FAJIN E KA ÇERNOBILI

Sipas një raporti të Organizatës Botërore të Shëndetit, ajri i ndotur në Shqipëri vret së paku 200 vetë në vit, kryesisht në Tiranë; kjo pa përmendur shtimin e madh të sëmundjeve të rrugëve të frymëmarrjes, sidomos në fëmijët. Shkaku kryesor i kësaj ndotjeje, gjithnjë në bazë të këtij raporti, është parku i amortizuar i automjeteve dhe cilësia e keqe e karburanteve që përdoren.

Logjika kërkon që, pas botimit të këtij raporti, shoqëria civile në Shqipëri të ngrinte zërin për zbatimin e standardeve, qoftë edhe minimale, për cilësinë e ajrit në qytetet. Aq më tepër që, raporti i OBSH nuk përmend fare viktimat e ndotjes së ujit të pishëm nga ujërat e zeza, ose në përgjithësi të gjithë ata njerëz që sëmuren ose humbin jetën si pasojë e papastërtive në mjedis të tilla si plehrat, ushqimet e prishura nga mungesa e energjisë elektrike, e ashtu me radhë.

Çuditërisht, shqetësimi kryesor i “mjedisorëve” këto ditë në Shqipëri ka të bëjë jo me ndotjen e sotme, por me ndotjen e nesërme, që mund të ndodhë në rast se ideja e kryeministrit Berisha për të ngritur një central bërthamor në Shqipëri bëhet realitet. Faqet e para të gazetave janë të mbushura me lemerinë e politikanëve të opozitës, të cilët befas janë gdhirë të gjithë ithtarë të flaktë të mjedisit të pastër e kundërshtarë të rreptë të bërthamorit.

Ja ç’thotë nënkryetari i grupit parlamentar të PS, Erion Braçe:

Kjo është një çështje që mund të rezultojë jetike për çdo shqiptar këtu dhe jashtë Shqipërisë”, insistoi Braçe, duke sqaruar se historia e centraleve nukleare është tejet e dhimbshme edhe për vendet më të mëdha, më të zhvilluara e më të sigurta sesa Shqipëria dhe që natyrisht ka sjellë pasoja katastrofike pikërisht për këto vende. “Vende të tilla të Bashkimit Evropian si: Norvegjia, Portugalia Irlanda, Greqia dhe Danimarka nuk kanë në territoret e tyre asnjë central nuklear të ngritur. Dhe nuk kanë as plane afatshkurtra apo afatgjata për ngritjen e këtyre centraleve nukleare”, u shpreh Braçe. Ai shkoi edhe më tej, ndërsa tha se një prej kushteve që Bullgaria të hynte në BE ishte mbyllja e një centrali të tillë me teknologji lindore në territorin e saj. “Një central nuklear natyrisht që punon me lëndë radioaktive, të cilat sot Shqipëria nuk i disponon. Që do të thotë se funksionimi i këtij centrali nuklear do të kërkojë medoemos që vendi ynë të bëhet edhe një shesh për transportin apo për mbajtjen e lëndëve nukleare, veçanërisht uraniumit”, nënvizoi Braçe, duke argumentuar se vetë funksionimi i centralit nuklear sjell mbetje të tilla radioaktive, që janë të dëmshme për shëndetin e qytetarëve.

Ja edhe një specialist i mjedisit, Sazan Guri:

Sipas specialistit të mjedisit Guri, çentrali bërthamor, “është një ëndërr e bukur, por realisht i pa ndërtueshëm të paktën për një periudhë 10 vjeçare që do të kërkojë ngritjen e infrastrukturës ligjore e teknike dhe madje edhe provimin si të suksesshme dhe të sigurtë të kësaj infrastrukture”. Ajo që theksojnë speci[a]listët është fakti se para ndërmarrjes së një hapi të kësaj natyre, vendi duhet të garantojë siguri maksimale, pasi në rastet të këtilla, mjafton një gabim për të shkaktuar dëme të pakthyeshme dhe shkatrim.

Megjithatë, teksa të gjithë këta njerëz të ditur e largpamës shqetësohen për rrezikun e një vepre së cilës nuk i është bërë akoma projekti, e në një kohë që shoqatat lokale po fillojnë të thërrasin me të madhe “larg duart nga Durrësi”, për të mos lejuar që centrali bërthamor të ngrihet afër qytetit të tyre, ja ç’lexoj në një artikull të Artan Lames:

Së shpejti, qyteti i Durrësit do të mbajë një rekord të zi. Do të jetë i vetmi qytet pa një park a zonë të gjelbër të tijën (në fakt, se në letra ka plot). Rekord i zi, por rekord ama. 25 shekuj qytetërim, i lanë Durrësit mbi krye një kodër të gjelbëruar që, ca varfëria e ca kohët, bënë që të mos prekej. Pastaj, në fund të viteve ‘20, Kodra u bë pronë e përbashkët e të gjithë qytetarëve dhe majë saj u ndërtua Vila Mbretërore, një xhevahir bukurie që kohët treguan se nuk e meritonim. Shkuan vite dhe italianët, këta pushtues maniakë të bukurisë, e mbollën të gjithë kodrën me pemë dhe shtruan një rrugë piktoreske, që të dytë nuk kish vendi. Qyteti poshtë u rrit e u zmadhua, po Kodra me vilën e hirshme majë saj mbetën pjesa më e bukur e këtij vendi, ku kushdo gjente prehje e qetësi dhe i vetmi kanal përmes të cilit Durrësi mbushej me frymë të pastër. Sot ky kanal është prerë. Qyteti, i shtrënguar midis detit dhe kënetës së mbushur me ndërtime pa leje, ju kthye parkut të Kodrës dhe e mori me sulm. E gjithë Kodra u mbush me pallate, pishat e pemët u prenë barbarisht, rruga u copëtua e u shkatërrua pa mëshirë. […]

Ore po në fund të fundit, pse duhej të shpëtonte Parku? Kush e do atë? Komisioni i Kthimit të Pronave nuk e do, se do që t‘ua kthejë pronarëve dhe kështu të marrë copën e vet. Ish-pronarët nuk e duan, se duan të ndërtojnë. Bashkia nuk e do, se do të japë leje ndërtimi. Ndërtuesit nuk e duan, se duan të bëjnë pallate. Ata që punojnë aty, apo që prodhojnë materiale ndërtimi nuk e duan, se duan të punojnë e të shesin materialet. Ata që kanë para nuk e duan, se duan të blejnë shtëpi aty te ndërtimet e reja, se do jenë në vend të mirë. Banorët poshtë fushës e kënetës nuk e duan, se u duhen pemët e prera për t‘u ngrohur. Politika nuk e do, se do të fitojë votat e këtyre që rreshtova më sipër. Atëherë vërtet mendoni se Parku mund të shpëtonte vetëm se po i qaj unë përsipër, apo se mbetën pa fole zoqtë, që nuk kanë ku të këndojnë më në Durrës? Jo mor Zot, nuk funksionon kështu kjo punë. Kur të jetë prerë edhe pema e fundit, kur të jetë mbuluar me beton edhe centimetri i fundit, kur të kemi thyer edhe antikën e fundit, kur të ketë mbetur vetëm kujtimi i kohës së bukur, vetëm atëherë bijtë a nipërit do zënë të vajtojnë për marrëzinë e etërve dhe gjyshërve.

Kur lexon për këto tmerre, të duket sikur shqetësimi kryesor i opozitës në Shqipëri është që këto shkatërrime të mjedisit po i bën PD-ja e Berishës, pa u lënë radhë atyre të tjerëve. Të vjen ndot kur lexon që edhe një çështje të tillë madhore, si furnizimin me energji elektrike, e majta po e përdor vetëm e vetëm për të goditur qeverinë e për ta diskredituar, duke spekuluar me padijen dhe frikën e natyrshme të publikut ndaj gogolit bërthamor. Sa për shoqatat lokale të mbrojtjes së mjedisit, mesazhi i tyre i tipit “larg duart nga Durrësi” sikur më tingëllon edhe më i qartë: “nuk të lemë, o Salë, që të na i shkatërrosh natyrën tonë të mrekullueshme, malet e Shqipërisë e lisat e gjatë e bregoret bukuroshe e lumenjtë e kulluar, sepse duam t’i shkatërrojmë vetë me duart tona të arta e të ngremë qytetërimin tonë të betonit total, të cilit as atomi nuk ia gjen dot anën.”

Ç’t’i thuash kësaj inkoherence? Unë as skizofreni nuk e quaj dot, sepse nuk dua të fyej skizofrenët…

1 Koment

  1. Ata që flasin kështu, flasin se akoma s’kanë dëgjuar që tashmë jemi në ‘brezin e katërt’ (la quarta generazione) të energjisë bërthamore.

    Është e njëjta gjë që të trembesh akoma nga rezervuari i avullit (tek makinat e para me avull) ndërkohë që janë motorët me djegie të brëndëshme për të cilët po diskutohet.
    Dhe jam komplet dakord me Sazan Gurin… kushdo që do të investonte një kapital të tillë, do të bënte një studim shumë më të thellë se të fillonte që të bënte rrugën Durrës-Morinë 😉 .

    Ngrija e një çentrali të tillë në Shqipëri do të ishte dhurata më e madhe që Zoti do ti bënte asaj…

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin