NË EMËR TË ZHGËNJIMIT

“Berisha ik!” është shembulli i fundit i asaj marrëdhënieje të munduar të publikut shqiptar me autoritetin të cilën përndryshe e kanë përshkruar si fantazi të zhdukjes, ose shpresë se të gjitha problemet do të zgjidheshin, sikur elitat në pushtet të zhdukeshin pa lënë gjurmë.

Për pesëdhjetë vjet shqiptarët u mësuan me autoritetin paternalist të Enver Hoxhës, i cili përfaqësonte atin simbolik, unik e të përbashkët të kombit; ose autoritetin e pakundërshtueshëm prindëror, si burim dhe arsye e rendit ekzistues të sendeve. Nuk është e rastit që regjimi totalitar në Shqipëri nisi të shkërmoqej kur vendin Hoxhës ia zuri Ramiz Alia, dhe kur regjimi vetë u shndërrua, për ta thënë me fjalët e një gazetari turk të asaj kohe, në një “diktaturë pa diktator”.

Të thuash që shqiptarët i duan liderët e tyre të fortë, autoritarë, të dhunshëm, të plotpushtetshëm e madje arbitrarë nuk mjafton.

Çka publiku atje kërkon të gjejë, sado pavetëdijshëm, në figurën e liderit është autoriteti moral, ose integriteti etik. Vetëm një udhëheqës i ndershëm, i paanshëm e i patunduar nga mëkati meriton respektin e plotë të shqiptarit të rrugës.

Me fjalë të tjera, në Shqipëri është etika personale e liderit që ia legjitimon autoritetin në sy të publikut; jo mënyra si e ka marrë pushtetin, as politikat që ndjek në praktikë.

Deri dje, etikën e liderëve historikë shqiptarë – Zogu, Hoxha – e garantonte jo aq frika, sesa distanca midis tyre dhe polemit; ose lehtësia me të cilën miti i liderit i mbivendosej eksperiencës së drejtpërdrejtë të liderit vetë nga publiku.

Sot, përkundrazi, kjo distancë është reduktuar praktikisht në zero si pasojë edhe e drejtpërdrejtë, edhe e tërthortë, e përfshirjes së mass mediave në jetën publike – meqë tanimë jo vetëm një pjesë e domosdoshme, por krejt veprimtaria e liderëve i transmetohet publikut në emër të tejdukshmërisë demokratike, por edhe e nxitur nga dëshirat e liderëve vetë për protagonizëm.

Publiku shqiptar e sheh veten të ulur më afër skenës nga ç’do të kish dashur; aq afër, sa sublimimi i nevojshëm që autoriteti të funksionojë normalisht nuk mund të arrihet dot më.

Jo vetëm përgjegjësia e elitave në pushtet për korrupsionin e pashembullt në shoqërinë shqiptare, por edhe përpjekjet e tyre për t’u shfajësuar kontribuojnë tashmë në neverinë e përgjithshme. Nëse Shqipërisë i shkojnë punët si mos më keq, si të mos ua vësh fajin atyre në krye – edhe pse ti vetë i ke çuar atje, me votën tënde “të lirë”?

Veçoria e jetës publike të atjeshme qenka, kështu, se salla u kërkon aktorëve në skenë të udhëheqin, para së gjithash, moralisht.

Kjo është një shoqëri që ka nevojë për priftërinj, jo për ekzibicionistë të politikës; sepse çka i mungon qenka udhëheqësia shpirtërore, jo administrative; të cilën nuk mund t’ia japin dot filistinët e pashembullt në parlament, rondokopët në qeveri e në instanca të tjera të pushtetit, businessmenët e hurit e të litarit, horrat e kodoshët e tregjeve e të trafiqeve, bixhozçinjtë e krimit.

Richard Sennett, tek i cili e kam gjetur përshkrimin e fantazisë së zhdukjes si simptomë e refuzimit patologjik të autoritetit vëren edhe se, brenda inskenimeve të kësaj fantazie, ata që shpresojnë se shpëtimi mund të vijë kur të hiqen qafe klasat në pushtet, janë të njëjtët që i kërkojnë pastaj pushtetit politik të jetë i pranishëm e veprues në mënyrë kapilare e kudo, si baba i mirë, i gatshëm për t’iu gjendur krah fëmijëve në vështirësi.

Është një fantazi e dënuar të prodhojë zhgënjim; sidomos sa herë realizohet përnjimend.

 

2 Komente

  1. Ndoshta është e vërtetë që flasim dhe nuk do të na dëgjojë njeri, ndoshta është e vërtetë që është e kotë që edhe të IKë, por nuk shikoj ndonjë mundësi (larg qoftë, vdekje natyrale??) të largimit vullnetar të politikanëve që kanë hedhur rrënjë tashmë në SISTEM.
    Nuk të duket se shumë njerëz e konsiderojnë BABA të Domosdoshëm dhe të Pazëvëndësueshëm që duhet ti ketë duart kudo? Kjo do të ishte një zgjidhje normale?
    Nëse dhe zgjidhjet e tjera do shkaktojnë zhgënjime, kjo s’do të thotë që duhet të pranojmë në pafundësi të jetojmë nën Zhgënjimin.

  2. E cili brez nuk ndihet i zhgenjyer ne ate vend?Qysh prej ekzistences , shteti shqiptar ka krijuar vetem zhgenjime.Sistemi demokratik ne fillim te shekullit te kaluar krijoi anarki,kaos e pasiguri.I zhgenjyeri i madh i tij vendosi mbreteri qesharake, duke lene te zgenjyer e ne mjerim, klasen politike qe nukl i shkoi pas.Komunistet genjyen e zgenjyen veten e te tjeret…Tani nuk behet fjale as per ndertim shteti, por per nje sistem mafioz prej te cilit ata qe quhen politikane mundohen te perfitojne sa me shume.Dje thonim Fatos ik , se e teprove,Sot themi Berisha ik, se po thyen rekorde te reja.Neser… me siguri nje emri tjeter, mos e dhente zoti, qe te quhet Ed.
    Problemi eshte i qarte:liderat pasqyrojne ne njefare menyre aspirat dhe qellimet e turmes shqiptare, qe tani nuk eshte as e urbanizuar e as e rustikalizuuar plotesisht.Shkurt, e coroditur.Shumica na kjo turme enderron ate qe tashme lideret e kane bere:te zene nje vend qe te kene dicka ne dore e pastaj te mund te vjedhin qetesisht.Ndaj me kete sistem brezat do te zhgenjejne vazhdmisht njeri-tjetrin.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin