ALBANOLOGJIA ALTERNATIVE

Konfliktit midis albanologjisë standard dhe albanologjisë alternative i kam kushtuar disa herë vëmendje në këtë blog, sidomos ngaqë kohët e fundit vërej se mediat dhe publiku interesohen gjithnjë e më shumë për vepra të albanologjisë alternative, të cilat nganjëherë reklamohen si modele për t’u ndjekur edhe nga dijetarët profesionistë të Akademisë.

Një nga kritikat që i janë bërë Akademisë shqiptare ka lidhje me heshtjen e gjuhëtarëve, historianëve, filologëve dhe antropologëve profesionistë ndaj tezave alternative që qarkullojnë në mediat, për lidhjet shqiptaro-pellazgjike, shqiptaro-etruske dhe të tjera teza edhe më fantastike, të cilat synojnë të përmbysin krejt arritjet e shkollës historike-krahasimtare në albanologji.

Kjo kritikë formulohet pak a shumë kështu: nëse Zacharia Mayani, Spiro Konda, Nermin Vlora-Falaschi, Aristidh Kola, Robert D’Angély, Giuseppe Catapano, Petro Zheji, Eleni Kocaqi, Mathieu Aref e të tjerë të kësaj kategorie i kanë tezat dhe hipotezat të gabuara ose të paktën të pavërtetueshme, atëherë përse nuk ngrihen akademikët t’ua hedhin poshtë veprat me argumente, në vend që t’i shpërfillin në mediat, duke i quajtur “amatorë” ose “sharlatanë”?

Në të vërtetë, këta që e formulojnë këtë kritikë nuk duket ta kenë mirë parasysh që dija, përveçse kërkim ose qasje ndaj së vërtetës, është edhe sistem komunikimi, ose shkëmbim informacionesh. Që ky komunikim të ndodhë, duhet që palët komunikuese të përdorin të njëjtën “gjuhë”, ose, siç thonë semiologët, të njëjtin kod. Në rastin e konfliktit të mësipërm, mungesa e kritikës ose e komunikimit midis akademisë dhe albanologjisë alternative do parë më shumë si pasojë e mungesës së kodeve të përbashkëta.

Për mendimin tim, albanologjia alternative nuk është dije, por mitografi e maskuar si dije; që përdor disa instrumente të shkëputura ose metoda të veçanta të dijes për qëllimet e veta, të cilat nuk kanë të bëjnë me qasjen ndaj së vërtetës, por me krijimin dhe përhapjen e miteve të caktuara nxitëse ose ngushëllimtare. Albanologjia profesioniste, me fjalë të tjera, mund të merret me albanologjinë alternative vetëm duke e trajtuar si objekt studimi dhe veprat e saj si specimenë – por kjo nuk i përket aq historisë së shqiptarëve dhe të shqipes, sesa psikanalizës së ëndrrave kolektive.

Një nga mangësitë themelore të albanologjisë alternative, sado paradoksale, është natyra e saj ahistorike, ose paaftësia për ta konceptuar ekzistencën e objektit të studimit në kohë; çka kthehet në pengesë serioze dhe burim anakronizmash, kur është fjala për të shqyrtuar çështje të tilla si prejardhja e një populli ose e një gjuhe. Albanologët alternativë i shohin gjuhët dhe popujt si entitete statike, të ngrira e të pandryshueshme, çka i lejon pastaj të ndërmarrin krahasime të pamundshme, midis një fjale të shqipes së sotme dhe një fjale të greqishtes homerike, ose një mbishkrimi në një stelë varri etruske. Nuk duan të marrin parasysh që gjuhët ndryshojnë, ose që ndryshimi në kohë (së bashku me variacionin në hapësirë) është mënyra e vetme sesi mund të ekzistojë e të riprodhohet gjuha. Nuk duan as të pranojnë që sikur, mrekullisht, të gjendej sot një dokument i shkruar i parashqipes, të themi i shekullit V pas Krishtit, shumë prej nesh nuk do të kuptonim asgjë nga ai tekst.

Albanologët alternativë përdorin rregullisht burime autorësh të lashtë, grekë dhe latinë; duke i parapëlqyer ndaj rezultateve të gjuhësisë krahasimtare të shekujve XIX-XX; edhe pse shumë nga këta autorë të lashtë flasin për pellazgët “hyjnorë” njëlloj sikurse flasin edhe për Zeusin, Athinën dhe Apollonin; lotofagët dhe Circen; Herkulin, Minotaurin dhe Argonautët; Dedalin dhe Ikarin; çka don të thotë se marrin elemente dhe simbole të një kulture të dijes shumë të ndryshme nga e sotmja, për t’i shartuar arbitrarisht në dijen e sotme, e cila procedon me mënyra e mjete të tjera. Veprat e alternativëve janë zakonisht të pasura me citate të shumta nga historianët klasikë, fotografi monumentesh, statujash, objektesh arkeologjike, mbishkrimesh të lashta e të padeshifruara dhe të tjera xhingla e marifete mbresëlënëse, të cilat mund ta bëjnë një pjesë të publikut të besojë se është fjala për kërkime serioze, shumëplanëshe dhe erudite. Ti mund të sjellësh në libër faqe të tëra nga Herodoti, por e vërteta është se nocione të tilla si pellazgjishtja mbeten madhësi të panjohura ose simbole të ngjashme me x-in algjebrik, sa kohë që tekste në atë gjuhë ende nuk janë gjetur.

Një nga gabimet më foshnjore të albanologjisë alternative, të cilin e bëjnë edhe autorë që kërkojnë të jenë seriozë e të zbatojnë metoda pak a shumë rigoroze, është paaftësia për të trajtuar marrëdhëniet midis gjuhëve. Kushdo mund të pikasë ngjashmërinë, bie fjala, midis shqipes derë dhe anglishtes door; çështja është si duhet shpjeguar kjo ngjashmëri:

  1. Fjala ka hyrë në shqipe nga anglishtja;
  2. Fjala ka hyrë në anglishte nga shqipja;
  3. Edhe shqipja edhe anglishtja e kanë marrë fjalën nga një gjuhë e tretë;
  4. Fjala i përket fondit të përbashkët të shqipes dhe anglishtes, si gjuhë që rrjedhin nga një “mëmë” e përbashkët, indo-evropianishtja;
  5. Përkimi është një koincidencë rastësore, përndryshe nuk ka ndonjë lidhje prejardhjeje midis fjalëve.

Një nga arritjet më të mëdha të dijes historike-krahasuese ka qenë konceptimi i një metode shkencore objektive, e cila i lejon dijetarët që, në të shumtën e rasteve, t’u japin përgjigje pyetjeve të tilla, duke zgjedhur midis varianteve të mësipërme (të cilat nuk janë shteruese). Për derë dhe door, vlen shpjegimi në pikën 4., në një kohë që për një tjetër përkim (shqip kështjellë, anglisht castle) vlen shpjegimi në pikën 3., ndërsa për kompjuter (angl. computer) shpjegimi në pikën 1.

Shpesh kam dëgjuar kureshtarë të pyesin se si pikërisht përcaktohet kahu i një huazimi. Të thuash se shqipja dhe latinishtja kanë një numër të madh fjalësh të përbashkëta është një gjë; por të thuash se shumica dërrmuese e këtyre fjalëve kanë kaluar nga latinishtja në shqipen një gjë tjetër. Pse të mos i ketë marrë, përkundrazi, latinishtja nga shqipja?

Kjo pyetje nuk është aq naive sa ç’mund të duket. Përgjigjja do t’i jepet duke marrë parasysh faktorin historik-kulturor (ishin latinët që erdhën në Ballkan dhe e kolonizuan, jo të parët e shqiptarëve që pushtuan Romën); faktorin fonetik-historik dhe faktorin morfologjik. Zakonisht huazimet ndjekin kahun e ekspansionit politik dhe kulturor – turqishtja osmane i dha shqipes me mijëra fjalë, por shqipja turqishtes pas gjase asnjë. Në përgjithësi, etimologët dhe specialistët e fonetikës historike (ose dijes që studion rregullsitë e shndërrimit të tingujve ose fonemave të një gjuhe) nuk kanë probleme me përcaktimin e kahut të një huazimi.

Albanologët alternativë, përkundrazi, e interpretojnë historinë e gjuhëve dhe të popujve me delikatesën e demit në një dyqan porcelani, për ta thënë me një shprehje të anglishtes. Një biolog amator që konstaton se edhe miu, edhe pula, edhe qefulli kanë zemër, ose rruaza të kuqe në gjak, ose marrin frymë nuk arrin menjëherë në përfundimin se pula dhe qefulli rrjedhin nga miu; por më se një herë kam ndeshur në amatorë që lidhjet horizontale midis shqipes dhe greqishtes, si gjuhë indo-evropiane, t’i kenë paraqitur si prova se greqishtja rrjedh prej shqipes (pellazgjike)…

Kriza e albanologjisë akademike në Shqipëri u ka dhënë zemër amatorëve dhe sharlatanëve, të cilët duan ta shfrytëzojnë momentin për t’u legjitimuar si prodhues të dijes; disa duke i mëshuar edhe aspektit gjoja kombëtarist të veprës së tyre, e cila i nxjerr shqiptarët dhe shqipen autoktonë, të lashtë dhe të nderuar; por edhe përbërëses paranojake, e cila kërkon ta bindë publikun se shqiptarëve u është përvetësuar lavdia nga të tjerët (zakonisht grekët).

Pse nuk guxon të merret seriozisht akademia, thonë alternativët, me kundërshtimin e tezave të fantalbanologjisë? A nuk provon kjo se ne kemi të drejtë?

Sipas të njëjtit argument, biologëve do t’u duhej të uleshin e të shkruanin vepra për të vërtetuar se bota nuk është krijuar në 6 ditë, siç thotë Bibla.

Diçka e ngjashme ka ndodhur vitet e fundit në SHBA, kur disa qarqe ‘alternative’ promovuan teorinë se krejt projekti Apollo dhe ekspeditat amerikane në Hënë kanë qenë një mashtrim i adminstratës amerikane, si pjesë e Luftës së Ftohtë. Përkrahësit e kësaj teorie kanë sjellë një mori ‘faktesh’ fotografike që sipas tyre provojnë se skenat e shëtitjeve të astronautëve amerikanë në truallin e Hënës janë filmuar në ndonjë studio sekrete të NASA-s.

Kjo teori ka ngjallur polemika gjithfarësh, deri atje sa t’i kërkohet haptazi NASA-s që të paraqitë prova se misionet Apollo kanë ndodhur vërtet, nuk janë simuluar në mes të shkretëtirës, si në filmin “Capricorn 1”. NASA është përgjigjur me argumentin se, duke u marrë zyrtarisht me këtë teori, agjencia vetëm sa do t’i jepte legjitimitetin që i mungon.

Në të njëjtën mënyrë, albanologjia alternative më kot shpreson se albanologët akademikë, në Tiranë, në Prishtinë ose kudo tjetër në botë, do të gjejnë kohë për t’u marrë seriozisht me Vlorën, Catapano-n, Zhejin, Kocaqin dhe Aref-in; për t’i kundërshtuar me argumente e për të provuar se tezat e alternativëve nuk qëndrojnë. Sikurse është thënë, gjallërimi i interesit sot në mediat për alternativët është aksidental dhe i detyrohet pështjellimit në kulturën shqiptare; por nuk ka të bëjë me albanologjinë vetë, e cila është degë e dijes, jo e komunikimit masiv.

Pretendimi i alternativëve për vëmendje nga akademia është qesharak edhe për një arsye tjetër – në të vërtetë, vetë ‘veprat’ e këtyre heronjve të mbramë të kombëtarizmit mitik zakonisht nuk u kushtojnë vëmendje arritjeve ose problematikës së dijes albanologjike moderne. Mayani dhe Vlora, të cilët janë marrë me leximin e mbishkrimeve etruske, kanë përdorur për interpretimet deri edhe fjalë shqipe të cilat janë qartazi huazime të vona nga turqishtja; sepse asnjë prej këtyre nuk ka marrë mundimin të lexojë një manual elementar të historisë së gjuhës shqipe, ose edhe një vëllim me studime etimologjike të Çabejt!

Më në fund, për disa nga këto vepra e arritje mund të diskutohet edhe nëse i përkasin albanologjisë qoftë edhe thjesht si mite alternative ose fantazi të sistemuara. Nëse merr përsipër të lexosh mbishkrimet etruske me anë të shqipes, ti je duke bërë etruskologji, jo albanologji; sepse shkenca është qasje ndaj së panjohurës, dhe këtu e panjohura janë pikërisht mbishkrimet etruske, ndërsa shqipja vetëm po përdoret si vegël, instrument. Në të njëjtën mënyrë, nëse ti përpiqesh të shpjegosh disa emra vendesh në Greqinë e lashtë nëpërmjet shqipes (për të provuar se pellazgët flisnin shqip), ti je duke kontribuar më shumë për historinë e hershme të grekëve e të greqishtes, sesa të shqipes e të shqiptarëve.

Disa alternativë ndjekin edhe një taktikë që nuk ka shumë të bëjë me metodologjinë shkencore: u qëllon të njohin shqipen për arsye të ndryshme (sepse janë shqiptarë ose me origjinë shqiptare, sepse kanë jetuar mes shqiptarëve, ose thjesht sepse shqipja është ende kuriozitet); e shfrytëzojnë njohjen e shqipes për të mësyrë probleme që janë ose në zgrip të dijes, ose ende të ngecur përtej horizontit të dijes (pellazgët, etruskët, ilirët); i gjejnë shqipen dhe shqiptarët në rrënjë të historisë. Këtu nuk është çështja nëse këta njerëz janë entuziastë, gjenij të pakuptuar, amatorë të paepur, aventurierë të dijes, të marrë, antikonformistë, naivë, megalomanë, të parakohshëm, provincialë të pashpresë, vizionarë, heronj të mendimit, gjysmakë, shenjtorë të kalendarit kombëtar, viktima komplotesh, largpamës, të paditur, autodidaktë, paranojakë, të fantaksur, apo thjesht sharlatanë, spekulantë e marifetçinj. Këtu çështja është, pikësëpari, se këto studime e interpretime, ose hobbies dalë jashtë kontrollit të autorëve, nuk kanë shumë lidhje me shqipen e shqiptarët…

Përveçse – dhe kjo është një përveçse e madhe – kur është fjala për ideologjinë kombëtariste, së cilës pseudo-dija i duhet për të ushqyer disa mite të vetat: të lashtësisë, të racës, të epërsisë, të viktimës.

Për mua albanologjia alternative është provë se kultura shqiptare dhe në përgjithësi përpjekjet që bën shoqëria shqiptare për ta njohur vetveten në bashkëkohësi dhe në histori, gjenden ende në një fazë foshnjore, ku kufiri midis mitit dhe shkencës, ose ngushëllimit dhe dijes nuk është i qartë dhe ku një pjesë e mirë e publikut ende kujton se përdorimi i akademisë si armë në betejat politike ose ideologjike është krejtësisht i përligjur, madje edhe e vetmja mënyrë për të përligjur ekzistencën dhe sidomos financimin publik të akademisë vetë.

 

18 Komente

  1. Fatkeqësisht nuk e lexova dot të tërë shkrimin me vemendjen e duhur, sepse me duhet te largohem nga interneti, po më pëlqen shumë mënyra e paraqitjes dhe e diskutimit të temës. Thjesht si vëzhgues i interesuar por pa një pregatitje akademike në këtë fushë kam lexuar nga një libër të Falaschit, Pilikës, dhe Arefit, dhe disa nga gjetjet apo të dhënat janë kurioze, apo tërheqëse. Megjithatë, siç thuhet në shkrimin e mësipërm, në mungesë të shqyrtimit rigoroz shkencor këto kuriozitete nuk duhen marrë për më tepër se ç’janë. Dhe barra e argumentimit bie plotësisht mbi përfaqësuesit e këtyre alternativave.

  2. Elton (pa te keq), ate kohe qe perdore per te na percuar mesazhin tend, do te kishe bere mire ta perdorje per te cuar deri ne fund prurjen e Xhaxhait.
    Deshira per nderhyrje eshte pjese e vanitetit njerzor – nganjehere vjen edhe fare pa u kuptuar, sikunder ndoshta mund te merret edhe kjo e imja per terheqje vemendje, por ti fole kaq shpejt, ende pa e pertypur esene e mesiperme, saqe mua mu krijua nje paralele mes “asimilimit” te kritikes se xhaxhait dhe produkteve te kritikuara prej tij.
    Ndoshta gaboj une, po nuk mund, nuk duhet te jemi kaq te gatshem te pranojme gjithshka. Sepse ben vaki (:)!) dhe xhaxhai e ka gabim ne gjithcka/shumcka/dicka na kumton. Ben vaki jo.
    Habia filozofike eshte motivi qe na shtyn drejt njohjes, por habia ama, jo magjepsja.

    PS (per ultrat) – dyshimi mbi ekspertizen e Atij i ngritur prej meje eshte thjesht provokativ dhe me qellim te mire. Dihet tashme qe AI nuk gabon KURRE :)! AI Akbar! AI uberalis!

  3. Albanologjia klasike i qëndron albanologjisë alternative si mjekësia magjisë. Jo mjekësisë popullore, por magjisë sharlatane. Në dritën e këtij krahasimi, përkufizimi “albanologji alternative”, bërë nga Xha Xhai, po më duket mjaft bujar. Alternativja si koncept lind pas dukurisë zyrtare, klasike, përgjithësisht të pranuar. Normalisht del në pah në momentin kur përgjigjet serioze, metodologjikisht galileiane, nuk ia dalin dot pyetjeve dhe dëshirave popullore; përjetësisht skeptike dhe abulimike.
    Guxoj të them se nuk është rasti i albanologjisë shkencore. Në të vërtetë, është kjo e fundit që duhet quajtur ”alternative“, sepse ka përfunduar në minorancë, strukur rafteve të bibliotekave të specializuara. Albanologjia popullore me siguri është më e lashtë, meqë i sheh rrënjët tek Rilindja e më tej, atëherë kur objektivat ishin përnjëmend mitike e aspak shkencore. Edhe shëruesit popullorë shkojnë e rrëmojnë nëpër errësirat mesjetare për të ringjallur atë që mjekësia e ka hedhur prej kohësh poshtë.
    Natyrisht, ia kuptoj hallin Xha Xhait që i duhet t’i japë një emër eksitimit të etimologjisë popullore, që ka marrë hov në Shqipëri kryesisht vitet e fundit, duke i lënë mejhanet për faqet e librave divulgativë. Çështja është vërtet komplekse. Edhe vetë përkufizimi “albanologjia akademike“ rrezikon të keqkuptohet, sidomos pas krizës së institucionit shqiptar.
    Thelbi, gjithsesi, nuk ndryshon. Në qoftë se albanologjia klasike, në kuptimin shkencërisht klasike, ka si qëllim përafrimin ndaj së vërtetës, duke pasur si objekt gjithnjë gjuhën dhe kulturën shqiptare, ajo alternative ka si objekt universin e individit ose bashkësisë shqiptare. Me fjalë të tjera, synimi i albanologjisë alternative/popullore/ diletanteske/ folklorike është politik, jo shkencor. Si rrjedhojë, i përgjigjet humorit të turmës në rastin më të keq dhe të publikut në rastin më të mirë. Albanologjia klasike nuk para dehet nga duartrokitjet apo recensionet me superlativa, që zakonisht rezervohen vetëm për heronj.
    Së fundi, hidhini një sy shkrimit të mëposhtëm. Ka dalë si me porosi.
    http://www.gazetatema.net/index.php?gjuha=0&category=0&id=1465

  4. Autori i shkrimit te referuar me siper duket se eshte ne nje mendje me Pishakun:

    “Fatmirësisht, në historinë e trazuar të këtij vendi, ka patur e vijon të ketë individë të shquar, prania e të cilëve na ka ndihmuar e na ndihmon të ndjehemi dikushi si komb. Janë individë me zemër të madhe e mendje të gjerë, të cilët kanë ditur e dinë t’ia kushtojnë jetën kombit të tyre. Është fjala hiç më pak, po për individë prania e të cilëve na e nxitin në mënyrë të vetvetishme ndjenjën e krenarisë e të vetëdijes kombëtare.”

    Keta individe jane vertete shume zemergjere. Shkencen ja nenshtrojne dhe ja bejne sherbyese vetedijes kombetare. Shkenca eshte perqasja ndaj se vertetes qe e dime!

    E dhimbshme te mendosh qe ne boten shqiptare jemi akoma tek perkufizimi i shkences. Ose me mire, qe per shkencen perdorim dy kritere te ndryshme: ne ato ekzaktet ajo eshte shkence ne ato albanologjike eshte edhe perralle.

    Xhaxha, artikull i shkelqyer.

  5. Ndërhyrja ime duhet kuptuar si më në të djathtë, ose më në të majtë, pra më e skajshme, se sa ajo e Xha Xhait. Desha të them se paradoksalisht Çabej citohet sot nga disa elita shqiptare vetëm në funksion të tezës së lashtësisë. Madje, kam përshtypjen se në heshtje ia qortojnë pakëz maturinë në fushën etimologjike, duke mos e interpretuar këtë maturi si karakteristikë të shkencëtarit, që rrjedh nga vetë epistemologjia e tij, por si mungesë guximi për t’u “dhënë dërrmën armiqve kudo që janë”.
    Albanologjisë akademike i rëndojnë mbi supe edhe akuzat për burokratizim të dijes, që, hiq përjashtimet e rastit, ndodhi vitet e fundit të regjimit totalitar. Edhe për këtë arsye, librat e sotëm të gjithfarë etimologësh të improvizuar perceptohen si kundërpeshë e “dijes zyrtare”, si dije e çliruar nga censura e djeshme diktatoriale.

  6. Mendoj se izolimi i akademikut te mirefillte neper kullat e fildishta, do shkaktoje nje imbalanc universal me pasoja te thella. Une toleroj alternativistet, por nuk jam aq budalla sa te mos di qe pa nje litar te mberthyer ne real-albanistik ky qen ta ha koken.

  7. Pasi lexova me ane te nyjes qe solli Pishaku artikullin e Temes, ngela pa mend, mor po fare, hic mend, kulluar e rrjedhur, OM-i perfekt, nirvana, ybermensh dhe, kur pashe veten ne pasqyren ne murin perballe, si “dash i sheqerte m`u duk vetja” (Majakovski). Temen e semes, thac pas 4-5 momenteve monumentale, pse dreqin s`rri dot vec keshtu?

    …Librin e Petros nuk e kam lexuar. Mbaj mend ne Tirane kur sapo ishte lejuar ushtrimi i besimit fetar e ishte hapur ajo kisha e pater Zefit (ndjese paste), degjoja me admirim e i magjepsur duke pritur te fillonte mesha, nje shokun tim te me fliste per Petro Zhejin. I burgosur, poet, poliglot, gjeni. Shoku, i cili kishte lidhje te ngushta me Petron, me tregonte sesi Petro “ja kishte hyre sanskritishtes” (behet fjale per vitin ’91). Fjala “bari”, thoshte shoku, gjendet edhe ne sanskritisht, dhe bari, sic e dime, eshte vegjetacioni i pare (i pari!) qe del mbi dhe`. Shoku nuk vonoi t`a bente lidhjen edhe me fjalen ‘pari, i pari.’

    Petron si perkthyes mbaj mend qe me ka pelqyer jashte mase, por atehere isha adoleshent, dhe nuk i jam rikthyer me atij leximi. Jam kurioz te di, (ndoshta dikush ketu e ka lexuar librin per te cilin ben fjale artikulli) nese ai ndjek aty ndonje metode shkencore gjuhesore per te arritur ne perfundimet e tij. Artikulli nuk sqaronte shume mbi kete, vetem permendte “aftesine unike” te shqipes per t`u dhene kuptim monosilabave, gje qe s`me duket se ngre shume peshe; ka raste edhe ne gjuhet e tjera, mesa mbaj mend nga leksionet mbi gjuhen angleze, qe permbajne kuptim edhe ne fjale apo rrenje (njerroksha).

  8. Kullat e fildishta te Bejkos jane ato qe me shqetesojne tek stoicizmi i metodes galileiste qe permend Pishaku. Prandaj, sic edhe e kam shprehur me pare, akademiku duhet te kerkoje nje vizion me Baconian, ku dija te jete ajo qe josh pushtetin, dhe jo miti. Kjo joshje e pushtetit, dhe rrjedhimisht e finacnimit publik, varet nga e vecanta qe dija ofron ne albanologji. Eshte me e veshtire kjo joshje per albanologjine dhe shkencat humane ne pergjithesi, se sa per shkencat empirike, pasi keto te fundit jane me te afta te nxjerrin fitime nga fusha e tyre e kerkimit. Se bashku me zhvillimin e metodave te drejta, kjo eshte sfida e pasardhesve te Cabejit sot, dhe jo te hahen me popullaritetin e albanologjise alternative, sic e ka vleresuar edhe xha xhai me lart. Nje menyre qe kjo sfide te arrihet, eshte te bindemi me ane te arsyes dhe shembujve te ndryshem, qe interpretimi i sakte i fakteve historike eshte me i fuqishem dhe me i favorshem per te gjithe se c’mund te jete ndonjehere joshja momentare e sirenave te historise spekulative.

  9. Interesant ky “elementi semantik” i Zhejit. Keshtu psh, nqs do marrim si element semantik GO te anglishtes, i cili ne anglisht do te thote shko, atehere shqipja rrjedh nga anglishtja, pasi kete element semantik e gjejme tek fjalet, GOmar-kafsha qe shkon dhe merr, GOrrica-kur shkon per gorrica psh, GOnxhe-ajo qe kur shkon tek e dashura ia jep ose ia merr qe te nxehesh muhabetin, GOvate-kjo ka te beje me natyren vajtje ardhese te ujit, GOme-kjo ne fakt nuk eshte shqip, por cfaredo gjuhe te jete, ne baze te elementit te padiskutueshem semantik, te gjitha gjuhet nga anglishtja rrjedhin, GOp-andej nga ku te gjithe kemi ardhur dhe atje ku te gjithe do shkojme, GOlloborde-kjo eshte nje krahine ku jane vendosur pasardhesit e anglezeve te lashte pasi iken nga ishulli i tyre nepermjet nje katapulte te ulet dhe gjuha qe flitet aty eshte anglishte e vjeter, shKO-sh-ja perpara tregon nje shberje te ikjes, pra nje kthim ne origjine pas vales se ikjes, GOre-kjo eshte kur te vjen fqinji ne shtepi dhe te rreh me fjale, GEnjeshtra-kjo eshte njesia qe i ndahet te vertetes dhe bie ne shtrat me djallin, GROpa-kjo eshte kur shkon perposhte, dhe GErma-kjo ndodh ne te gjitha elementet semantike qe per nga natyra semantike i largohen realitetit.

    Elementi semantik?

  10. Të dish pak shpesh herë është më keq se të mos dish asgjë. Kjo, bashkë me dëshirën për të marrë pjesë, ngaqë e gjeta veten në akord me idetë e artikullit, bëri që të shkruaja komentin më lart, i cili kritikohet me të drejtë nga Pseudonimi. Kjo vërejtje pranohet plotësisht, sepse komenti im nuk i shtoi asgjë të re diskutimit; ishte thjesht një jehonë e tipit “Edhe unë, edhe unë!” e cila nuk i shërben askuj. Kam përshtypjen, mbase edhe bindjen, që zërat në këtë blog janë autoritativë në temat e diskutimeve (unë nuk jam) dhe kjo duhet respektuar në mënyrë që të mësoj diçka të re, kështu që në të ardhmen do jem pak më i kujdesshëm dhe i durueshëm.

    Falemnderit për kritikën.
    Miqësisht,
    EL

  11. Te vertetuarit e origjines nuk shtone funksion te subjektit ne fjale, por gjeneron dialog per te. E pare si e tille, mendoj se alternativja eshte, ka qene dhe do jete, si edhe shkencorja. Diskutohet per nje gjuhe, qe deshmone me prezencen e saje. Nuk duhet harruar ne agumentin e radhes, per legjitimitet. Detyra e gjuhe njohesve eshte te njohin, edhe mos njohja te pranohet ne proces, duke patur parasysh qe jeta s’ndalon rrjedhen e fenomenit, deri sa te beje te lexueshme ngjarjen e radhes studiuesi. Ne rastin e Zheit s’mungojne te gjithe parametrat e mekanizmit veprues, por zbehet efekti i tij, kur bene te njejten gje qe kane bere shume nder vite; “diktoj” “ndryshoj” Qe ai vete eshte afer “ndryshimit” e kuptojme, por s’eshte prove “diktuese”, deri sa mistika eshte kthyer ne zbavitje te imagjinates. Te mos dishe pergjigje te sakta rreth pikpyetjeve te mprehta te gjuhes, s’eshte fundi i botes, por fillimi i saj. Gjuha po perdoret, eshte e gjalle, dhe mire eshte te njohim sistemin ne te cilen bene pjese, dhe jo pa durim te ditur. Xha Xhai duket i kenaqur edhe pse nuk di, por dija e bene pa rreshtur te qemtoj gjuhesisht ne panteonin e saj, me nji te “mete” do te thoja se s’parkohet ne ndonji stacion “delirativ” t’a perdori kur s’prodhon rrezultat, shenje moderiteti, ekspozuar nud ndaj fenomenit, e bene veten bashke pjestare te fenomenit, pa autoresine si gur ne qaf, qe t’ja beje notimin e pa mundur edhe ne rreke (perrenje) te ceket te subjektit ne fjale.

  12. Une nuk jam historiane, por historia e vendit tim me ben krenare qe jam shqiptare.
    I lexova te dy vellimet e nxjerra nga i shquari dhe mjaft i nderuari Mathieu Aref.
    Kam ngelur e befasuar dhe fale internetit kam lexuar mjaft per pellazget dhe etrusket, ku kam verejtur se ka mjaft ngjashmeri te gjuhes sone shqipes dhe pellazgjishtes apo etruskishtes.
    Me vjen vertet keq qe ka dhe njerez aq me keq historiane qe ne vend qe te merren me studime shkencore merren me llafe qe nuk i sherbejne askujt.
    Faleminderit z. Aref per vepren tende per ate qe i le bashkekombasve tuaj e sidomos femijeve tane.

  13. Flora, roli i historisë është t’i qaset së vërtetës, jo të entuziazmojë njerëzit. Unë besoj se njerëzit duhet të ndihen krenarë për arritjet e veta, të miqve e të afërmve të tyre, të mësuesve, të nxënësve, të udhëheqësve e të komunitetit të tyre, ose edhe të shtetit të cilit ia mbajnë pasaportën dhe ia gëzojnë qytetarinë; por jo për rrëfenja që kanë të bëjnë me mjegulla të mijëra vjetëve më parë. E kam fjalën që historia nuk mund të përdoret si të ishte drogë euforizuese; sepse ashtu nuk është më histori, por drogë.

  14. Nepergjigje te xhaxhait , me duket se autoret shqiptare duke perfshire dhe M. Aref e Kocaqin ju kane referuar kryesisht historianeve greke.
    Edhe historia e Krishtit vete sot mbas 2500 vjeteve po vihet ne pikpyetje. Ishte apo sishte i martuar me Maria Madalenen. Historia me sa duket eshte shkruajtur nga ai qe eshte me i forte, por jo nga ai qe ka te drejte.
    Ne e keqja na ka ardhe nga qeveritaret tane te cilet per te forcuar pushtetin e tyre i servilosen te gjitheve, por ka dhe dicka tjeter, qe mua nuk me vjen mire ta pranoj.
    Sot shoh shume njerez qe ndryshojne emrat , qe shiten per nje pension qe i jep greku a nuk di se cfare.
    A thua qe e kemi ne gen , prandaj jemi asimiluar kaq lehte ?
    Megjithate une mendoj se ka shume shqiptare qe ndergjegja kombetare do ti therrase dhe do ti bej te vetedijshem per historine e tyre duke lexuar shume
    duke studjuar dhe Herodotin , Strabonin Virgjilin,Eqerem Cabejn , Mathieu Aref, por dhe me te rene Elena Kocaqin.
    Tung nga Flora

  15. Po ju shkruaj disa rreshta te Naimit te madh:
    thot’Herodoti
    ne Tomorr Zoti
    shtepi qemoti
    kishte Dhodhone
    eshte me e vjeter
    ngaha cdo tjeter
    shume me teper
    kjo gjuha jone
    e me poshte:
    pastaj u ndrruam
    se s.kuptuam
    dhe nuk u cquam
    te miren tene
    gjakne per bot
    e derdhme kot
    njeri cte thote
    nuk i eshte thene
    mbajtme Turqine
    ngjallme greqine
    ndihm. Italine
    po Shqiperine?
    per ke luftuam?
    neve c’fituam?
    C’kemi tanine

  16. Ne internet tek faqja “etruscans” ” gli etruschi” etj ka shume fjale te cilat jane te perkthyera ne anglisht, sic ka edhe fjale qe nuk jane perkthyer.
    Per te vertetuar ate qe kam thene me lart lidhur me ngjashmerine e gjuhes etruske me shqipen po jap disa fjale ku perkthimi ne anglisht eshte bere nga autoret qe jane marre me gjuhen etruske gje qe mund ta vertetoje cdo kush.Pa marre eskluzivitetin e vertetesise percka kam konstatuar . kerkoj qe kushdo qe nuk eshte dakort ti hedhe poshte keto konstatime.
    etruskisht – shqip – anglisht
    apa – baba – father
    apana – atenor – paternal
    ati- – emta – mother
    teta,ati,nacna- tata nana – grand mother
    puia – gruja – wife
    clan – cun – son
    sec – cik, cuc – daughter
    nefs – nip – nephew
    math – madh – great
    etera, eteri – tjetra tjetri- foreigner
    tul – tulle – ston
    mech – mic – boy
    spur – shpure ose gur- city
    maru – marre – black eye
    ta mera – ta merr – to take
    ril – i ri – young
    capr – prill – april
    masan – mars – month( i pa percaktuar)
    capu – fajku – falcon
    hiuls – hute – screech-owl
    leu – luan – lion
    aska – vaska – wineskin
    sval – gjalle – live
    cechaneri – cekan – titull ne drejtesi
    tam – dhome – house
    ten – ben – I do
    tur – thur ose dhuroj- to give
    thes – qes – to bring
    thu – dy – two
    vinum – vere – Wine
    sran – shan – to shout
    purth – puth – pa perkthim
    usil – diell – sun
    turan – turr – emri i vezuvit
    cape ,capi – kape kapi – to keep
    patna – pjata – a bowl
    pruch – poc – a ewer
    speras – shpresoj – hope
    qutun – katruv – a vessel
    lup – hup – lose, waste
    penk – pese – five
    matan – matane – in front
    mi – imi – mine
    murs – muros – sarcophagus
    nac – aq – then
    nes – mes, des – dead
    suth – ul – to stay
    ta – ata – they
    spet – pi – drink
    tame – trem – fear
    pere – prish – perish , fall out
    tageus – ta gjesh – perendi e mencurise
    haruspex – me pa arushen( yjesi) nuk eshte perkth.
    am – jam – to be
    avil – avit, vit – year
    cer – merr ose ber – to make
    cela – cel ose qele – pa perkthim mendohet
    e dyta ( qele)
    celu – qiell – sky
    ces – qes – to give
    ci – tri – three
    cupe – kupe – cup
    farth – ardh – to bring
    hec – hek – spay
    lein – len – die
    vase – vazo – bowl
    tavle – tavoline – table
    spinia – shpina – spine, back
    Vnia – Uni – jupiteri
    prosikoren- pres koren – cut portions
    lucair – rregull – order
    snaus – zmbraps – drive back
    spelthi – perpij , perthith – hide. kill
    snusa – stisa – fulfil
    pesca – peshk – fish
    ton – tund – thunder
    sren – shkruan – design
    veltune – vetetime – thunderbolt, lightning
    tines – tines – underhand
    pinca – pikture – paint
    cem – them – sigh
    Nisus – nis – start
    theia – dheja,dheu – earth
    nyx – nate – night
    Lycaon – lukuni – wolfe
    daedalus – dal – ( shih labirinthin)
    icarus – ika – po ketu tek labirinthi
    horta – e korrta – harvest
    Cautha – u tha( than) – sun god
    Menrva – mencura – Minerva
    Nethuns – nuk than – god of fresh , water
    thalna – falna – goddess of childbirth
    veive – vaje – god of reverange
    sukatv – zukat ose sokellin- vociferation
    plato – plas perplas – applaud
    ro – ra – shed
    prorse – prurse – rush
    verier – vertete – tru
    vage,vakos – ece jake – wander
    trotan – trokas – trot
    seti – nejti – sit
    toca – toka – touch
    tor – pare – watch over
    sparse – shperndare- spread
    sar – sharre – saw
    saran – sharron – saw
    esi – ujesi – water
    Apulu – hap ulu – Apollo ,god of light and
    weather
    Heracle – i hekurt
    feronia – lehonia – Woman after child birth

    placian – plak, pleq – elders
    zich – i zi – black
    Ka edhe shume fjale te tjera qe permenden ne studimet e autoreve te ndryshem qe kur i shikon perkthehen vetem me shqipen si psh :
    mursilus- marr sjell, ose mur rrethues mur qe sillet
    rasna – rrasa , rrase guri
    callirrhoe – kalli dhe hoje
    partheon – parathenje
    Corinth – korr
    menippe- mend jap
    phrastos – vrastor
    etj ,etj.
    Kur lexoj ne kete forum per albanologjine alternative dhe ate shkencore, me thane te drejten e kam shume te veshtire ta ndaj se ku qendrojne studjuesit e albanologjise alternative nga studjuesit e albanologjise shkencore.Ne se ka ndonje qe te pakten keto fjale qe une kam hasur dhe qe i kam gjetur te perkthyera ne anglisht ( shih enciklopedine britanike) te mi perktheje nga greqishtja apo ndonje gjuhe tjeter le ta beje.

  17. Nuk me ndjell simpati albanologjia zyrtare, pasi mesa kam verejtur perbehet nga nje shpure pozitivistesh, keshtu qe meqe per mua perfundimet e bazuara ne pozitivizem jane shpesh te gabuara, kokefortesia e pozitivisteve nuk lejon zgjerimin e njohurive.

    Ne gjuhen shqipe nuk eshte marre as per se largu ne konsiderate lidhja gjuhe-fe, lidhje jetike.

    Gjuha e folur hyn tek materiali shpirteror i popullit, meqe gjuha materie nuk eshte as sot e as mot e aq me pak dje.

    Vete indoeuropianistika i ka ndjenjur larg ndikimit fetar ne gjuhe.
    Ashtu si cdo pjelle spirituale(arti,letersia,mitet, kenget) edhe gjuha e folur kurrsesi nuk mund te jete zhvilluar pa ndikimin fetar.
    Marrim psh fjalen Zot. Kjo fjale ka dhene ne shqip, zot shpie/zot i vendit,kryezot,imzot, zotrote, zoteroj,zotoj-zotohem(?),i/e zoti, i/e pazoti, i/e zoteruar, zoterues, zoteri/ni e zonje,zonjushe.

    Nuk me duket se ka vend per dyshim, se fale kryesisht prapashtesave, rrenja Zot ka sjelle nje thes me fjale.

    Ne kohet e vjetra fjalet qe lidhen me fene kane qene te pakten po aq vendimtare ne prodhimin e fjaleve te reja sa fjala Zot ne shqipen e sotme.

    Gjuhesise zyrtare nuk i plas fare per kete aspekt te gjuhes.
    Ceshtja eshte se gjuhesia zyrtare zoteron metologjine shkencore e cila eshte e domosdoshme, mirepo mua me duket se kjo metologji nuk eshte e plote.
    Nuk ka si te jete e plote kur nuk arrin te zgjidhe ceshtje themelore si vendi i shqipes ne ndarjen kentum-satem, historia e fonetikes shqiptare apo etimologjia e fjaleve.

    Atehere per mua ketu lind edhe albanologjia alternative, lind pikerisht nga paaftesia e albanologjise zyrtare te vere pikat mbi i, per ceshtje thelbesore.
    Per shqiptaret e per vete shqipen huazimet nga turqishtja apo persishtja, perfaqesojne interes mejhanesh ne krahasim me ceshtje thelbesore si fonetika historike ,etimologjia apo lidhja me grupin iliro-trako-dako-frigj e vete perkatesia kentum apo satem.

    Ta marrim psh perkatesine kentum apo satem.
    Thone (me shumice derrmuese votash) se shqipja eshte satem, mirepo po te veresh ndarjen kentum-satem, te futesh shqipen ne satem eshte thjesht pasoje e procesit te paperfunduar te satemizimit e jo sepse realisht shqipja eshte satem e qarte.
    Te kembengulesh se shqipja eshte satem eshte njesoj si te thuash se njeriu qe ndodhet ne Kavaje, nuk eshte gjate rruges nga Lushnja ne Durres, por ndodhet ne Durres.

    Ti mund te ngrihesh e te thuash , shiko se ai nuk ndodhet ne Durres, por nese te gjithe shkencoret kembengulin se eshte ne Durres do fillosh te dyshosh edhe vete.

    po te shohim tabelen e pare tek :
    http://en.wikipedia.org/wiki/Indo-European_sound_laws

    shqipja eshte vene ne mes bashke me tokarishten dhe ne te majte te shqipes ka satem te qarte, ndersa ne te djathte pervec tokarishtes ka kentum te qarte.

    Shikojme ne tabele se K e pare e tabeles, ne gjuhet satem ka sjelle s ne gjuhet kentum k(,h,g), ndersa ne Shqip, ka th dhe k, dmth th qe tregon satemizim, ndersa k qe tregon kentum.
    Po njesoj me shqipen qendron edhe tokarishtja, pasi edhe aty ka k(kentum) dhe s(satemizim).

    Tek k e dyte dhe tek e treta , gjuhet satem kane ruajtur k,dmth nuk i jane neshtruar satemizimit ashtu si logjikisht edhe ato kentum, nderkaq tokarishtja qendron po njesoj, dmth k tregon ruajtje ndersa s, satemizim.

    Shqipja ne tabele eshte shume e cuditshme, sepse tek k e dyte ka ruajtur k,njesoj si gjithe gjuhet e tjera te tabeles kurse tek k e trete (kw) , sillet si tokarishtja dmth edhe k edhe s, dmth kunder si gjuheve satem ashtu edhe atyre kentum, biles kemi edhe qiellorzimin, dmth kemi kthimin e k ne q. (Ketu kalimi nga kwon ne qen, duket i natyrshem meqe kw kthehet ne q e latinishtja ska kurrfare pune).

    Kalojme tek 3 g-te me poshte ne tabele.
    Tek g e pare, verejme per here te pare satemizim te plote, por nje nga gjuhet e plota satem, e para e tabeles kalon ne h, dmth sillet si kentum. Pra kjo g ne vetvete eshte anomali , qe mendoj ka nevoje per thellim nga ata qe paguhen per kete pune.
    Tokarishtja ndaj 3 g-ve ka te njejten sjellje sic kishte me 3 k-te, dmth edhe k te kentumit edhe s te satemit.
    Ndaj g-se dyte, sanskritishtja ruan frymen kentum nderkaq gjuhet e tjera satem edhe pse kryesisht e ruajne frymen kentum tregojne edhe satemizimin me z, nderkaq kentuma te qarte si greqishtja dhe latinishtja se nga shkojne e nxjerrin ph e f, anomali e qarte jo vetem nder kentum po nder gjithe gjuhet. Nderkaq greqishtja nxjerr ne pah edhe th e satemit.

    Ajo tabele tregon edhe dicka tjeter , qe qiellorzimin e shqipes nuk e ka asnje gjuhe tjeter, pasi kemi k-q, g-gj,r-rr,l-ll,n-nj. Ky eshte proces tjeter qe duhet shpjeguar,pse shqipja peson me teper qiellorzimin se gjuhet e tjera dhe si nga jashte brenda tel l-ll apo n-nj ashtu edhe nga brenda jashte k-q e g-gj apo poshte-lart si r-rr.

    Tani aty ne tabele, duket qe gjuha me e afert se sjelljen ndaj k-ve e g-ve me shqipen eshte tokarishtja e jo ndonje gjuhe satem.
    Atehere llogjike qe kategoria e tokarishtes duhet te jete edhe e shqipes.
    Faktikisht jane thuajse ne te njejten kategori, ne kategorine e gjuheve qe sdine ku ti fusin.

    Ne te njejten kategori gjuhesh te paqarta apo me sakte qe deshmojne sjellje te dyshimte , rastesisht po fare rastesisht hyn edhe ilirishtja , per te cilen shumica mendon se eshte kentum nderkaq eshte e provuar se ka sjellje satemi te qarta.

    Hipoteza se procesi i paperfunduar i satemizimit ne shqipen e sotme , mund te deshmoje per me shume kentum ne te shkuaren , dmth ti afrohet ilirishtes qe ka pak satem, mua me duket per tu marre ne konsiderate e deshmon per lidhjen e dy gjuheve e sqaron perse jane gjuhe veshtiresisht te kategorizueshme, pikerisht sepse mund te jene njera vijim i tjetres.
    E anasjellta, se njera do ishte padyshim kentum apo satem, do e bente te veshtire lidhjen ilirisht-shqip.

    aig – dhia, deshmon se para fjales dhia ekzistonte nje fjale gia nderkaq kec ku c eshte zvogeluese e shqipes tregon nje ke, pra nje kentum nga gi.
    Keshtu nje satem dhi e nje kentum kec(qe etimologjikisht do te thote i vogli i dhise, ashtu sic eshte), mjaftojne per te
    treguar sesi shqipja nuk eshte aq thjeshtesisht satem sa duan ta bejne.

    Pastaj hec e beso albanologjine zyrtare.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin