HISTORI SHKRONJASH

Pak ditë më parë, më tërhoqi vëmendjen fushata që një e përditshme e njohur argjentinase filloi për futjen e shkronjës “ñ” në lëmenjtë (domain) e internetit. Slogani i fushatës ishte: “No es lo mismo un panal que un pañal”. Siç mund të parashikohej lehtë, mua më vajti mendja tek “ë”-ja shqiptare. E jo pa të drejtë.

Në një histori të mundshme të shkronjave, në të vërtetë krejtësisht e pagjasë, me siguri do të thuhej se në vitet e para të postotalitarizmit shqiptar, shkronja “ë” pësoi një trysni të madhe nga mediat e shkruara. Në fakt, ajo kohë mund të quhet si ”periudha e zezë“ për “ë”-në shqiptare, meqë pothuajse u eliminua tërësisht nga shtypi i përditshëm.

Arsyet mund të jenë të shumta, por dy mund të citohen menjëherë. E para ka lidhje me humbjen e statusit (prestigjit) nga ana e shqipes tek përdoruesit e saj. Kjo temë mund të trajtohet gjerësisht nga sociolinguistika, e cila nuk do ta ketë të vështirë të konstatojë se në vitet Nëntëdhjetë u verifikua edhe një rritje e jashtëzakonshme e prestigjit të gjuhëve të huaja në Shqipëri. Dy dukuritë nuk janë krejtësisht pa lidhje.

Nga ana tjetër, në atë periudhë, por edhe në fillim të viteve Dymijë me përhapjen e internetit, vërshuan në vendin tonë mjetet e reja elektronike. Meqë këto nuk e parashikonin në tastierat e tyre shkronjën “ë”, si produkte importi që ishin, shumë gazeta parapëlqenin ta zëvendësonin “ë”-në me tullacen “e” (e kam me shaka, nuk dua ta fyej poaqdinjitozen “e”).

Përhapja e komunikimit me postë elektronike, dhe si rrjedhim përdorimi i gjerë i “e”-së në vend të “ë” nga shkruesit, u krijoi kushtet ideale barishteve pseudogjuhësore, që të mbinin aty këtu, herë me praktikë, herë me teori. Pati nga ata që propozuan heqjen e “ë”-së dhe zëvendësimin e saj me dy “e”, ose propozime të tjera të fandaksura, në kufijtë e marrëzisë gjuhësore. Vijuan polemika të gjata, shpeshherë midis ekspertëve dhe amatorëve, ashtu siç ndodh rëndom në hapësirën publike shqiptare.

Sot “ë”-ja paraqitet me një çehre tjetër në publik, meqë ka filluar të gjallohet mirë nëpër faqet e gazetave shqiptare. Me disa rreziqe më shumë paraqitet lundrimi i saj nëpër arkipelagët e internetit, por edhe aty sikur po e ndihmon busulla e disa vullnetmirëve.

Aktualisht shkronja “ë” e ka të siguruar mbijetesën në gjuhën shqipe, pavarësisht se tastierat e Windows-it nuk e parashikojnë si shkronjë të veçantë. Vetë fakti që mbijetoi deri më sot, tregon se kjo shkronjë përbënte një element strukturor në gjuhën shqipe. U vërtetua, gjithashtu, se zëvendësimi i saj ishte përpjekje alkimistësh diletantë.

Gjithsesi, emri i mirë i “ë”-së ende nuk është vënë në vend. P.sh. përse mos të rezultojë në lëmenjtë e internetit si shkronjat e tjera? Ç’ka ajo më pak se shkronja “ñ” spanjolle? Unë shpresoj që edhe në Shqipëri të nisë një fushatë në favor të “ë”-së, madje uroj: “Ashtu qoftë!”, jo “Ashtu qofte!”.

Ja edhe slogani doli vetë në dritë.

13 Komente

  1. Alfabeti që përdorim është gjithnjë rezultat i një kompromisi midis lehtësisë në të shkruar dhe lehtësisë në të lexuar, kompromis që merr parasysh edhe faktin që numri i atyre që i lexojnë tekstet është gjithnjë më i madh se numri i atyre që i shkruajnë.
    Lehtësia, si për ta shkruar ashtu edhe për ta lexuar tekstin, nuk është çështje komoditeti, por ka të bëjë drejtpërdrejt me ekonominë e përdorimit të gjuhës, ose energjinë mendore dhe fizike që shpenzojmë për të shkruar dhe për të lexuar. Çdo propozim ose gjest që çon në thjeshtimin ose alterimin e alfabetit, por që nuk e merr parasysh prirjen universale të përdoruesve të gjuhës për ekonomizim të mjetit, do të shkaktojë kryesisht pështjellim.
    Zakonisht propozimet, ose faktet e kryera për alterime të alfabetit, kinse në emër të zhvillimit teknologjik, vijnë nga persona që e shkruajnë gjuhën; të cilët vështirësitë dhe angaritë e natyrshme që kanë të bëjnë me tepërinë (redondancën) e kodit shkrimor duan t’i zgjidhin nëpërmjet thjeshtimit, ose stenografizimit të procesit. Janë propozime amatorësh, sepse vetëm amatorët harrojnë që shkrimi i gjuhës, sidomos në publik, është proces i orientuar ndaj leximit, jo vetvetes.
    Shumë përdorues të shqipes sot përdorin tastiera kompjuteri të modeluara për nevojat e anglishtes ose, më rrallë, të gjuhëve të tjera, të cilave u mungojnë dy shkronja të alfabetit të shqipes: ë dhe ç. Rezultat i kësaj rastësie teknologjike ka qenë përftimi i teksteve shqipe të cunguara, të cilave u mungojnë dy shkronjat në fjalë, e që tashmë e kanë gjetur rrugën e tyre edhe në faqet online të gazetave të Tiranës.
    Shkrimi i cunguar i shqipes mund të tolerohet sa kohë që njerëzit nuk kanë kohë të kujdesen për paraqitjen alfabetike të shkrimeve të tyre; përndryshe e dëmton shqipen dhe komunikimin vetë. Në faqet e shqipshkruesve online deri edhe poezia shkruhet e cunguar, çka tradhton mospërfillje trashamane ndaj gjuhës, për të mos thënë lexuesit.
    Amatorët të thonë edhe se leximi i shqipes së thjeshtuar (pa ë-të dhe ç-të) nuk është dhe aq problematik sa ç’e bëjnë puristët; ose, me fjalë të tjera, që redondanca e koduar në alfabetin tradicional të gjuhës është e tillë, që e lejon thjeshtimin pa cenuar funksionin e alfabetit.
    Gabimi në këtë argument qëndron tek ngatërrimi i alfabetit me stenografinë. Si sistem shkrimor, stenografia mbështetet mbi alfabetin normal dhe funksionon vetëm sa kohë që teksti stenografik mund të përkthehet në alfabetin normal nëpërmjet rregullash pothuajse aritmetike, ose korrespondencash të shtangëta. Edhe alfabeti i thjeshtuar, ose i cunguar i shqipes në Internet funksionon sa kohë që përdoruesit, sidomos lexuesit, ua rindërtojnë fjalëve me mendje pamjen alfabetike normale; çka don të thotë se funksionimi i kësaj shqipeje të cunguar varet nga alfabetizimi korrekt i përdoruesve; ose që vetëm përdoruesit që e njohin mirë drejtshkrimin e shqipes standard mund ta përdorin pa problem shqipen stenografike të tastierave QWERTY.
    Mirëpo, në atë masë që përdorimi i shqipes së cunguar shtrihet në kurriz të shqipes normale, nuk është e largët dita kur përdoruesit e asaj shqipeje të mos jenë më në gjendje t’i rindërtojnë në mendje trajtat alfabetike normale të fjalëve; dhe ajo ditë do të shënojë edhe një disfatë të dhimbshme për komunikimin në shqipe, sepse do t’ia ulë këtij komunikimi rendimentin.
    Është për të ardhur keq që një triumf i fjalës së shkruar, siç është Interneti, t’ia dëmtojë shqipes themelet e alfabetit. Alfabeti që kemi është treguar aq i suksesshëm, sa e shndërroi shqipen, brenda 150 vjetësh, nga një turli kaotike të folmesh katundare, në një gjuhë normale të shkruar e të mësuar në shkolla me lehtësi të admirueshme (mjaft ta krahasosh me vështirësitë që kanë nxënësit amerikanë për të mësuar si t’i shkruajnë mirë fjalët e anglishtes). Edhe pse jetojmë në kohëra të mallkuara, kur shqiptarët u janë kthyer me kazmë të gjitha vlerave që u kanë mbetur në duar nga e shkuara, përsëri nuk është vonë të thërresësh, me Pishakun, për mbrojtje dhe respekt për gjuhën, në krejt kompleksitetin e saj, sado barok që t’u duket disa filistinëve të pashembullt në Internet.
    Me këtë rast dua t’u bëj një thirrje, miqësore, edhe të gjithë atyre kolegëve që e nderojnë blogun tonë me komentet e tyre: bëni një përpjekje, ju lutem, për ta shkruar shqipen si duhet. Bëjeni për hir të gjuhës suaj, jo të blogut; le t’u japim edhe të tjerëve një shembull si mund e duhet të shkruhet shqipja në Internet.

  2. Megjithatë, unë insistoj se hakmarrja e Shqiptarëve ndaj botës QWERTY tregon një vitalitet të jashtëzakonshëm të popullit tonë. Ashtu si novatorët e dikurshëm prodhonin në torno pjesë ndërrimi për çdo lloj makinerie, ashtu edhe tani i bëjmë ballë rrethimit teknologjik duke përdorur W (not Bush) në vend të ë-së sonë të dashur, dhe duke bërë në fund një “find and replace” ku W-të bëhen “ë” çka na jep edhe Xhorxh Ë. Bush.

  3. më shkriu censura. Nejse, nën frymën e xhaxhait po bëhem dhe unë i rregullt dhe po i vë të gjitha ë-të. Problemi tek mua është që edhe kur e vendos tastierën gjermane në modusin “SQ” dmth. shqip (ka ka dy susta për ë-të dhe ç-të), tastiera bëhet tastierë angleze me përjashtimin e dy sustave dhe mua më bëhen lëmsh të gjitha pastaj. Për ata qe kanë tastierë angleze kthimi në modusin shqip ja vlen!!

    Më poshtë një sugjerim eksperti për ata që nuk e dinë akoma se si mund ta kthesh tastierën në modusin “SQ” pra shqip nën “Windows XP anglisht”. Shko tek Start->Control Panel->Regional and Language Options. Aty shko tek regjistri “Languages” dhe pastaj shtyp “Details”. Pas hapjes se dritares shtyp “Add” dhe zgjidh “Albanian”. Pastaj shtyp “Ok” deri sa të mbyllen dritaret. Pas shtimit të shqipes si modus tastiere gjuhet mund te duken tek shiriti i poshtëm (task-bari) ku dhe mund të ndërrohen shpejt e shpejt për detyra të ndryshme. Sigurisht shqipja mund të vihet pastaj dhe si gjuha standart e tastierës. Po për ketë po shkruaj ditë tjetër.

    Mbase këtë sugjermin teknik mund ta fusë xhaxhai tek artikulli i tij.

  4. Kjo çështja e ë-së apo ç-së, të paktën në Shqipëri dhe Kosovë mund të zgjidhet thjeshtë. Shteti duhet të detyrojë importuesit e kompjuterave të importojnë vetëm tastiera të shqipëruara pra me susta të veçanta për ë-të dhe për ç-të. Shqipërimi i tastierave është proçes i thjeshtë që nuk e rrit aspak çmimin. Në Gjermani, në fillimet e internetit ishte i njëjti problem pasi alfabeti gjerman përmban disa gërma të veçanta, “umlaute”, që në gjuhën e internetit filluan të zëvëndësoheshin me “oe” apo “ue” etj. Sidoqoftë, problemin në Gjermani e zgjidhi vetë tregu duke qenë se është treg i madh dhe nevojat e tij i imponohen teknologjisë dhe jo përkundrazi. Në Shqipëri dhe Kosovë zgjidhja nuk i duhet lënë tregut pasi ai është shumë i vogël për tu imponuar por zgjidhja duhet të vijë me urdhër nga lart. Pra duhet bërë me rregullim nga shteti.

  5. Në fakt, nuk është fare i nevojshëm ndonjë ligj i veçantë (tekefundit, kush e zbaton ligjin për ndalimin e duhanit), mjafton të binden ata që shpërndajnë kompjutera (Infosofti, apo ndonjë tjetër) për disa ndryshime minimale tek tastierat (që ata mund t’i ndërrmarin dhe vetë).

    Po të krahasojmë ndryshimet e tastierës QWERTY për gjuhën angleze, me versionin për gjuhën shqipe, ato janë si më poshtë:

    Rreshti i parë (2 ndryshime): tasti `~ kthehet në | dhe 2@ në 2″
    Rreshti i dytë (4 ndryshime): tasti yY kthehet në zZ dhe [{ në çÇ dhe ]} në @’ dhe | në ]}
    Rreshti i tretë (2 ndryshime): tasti ;: në ëË dhe ‘” në [{
    Rreshti i katërt (3 ndryshime): tasti zZ në yY dhe , në .:

    Nga këto 11 ndryshime, humbasin katër simbole: ` ~ > <
    5 tastave të tastierës mjafton që t’u shkëmbehet posicioni në tastierë, 6 tasta kanë nevojë të shënohen me simbolet e rinj.

    A nuk gjejmë dot ndonjë firmë në Shqipëri që të paktën të llogarisë sa do të ishte kostoja (reale) e një ndryshimi të tillë dhe pastaj kjo t’i paraqitej Ministrisë së Arsimit, që tastiera të tilla të sponsorizoheshin për shkollat? Megjithëse ku i dihet, ajo kontrata me Microsoft-in, ndoshta e ka marrë parasysh një nevojë të tillë.

  6. E keni vënë re se si komentet mbi këtë postim përmbajnë të gjitha shkronjën “ë”, edhe pse personat që kanë lenë këto komente në disa raste nuk e përdorin?

    Besoj se nëse insistojmë në përdorimin e “ë “- së atëhere mund të detyrojmë dhe bashkëbiseduesit të rrespektojnë disi më shumë gjuhën.

  7. Mbaj mend të kem lexuar dikur një ese për ndikimin e veglave shkruese në stilin e të shkruarit. Sipas asaj eseje, të shkruarit me penë impononte një stil të caktuar, për shkak se shkrimtarit i duhej herë pas here ta shkëpuste përqafimin e shkrimit me mendimin, për të ngjyer penën në bojë. Thua se, gjatë një tangoje, njëri prej partnerët të shkëputej momentalisht nga krahët e tjetrit, për të lidhur këpucën, ngritur pantallonat, fshirë djersët nga gusha, drejtuar fundin tulatur mes shalëve të nxehta, ose futur në gojë taktikisht një mente. Më pas, kur pena u zëvendësua nga stilografi, ndalesa të tilla nuk ishin më të nevojshme, prandaj edhe stili i të shkruarit u bë më i rrëmbyeshëm, meqë shkruetarëve u duhej të ndaleshin vetëm në fund të faqes, ose për t’u teshtitur e kollur (kjo e fundit sidomos për poetët e panumërt me tuberkuloz, midis 1850-ës dhe 1950-ës). Që ka një të vërtetë të padiskutueshme këtu, ma provon edhe vështirësia për të shkruar, bie fjala, një fjali të përbërë në murin e nevojtores, çka lidhet drejtpërdrejt me pozicionin e parehatshëm të dorës dhe të krahut, shoqëruar me shkrehjen fizike ose relaksimin e përgjithshëm muskulor pas spazmave të jashtëqitjes. Nga ana tjetër, te pikërisht kërkesa për t’ia ruajtur shqipes shkronjat e veta të alfabetit unë shoh një mundësi të rrallë për të risjellë pak arsye në shqipen e grafokratëve të Internetit; sepse edhe atyre më të shpejtëve do t’u duhet gjithsesi të ndalen e të kujdesen për paraqitjen grafemike të manifesteve të tyre. Mua vetë nevoja për ta përpunuar tekstin shqip edhe nga ajo anë më ndihmon për të bërë ndryshime e ndreqje në tekstet; ndërsa gjatë polemikave më lejon të qetësohem e t’i qeth disa pasazhe shpërthyese, me të cilat deri para pesë minutave krenohesha. Natyrisht, unë s’e modifikoj dot tastierën e kompjuterit, sepse më janë mësuar gishtat me QWERTY-n e anglishtes; prandaj thjesht e shkruaj ë-në si w, për ta zëvendësuar pastaj në krejt dokumentin me shenjën që duhet; kurse ç-në e përftoj me CTRL + comma (presje), c/C; gjithnjë brenda mjedisit MS Word. Gjithsesi, këto teknika anësore më japin kohë të mendohem, t’i rishkruaj gjërat e ta ngjyej me kujdes penën në arsye. Do të më thonë që ashtu humbet spontaneiteti (vetvetishmëria); por kush ia pa hairin spontaneitetit në Internet, përveç ekstremistëve?

  8. I nderuar Pishak,

    slogani: “Ashtu qoftë!”, jo “Ashtu qofte!”

    është madhështor fare; mua më pëlqen pa masë, dua menjëherë ta stampoj mbi një t-shirt dhe këtë ta vesh pastaj gjithë verës – me ose pa vend. Pres vetëm verën, ndërkohë që këtu tek unë nuk ka ardhur akoma as pranvera…

    Tjetër gjë. Ka një zgjidhje zyrtare gjermane – më të hershme se periudha e internetit – për përshtatjen e germave të alfabetit gjerman tastierave pa “ö”, “ä” dhe “ü”, e cila mundëson shkrimin e këtyre zanoreve si “oe”, “ae” dhe “oe”, e cila sot rastësisht kënaq nevojën e shkrimit korrekt të gjuhës atje ku për arsye objektive nuk është më e mundur përdorimi i germave të para. Rregulli është, qe këto përdoren vetëm si përjashtim dhe duhen përdorur në të gjithë tekstin dhe jo vetëm në pjesë të tij.

    Pra gjermanishtja e shkruar vetëm se e toleron këtë mënyrë shkrimi kur nuk ka asnjë zgjidhje tjetër dhe mua më duket se shqipja ka nevojë për një zgjidhje të tillë, asaj vërtetë që i mungon pavarësisht nga optimizmi ynë për rehabilitimin e ë-së, që tashmë duket se është më se evident. Nga sa më kujtohet në alb-club zoti Bashkim Kopliku u mundua disa herë të shkruante në këtë formë, që në të vërtetë i bënte shkrimet e tij të palexueshme edhe në kuptimin optik të fjalës, pasi iniciativa të tilla private nuk shpien kërkund. Nga ana tjetër, siç e përmenda edhe më sipër, nuk është gjithnjë e mundur të shkruhet me “ë” (telegrame, adresat elektronike, telekset, mesazhet ushtarake, etj. etj.) dhe gjithsesi shkruesi i shqipes është i lënë vetëm përpara këtij problemi. Në prag të hyrjes në NATO akoma rrezikojmë që optimizmin tonë më se legjitim për këtë hap të jashtëzakonshëm historik të kombit që nga koha e aleancës se Skënderbeut me Alfonsin e Dytë të Napolit, që ashtu qoftë, ta paketojmë sikur të ishte qofte.

    Problemi tjetër është, si do të zgjidhet puna e germës “ç”, sepse edhe kjo ka nevojë për zgjidhje, pavarësisht se nga pikëpamja statistikore ndeshet relativisht rrallë.

    Ndoshta vërtetë do të ishte e nevojshme të aplikohej vetëm në raste përjashtimore, madje edhe më të kufizuara se gjermanishtja përdorimi i kombinimit „ee“ për „ë“ dhe „cc“ (apo „ct“) për „ç“, në mënyrë që shqipja të shkruhet jo vetëm korrekt por edhe në mënyrë funksionale?

    Pra në një tekst jo, por në një adresë elektronike po?

  9. Qe te veme pikat mbi e, duhet thene se arsyeja ime nuk me eshte bezdisur asnjehere nga mungesa e pikave (gjithmone sipas arsyes time, qe nuk do te ishte ne gjendje te aryetonte drejt ne qofte se nuk do ishte e arsyeshme). Pastaj, mos harroni edhe dicka tjeter. Parregullsite e shqipes nuk vihen re ne nivelin e diskursit gjuhesor, i cili ushtron vullnet mbi vetveten, por ne nivelin e komenteve ndaj ketij diskursi, te cilat jane ne pergjithesi me te leshuara dhe me pa fre nga natyra, sa do qe te perpiqemi.

  10. Lulian Kodra shkruan:

    Qe te veme pikat mbi e, duhet thene se arsyeja ime nuk me eshte bezdisur asnjehere nga mungesa e pikave…

    Lulian këtu dua të shtoj dy gjëra: (1) sa herë që e shkruajmë shqipen me alfabet të cunguar, sillemi në të vërtetë si të ishim free riders brenda sistemit të gjuhës, pothuajse njëlloj si ata të tjerët që nuk paguajnë bileta në metro ose mashtrojnë shtetin për të marrë ndihma ekonomike; sepse në të dy rastet është fjala për të ndjekur ose jo rregulla të përbashkëta për komunitetin, të cilat ne mund t’i shkelim vetëm e vetëm ngaqë shumica i respekton; pasi edhe shqipen ne mund ta shkruajmë pa disa shkronja vetëm e vetëm ngaqë shqipja e shkruar këto shkronja i nënkupton dhe ne i vendosim atje me mendje edhe kur nuk i përdorim, sikurse e zëvendësojmë një gur shahu, p.sh. mbretëreshën, me një objekt çfarëdo (një kopsë ose një kokërr lajthi, por jo një brumbull të gjallë ose një pikë uji), në qoftë se i mungon takëmit të shahut; ashtu edhe sistemi i transportit publik e ka aq përkulshmëri sa të përballojë një numër të caktuar udhëtarësh që nuk paguajnë biletat, por vetëm në atë masë që të tjerët, ose shumica, i paguajnë; (2) kam përshtypjen, por vetëm përshtypjen, se shumë prej atyre që nuk përdorin të gjitha shkronjat e shqipes nuk e bëjnë për arsye prakticiteti ose shpejtësie, por vetëm ngaqë nuk dinë ose nuk arrijnë ose kanë harruar t’i përdorin mirë, ose nuk kanë aq familiaritet me shqipen e shkruar sa ta kuptojnë diferencën në cilësi midis një teksti që i përdor të gjitha shkronjat e alfabetit dhe një teksti tjetër që i lë jashtë disa prej tyre për të vetmen arsye që i mungojnë tastierës së kompjuterit të anglishtes (khs. një nokturn të Chopin-it të luajtur me një tastierë Casio); pra është fjala më tepër për një kompensim nga ana e atyre që, për shkaqe të ndryshme, nuk kanë arritur ta kryejnë dot edukimin e plotë gjuhësor në gjuhën shqipe dhe shkrimin e drejtë të kësaj gjuhe nuk e konsiderojnë si ndonjë farë detyrimi etik ndaj vetes, të tjerëve dhe gjuhës vetë; çka është deri diku ironike, për vetë faktin që alfabeti i shqipes u vendos në trajtat që ka sot ngaqë ashtu do të ishte më e lehtë për tekstet shqipe të shtypeshin në shtypshkronja të blera në Europën Perëndimore!

  11. Ndoshta mungesa e “ë”-ve në Internet nuk do të ishte edhe aq problematike sikur “qoftë” vertëtë të bëhej “qofte” dhe jo siç ndodh zakonisht që bëhet “qoft”.

    Mes qoftes dhe qoftit, jo se dua të mbaj ndonjë fjalim fenimist, por do të parapëlqeja atë të parën, ndoshta ngaqë kjo tregon se shkruesi, në fund të fundit e njeh drejtshkrimin e gjuhës dhe po bën një marrveshje të heshtur me lexuesin për t’i marrë me mend dy pikat që mungojnë aty ku mungojnë, për shkak të pamundësisë (teknike, kohore, mendore) të rastit. Por, kur kjo mungesë vjen e i shtohet një sëre cungimesh e bastardimesh të çdo lloji të gjuhës, tedzti bëhet i paleksueshëm fare dhe nokturni i Shopenit mbi “Casio” ia lë vendin nokturnit të Shopenit mbi “Pianon virtuale” që kam të instaluar këtu në kompiuterin tim. (Për ata që po pyesin veten, është thjeshtë një program që prodhon nota kur shtyp tastet. Për të kaluar në një oktavë më lart mund të mbash shtypur “Shift”-in…)

    Zanafillën e këtyre zhvillimeve të dhimbshme në gjuhën tonë nuk arrij t’a gjej tek teknologjia, meqenëse para 5 vjetësh më binte rruga çdo ditë përpara një muri të zverdhur shtëpie të vjetre tironse, ku dikush, nga ambicia vetjake apo nga mungesat e shumta në tetë-vjeçare, kishte zhgarravitur parrullën “PD DO FITOJ”.

    Fitoi apo s’fitoi ky i uruari, këtë nuk e mora vesh kurrë. Megjithatë, frymëzuar nga SMS-at e tim ati që më shkruan shpesh se “mé do shumé”, edhe unë po i uroj shqiptarit amibicioz “Ashtu qofté!”

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin