SHQIPJA TOTALITARE XXVI

Një nga karakteristikat më të qëndrueshme dhe transversale të ligjërimit totalitar është minimizimi i subjektit folës ose i subjektit të thëniezimit, siç quhet ndryshe. Mënyrat dhe teknikat për ta realizuar këtë ishin të ndryshme – që nga përdorimi i vetës së parë njëjës në shumës, te format pavetore të foljeve ose parapëlqimi i ndërtimeve pësore. Mes këtyre mënyrave, trajtim të veçantë meriton adoptimi i të ashtuquajturit rol i zëdhënësit. Me këtë term kam parasysh të gjitha ato instanca kur folësi e reduktonte veten në zëdhënës ose përfaqësues të një grupi, drejtpërdrejt ose tërthorazi.

Shprehja stereotipike:

Në emër të popullit je i arrestuar!

Ilustron këtë lloj shndërrimi; meqë personi që kryen arrestimin edhe nëpërmjet aktit gjuhësor, vepron si përfaqësues e si instrument i ligjit ose i “popullit”, jo me vullnetin e vet të lirë. Megjithatë, në rastin e mësipërm roli i zëdhënësit është real, meqë arrestuesi vërtet përfaqëson ligjin, jo vullnetin e vet individual. Specifikë e ligjërimit totalitar ishte simbolizimi i rolit, ose paraqitja qëllimisht e ligjërimit publik si zëdhënie. Ideja, në këtë rast, ishte që akti ligjërimor publik të mos dukej aq si i prodhuar rishtas, sesa si rezultat sa i arsyetuar aq edhe i zhdrejtë aktesh të tjera të mëparshme. Shndërrimi i subjektit folës në instrument përcjellës ose ndërmjetësues lejonte edhe që procesi deliberativ, ose i vendimmarrjes të shkëputej artificialisht nga procesi ligjërimor publik. Kryemetafora në bazë të një shndërrimi të tillë do të mund të formulohej kështu: individi është instrument.

Leksikisht, zëdhënia realizohej nëpërmjet shprehjesh stereotipike si:

Kam ardhur t’ju flas në emër të
Në emër të kolektivit…
Kujtoj se shpreh dëshirën e gjithë të pranishmëve…
Në emër të zgjedhësve… të delegatëve…
Në emër të të gjithë shokëve/të pranishmëve/të ftuarve
Në emër të konferencës/mbledhjes/plenumit/aktivit…
E kemi amanet nga
Siç na kanë porositur shokët e qendrës
Shokët më kanë ngarkuar t’ju them se…

Efekt i drejtpërdrejtë i një organizimi të tillë të ligjëratës si raportim ligjëratash të mëparshme që mund të jenë, por mund edhe të mos jenë të vërteta, ishte vështirësia nëmos pamundësia për ta kundërshtuar vullnetin e “grupit” i të cilit folësi e paraqit veten si zëdhënës; sidomos kur ky grup ka vetvetiu autoritet.

Një tjetër efekt i zëdhënies ishte prirja për ta interpretuar çdo akt ligjërimi publik si riprodhim të mendimit të grupit, ose si ligjëratë të zhdrejtë; madje edhe në ato raste kur zëdhënies i mungonin spirancat e nevojshme gjuhësore në ligjëratë.

Ashtu jo vetëm zëri i individit shkrihej në zërin e masës, por edhe përgjegjësia individuale tretej në përgjegjësinë kolektive.

Një mënyrë e tërthortë për ta realizuar zëdhënien ishte duke vendosur si subjekte të thënies emra kolektivë ose në shumës:

Shokët më kanë deleguar

Byroja Politike më ka dërguar t’ju siguroj se…
Partia u thotë jo këtyre insinuatave
Partia ua pret gjuhën këtyre nepërkave
Plenumi i refuzon me forcë këto akuza

Në një rrafsh ligjërimor më formal, i njëjti efekt arrihej nëpërmjet formulash pak a shumë të shtangëta:

Me urdhër të
Me vendim të Këshillit të Ministrave/Byrosë Politike/KQ
Me kërkesë të
Me dekret të
Me porosi të
Me propozim të… (autoriteti)
Me autorizim të
Në zbatim të vendimeve/udhëzimeve/direktivave
Në zbatim të mësimeve të sh. Enver
Në zbatim të porosive të çmuara të…
Siç na porositi edhe i deleguari…
Në mbështetje të
Në përkrahje të

Duke shprehur solidaritetin tonë me
Në vijim të përpjekjeve për…

Shprehjet e mësipërme, funksioni i të cilave mund të krahasohet me atë të çelësit në një partiturë muzikore, i sinjalizojnë publikut se, teksti vijues është në të vërtetë riprodhim ose rimarrje e një ligjërate ekzistuese pak a shumë autoritare, me të cilën folësi solidarizohet tërësisht, edhe pse ky akt solidarizimi nuk ka ndonjë farë rëndësie në vetvete. Si edhe në raste të tjera, subjekti folës ishte i detyruar t’i përmbahej rolit të ndërmjetësit në ligjërim.

Kjo ligjëratë autoritare model, e cila i paraekzistonte ligjërimit publik, mishërohej në tekste me natyrë pak a shumë preskriptive, të tilla si mësimet (e pavdekshme), porositë (e çmuara), vendimet (historike) të Kongreseve, fjalimet (programatike), direktivat, orientimet, e kështu me radhë. Idealisht, autor i vetëm i të gjitha këtyre teksteve ishte udhëheqësi suprem, ose Enver Hoxha.

Mekanizmi i zëdhënies ka pika takimi me paranojën e marrjes publike në pyetje të “elementit armik”, meqë demaskimi publik i një personi politikisht të komprometuar shpesh do të realizohej si një orvatje për të zbuluar se “kush fshihej” pas këtij personi:

Në emër të kujt flet ti, mor zotni?
Ç’përfaqëson ky njeri?
Zëdhënës/tellall/bedel i kujt je ti, more…
Interesat e kujt mbron?
Avokat i kujt bëhesh?
Me fjalët e kujt po na flet?
Kush ta ka shkruar fjalimin?
Kush t’i ka diktuar këto qëndrime?
Me urdhrin e kujt u fute në veprim?
Kush të ka paguar t’i thuash këto?
Sa të kanë paguar?
Politikën e kujt bën ti këtu?
Tezat e kujt janë këto që i ke bërë të tuat?
Kush të shtyu të veproje kështu?
Ku e ke marrë frymëzimin për këto?
Kush ta ka dhënë direktivën për…?
Kush t’i ka futur këto gjëra në kokë?
Të kujt i ke këto mendime/teza/propozime
Kush fshihet prapa këtij armiku?
Kush ia lëviz fijet?
Kush flet me zërin e tij?
Thuaju atyre që të kanë dërguar këtu/që të paguajnë
Për kë punon ti?
Kujt i shërben ti?
Shërbëtor i kujt je ti?

Kësisoj prapa çdo armiku të vërtetë ose të supozuar do të zbulohej një organizatë, komplot ose grup armiqësor. Aq e fortë ishte alergjia e totalitarizmit ndaj individit, sa as armikut nuk i lejohej luksi që të vepronte si subjekt i lirë dhe individual.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin