ceka. Siç mund ta dinë të interesuarit, në qershor Komisioni i Ligjeve ka miratuar disa ndryshime në këtë ligj, të cilat marrin parasysh faktin që midis viteve 1968 dhe 1991 kjo e drejtë nuk është përfillur nga regjimi i atëhershëm. Për rrjedhojë, disa autorëve si Migjeni, Lasgush Poradeci dhe Mitrush Kuteli do të vazhdojnë t’u njihen të drejtat, edhe pse formalisht duhej t’u kishin skaduar.
    Deri këtu mirë. Megjithatë, deputeti Besnik Mustafaj e paska kundërshtuar ndryshimin e ligjit ekzistues, meqë, sipas tij, propozimi i Cekës ishte sjellë deri në Kuvend “për interesa të vogla dhe personale të zotit Ceka”.
    Askush nuk mund ta dijë se ç’e ka shtyrë deputetin Ceka të propozojë ndryshimin e ligjit ekzistues, ose zgjatjen e të drejtave intelektuale për një kategori autorësh. Rëndësi, në këtë mes, nuk kanë aq motivet personale të zotit Ceka, sesa argumentimi që i është bërë propozimit; sepse edhe Komisioni i Ligjeve pritet të shqyrtojë argumentimin në mbështetje të amendimit, jo interesat personale, të vogla dhe të mëdha, të zotit Ceka. Nëse argumentet e sjella në të mirë të këtij amendimi qëndrojnë, atëherë motivet që e kanë frymëzuar propozuesin janë krejt të parëndësishme.
    Në raste të tilla, përvoja personale ose familiare e propozuesit mund të shërbejë fare mirë si shtysë për veprimtari publike; sepse zoti Ceka mund t’i ketë përjetuar në familjen e vet padrejtësitë që u janë bërë autorëve nga regjimi komunist, çka nuk ia heq të drejtën për të kërkuar zhdëmtim publik për të gjithë këta autorë, duke përfshirë edhe familiarët e vet. E kam fjalën që, siç e kam cekur edhe në një shkrim tjetër më parë, të pasurit e një interesi personal në çështjen e diskutuar nuk e zhvlerëson argumentimin, ndërsa thënie ose arsyetime ad hominem si ato të deputetit Mustafaj vetëm sa helmojnë atmosferën e dialogut ose të bashkëpunimit midis deputetëve.

  3. “…duan futur në..”

    me fal Xha Xha, por kerkesa ime lidhet me pasurimin e njohurive te mia mbi gjuhen! Eshte e disata here qe e ndesh shprehjen gjuhesore sa me siper, pikerisht keshtu, nderkohe qe e kemi (apo kam) mesuar ndryshe: “duhen…. ”
    Si eshte gramatika ne kete rast??

    Dikush nga komentuesit nuk gjen dot perdorimin e italic style te shkrimit. Me ndodh edhe mua..:(

  4. Një sqarim gramatikor për formën ‘duan futur’:
    Le të krahasojmë ndërtimet e mëposhtme:
    Duhet të lexohet
    Duhet lexuar
    Do lexuar

    Janë të trija standard, dhe shprehin të njëjtin modalitet (të detyrimit, nevojës ose domosdoshmërisë).
    Folja ndihmëse duhet është formë pavetore e foljes dua në trajtën pësore; i përgjigjet italishtes ci vuole (si deve, occorre), ose frëngjishtes il faut.
    Folja modale duhet mund të ndiqet nga lidhorja (e cila zgjedhohet normalisht), ose nga pjesorja (e cila nuk zgjedhohet, është formë e pashtjelluar).
    Kur ndiqet nga pjesorja, folja modale ka edhe një formë të shumësit: duhen (duhen lexuar), e cila shpreh çka pjesorja nuk është në gjendje ta shprehë – kategorinë e shumësit.
    Të krahasohet:
    Lulet duhet të ujiten dy herë në javë
    Lulet duhen ujitur dy herë në javë
    Në rastin e parë, folja duhet është krejtësisht pavetore, meqë nuk i përshtatet në numër kryefjalës lulet (aty kategoritë gramatikore i shpreh për bukuri lidhorja). Në rastin e dytë, folja i përshtatet kryefjalës.
    Ndërtimi i tretë, i tipit do lexuar, përmban formën veprore të foljes dua, e cila e pranon edhe njëfarë zgjedhimi, p.sh. në shumës, ose më rrallë edhe në vetën e dytë:
    Këto fjalë duan shqyrtuar më vete.
    Nga të tri format modale të nevojës, kjo me foljen do në trajtën veprore është më e vjetra dhe popullorja, siç duket në shembuj të tillë si:
    Ju doni rrahur më duket
    Ti do pritur me këmbët e para
    Do pyetur kryeplaku
    Të cilat, pas gjase, lidhen me ndërtime të tipit:
    Ju doni dru më duket
    Ashtu i do mushka drutë.

  5. “të pasurit e një interesi personal në çështjen e diskutuar nuk e zhvlerëson argumentimin”

    aq me teper qe behet fjale per nje ligj mbi autoresine, per te cilen mund te thuhet se eshte e pandashme me interesin e vogel personal. Ne qofte se kjo premise, mbi atributin e pergjithshem te interesit personal ne autoresi do te ishte eksplicite, atehere argumenti i Mustafajt do te ishte i justifikuar, per aq sa do vendoste pikat mbi i. Por perderisa kjo nuk thuhet, dhe per me teper, duke mos u thene, interesi personal jepet ne konotacione negative (sipas nje ideologjie tipike komuniste te bazuar ne pronen publike dhe interesin e perbashket perballe prones private dhe interesit personal) atehere argumenti i Mustafajt ka gabim.

  6. Shume faleminderit!
    Nje informacion mjaft i vlefshem persa i perket gramatikes se gjuhes, qe per hir te se vertetes, duhet te pranoj se nuk e kisha degjuar kurre me pare…

  7. Sulmet ndaj ligjeruesit e jo ligjerimit, i perkasin kritikes denigruese e cila per hir te vertetes eshte mjaft e efektshme edhe pse jokorrekte.

    Arsyet e nje kritike te tille duhen pare si ne inferioritetin logjik apo informativ te kritikuesit ashtu edhe ne qellimin e kritikes

    Ne rastin e pare kemi produktin e paaftesise e mendjemadhesise apo arrogances se kritikuesit, si psh kur nje i panjohur likujdon vepren e Nices apo nje pjese te saj , me argumentin se ky nga fundi i jetes u cmend. Kritike naive denigruese.

    Ne rastin e dyte , kemi produktin e shprehjes :qellimi justifikon mjetin dmth kritikuesi niset ne perqasjen ndaj ligjerimit me qellimin e perdorimit te cdo mjeti te mundshem per te denigruar ligjeruesin. Kjo perdoret rendom ne politiken shqiptare e ne vete jeten shqiptare ne pergjithesi. kritike e qellimshme denigruese.

    ”””’Përsëri një koleg imagjinar mund të vërejë – po ndoshta pikërisht fakti që ti, edhe pse je i vetëdijshëm madje i bindur që fjalët e huaja nuk duan futur në ligjërata pa kriter, përsëri nuk arrin t’i mënjanosh, tregon se këto fjalë të huaja janë objektivisht të pamënjanueshme, megjithë vullnetin e mirë që mund të tregojmë.

    Si do t’i përgjigjesha këtij kolegu? Çështja nuk është aq e parëndësishme sa ç’duket.””’

    Une ketu do beja dallimin e rendesishem midis te qenit i vetedijshem dhe te qenit i ndergjegjshem.

    Te qenit i vetedijshem nuk sjell vetiu edhe marrjes e masave,por perben nje gjendje te ndermejtme midis te qenit injorant(apo indiferent) dhe te qenit i ndergjegjshem.
    Do thoja se te qenit i vetedijshem ne nje ceshtje dhe ngelja ne ate pike perben nje cen te madh te individit pasi tregon mungese te theksuar vullneti.

    Nga ana tjeter te qenit i ndergjegjshem perfshin edhe pergjegjesine e shpeshhere ne shqip te qenit i pergjegjshem dhe i ndergjegjshem trajtohen si sinonime.
    Ndergjegjesimi ne nje ceshtje ,dallon per te qenit i vetedijshem ne ate ceshtje pikerisht kur merren masat e pershtatshme.
    Si shembull mund te marrim rastin e mjekut qe nuk le cigaren. Ai eshte i vetedijshem por kurrsesi i ndergjegjshem per demet. I ndergjegjshem (paradoksalisht per nje mjek) do behej sapo te haste ne nje problem fizik prej duhanit psh te nxirrte gjak . Pastaj nese nuk do ndergjegjesohej per demet as ne kete pike, ky person ka nje mungese te llahtarshme vullneti apo ka zgjedhur te vdese.

    Tani ta besh si puna e priftit: Bej si them une e mos bej si bej une, praktikisht je duke u veteprivilegjuar e kjo nuk eshte aspak dicka pozitive, por nga ana tjeter kjo nuk duket te legjitimoje sulmet ndaj argumentimit te vetvete,pasi individi qe e ben si prifti, mund te kete mungese te theksuar vullneti por ama kjo nuk ja ul vleren arsyetimit por njeriut.

    Ka dicka ne kete mes qe duhet marre parasysh:
    – Arsyetimi i duhur i rrit vleren individit, keshtu qe pikerisht kjo lidhje me duket se legjitimon shpeshhere mosshkeputjen e plote te argumentit nga individi.
    Nuk me duket e moralshme faktikisht qe dikush ta beje si prifti, keshtu qe ceshtja trasferohet tek qendrimi qe duhet te mbaje njeriu ne raportin moral-arsye.
    Nje prostitute qe flet kunder prostitucionit e nderkaq vazhdon normalisht profesionin e saj, sinqerisht nuk do ta pranoja si shembull kuptimplote ,pasi si njeri nuk jam vetem qenie e arsyeshme por edhe me nje moral te caktuar, pra do degjoja shume here me teper nje plak te urte qe flet kunder prostitucionit. Kjo eshte nje nevoje e njeriut e sado te perpiqemi ta racionalizojme njeriun deri ne piken sa te shohe vetem argumentin e jo sjelljen e individit ne ate pike qe argumenton, nuk kemi per ta arritur kurre e ne fund te fundit me raste une e quaj te drejte….

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin