Kur parkon shqiptari

Jeta e përditshme në mjediset urbane sidomos në qytetet e mëdha do të vështirësohej shumë, sikur banorët e atjeshëm të fillonin t’ia shpërfillnin normat, herë të shkruara e herë të pashkruara, herë të logjikshme e herë absurde, që rregullojnë përdorimin vetjak të hapësirës publike. Aq më e vërtetë është kjo për metropole me sipërfaqe vetvetiu të kufizuar për shkaqe gjeografike, të tilla si ishulli i Manhattan-it brenda konglomeratit urban të New York-ut, ku miliona qytetarë të pasur e të varfër, vendas e të ardhur, amerikanë e të huaj, të larë e të palarë, jetojnë e punojnë në vetëm 60 km2. Në rrethana të tilla, edhe një problem relativisht minor si parkimi i automjetit privat vjen e shndërrohet në çështje me interes të përbashkët, pse hapësira e përdorshme është e pakët, ndërsa kërkesat për ta zaptuar të panumërta. Siç mund të pritej, vendparkimet e ligjshme në Manhattan janë relativisht të rralla e ndonjëherë tepër të shtrenjta, në një kohë që policia urbane tregohet e vëmendshme dhe e pakursyer në shpërndarjen dhe vjeljen e gjobave për parkime të paligjshme.

Një numër banorësh, ose më mirë “përdoruesish” të Manhattan-it, mbeten megjithatë të përjashtuar nga ky sistem shtrëngimesh dhe ndëshkimesh – ata mijëra diplomatë të huaj akredituar pranë Kombeve të Bashkuara ose në konsullata të ndryshme, e që gëzojnë imunitet ndaj përndjekjes prej organeve lokale të ruajtjes së rendit, sidomos kur është fjala për kundërvajtje të thjeshta. Natyrisht, imuniteti diplomatik njihet dhe respektohet botërisht për arsye madhore e të vetëkuptueshme, edhe pse shumë diplomatë në praktikë e shfrytëzojnë për nevojat e tyre private. Deri vonë (2002), diplomatët në Manhattan mund t’i parkonin automjetet e tyre ku t’u shkrepej dhe t’i shpërfillnin krejt gjobat përkatëse, pa u shqetësuar se kjo mund t’u sillte ndonjë farë pasoje të pakëndshme. Vendasit nga ana e tyre gjithnjë e kanë përcjellë me indinjatë të madhe tolerimin e kësaj kaste të privilegjiuarish nga administrata metropolitane.

Sjelljen e individit në publik komuniteti nuk mund t’ia besojë krejtësisht normave etike individuale. Mirë do të ishte që gjithkush të motivohej vetvetiu nga ligjësitë etike të bashkëjetesës qytetare, por në praktikë ligjësi të tilla kanë nevojë për t’u mbështetur nga rregulla dhe norma praktike, të zbatueshme po të jetë nevoja edhe forcërisht nga organet e rendit publik. Funksionimi i komuniteteve të mëdha e shumëmilionëshe në mjedise të hiperpopulluara si Manhattan-i varet në masë të madhe nga gatishmëria e banorëve për t’i njohur këto rregulla e ligjësi si të vetat. Individi që kërkon të parkojë makinën e vet në qytet detyrohet të marrë parasysh që do të gjobitet nga policia në rast se parkon paligjshëm, madje edhe kur nuk begenis të kuptojë e të arsyetojë se rregullat e parkimit synojnë t’ia ruajnë cilësinë e dinjitetin jetës së përditshme në qytet.

Për diplomatët e huaj parkimi i paligjshëm është, përkundrazi, kryesisht çështje etike vetjake, meqë këta përjashtohen nga kërcënimi i ndëshkimit financiar. Të nisur nga ky konstatim i thjeshtë, dy ekonomistë amerikanë – Ray Fisman dhe Edward Miguel – studiuan statistikat e kundërvajtjeve të parkimit në Manhattan gjatë viteve 1997-2002, sipas shtetësisë së diplomatëve, për të parë nëse mund të gjendej apo jo ndonjë lidhje statistikisht domethënëse midis numrit të madh të kundërvajtjeve për diplomat dhe indeksit të korrupsionit për shtetin përkatës (studimi mund të këshillohet falas në Internet). Duke u nisur nga një përkufizim pune i korrupsionit si “abuzim i pushtetit për të nxjerrë përfitime private”, autorët e vështruan parkimin e paligjshëm prej diplomatëve të huaj si simptomë të mendësisë korruptive, meqë në raste të atilla privilegji formal i imunitetit që buron prej detyrës, përdoret për të përfituar privatisht nga hapësira publike.

Sipas këtij studimi, mes 146 shteteve me misione diplomatike në NYC, tre diplomatët nga Shqipëria zënë vendin e shtatë në krye të listës së zezë, me 84.5 kundërvajtje parkimi për diplomat, në një kohë që njëzet vendet me më shumë shkelje të tilla janë Kuvajti (246.2 shkelje për diplomat), Egjipti (139.6), Çadi (124.3), Sudani (119.1), Bullgaria (117.5), Mozambiku (110.7), Shqipëria (84.5), Angola (81.7), Senegali (79.2), Pakistani (69.4), Bregu i Fildishtë (67.1), Zambia (60.4), Maroku (60.0), Etiopia (59.7), Nigeria (58.6), Siria (52.7), Benini (49.8), Zimbabve (45.6), Kameruni (43.6), Serbia dhe Mali i Zi (38.0). Katërmbëdhjetë anëtarë të kësaj elite harbutësh ndërkombëtarë i përkasin kontinentit afrikan, çka e përfshin objektivisht Shqipërinë në një lagje kulturore e gjeografike prej së cilës gjithnjë dëshirojmë të distancohemi.

Arsyet që e shtyjnë një diplomat të parkojë paligjshëm nuk mund të reduktohen, megjithatë, në një diskutim buzëhollë rreth motivimeve etike të sjelljes dhe harbutërisë të personave që përfaqësojnë Shqipërinë në New York. Mund të përsiatet se diplomatët nga vendet e lartcituara, duke përfshirë aty edhe tonin, janë vetvetiu të varfër ose paguhen keq dhe nuk i kanë mjetet financiare për të përballuar parkimin në një qytet të shtrenjtë si Manhattan-i; sikurse mund të përsiatet edhe se shtetet përkatëse nuk kujdesen për t’u siguruar vendparkime të përshtatshme atje ku jetojnë e punojnë, sado përkohësisht. Megjithatë, një vështrim i shpejtë i vendeve në fund të tabelës e bën etikisht të pambrojtshëm pozicionin e Shqipërisë në krye të listës, sa kohë që ndër shtetet me më pak kundërvajtje, krahas Danimarkës, Zvicrës e Norvegjisë, gjenden edhe Mongolia me vetëm 10.2 shkelje për diplomat, Kirgizistani (5.2), Turkmenistani (5.8), Taxhikistani (4.3) dhe Moldavia (0.7). Mes fqinjëve tanë në Ballkan, nëse Bullgaria dhe Serbia-Mali i Zi na bëjnë shoqëri në kamaren e turpit, Greqia e Turqia, përkundrazi, nuk kanë asnjë kundërvajtje (zero), Rumania e Maqedonia rreth 3 shkelje për diplomat, Kroacia 6.5, Slovenia 5.2.

Nuk ka arsye, natyrisht, që të nxirren përfundime rreth karakteristikave etike të një kombi duke i studiuar sjelljen një grupi profesional aq specifik sa diplomatët. Njëlloj e logjikshme do të ishte të thuhej edhe se, karriera e suksesshme e funksionarit publik në vende si Shqipëria, Çadi ose Mozambiku kushtëzohet nga profili i ulët etik individual ose gatishmëria për të përfituar privatisht në kurriz të së mirës publike. Mirëpo të dhënat statistikore, në tërësinë e tyre, përmbajnë një të vërtetë që nuk mund të shpërfillet, sado të diskutueshme t’ia gjejmë premisat. Aq më tepër kur në këto sjellje të papërgjegjshme të diplomatëve shqiptarë nuk e kemi të vështirë të gjejmë diçka nga vetvetja, ose nga ajo filozofi praktike e rrugës që tanimë është shndërruar në formulë magjike të suksesit në xhunglat politike dhe ekonomike në Shqipëri. Duam apo nuk duam ne, diplomatët janë mëkëmbës jo vetëm të administratës shtetërore dhe forcave politike në pushtet, por edhe të vullneteve kultivuar në klimat politike mbizotëruese.

Mund të pyetej, me këtë rast, se ç’e shtyn një njeri të shkelë pa teklif e në mënyrë të përsëritur rregullat e thjeshta të bashkëjetesës urbane atje ku jeton – ose të pështyjë atje ku ha. Një përgjigje e pranueshme do të ishte se këta funksionarë e kanë marrë Manhattan-in “në përdorim”, pa e përvetësuar e pa e bërë dot “të tyrin” e duke e konsideruar hapësirën publike si kullotë për të livadhisur kuajt, çka tradhton edhe njëfarë armiqësie e karshillëku plebeas ndaj komunitetit mikpritës dhe vlerave konstitutive të atij komuniteti. Autorët e studimit të mësipërm shqyrtojnë, ndër të tjera, edhe hipotezën e një korrelacioni statistikor domethënës midis abuzimit të diplomatëve me imunitetin dhe opinionit të pafavorshëm ndaj SHBA në vendet përkatëse – çka në rastin e Shqipërisë nuk duhet të qëndrojë, përveçse po të përfytyrohet Manhattan-i si simbol i një bashkëjetese urbane ndaj së cilës abuzuesit ndiejnë zili, inferioritet, urrejtje ose thjesht përbuzje.

E lehtë do të ishte edhe që ky turp statistikor t’i faturohej mendësisë së njeriut të ri socialist, përkufizuar nëpërmjet raporteve të drejtpërdrejta vertikale me autoritetin, jo horizontale brenda komunitetit. Prej kohësh studiues e sociologë e kanë vënë re vështirësinë e madhe të shqiptarëve sot për të vendosur marrëdhënie të shëndetshme me hapësirën publike, por nuk është e qartë nëse kjo dukuri ka të bëjë me efektet anësore të totalitarizmit, apo me konsolidimin e pamjaftueshëm të jetës urbane historikisht në Shqipëri. E vërteta është se abuzime të tilla me hapësirën publike si ato të diplomatëve tanë në Manhattan ndodhin aq rëndom në Tiranë e gjetiu, sa tani pothuajse pranohen si të mirëqena nga opinioni. Nëse dëshira për të përfituar privatisht gjen përligjje në kontekstin kaotik të një shoqërie kapluar nga ethet e pasurimit patologjik e të ekonomisë së tregut çapraz, mungesa e kompensimit të kësaj mendësie nëpërmjet adoptimit dhe respektimit të rregullave të bashkëjetesës do marrë si një nga faktorët përcaktues për mendësinë korruptive në vend, sa kohë që dinakëria individuale shndërrohet detyrimisht e rregullisht në handikap të komunitetit.

Më në fund, te kjo gatishmëri për të shfrytëzuar privilegjin e detyrës zyrtare nga ana e diplomatëve, nuk mund të mos shihet pasioni i vjetër i ofiqarit shqiptar për vulën, titullimin, çelësin që t’i hap të gjitha dyert, ose “carta bianca-n”; ose për ta konsideruar karrierën publike si zhvendosje drejt një hapësire ku rregullat e bashkëjetesës dhe në përgjithësi të etikës nuk ka pse të respektohen më. Tek e fundit, kërkesat për privilegje e tituj i kanë shoqëruar për shekuj me radhë përpjekjet kolektive të shqiptarëve në histori, deri në atë shkallë sa grupe e komunitete të jenë identifikuar me privilegjet që u janë njohur prej autoriteteve të ndryshme. Një pasion i tillë sot mund t’i referohet fare mirë edhe psikologjisë primitive të krekosjes, fodullëkut, megalomanisë, kapadaillëkut e arrogancës macho; por në kontekste të gjera sociale, brenda dhe jashtë Shqipërie, vjen e na e pengon afrimin ndaj qytetërimit, përveçse na e modifikon gjeografinë dramatikisht, duke na degdisur në antipodet e çka dëshirojmë të dukemi në sy të planetit. [2006]

 

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin